2012-04-04

MBRETERESHA GERALDINE, PREJARDHJA, RINIA DHE EDUKIMI

Dukatasi anonim qe i kendoi Geraldines



        Mbreteresha Geraldine










Si ka lindur kënga

Kjo këngë që këndohet edhe sot, sipas disa të dhënave, i kushtohet mbretëreshës Geraldinë. Është kënduar në dasmën e mbretit Zog. Të moçmit ishin të bindur për një fakt të tillë. Mbreti Zog, për të respektuar të ftuarit në dasmën e tij, bëri zakonin e vendit.








Në fund të ceremonisë zyrtare të dasmës nxori mbretëreshën Geraldinë, nusen e re, që t’iu japë kafenë e lamtumirës mysafirëve të tij. Ndërsa pihej kafja, një dasmor nga fshati Dukat, i prekur, ngaqë një mbretëreshë, një e huaj, jep kafe si nuset e qyteteve dhe të fshatrave të tjera të Shqipërisë dhe në një dasmë ku të ftuarit ishin të panumërt, (Oxhak i rëndë, u tret qiri në këmbë) e improvizoi dhe e këndoi po aty këngën për Maxharen.


Një këngë për Geraldinën
Manxhuré leshura tëndë,

Ke ikur ke lënë vëndë,

Kaluar apo në këmbë?

Kaluar se s’dija vëndë.
Fajin ta pati jot ëmë,
Të dha në oxhak të rëndë,

Ç’u trete qiri në këmbë
Kafe miqe tuke dhënë..




Në disa variante vargu i dytë është: “Qysh e gjete vëndin tënë”. Në disa krahina Manxhuré bëhet Manxharé.

Si mbeti kjo këngë pa u ndaluar në kohën e komunizmit

Në Shqipëri ka pasur emra Manxhar (hungarez) për meshkuj, por rrallë ose mbase nuk është dëgjuar kurrë të ketë pasur femra me emrin Manxhare. Pas luftës, rrallë përdorej mbiemri maxhar, për hungarez. Në të kundërt, fjala “maxhar” para Luftës së Dytë ka qenë shumë popullore.

 E gjen në këngët folklorike. Përmendet edhe Ali pashë Maxhari, pashai turk, që u vra nga kryengritësit në Gjakovë. Fjala hungarez është e stilit libror. Ajo nga shkollimi, nga shtypi hyri dhe në të folurin e përditshëm, duke zëvendësuar termin maxhar a manxhar.

 Emri maxharja, për Geraldinën, në këngë ka ardhur në formën Manxharé, Manxhuré, me theksin në fund. Kënga është kënduar në të gjitha krahinat e Vlorës, Labërisë, Tepelenës dhe në malësinë e Beratit. Nga asnjeri nuk përmendej, madje disave as që u shkonte mendja, se kënga ishte për mbretëreshën Geraldinë. Me kohë kjo u harrua.

 Në dasma këndohet për nusen, për fatin dramatik të lënies së vendlindjes dhe të familjes, për kalimin te një jetë e re, te burri, te një vend i huaj dhe te zakone të tjera (kaluar se s’dija vëndë). Manxhareja është simboli i nuses, i shkëputjes nga një mjedis në një tjetër.



 Nusja mund të jetë nga fshati fqinj, por të martohesh është si të shkosh nga një botë në tjetrën. Kështu që askush nuk shtyhej më tej për të pyetur se kush ishte kjo Manxharé.


 Mjegullimi i largësisë e bën më të bukur këngën. Në këngët e dasmës nusja nuk ka emër konkret. Në këngët e dashurisë femra mund të ketë emër si: Bajame, Selvi, Katina, Dafina etj. Këndohet për to dhe nuk kërkohet shpjegim se pse dhe si këto vajza a gra kanë hyrë në këngë.

