LETËRSIA SI “AKSION” KOMUNIKIMI
(Një libër kritik për
krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi )
Rajmonda Maleçka
Flori Bruqi është njëri nga shkrimtarët, që ka shkruar
njërën nga letërsitë më interesante në Kosovë, veçanërisht në prerjen kohore të
viteve 90-të e në vazhdim, me çfarë është bërë prezent një nga zhvillimet më të
rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Në problematikën
historike, etnologjike, diplomatike e emblemuar nga të gjithë analistët
historik dhe ato të kohëve të vona si “nyja gordiane e Ballkanit”, letërsia e
Flori Bruqit është interesante dhe e elementuar si letërsi bashkëkohore me të
gjithë problematikën e saj qoftë ajo brenda letrare dhe ajo jashtë letrare.Një
korpus romanesh, të cilët në librin kritik që pritet të botohet në Tiranë së
shpejti, vlerësohen si detaje të realitetit shqiptar, në kushtet e një klime
kolonialiste, hedhin dritë të mjaftueshme në prerjet historike të një populli
të sakrifikuar dhe të kryqëzuar për një çështje të hershme dhe hyjnore. Të
gjithë konfliktet hyjnore kanë në themelin e vet raportet me lirinë. Flori
Bruqi ndihmon në “paradigmën” për ta kuptuar “legjendën e mbijetesës”,
gjithashtu dhe atë temën biblike të dhimbjes.Raportet që letërsitë kanë me
popujt dhe tokën në të cilën ato kanë gjetur rrënjët e fjalëve dhe të
mendimeve, të kujtesës dhe të nevojës për të ditur se kush është atdheu, liria,
njerëzit e lashtë dhe njerëzit e lirisë, kanë prodhuar gjithmonë letërsi që ju
kanë rezistuar kohërave. Një letërsi është e mirë, është nënprodukt i një
realiteti të madh njerëzorë, kryesisht nga ky raport dhe nga jetëgjatësia që ajo
i ka programuar vetes.Pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në Kosovë, veçmas
nga gjysmë e dytë e shekullit që sapo lamë pas, është ndërtuar përmes një
raporti ekzistencial i elementuar në subjekte, ngjarje, personazhe dhe
struktura të shkëlqyera vertikale dhe horizontale me çfarë krijuesit e Kosovës
i kanë bërë shërbimin kulturës shpirtërore dhe asaj të kujtesës kolektive, duke
qenë e orientuar shpirtërisht.Ekzistencializmi është një konsekuencë e njohur
për të jetuar, i cili është shfaqur dhe e ka pjesëtuar veten në letërsinë
artistike më shumë se sa në shumë fusha të tjera të dijes dhe të filozofisë.
Tek shqiptarët ky lloj raporti ka qenë shumë më herët se sa Hajdegeri të
shpallte doktrinën e ekzistencializmit. Nëpër prerjet e këtij ekzistencializmi,
shkrimtari Flori Bruqi ka arritur t’i “shkulë” kohës shumë personazh të
tipizuar mrekullisht, shumë ngjarje me të cilat i bëjnë prezent epokën,
protagonizmin historik, të cilat janë elementë të dukshëm të procesit
letrarë.Studimi kritik për krijimtarinë artistike të Flori Bruqit e
karakterizon autorin si një krijues unik në kushtet e një letërsie të re dhe
specifike, e cila u shkrua në Kosovë në rrethanat e një kompleksi
totalitaro-kolonial, e cila ishte e kushtëzuar të ishte me një simbolikë të
qëndrueshme, por të realizonte një komunikim real. Në kohët totalitare dhe ato
që inspirohen prej tij, apo janë nënprodukt i tij, komunikimi ka një rëndësi të
madhe, i cili lidhet me strategjinë e mbijetesës. Kosova, të paktën për një
shekull është kushtëzuar për mbijetesën e saj, pasi mbi të njëri nga
kundërshtarët e saj të vjetër praktikoi mbi të gjenocidin, etnocidin dhe
shfarosjen e zhdukjes në masë.
a. Letërsitë si
prerje të kohërave
Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit si shkrimtarë
merr në konsideratë romanet e tij të cilët nyjëtojnë kohët më emblematike të
Kosovës. Bruqi ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata,
ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të
gjithë kategoritë e lexuesit. Letërsia ka një qëllim të njohur, ajo synon të
realizojë një komunikim sa më të gjerësishëm dhe sa më selektiv. Marrëdhënia që
letërsia krijon me lexuesin është më e shtrirë dhe më e gjerësishme se sa
njoftimi që përcjellin llojet e tjera të komunikimit, dhe të letërsisë
dokumentare apo dhe asaj historike.Bruqi arrin të krijojë një raport kompleks
të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme
të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, aq
më tepër të gjinisë së romanit, duke e shndërruar të në “aksion”. “Aksioni” i
komunikimit, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të
përjetuara, ka përmbushur njërin nga kushtet më sendërtare të letërsisë
artistike, duke qenë njëra nga pasqyra më besnike ku njerëzit kanë parë fytyrën
e vet dhe historia ka shtuar faqet e librit të saj të madh të etnisë, kombit
dhe të autoktonitetit të tij.
