Nuk e harrojnë Toplicën




Në Koshtovë të Mitrovicës u mbajt takimi i familjes së gjerë Pllana nga të gjitha komunat e Kosovës

Nga Ahmet Pllana

Ky takim pune, i organizuar nga Këshilli Organizativ, u mbajt të dielën më 16 janar 2011 në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ku morën pjesë përfaqësues të familjes së gjerë Pllana nga të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa kishte për qëllim njohjen mes tyre dhe përkujtimin e dëbimit të tyre me dhunë nga fshatrat Pllanë e Madhe dhe Pllanë e Vogël të Toplicës në vitin 1878, kur u dëbuan edhe popullata shqiptare e 720  fshatrave të Toplicës
Dita e këtij takimi ka koinciduar pikërisht me ditën kur Pllanajt së bashku me popullatën shqiptare të krahinës së Toplicës me 720 fshatra, u dëbuan me dhunë e zjarr nga serbët nga trojet e tyre etnike stërgjyshore. Takimi i udhëhequr nga kryetari i Këshillit Organizativ, Prof.dr.Nusret Pllana, u mbajt në atmosferë pune, me ç‘rast u tha se familja e gjerë Pllana nga e gjithë Kosova , e përkujtoi dëbimin masiv me dhunë e zjarr, me vrasje e masakra, nga trojet e tyre, nga Toplica në vitin 1878, që tash në këtë janar bëjnë 133 vjet.
 
Nusret Pllana prezantoi përfaqësuesit e familjeve Pllana nga vendbanimet dhe komunat e ndryshme të Kosovës, si nga Prishtina, Mitrovica, Vushtrria, Gjilani, Peja, Besiana, Ferizaji, Kastrioti, Fushë Kosova, Lypjani, Kacaniku, etj. Nusreti tha se në këtë takim janë mbledhur mbi 70 përfaqësues të familjeve Pllana kudo që gjenden ata gjithandej Kosovës, nëpër fshatra dhe qytete. Ai shtoi se elita e familjes së gjerë Pllana janë këtu në këtë takim historik që për herë të parë bashkohen kështu në mënyrë të organizuar. Nusreti tha se ky është jo vetëm takim familjar, por ka rëndësi edhe kombëtar, sepse ky takim është një rikujtim se ne ishim të Toplicës, ku kemi qenë, ku kemi jetuar e ku jetojmë sot.
 
Ne Pllanajt dhe qindra familje të tjera shqiptare të Toplicës të përzënë nga trojet e tyre, janë përballur me vështirësi të mbijetesës, duke qenë pjesë e tragjedisë së kombit. Nuk është këtu vetëm familja Pllana, por është kombi ynë i shumëvuajtur nga gjenocidi e pastrimi etnik i vitit 1878, tha Nusreti. Këtë takim e ka sponzoruar bisnesmeni Agim Shahini (Pllana) nga Vushtrria. Ai tha se është tejet i lumtur që sot janë takuar përfaqësuesit e familjeve Pllana nga i gjithë vendi, nga shteti ynë më i ri në botë –Kosova,  për t’u njohur mes vete dhe për të zhvilluar këtë takim pune .
Në këtë takim folën edhe Dr.Ejup Pllana, Dr.Xhevat Pllana, Dr.Pajazit Pllana, Dr.Ruzhdi Pllana, Dr.Gani Pllana, Dr.Nusret Pllana, Dr.Mustafë Pllana, poeti Qerim Pllana, Idriz Ibrahimi, ish drejtor i TC "Kosova A", si dhe profesorë, inxhinierë, mjekë, menaxherë, drejtorë, biznesmenë, gazetarë, shkrimtarë, etj., të familjes Pllana, ndërsa shumë ndër ta ishin që kishin mbiemra të tjerë e jo Pllana, si Shahini, Ibrahimi, Halili, Arifi, Rrustemi, Kadriu, Ismajli, Syla, Jashari, Muhaxheri nga Peja, etj.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)