Për Manxharen, për një emër të huaj në një këngë dasme, ishte ndryshe. Por për këtë u hesht. Edhe nga shteti, edhe nga ata që e dinin. Dhe nuk u ndalua asnjëherë. E këndonin dhe heshtnin. Mbase se kënga kishte “ngjitur” për përmbajtjen e saj, jo për emrin Manxharé.

Kur këndohej kënga?

Kënga këndohej nga gratë dhe nga burrat. Gratë e këndonin në çastin kur nusja kishte zbritur nga kali dhe ishte vënë të nusëronte në dhomën e grave. Dhëndri vinte i hiqte duvakun. Gratë fillonin këngën: Manxhure leshuratëndë/ qysh e gjete vëndin tënë..

Kënga këndohej edhe kur nusja jep kafe për herë të parë. Pas natës së dasmës, zakoni e kërkon që nusja t’u japë kafenë e përcjelljes mysafirëve të ngritur nga gjumi që mblidhen të takohen me të zotët e shtëpisë se do të largohen. Kafja e nuses është veprimi i saj i parë në shtëpinë e dhëndrit. Është më tepër se një kafe. Është rit. Me këtë kafe dasma mbyllet përfundimisht.

Pihet kafja, darovitet nusja. Dajua dhe krushqit kryesorë e tundin qesen mirë për të fundit herë. Pas kësaj, miqtë dhe të ftuarit ndahen dhe përcillen nga të zotët e shtëpisë. Zakonisht gjatë kësaj kafeje nuk ka këngë. Është një të kënduar i lodhur, të kënduar pas dasme. Por ndonjë nga krushqit për të shprehur kënaqësinë që i ka dhënë kjo dasmë, apo kënaqësinë që i jep bukuria e pashoqe e nuses, ia merr këngës.

 Ç’u trete qiri në këmbë/ kafe miqe tuke dhënë…Por më shumë se sa këto, ka patur dhe një arsye tjetër për të kënduar. Arsyeja që ishte bërë një krushqi e goditur apo me leverdi.



Martesa tradicionale ishte çështje më e rëndësishme se sa bashkimi dashuror i dy të rinjve, të cilët mundet dhe nuk e kishin parë njëri-tjetrin para dasme. Martesa ishte pajtim interesash, ekonomish, fisesh, forcim i pozitës dhe i peshës që zinin në shoqëri dy familjet që lidhnin krushqi.

Valle e kënduar

Në Vlorë kënga është kënduar gjatë dhe pa ndërprerje. Ishte valle e kënduar nga burrat dhe nga të rinjtë. Kërcehej dhe këndohej, kur nata e dasmës ishte në të shtyrë.



Nusja dhe dhëndri futeshin në gjerdek (dhoma e natës së parë). Dasmorët i kishin lëshuar të gjitha frerët e haresë. Pija e kishte bërë punën e saj. Të rinjtë ngriheshin në valle me këngën e Manxhuresë dhe shtëpia dridhej, dyshemeja gati rrëzohej.

 Këndonin e kërcenin për gruan që lë shtëpinë e saj, shkon dhe në fund të botës për një burrë. Fshatare qoftë ajo apo mbretëreshë.



Vallja shprehte triumf dhe shpoti bashkë: në ato çaste Manxhureja ishte “kaluar”. Gratë e reja që linin mendjen për të parë burrat e fortë dhe të pashëm tek kërcenin të çliruar e gjithë pasion këngën për një grua, shqyenin sytë mbas dyerve dhe mbas dritareve.



Kënga ishte dhe një lavdërim për të zotin e dasmës, “të dha në oxhak të rëndë”. Shqiptarët në ditën e dasmës e quanin dhëndrin bej, i vishnin vetes tituj fisnikërie, bëheshin kalorësorë dhe mbretërorë. Pra, kënga i kënaqte të gjitha nivelet e të ftuarve.

Një bindje që duhet provuar

Dëshminë që kjo këngë ishte për mbretëreshën Geraldinë, e kam dëgjuar herët. Ma kanë pëshpëritur më të moshuarit. Këtë ma kanë thënë dhe shumë miq nga Vlora.



