Një raund të ri të ndryshimit të kufijve do të kemi së shpejti në Ballkan. Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë ende dy vende, politikisht dhe ekonomikisht të brishta, që jetojnë nën protektoriatin e Perëndimit, së bashku me Maqedoninë.
Kështu thotë Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë (SWP), në bazë të një analize të kryer nga Dushan Reliq, ku nënvizohet se konfliktet etno-politike do të ndodhin sërish në këto tre vende. “Në dy dekadat e fundit konfliktet territoriale në zonën e ish-Jugosllavisë janë zgjidhur me tërheqjen e kufijve, gjë që rrallë ka ndodhur pa dhunë”, analizon ky institut, duke potencuar se vendi ku harta politike ka mundësi të rishikohet, është trekëndëshi i përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. “Kjo zonë dominohet kryesisht nga popullsia shqiptare, shumica e të cilës kërkon bashkimin në një shtet të vetëm. Kështu, nga një sondazh i kryer në vitin 2010 rezulton se 81 për qind e popullsisë shqiptare në Kosovë kërkon një Shqipëri të Madhe, në Maqedoni të njëjtën gjë e kërkon 66 për qind e shqiptarëve dhe në Shqipëri 63 për qind. Në vitin 2009, ambasadori amerikan në Tiranë u përpoq të bindte kryeministrin Sali Berisha që të largonte idenë e Shqipërisë së Madhe. Por, lëvizja ‘Vetëvendosje’, forca e tretë parlamentare në Kosovë dhe që po përhapet me shpejtësi, ka ringjallur këtë ide në radhët e kombit shqiptar në Ballkan, duke e vendosur atë në majë të prioriteteve të saj. Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës refuzojnë të jenë pakicë në një shtet me shumicë shqiptare, gjë që e bën më të fortë hipotezën për një rishikim të kufijve në Ballkan”, thuhet në analizën e SWP-së.
Më tej thuhet në këtë analizë se shpërthimi i një konflikti të ri etno-politik, do të godiste në zemër Evropën jug-lindore dhe investimet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës perëndimore kanë bërë atje. Vendet e Ballkanit perëndimor janë të kufizuara nga vendet anëtare të BE-së, kështu që çdo destabilizim në to do të kishte impakt edhe në vendet fqinje, kryesisht në formën e emigracionit.
Për rrjedhojë, qëndrimet e ndryshme politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore për Ballkanin, me shumë mundësi do të ridalin në sipërfaqe. Nga ana tjetër, pesë vendet anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, nuk po japin shenja për një ndryshim të qëndrimit të tyre. Gjithashtu, përballjet e Kinës dhe Rusisë me Perëndimin, për politikat e fundit në Ballkan, e që nuk janë harruar, ka shumë mundësi që të rishfaqen në arenën ndërkombëtare, vlerëson më tej analiza e institutit gjerman, SWP.