Nga Faik Xhani -
studiues
Rrjedha kohore ecën me ritmin e saj, duke ruajtur në
memorien e nderit njerëz e personalitete të nderuar. Në epokën e sotme një nga
këta është edhe intelektuali, publicisti dhe shkrimtari kosovar Flori Bruqi.
Ai, prej kohësh, krahas aftësive profesionale si mjek
ka shpalosur talent e mjeshtëri artistike edhe në lëmin e botimeve. Krijimtaria
e tij është e larmishme , në prozë dhe poezi, por veçanërisht ka spikatur në
prozë, duke botuar 8 romane, 11 libra shkencor, 21 fejtone
publicistiko-shkencorë, shumë ueb, faqe interneti me punime
socio-psiko-kineoziologjik, të fshehtat e të vërtetat e virusit avian etj.
Flori Bruqi me impenjimin e tij shumëvjeçar, me punën e tij
prej intelektuali, me obligim atdhetar, me përgjegjësinë e një studiuesi dhe
hulumtuesi serioz, me peshore farmaceutike, ka ditur të zgjedh e të
përmbush pjesën lëndore të “Olimpit” Shqiptar.
Flori Bruqi,
shkrimtari që shtroi “shinat” e “ Olimpit” Shqiptar.
Ky shkrimtar me një humanizëm e mirënjohje të thellë dhe me
një hulumtim serioz disa vjeçar ka mundur të ngrejë një “Olimp Shqiptar” me
xhevahiret e krijimtarisë të krijuesve shqiptarë duke gjetur, zbuluar,
studiuar, vlerësuar e bashkuar në një libër voluminoz prej 665 faqesh, i cili
titullohet “Olimpi Shqiptar”.
Ashtu është titulluar dhe ashtu qëndron, jo si lartësi
copëzash të ngurtësuara, por si lartësi vlerash ideo-artistike e mjeshtrave të
letrave shqiptarë, pavarësisht se ku kanë punuar e jetuar.
Autori Flori Bruqi projektoi dhe hapi “trasenë” e “Olimpit
Shqiptar” të krijimtarisë. Ky libër përmbledh 12 poetë shqiptarë, 12 shkrimtarë
botërorë, 22 recensione për krijimet më të mira shqiptare dhe botërore, 7 tema
psikologjike, 6 historike, 19 shkrimtarë e personalitete nga bota shqiptare, 14
poezi dhe si një epitaf i argjend jetëshkrimi i tij. Ky libër shpërfaq
jonizimin e shpirtit të autorit, si më i miri pjalm që bulëzon shpirtra,
gjallon zemra, flladit mëndje, ndriçon “maratonën” e krijimtarisë shqiptare dhe
e ngre atë në lartësinë e një “Olimpi Shqiptar”, si pjesë integrale e artit dhe
kulturës Evropiane.
Ferri i Flori Bruqit
Në se Dante Aligeri na solli Ferrin e fantazuar me të gjitha
labirintet e tij deri tek rrethi i 12-të të perëndisë, në ditët tona doli një
Dante i Ri. Ai është shkrimtari kosovar Flori Bruqi. Ky autor na ka sjellë
ferrin e vërtetë njerëzor, jo si dënesë e perëndisë për të këqijat dhe mëkatet
e botës njerëzore, por ferrin e shtetarëve e gjeneralëve të Serbisë, të
strukturave të ushtrisë e policisë Serbe. Në këtë libër, nga faqja në faqe
njihesh me skena të llahtarshme jo të sajuara, por reale, ku artistët që
luajnë, janë: plaka, pleq, gra, burra, mandej dhe fëmijë, femra e meshkuj,
është një popull i tërë i vënë në kalvarin e vuajtjes e të torturës, një popull
i destinuar për t’u përzënë nga trojet etnike e për t’u qitur fare me gjithçka.
Është një vend i cili u bë shkrumb e hi jo vetëm nga zjarri i predhave e
bombardimeve, por edhe nga zjarri i vendosur me benzinë nga dora e shkjaut.
Kur lexon këto faqe të këtij libri nuk ka mëndje që nuk
luan, nuk ka sy që nuk loton, nuk ka trup që nuk rënqethet, nuk ka qenie që nuk
revoltohet, nuk ka njeri që nuk reagon dhe nuk besoj të ketë qenie njerëzore që
të mos jetë e gatshme për t’u radhitur në skalionet e luftëtarëve për t’u thënë
ndal, këtyre kriminelëve të njerëzimit, arqitekëve të gjenocidit serb në Kosovë
apo atij çam në Greqi.