Në fshatin Dukat të Vlorës të japin të dhëna të hollësishme për njeriun që e krijoi. Mbetet detyrë e studiuesve që këto të dhëna të mos jenë pandehma, por të vërtetohen shkencërisht.



Regjistrimin e këngës në variantin që e dhashë në krye, e kam nga Elham Sharra, ekonomist, kryetar i Bashkisë së Vlorës më 1993-1996, dhe Ibrahim Vasjari nga Tepelena, mësues letërsie, deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga 1992-1996. Ata i përmbahen mendimit që kjo është një këngë për mbretëreshën Geraldinë.

Edhe nëse nuk vërtetohet me saktësi, prapë në popull ka ekzistuar bindja se kjo këngë është për mbretëreshën Geraldinë. Sado me rrezik, edhe gjatë komunizmit nën zë është thënë dhe është pëshpëritur se asaj i kushtohej kënga.,thotë  në mes tjerash SADIK BEKJKO.



ahmet zoguahmet zogu
          Mbreti Shqiptar Ahmet Zogu 

Nëna Mbretëreshë Geraldinë lindi më 6 gusht 1916 në Gjenevë të Zvicrës në shtëpinë e gjyshes së saj. Origjina e Familjes se Saj është në kohën kur Hungaria u pushtua nga Arpadët në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze nën dinastinë Arpadiane.



 Në historinë mijëra vjecare të Hungarisë nuk ka ngjarje të rëndësishme ku familja Appony mos të kishte luajtur rol të rëndësishëm.

Ahmet Zogu, mbretëresha Geraldinë
        Ahmet Zogu, mbretëresha Geraldinë

Në fundin e dinastisë Arpadine në 1280 u shfaq emri Chevalier d’Apponyi për herë të parë në një fermë shumë të madhe e cila quhej Nagy Apponyi e që ishte pronë e kësaj familje më vonë.



 Te gjithe paraardhësit e Familjes Appony kane qene me karriere shume te suksesshme politike e kane pasur detyra nga me te rendesishmet ne Perandorine Austriake e u jane dhene tituj te rendesishem, baron, kont. Stergjyshi i Geraldines Konti Albert Appony kryesoi delegacionin Hungarez ne konferencen e Paqes e me pas perfaqesoi Hungarinë në Shoqërinë e Kombeve.




 Ndersa Gjyshi Konti Lajosh Appony mbajti funksionet me te larta honorifike te perandorise Austriake si Keshilltar intim dhe shamberlain i Franc Jopzefit dhe Marshall i madh i oborrit te Perandorit Franc Jozef.


Gjyshja e saj ishte nje aristokrate Prusiane e vajza e Kontit Herman Roger dë Seherr Tos, pasardhës i Princit Ernest – Joakim d’ Anhalt prej te cilit kane rrjedhur shumica e dinastive mbreterore evropiane çka me pas i dha nofken “ babai i mbretërve”.



 Atdheu i tyre Hungaria u copëtua dhe në bazë të traktatit të Trianonit të 1919 një pjesë e madhe e territorit hungarez bashkë me tre milonë e gjysmë hungarezë mbetën jashtë kufijve e së bashku me të ishin dhe pronat e familjes Apponyi të cilët i mori Sllovakia.



Familja Appony ka lidhje gjaku me te gjithe mbreterite e Europes.


Gjyshi nga nëna ishte Xhon Herri Stewart, i cili rridhte nga një familje fisnikesh skocezë, të emigruar në SHBA në shekullin e XVII dhe ishte diplomat i suksesshem. Ndersa gjyshja e saj nga nëna ishte e Familjes Hardingun, të cilët ishin pronarë të medhenj tokash në Karolinën e Veriut.

Ajo ishte e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, e cila ishte një amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, babai i të cilës ishte Konsull i Përgjithshëm i Amerikës në Hollandë.