Romanet dhe krijimtaria artistike e Flori Bruqit, sjell
prerjet kohore të zhvillimeve të fund-shekullit të kaluar kryesisht, në një
realitet të kushtëzuar njerëzore, ku duken hapur marrëdhëniet koloniale të
kolonizatorit si sundues i egër dhe i papërmbajtshëm në egërsinë e vet dhe të
një realiteti njerëzorë, i cili i referohet thelbit të tij që nga lashtësia
deri në ditët tona. Drama dhe personazhet, aksioni i ngjarjeve dhe definicionet
psikologjike, të cilët tipizojnë zhvillimet sociale dhe historike të asaj ku
merren dhe autori e gjen lëndën letrare, janë si dukuria e formimit të ortekëve
që zmadhohet dhe marrin fuqi në rrugëtimin e vet. Bruqi kujdeset t’i ruajë
konvencionet e kohës së tij dhe të personazheve të tij.
b. Letërsitë si
vazhdimësi historike
Çështjet kombëtare kanë rrënjë të thella në problematikën e
tyre për t’u bërë letërsi për arsyen e njohur të tyre. Letërsia artistike i
ruan ngjarjet historike ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike,
ndryshe historisë, ndryshe kronikave dhe ndryshe gjithë llojeve të tjera të
kujtesës. Letërsia artistike i mbush me gjak dhe shpirt ngjarjet historike, i
mban ashtu dhe i ruan po ashtu. Letërsia artistike i ka kodet komunikatave më
të gjerësishme dhe më shpirtërore se sa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe
të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet
historike, as ato njerëzore, as dhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin
t’i bëjë pjesë të konvergjencave të zhvillimeve.
Personazhet e njohur dhe real të Shekspirit të madh,
historia i ka fosilizuar, i ka konservuar deri në gjendje bazike, ndërsa
shkrimtari i madh përmes letërsisë i ka sjellë ato në marrëdhënie me të gjithë
kohët, pavarësisht sa të zhvilluara dhe të avancuara ata kanë qenë krahasimisht
me kohën e personazheve real, prej të cilëve Shekspiri e mori “tharmin” e
tyre.Thuajse 10 romanet e Flori Bruqit dhe libri më i mirë i tij, “Guxim
shqiptar”, i cili është ndërtuar si një organizëm unik, me marrëdhënie dhe
kumte vertikale, horizontale dhe diagonale, dhe që është një libër për të
gjithë, përbëjnë një realitet të veçantë letrarë, qoftë për tematikën po ashtu
dhe për profilin letrarë që autori ka paraqitur. Dhe kjo është kaq e vërtetë,
sa të zë shumë pak kohë fizike ta absorbosh në leximin e parë këtë lloj
krijimtarie, por është ndryshe kur atë kërkon ta zotërosh.
Shkrimtari Flori Bruqi përmbush parimin themelorë të
letërsisë si krijim, pasi ajo (letërsia artistike) nuk e përkufizon kohën që zë
brenda vetes, por e pasqyron atë përmes zgjedhjes dhe seleksionimit të
ngjarjeve, personazheve tipik dhe e bën të komunikueshme me të gjithë kohët.
Kjo sjellje elitare dhe e zgjedhur i bashkëngjitet dhe përvetësohet
c. Metafora
ekzistenciale e jetës
Duket se Flori Bruqi është një shkrimtar, i cili arrin ta
gjejë letërsinë dhe gjendjen e tij krijuese, qoftë në një realitet në të cilin
flitet për vdekjen, pritet vdekja, dhe, ku të gjithë lajmet që shkojnë e vijnë
kanë të bëjnë po me vdekjen. Baladat e vjetra dhe ato të reja qoftë dhe për ta
mundur vdekjen, kanë qenë dhe do të jenë më tragjiket në historinë e
njerëzimin. Epi i Gilgameshit duket se i ka thënë të gjitha që nga koha kur ai
u krijua dhe deri sot.Ka kërkuar dhe ka gjetur personazhe, të cilët kanë
plotësuar kapacitetin real dhe atë përtej vetës, që shkrimtari i ka bërë pjesë
të një pune, frytet e të cilës jetojnë gjatë. Jetojnë më shumë se një shtëpi,
më shumë se një mundim, më shumë se të gjithë gjërat e tjera më të
sofistikuara, që njerëzimi është përpjekur dhe ka luftuar ta “mbajë” kohën, ta
sundojë atë.Koha nuk mund të sundohet kurrë, ajo zotërohet dhe të gjithë këtë e
kanë bërë shkrimtari me letërsinë, që nga kohët antike deri sot. Letërsia e
mirë e “mban” kohën, ajo e merr atë mbi shpinë, siç mund të marrësh mbi shpinën
e devesë dhe një shtëpi, e përcjell nga koha në kohë. Asnjë teknologji tjetër
sado e sofistikuar të ketë qenë ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë, përveçse
letërsia dhe shkrimtari.Shkrimtari Flori Bruqi ka kërkuar ngjarje dhe ato i ka
gjetur në jetën e njerëzve të tij, në jetën e armiqve të historisë dhe të
popullit të tij. Ka qenë një ngjarje që ka shëtitur nëpër të gjithë rrugët e
vendit të tij, nëpër rrugët e fisit të tij, prag më prag shtëpie. Ai,
shkrimtari është nxënë me atë ngjarje, është rritur dhe pjekur me të. Një pjesë
të saj e ka marrë në shpinë si ajo deveja nëpër shkretëtirë, një pjesë tjetër e
ka “bërë” burrëri për ta përballuar jetën.E gjithë krijimtaria e Flori Bruqit
është një mega-metaforë e ndërtuar “metonimikisht” në raportet e njeriut me
njerëzit dhe e qëndresës me ekzistencën. Studimi kritik mbi krijimtarinë e
Flori Bruqit arrin ta elementojë të gjithë strukturën artistike të cilës i
“perimetrohet” dukshëm ç’e ka motivuar atë dhe pse ka qenë e tillë.
Krijimtaritë universale vijnë përmes thjeshtësisë së vet, por e mbajnë të tillë
temat universale, për të cilat njerëzimi ka pasur, ka dhe sot do të ketë
përjetësisht nevojë. Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit prek dhe
çështjet e tjera të letërsisë që është shkruar dhe po shkruhet në Kosovë.