Duke lexuar librin lexuesi futet në botën e krimit, nuk
është më njeri, por duket si një profet që vëzhgon çfarë ndodh në atë labirint
krimesh dhe i raporton zotit të tij. Lexuesi xhiron me kamerën e ndjesive,
përjetimeve, fantazive dhe riprodhimeve të realiteteve monstruoze që Flori
Bruqi, falë aftësive të tij psikologjike, por edhe atyre artistike i sjellë
mjeshtërisht në memorien tonë.
Përshfaqet aty Shën Bortolemeu i Gjakovës, objektet fetare
qindra vjeçare që digjen, nëna që dhunohen para fëmijëve, mure të përgjakura,
bajoneta që presin kopsa, çjerrin gjokse, trupa që digjen me benzinë, makina që
mbushen me kufoma dhe nuk dihet ku përfundojnë, prindër që çmenden para
torturave të fëmijëve e dhunimeve të nuseve të djemve, gjurmë dhëmbësh nëpër
trupësa, shenja plagësh e djegiesh nëpër trupësat e femrave kosovare, sisa të
prera, sy të dal, gishta të prerë etj. Shëmbëlltyrat më të këqija të Europës të
sotme.
Është shumë tragjike, e paprecedentë dhe nuk mund të
kapërdihet pa lënë gjurmë te çdo lexues e te çdo njeri që i thotë vetes njeri,
vrasja e 22 fëmijëve të familjes Vejsa, të familjes Cana, Ramadani etj,
masakrimi i kirurgut gjakovar Dr. Izet Himës, 2019 femrave të dhunuara që
trajtohen nga shoqata “ Jeta në Kastriot”nga të cilat, 124 prej tyre janë me
gji të prerë e gishtërinj të këputur, 9 me sy të nxjerr, 16 me plagë në fytyrë
që kanë lënë 4327 fëmijë jetimë, të cilët presin me padurim të shohin e të
shijojnë kujdesin amësorë. Krime këta që as mendohen, në realitet, kanë ndodhur
dhe dëshmojnë çdo ditë para Europës e botës. Ja sepse s’ka kohë për pritshmëri,
s’ka asnjë mëdyshje dhe s’ka pse të ketë asnjë hezitim nga Tribunali i Hagës
për të hetuar dhe vënë para përgjegjësisë autorët e këtyre krimeve. Nuk ka
arsye të heshtte të anashkalohen qoftë edhe ata që i kanë kryer, pavarësisht
nga ata që i kanë urdhëruar.
S’ka asnjë arsye që të heshtte e të anashkalohen veprime e
qëndrime vandaliste e shoviniste që shfaqen hera-herës nga serbët në Kosovë dhe
grekët me shqiptarët. Qoftë edhe raste të shkëputura duhen vlerësuar me rigorozitet,
hetuar dhe parandaluar në kohë.
Pikërisht libri i autorit Flori Bruqi “Olimpi Shqiptar”
është sinteza më e mirë e dëshmisë së krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit
serb në Kosovë.
Ai është një apel i hapur për EULEX, BE dhe për Kombet e
Bashkuara për të nxjerrë mësimet e duhura e për të vënë para përgjegjësisë çdo
shtetar e shtet që kryen krime e gjenocid, për të prerë e parandaluar një herë
e mirë dorën gjakatare të masakrimit, terrorizmit e shfarosjes së njerëzve të
pafajshëm e të pambrojtur.
Autori i mizoskenave
psikologjike të qenieve njerëzore nën presion dhe kanosje për jetë a vdekje.
