Mendjelehtësia e goranëve të Dragashit!


susuri_bashkim
Bashkim SUSURI - 
Korrespodent në disa media nacionale të Kosovës
 
 
Edhe pse kam “shkelur” në dekadën e gjashtë të jetës sime dhe, me gjithë përvojën bukur të gjatë të punës e të jetës, jo vetëm me vendorët por edhe me ndërkombëtarët që punojnë në Kosovë, asnjëherë nuk më ka rastisur të dëgjoj se ka prindër në botë që ia donë të keqen fëmijëve të tyre. Mirëpo, ja që ndonjëherë (për fat të mirë shumë rrallë) ndodhë që prindërit mendjelehtë “dorëzohen” para imponimeve, përmes ofertave të ndryshme, kryesisht të natyrës së përfitimit material/financiar (gjithsesi të përkohshëm) duke harruar që këto përfitime janë afatshkurtra dhe shumë të dëmshme (për të mos thënë fatale) për fëmijët e tyre, derisa të jenë gjallë.
Një rast i këtillë dhe konkret, ka vite që po ndodhë në komunën e Dragashit, përkatësisht në rajonin e Gorës, të banuar me popullatë gorane e boshnjake. Imponimi i Serbisë me joshjen e prindërve mendjelehtë goranë, përmes përfitimeve të ndryshme materiale, ka bërë që në rajonin e Gorës së Dragashit, qindra prindër goranë, përveç tjerash, t’u imponojnë fëmijëve të tyre që shkollën fillore dhe të mesme ta ndjekin sipas plan-programeve shkollore të Serbisë, pa menduar fare për pasojat afatgjate për  fëmijët e tyre. Rrëfim në vete është edhe angazhimi i disa politikanëve dhe mësimdhënësve goranë që kanë inkurajuar këta prindër mendjelehtë goranë që fëmijët t’i shkollojnë sipas plan-programeve të Serbisë, natyrisht jo për të mirën e nxënësve, por për të përfituar të ardhura mujore bukur të majme nga Serbia. Sistemi paralel në fushën e arsimit, në komunën e Dragashit pati nisur në vitin 2005, kurse mësimdhënësit e angazhuar në shkollat që kanë punuar me plan-programe të Serbisë për plotë 4 vjet (2005 - 2008) patën marrë nga 2 paga, njërën nga buxheti i Kosovës (!) kurse tjetrën nga buxheti i Serbisë, derisa në vitin 2008 qeveria lokale e Dragashit i pati hequr nga lista e pagës, të gjithë mësimdhënësit goranë që patën punuar me plan-programe të Serbisë. Mirëpo, ky aksion i Komunës nuk doli të jetë i suksesshëm, ngase sistemi paralel i arsimit, shkaku i pagave të majme të mësimdhënësve, të paguar nga Serbia dhe beneficioneve të ndryshme, poashtu nga Serbia, të prindërve që i shkollojnë fëmijët sipas plan-programeve të Serbisë vazhdon të zhvillohet edhe sot edhe pse me një intensitet paksa të zvogëluar. Aktualisht, rreth 500 nxënës goranë i ndjekin mësimet me plan-programe të Serbisë, në shkollat e fshatrave: Restelicë, Mlikë, Vraniç, Globoçicë, Brod, Lybevisht, Kukajan dhe Rapçë.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Komunës që ta zgjidhë, njëherë e përgjithmonë, çështjen e arsimit paralel, deri më sot nuk ia ka dalë që ta zgjidhë këtë problem, që është njëri ndër problemet më të mëdha të komunës. Arsyet, pse Komuna nuk ka mund që ta zgjidh çështjen e sistemit paralel të arsimit, janë të shumta. E para- sa herë që Komuna ka tentuar ta zgjidhë këtë çështje, është penguar dhe vazhdon të pengohet nga bashkësia ndërkombëtare (lexo: ish UNMIK-u dhe tani EULEX-i) e cila në takimet e shumta me zyrtarët e lartë komunalë, vazhdimisht ka përsëritur se nuk është koha e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke mos