Përveç vajzës së madhe Geraldinë, çifti Appony kishte edhe një vajzë tjetër të quajtur Virxhinia dhe një djalë të quajtur Xhula. E mbetur jetime ne moshe te vogel, per te kujdesen gjyshërit e saj Aponny keshtu Kontesha Geraldine u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës ku krijoi shoqëri me Konteshën e Darnleyt Rosemary Potter.


Me pas gjyshërit e saj Aponny e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Kontesha Geraldinë iu kushtua me gjithë shpirt stenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.



Një ndihmesë në edukimin e saj jepte edhe bibloteka e familjes së saj, e cila ishte shumë e pasur me rreth 30.000 libra. Në këtë mënyrë qysh në moshë të re kontesha Geraldinë njihte shkëlqyeshëm përveç gjuhës së saj, anglishten, frengjishten, gjermanishten dhe italishten (kur u bë Mbretëreshë për dy muaj mësoi edhe gjuhën shqipe).

Pas vdekjes së gjyshes së tyre Geraldinën dhe motrën e saj Virxhinia u kujdes e motra e babait të tyre, kontesha Fanny Karolyi, e cila zotëronte një nga kështjellat më të famshme dhe më te bukura të Hungarisë në Zebegeny. Vajzat që kalonin verën në kështjellën e Zebegeny-it, kishin marrë nga një emër luleje.



 Për shkak të bukurisë së saj dhe bardhësisë së saj natyrale e veshjes po në të njejtën ngjyrë, Geraldina u quaj Trëndafili i Bardhë i Hungarisë.


Në kështjellën në fjalë kontesha Geraldina mori mësime edhe në muzikë, stenografi, gjuhë të huaja etj.


 Ajo filloi punë në Muzeun Kombëtar. Geraldina tashmë e rritur, na shfaqet si një evropiane autentike e cila ka trashëguar nga jeta intensive e brendshme e Seher Tesëve, nga bujaria dhe kultura e rafinuar e Aponëve, nga dinamizmi i Steëarteve, nga sensi i përshtatjes dhe i kurajës përballë fatkeqësive i Hardingëve.


Përgatiti:Flori Bruqi

Joséphine Dedet :"Xheraldina, Mbretëresha e Shqiptarëve"

 Nga Artan Kutra




Në Panairin Ndërkombëtar të librit në Paris u prezantua edhe botimi i titulluar "Xheraldina, Mbretëresha e Shqiptarëve" - i autores franceze Joséphine Dedet, botuar nga shtëpia botuese "Belfond" në Francë.

Në Panairin Ndërkombëtar të librit, i cili u zhvillua gjatë muajit Mars në Paris, ndërmjet stendave të shumta të mbushura me libra, albume, enciklopedi, e periodikë nga e gjithë bota, 2000 shkrimtarëve dhe 1200 shtëpive botuese, ishte i pranishëm edhe një botim, i cili hedh dritë mbi historinë e figurave të shquara të Shqipërisë. Është fjala pikërisht për autoren franceze Joséphine Dedet, e cila prezantohej me ribotimin e librit «Xheraldina, Mbrëteresha e shqiptarëve», botuar në shtëpinë botuese « Belfond » në Francë.

Përmes Xheraldinës historia e Shqipërisë dhe e Ballkanit

Autorja e librit, Josephine Dede, shpjegon se kjo është hera e parë që shkruan një temë mbi Shqipërinë : «Këtë libër, në formën e një biografie e kisha përfunduar qysh në vitin 1996, dhe ky është ribotimi i tij më i pasuruar, e më i plotë. Kam dashur të shtoj shumë dëshmi interesante, fakte të tjera, dhe kapituj me informacione të reja e të rralla, prej njerëzve që sot fatkeqësisht nuk jetojnë më. Për hartimin e këtij libri më shtyu më së shumti vetë personazhi kryesor, Mretëresha Xheraldinë, e cila ishte një grua e shquar, që pata fatin ta njihja nga afër personalisht. Me të kam pasur një korrespondencë të bollshme prej disa vjetësh. Përmes personazhit të Mbretëreshës Xheraldinë, unë po tregoj në një këndvështrim të veçantë edhe historinë e Evropës e marrëdhëniet e saj me rajonin e Ballkanit.