Në librin “Olimpi Shqiptar” nga faqja 309-400 janë trajtuar
me realizëm temat psikologjike. Në këtë sprovë prej 100 faqesh, autori Flori
Bruqi jo vetëm paraqitet si njohës i thellë i psikologjisë, por paraqitet i
veçantë edhe si prozator. Është veçori dalluese e këtij autori pasqyrimi i
proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve të tij artistikisht. Ky
autor falë kompetencës në lëmin e psikologjisë, ka harmonizuar bukur me anë të
fjalës artistike rrjedhën e përjetimeve dhe tablotë e mizoskenave psikologjike
të qenieve njerëzore, veçanërisht kur ata janë nën presion e shantazhim, nën
trysni të kanosjes me vdekje dhe shuarje jete. Autori në këtë plan mund të jetë
ndër lauerantët e paktë edhe në botë të këtyre mizoskenave e të këtij aereali
psikologjik. Flori Bruqi me këtë libër ka sjellë një kinoditar me metrazh të
gjatë të traumës psikologjike të njerëzve nën dhunim e torturë. Autori me
mjeshtëri artistike dhe profesionale ka sjellë në faqet e librit traumën
psikologjike të një populli martir siç është populli kosovar, ka realizuar më
së miri edhe një model të rrjedhës së proceseve e gjendjeve psikologjike në
kushte të veçanta specifike, në kushtet e traumës e të shantazhimit, kur luhet
me jetën e vdekjen. Ai nuk mbetet, thjeshtë një vëzhgues i këtyre proceseve e
gjendjeve psikologjike të personazheve të të gjitha moshave, por i zhbiron
thellë ata,i ndjek hap pas hapi, i analizon me detaje, përgjithësisht jep dhe
mesazhe profilaktike për kapërcimin e rehabilitimin e tyre. Pikërisht në këtë
anë fokusohet shumë, pasi ajo çka ndodhi, nuk mund të ndalohet më as në Kosovë,
as në Çamëri, por e rëndësishme është parandalimi i situatave të tilla kudo në
botë dhe rehabilitimi i këtyre viktimave nga qeveria e Kosovës, Greqisë,
Avganistanit, Libisë e gjetkë.
Autori Flori Bruqi si specialist i fushës së psikologjisë
profilaktike fokusohet në mënyrë të veçantë në një dukuri që është shtuar shumë
në Kosovë dhe në shumë vende të botës, SUICIDIN (vetëvrasjen). Jep dinamikën e
këtij procesi, analizon në thellësi faktorët që i çojnë njerëzit në këtë
përfundim si dhe jep mesazhe shumë profilaktik për kujdesin dhe parandalimin e
Suicidit duke deduktuar: “ Edhe një i vetëm të shpëtohet është e rëndësishme
sepse është jetë njeriu e pakompesueshme me asnjë lloj vlere...” ( faqe 391).
Më tej duke analizuar këtë akt thekson: “Suicidi është një moment kur dhimbja
shpirtërore është e masës sa mjegullon vetëdijen dhe akti si akt, vjen si
pasojë e dëshpërimit të madh, ndjenjës së pavlerës e pashpresës për jetën”
Analizat dhe mesazhet që jep autori janë shumë kuptimplote
për çdo shtetar e qeveri. Trajtesa e këtij akti nga autori si dhe mesazhi që
jep janë sa humanë aq edhe të domosdoshëm për çdo qeveri e për çdo shtetarë për
ta kthyer fytyrën më mirë nga shtetasit e vet dhe për ta patur prioritet
mirëqenien dhe lumturinë e tyre.
Autori Flori Bruqi është njëkohësisht edhe një analist
dinjitoz i situatave e proceseve rajonale e globale dhe duke qenë i tillë, me
vizionin e tij shkencor e largpamës apelon përpara organizmave ndërkombëtare
për parandalimin e gjenocidit e të traumatizmit psikologjik kudo në botë. Ai i
fton partnerët ndërkombëtar për të mos i anashkaluar këto trauma njerëzore,
përkundrazi për t’i zbuluar, vlerësuar, hetuar, parandaluar dhe duke dënuar
cilin do që shkel të drejtat universale të njeriut, qofshin individë apo
shtete.
“Olimpi shqiptar” i
Flori Bruqit
Një libër dëshmi e terrorizmit, masakrimit, traumatizimit dhe
shfarosjes të popullit shqiptar të Kosovës..
Me shqetësimin e një atdhetari të vërtetë, me përkushtimin e
një hulmuesi serioz dhe me vendosmëri të rrallë autori Flori Bruqi ka mundur të
zhbirojë thellësisht strategjinë e spastrimit etnik të Kosovës dhe të zbulojë
të vërtetën e funksionimit e të veprimit të strukturave policeske të sigurimit
serb. Autori ka arritur të zbulojë pseudonimet, ndërtimin, funksionimin,
përbërjen, drejtuesit e tyre, aksionet terroriste, masakruese e shfarosëse të
civilëve të pafajshëm e të pambrojtur në Kosovë.