e qarë fare kokën se me këtë deklarim apo urdhër (për të mos thënë ultimatum) po shkelen të drejtat elementare të së drejtës së qytetarëve për shkollim, duke e mbështetur shkollimin e tyre ilegal(!). E dyta - institucionet e Kosovës pa një koordinim të duhur me zyrtarët komunalë, vazhdimisht kanë përkrahur dhe vazhdojnë t’i përkrahin me subvencionime të majme përkrahësit e sistemit paralel të arsimit - më saktësisht, shumë blegtorë goranë përfitojnë subvencionime të ndryshme nga Ministria kosovare e Bujqësisë dhe njëkohësisht fëmijët i shkollojnë sipas plan-programeve të Serbisë. Ata gëzojnë edhe beneficione të tjera nga Serbia, si shtesa (të ardhura) për fëmijët e tyre dhe asistencë sociale e pensione. Edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës, nga radhët e goranëve, e mbështesin sistemin paralel të arsimit në komunën e Dragashit. Kështu, fëmijët e disa zyrtarëve të policisë së Kosovës në Dragash i ndjekin mësimet sipas plan-programeve të Serbisë, ndërsa Deputeti në Kuvendin e Kosovës dhe kreu i partisë politike GIG, Mursel Halili, edhe pse paguhet nga institucionet e Kosovës, haptazi e përkrah fuqishëm sistemin paralel të arsimit në Dragash. Më e keqja është se prindërit mendjelehtë goranë janë të manipuluar nga Serbia dhe nga bashkëkombësit e tyre që e mbajnë të “gjallë” sistemin paralel të arsimit në Gorë, edhe pse janë të vetëdijshëm për dëmin dhe pasojat jetësore që u shkaktojnë fëmijëve të tyre. Dhe, pasojat janë të shumta. E para: dëftesat ose diplomat që fëmijët e tyre i marrin për kryerjen e shkollimit, nuk janë valide për institucionet e Kosovës dhe me to nuk mund ta vazhdojnë shkollimin në asnjërin institucion të lartë arsimor në Kosovë ose që me to eventualisht të punësohen në institucionet e Kosovës. E dyta: Të ballafaquar me këtë situatë, ata duhet patjetër të shkollohen në Serbi dhe kështu rrezikojnë që përgjithmonë të shpërngulen nga vendlindja e tyre, përkatësisht nga komuna e Dragashit dhe që përgjithmonë ta humbasin identitetin e tyre kombëtar.
I kuptojë prindërit goranë që janë “dorëzuar” para joshjeve të ndryshme materiale të Serbisë. Poashtu, i kuptojë se ata janë plotësisht të manipuluar nga Serbia, ngase ajo është shumë profesionale për joshje të tilla. Mirëpo, është koha e fundit që ata të kthjellen dhe që për një të ardhme më të sigurt e më të mirë të fëmijëve të tyre, kurrsesi të mos u nënshtrohen joshjeve materiale, gjithsesi afatshkurtra, të Serbisë porse duhet ta ndjekin shembullin e një numri goranësh dhe të bashkëqytetarëve të tyre boshnjakë, të cilët plotësisht janë integruar në të gjitha fushat e jetës, në situatën e re të krijuar paslufte në Kosovë.
Ndryshe, nëse vazhdojnë me të “vjetrën” (me Serbinë) rrezikojnë që ta humbasin, madje edhe identitetin e tyre kombëtar, dhe shumë të drejta që u janë garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Jam më se i bindur se shumica e goranëve (madje edhe ata që aktualisht janë të manipuluar nga Serbia) nuk ia dëshirojnë të keqen fëmijëve të tyre dhe nuk do të dëshironin që ta humbasin identitetin e tyre kombëtar. Mbase, u duhet mbështetje më e fuqishme edhe e institucioneve të Kosovës që plotësisht të integrohen në shoqërinë kosovare.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)