Xheraldinë Aponyi kishte lindur në Perandorinë Austro-Hungareze në vitin 1915. Ajo vinte nga një nënë amerikane dhe një baba hungarez. Kjo bëri që ajo të ishte e kultivuar me kulturën më të mirë të dy kontinenteve. Xheraldinë Aponyi takoi Mbretin shqiptar Zog i 1-rë në vitin 1938 dhe u dashurua njëkohësisht edhe me të por edhe me Shqipërinë. Për studiuesen franceze, në një farë mënyre Mbretëresha Xheraldinë përfaqësonte një pasarelë midis shumë kulturave, të cilën donte ta aplikonte me gjithë shpirt në Shqipëri. Studiuesja, e dashuruar me historinë e mbretëreshës shqiptare, të atij mbreti dhe të këtij vendi të shqiponjave, vendosi ta shkruajë dhe t'ua tregojë lexuesve të shumtë frëngjishtfolës, historinë e saj.

Punim serioz mbi mbretëreshën shqiptare

Mbretëresha Xheraldinë ishte njëkohësisht një grua e shquar dhe shumë e bukur. Ajo karakterizohej edhe nga një shpirt i madh, një zgjuarsi dhe një zemërgjerësi e spikatur. Të gjitha dokumentat tregojnë se ajo e dashuroi menjëherë Shqipërinë, ndonëse nuk pati shumë kohë që të qëndronte aty, veçse një vit. Në këtë kohë ajo filloi të mësonte edhe gjuhën shqipe. Më pas, në 63 vitet e ekzilit të saj jashtë vendit, ajo u përpoq me të gjitha forcat që t'i ndihmonte shqiptarët e diasporës.

Panairi i Parisit

Më në fund, në viti 2002, ajo arriti të realizonte ëndrrën e saj dhe të kthehej në Shqipëri deri sa vdiq si një shqiptare në tokën që e kishte adoptuar dhe siç kishte dëshiruar ». Magali Brenon, drejtuese në shtëpinë botuese « Belfond », thekson se do të kishte qenë më mirë nëse në këtë panair do të kishte edhe libra apo tema të tjera që tregonin historinë e Shqipërisë apo të figurave të tjera të spikatura të saj në marrëdhënie me Ballkanin apo me botën. «Lidhur me botimet tona mund të them se kjo ishte hera e parë që botonim një libër mbi Shqipërinë, mbi historinë apo mbi personalitetet e spikatura e të veçanta të Shqipërisë. Dëshiroj të vlerësoj edhe punën e bërë nga autorja e librit si një punë tepër serioze e të bazuar mbi dokumenta e dorëshkrime të shumta me me një cilësi tepër të lartë. Ne si shtëpi botuese « Belfond » jemi të hapur të presim edhe autorë të tjerë që dëshirojnë të botojnë mbi tema të tilla për Shqipërinë apo edhe për Ballkanin të cilat nuk kanë qenë shumë të njohura për lexuesit frëngjishtfolës ».
Ndihmesa nga familja mbretërore

Skënder Zogu, anëtar i families mbretërore në Francë, është njëkohësisht edhe njëri prej protagonistëve që i ka ofruar materialin bazë shkrimtares franceze për të shkruar këtë libër. Ai kujton se shkrimtarja Joséphine Dedet, përpara disa viteve kishte kërkuar kontakt për të mbledhur informacione mbi jetën dhe aktivitetin e Mbretëreshës Xheraldinë. "Unë më parë kam jetuar së bashku me Nënën Mbretëreshë dhe me mbretin Zog dhe kisha shumë materiale, dokumenta, e relike për t'i ofruar. Autorja e librit nuk u mjaftua vetëm me kaq, ajo shkoi deri në Afrikën e Jugut për ta takuar direkt Nënën Mbretëreshë, Xheraldinë. Aty Josephine Dedet konsultoi të gjitha arkivat e saj dhe nxori këtë libër të dobishëm. Mund të them se ky botim ka plotësuar informacionin mbi jetën dhe veprën e saj. Nëna Mbretëreshë gjithmonë ishte shprehur se kishte vetëm një ëndërr, të qëndronte në Shqipëri, pranë shqiptarëve, dhe aty të prehej përjetesisht. Kjo vërtetohet edhe në këtë botim."