Ky autor nëpërmjet hulumtimit, investigimit, intervistimit
nga ai vetë apo të tjerë nga Europa e bota jep të qartë tablonë e krimeve, por
edhe të strukturave e autorëve të tyre. Ai ka mundur të japë një tablo të qartë
për atë çka ndodhur në Kosovë para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s, me synim të
mirëpërcaktuar nga Millosheviçi dhe krerët e tjerë drejtues të shtetit
Jugosllav.
Autori i librit zbulon lakuriq të vërtetën mbi masakrat në
fshatrat Qyshk, Pavlan dhe Zahaq. Midis tjerash shkruan: “Të premten, ditën e
ngrohtë me diell, më 14 maj, të vitit 199 në një kënd të Europës dhe nën bombat
e NATO-s, 41 meshkuj nga fshati Qyshk, ishin vrarë nga forcat kombinuara
militare serbe. Mosha nga 19 deri në 69 vjeç. Në mëngjesin e së njëjtës datë,
forcat serbe të sigurimit kishin sulmuar dhe dy fshatra të tjerë fqinj, Pavlan
dhe Zahaq, ku kishin dëbuar nga shtëpitë gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe kishin
vrarë në tërësi 72 njerëz. ( f.348).
Një nga personazhet e librit Lulja e rrënqethur tregon: “Me
këto dy duar unë kam mbledhur eshtrat e dajave të mi, kushërinjve dhe të babait
tim. Atë që kishte mbetur nga babai im, e gjeta fare në fund, por jo tërë
kufomën. Vetëm disa pjesë nga trupi i tij. Nuk kam gjetur këmbët as kokën.
Vetëm brinjët kam gjetur. Dhe me këto duar e kam kallur në dhe kurse,
këta-serbët, këta që e kanë vrarë, ata i kanë duart e zhytura me gjak . Ata e
kanë vendin në Hagë (f.353).
Duke lexuar librin “Olimpi Shqiptar” lexuesi takon
pseudonime të till si : “Frenki”, “OPG”, “Mogla”, “Munja”, “Brigada Cara
Dushana” etj . Ata janë struktura të policisë, sigurimit e të Armatës
Jugosllave që kanë kryer krimet më makabre që ka njohur njerëzimi, të cilët
urdhrat i kanë marrë nga njerëzit e gjeneralët më të besuar të Millosheviçit.
Gjithashtu emra të tillë si Dragani, Njebosha Miniq (Mirtvi), Vedamir
Shalipuri, Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq, Obrad Rajiqeviq
etj. Kanë qenë pjesëtarë te “Munja” që kanë marrë pjesë në disa përleshje të
mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “(366). Më represivët e më të dhunshëm
në terrorizimin, dhunimin, djegiet dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në
Kosovë, veçanërisht në Pejë, Qyshk, Pavlan, Zahaq etj.Pjesët me titujt: “Kush
duhet të sjellë drejtësi në vend”, “Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaçi”,
“Spastrimi etnik dhe ndërgjegjësimi”, “Spastrimi etnik –gjenezë e një
ideologjie”, “Përvoja e re, një përvojë e hidhur” etj. Tregojnë vizionin e
këtij autori, i cili e lejon atë të nxjerri përfundime me vlerë si dhe të japë
mesazhe paqe e lirie jo vetëm për Kosovën e kosovarët, por për të gjithë popujt
e vendet e botës. Përvoja e fituar dhe ndërgjegjësimi i plotë për krimet dhe
gjenocidin serb në Kosovë e atë Çam në Greqi përbëjnë pika kyçe orientimi, por
edhe bazamente të forta përvoje për parandalimin e këtyre krimeve e gjenocidi
kudo në botë. Për nga larmia e tematikës, galeria e personazheve, mënyra e
pasqyrimit, analizat e holla e të thella, hulumtimi serioz, të dhënat e
njohuritë si dhe deduktimet e mesazhet që jep libri i autorit Flori Bruqi
“Olimpi Shqiptar”, përbën një nga librat më të arrirë e shumë interesant
nga i cili, kushdo mëson. Ai mbetet një thesar krijimtarie. Ja sepse meriton të
zë një vend nderi në bibliotekat e gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë
e më gjerë. Ky libër shtroi “trasenë” e krijimtarisë të “Olimpit Shqiptar”, e
cila nevojitet, të pasurohet gjithnjë e më shumë, me krijimet e autorëve
shqiptarë nga të gjitha trevat e viset, ku banojnë e jetojnë.