Historikisht Franca ka qenë një vend që ka koleksionuar dorëshkrime, relike të vjetra, dokumenta autentike, të cilat në një farë mënyre shërbejnë si bazë për hartimin e botimeve të ndryshme. Tomi Frashëri, i diplomuar në Francë në fushën e drejtësisë, sjell eksperiencën e vet: "Një nga aktivitetet që familja mbretërore ka pasur në Francë, sidomos nën përkujdesjen e Mbretëreshës Xheraldinë, ka qenë themelimi i një fondacioni mbretëror shqiptar.

Koleksioni i familjes mbretërore

Në vitin 1984, në kështjellën La Chapelle-d'Angillon, në Francë u vendosën mjaftë materiale e dorëshkrime të çmuara me vlera historike, për t'u ruajtur dhe për t'u paraqitur në stenda muzeale. Ky ishte koleksioni i Pol Bej Adamidi Frashërit, i cili ishte përfaqesuesi i familjes mbretërore në mërgim në Spanjë. Një pjesë e koleksionit ishte e përbërë me vepra arti, të cilat janë shitur në ankande dhe pjesa tjetër përbëhej nga dokumente që flisnin mbi historinë e Shqipërisë. Këto elemente ai ia la në patronazh families mbretërore me kusht që nëse ndonjë ditë familja mbretërore shqiptare do të kthehej në Shqipëri, atëhere ky koleksion duhej të vinte në vend e të ekspozohej për të gjithë, pasi përbëhej nga materiale që i përkisnin historisë së Shqipërisë."
Larg formave tradicionale në Edicionin e 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Paris, një vend të posatshëm zinte interesimi i publikut për format e reja të përdorimit të teknikave elektronike e dixhitale për pasqyrimin e të gjithë kësaj letërsie. Të ftuarit e nderit në këtë edicion të 32-të të këtij evenimenti ishin Letërsia Japoneze në përgjithësi, dhe autorët e ardhur nga kryeqyteti Rus -Moska.

Titulli :Redaksia Floripress



Reagime pas poezisë së Günter Grassit

Poezia kritike e Günter Grassit për Izraelin ka shkaktuar valë zemërimi në mbarë botën. Arsye për poezinë, u bë livrimi i planifikuar i një nëndetëseje gjermane për Izraelin.


Me një poezi kritike ndaj Izraelit, nobelisti i letërsisë, shkrimtari gjerman Günter Grass ka shkaktuar reagime të forta. Në poezinë e botuar në disa gazeta ndërkombëtare, Grass akuzon Izraelin se po rrezikon paqen botërore, që edhe pa këtë kërcënim ndodhet në gjendje të brishtë. Izraeli pretendon të drejtën e të parit me një goditje që mund të shfarosë popullin iranian, vetëm sepse mendohet se Irani po ndërton bombën atomike. Ndërkohë Izraeli posedon vetë një potencial nuklear, që nuk është kontrolluar ndonjëherë, thotë Günter Grass. Arsye për poezinë, u bë livrimi i planifikuar i një nëndetëseje gjermane për Izraelin.


Reagime pas poezisë së Grassit

Politikanë të ndryshëm, organizata hebreje dhe intelektualët kanë reaguar me zemërim dhe kanë akuzuar 84 vjeçarin se i sheh gjërat me kokë poshtë. Organizata "Komiteti Amerikan i Hebrenjve" (AJC), e ka kritikuar ashpër shkrimtarin gjerman Günter Grass. Nobelisti i vë pikpyetje të vetmes qeveri në rajon të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe nuk përmend faktin që Izraeli është i ekspozuar ndaj terrorit të Hizbollahut ekstremist dhe Iranit, deklaroi drejtoresha e AJC, Deidre Berger të Mërkurën në Berlin.

"Pyetja jonë për Günter Grassin është pse ai ndihet i thirrur të denoncojë Izraelin në vend që të shprehet për regjimet autoritare në Lindjen e Mesme, të cilat e kanë bërë deri më tani të pamundur paqen", tha Berger.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Hermann Gröhe u shpreh se Grass harron faktin që një Iran me armë atomike nuk i njeh të drejtën e ekzistencës, Izraelit dhe mohon Holokaustin. Ndërsa politikani i Të Gjelbërve gjermanë, Volker Beck është shprehur se Günter Grass është një shkrimtar i madh, por kur flet për politikën ka probleme, dhe bën gabime, por këtë herë ai e ka totalisht gabim. Vetë Grass është shprehur se "nuk hesht më". Duhet thënë ajo që për nesër do të jetë e vonuar ka thënë Günter Grass.

Maskara e Kralanit është një pjesë e memorieve më të hidhura gjatë luftës


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e 13 vjetorit të Masakrës Kralanit, ku janë vrarë 87 persona, ndërsa ende mbetet i pazbardhur fati edhe i 51 personave tjerë.

Në fjalën e tij të mbajtur në këtë akademi, zëvendëskryeministri Kuçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh dhimbjen dhe respektin për të gjithë ata të cilët kanë pësuar në këtë masakër, për familjet e tyre dhe për të gjithë të pagjeturit që sipas tij, janë breng e madhe jo vetëm për familjaret e tyre, por për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sipas Kuçit, Maskara e Kralanit është një pjesë e memorieve më të hidhura gjatë luftës së fundit në Kosovë, por që tregon njëkohësisht çmimin e lartë që ka paguar Kosova për liri dhe pavarësi dhe shtoi se Kosova ka ardhur këtu ku është sot, falë gjakut të dëshmorëve, punës së madhe të bërë nga njerëzit e rënë dhe të gjallë.

Me tutje, Zëvendëskryeministri tha se Kosova ka pasur një okupator të rënd, një okupator që nuk ka kursyer as popullatën civile, por i cili ka paguar çmimin përballë botës demokratike.

Në këtë akademi përkujtimore u bë edhe promovimi i monografisë “Masakra e Kralanit”, e përgatitur nga dr. Jusuf Osmani dhe Ramë Manaj.

Hillary Clinton ka rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe aspiratat integruese të saj.

Sekretarja  e  SH.B.A-së, Hillary Clinton ka rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe aspiratat integruese të saj.

“Do vazhdojmë të mbështesim Kosovën në aspiratat për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së”, deklaroi Clinton.

Në një konferencë të shkurtër për shtyp, të mbajtur rreth orës 21 sipas kohës sonë, Clinton rivlerësoi marrëveshjet Kosovë-Serbi të arritura deri tani.

“Ne e vlerësojmë marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel. Marrëveshjet e arritura janë meritë e dy liderëve”, u shpreh shefja e diplomacisë amerikane.

Ndërsa Thaçi falënderoi sekretaren Clinton për mbështetjen e pakursyer të administratës amerikane.
“Sot diskutuam për disa çështje dypalëshe. Sa për marrëveshjet, ato janë kapituj të rinj mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi Thaçi.

Më herët kryeministri kosovar u takua me kongresistin Eliot Engel, ndërsa më vonë pritet të takohet me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. Në ditët në vazhdim ai do të bisedojë edhe me zyrtarë dhe kongresistë të tjerë.

Atij i është rezervuar edhe një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili pritet të mbahet më 6 prill, por që nuk është përcaktuar ende zyrtarisht.
Në Shtetet e Bashkuara kishte në plan një vizitë edhe presidenti serb Boris Tadiq, por prania në të njëjtën kohë e Thaçit ia prishi atij agjendën e planifikuar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...