2012-12-09

IZRAELITËT DHE FISNIKËT

Interviste me gazetarin e njohur Arshin Xhezo 

                                                                (Pjesa e parë)

-“Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan dhe u shpëtuan jetën të gjithë hebrenjve që ishin apo erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë, kur të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të Europës, sidomos pas urdhërit-doktrinës së Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), me iluzionin “për të shpëtuar kokën e vet”, ose ua nxorën hebrenjtë para syve nazistëve, ose i vranë edhe vetë, duke u bërë kështu, bashkëpunëtorë në krimin më të madh të shekullit, Holokaustin ndaj hebrenjve, vdekjen e gjashtë milionëve prej tyre, kryesisht, fëmijë, gra e pleq”.

-Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-


ELVIN LUKU

Në këtë intervistë, zotit Arshin Xhezo nuk i kërkuam të fliste për probleme të gazetarisë dhe përvojës së tij të gjatë si gazetar.
Kemi lexuar, se edhe familja e tij në qytetin e Beratit, ku ka kaluar  fëmijërinë, ka strehuar dhe shpëtuar jetën e dy familjeve hebrenje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, kemi mësuar se po punon për një libër rreth kontributit të qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve.

Ndërkaq, kemi lexuar, që Arshin Xhezo, ka qenë i pari, i cili, qysh në vitet ’80, pra, në vitet e diktaturës,-atëherë kryeredaktor i të përditshmes “Zëri i Popullit”, ka guxuar të botojë një shkrim për këtë problem, atëherë “tabu”, sepse, sipas politikës absurde të asaj kohe, “Izraeli është kobure në duart e Amerikës”...

-Zoti Arshin, do të donim të na tregonit për kontributin e familjes tuaj, e cila, gjatë pushtimit nazist ka strehuar dhe shpëtuar nga vdekja dy familje hebrenje. Dhe, meqë, siç jemi të informuar, po përgatitni edhe një libër rreth këtij argumenti, a mund të na flisni diçka më gjerë për gjestin e bukur, por dhe sakrificën e shqiptarëve që nuk lejuan të binte asnjë hebre në duart e nazistëve? Ndërkaq, vetëm pas pak ditësh, më 27 janar, gjithë bota do të përkujtojë Ditën e Holokaustit(Shoah).
 
-Faleminderit! Siç e thatë edhe ju, ky akt i madh human nuk është vepër e një apo pesë familjeve. Gjithashtu, nuk duhet harruar se është vepër e etërve, e prindërve tanë, dhe jo e ne bijve. Pra, është “pronë e patrashëgueshme” dhe “tapia” ka emrin e tyre. Ne, që vijmë pas (dhe që unë nuk jam i sigurt, nëse mund ta bënim atë që bënë ata), na takon tanimë të bëjmë diçka “tonën”. Dhe, meqë më pyetët, edhe libri që po përpiqem të shkruaj është, thjesht, një homazh për prindërit, bashkëqytetarët e mi kurajozë e fisnikë, por dhe për gjithë shqiptarët.

Eshtë një e vërtetë historike, tanimë, se Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar jetën e të gjithë hebrenjve që ishin rezidentë ose erdhën në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Për këtë flasin të gjithë: shqiptarë e të huaj, ish-partizanë e ish-kuislingë, por edhe politikanë, kryeministra e presidentë, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, po theksoj, ajo që nuk kuptohet dhe nuk evidentohet mirë, është se ky akt unikal kurajoje qytetare, sakrifice, humanizmi e fisnikërie, ndodhte, në të njëjtën kohë, kur me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjitha shtetet e Ballkanit dhe Europës, bënë të kundërtën.
Sidomos, pas urdhrit të Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), këto shtete të Ballkanit dhe të Europës, edhe me iluzionin “për të shpëtuar kokën”, i dëbuan hebrenjtë “e tyre”, dhe, ose ua nxorën nazistëve “prenë” në rrugë, para syve, ose i vranë edhe vetë. Në të dyja rastet u bënë bashkëpunëtorë të hitlerianëve në krimin më të madh të shekullit “Holokaustin”, ku gjetën vdekjen gjashtë milionë hebrenj: fëmijë, pleq, gra e burra.

Heshtja nuk është pendesë. Por, gjithsesi, ka një logjikë se, “në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari”.
Puna bëhet lëmsh, kur vrasësi dhe tradhtari shpallet shpëtimtar dhe hero...

-Të gjitha shtetet e Ballkanit janë të implikuara në këtë krim?

-Të Ballkanit dhe të Europës, me ndonjë përjashtim krejt të veçantë, dhe kjo e bën më të dallueshëm “fenomenin shqiptar”. Pra, nëse ka ndonjë rast, ku Shqipëria mund të ndihet vërtet mirë, madje, krenare dhe model në raport me Europën dhe botën, ky është gjesti i shpëtimit të hebrenjve nga Holokausti nazist, që përkujtohet në çdo 27 janar, apo bashkëjetesa fetare, dhe jo “modelet ekonomike” apo “modelet patriotike”, dhe të tjera përralla...
Po të përfytyrojmë një “hartë memece”, siç e thërrasin fëmijët e shkollës, dhe të plotësojmë në të me ngjyrë të zezë “hartën e Holokaustit”, qoftë edhe vetëm të Ballkanit, do të shohim në të njollat e turpit. Le ta fillojmë nga Greqia plotësimin me ngjyrë të zezë të “Hartës së Holokaustit”.
Në Greqi u shfarosën 65 mijë hebrenj. Vetëm nga Selaniku u vranë 54.050 vetë; 1700 nga Rodosi dhe 260 nga Kreta.
“Kur gjermanët pushtuan Selanikun, në prill të vitit 1941, hebrenjtë përbënin komunitetin e dytë, më të madh, pas grekëve... U deshën 15 trena të mbushur plot e përplot, për 5 muaj me rradhë par ta boshatisur Selanikun nga hebrenjtë e tij. I gjithë qyteti u dërgua në kampet e përqendrimit. U shkatërruan të 500 mijë varret e varrezave, ndoshta, më e madhja varrezë hebrenje në botë... Sikur të mos kishte qenë nxitja e agjentëve vendës, gjermanëve as që do t’u kishte shkuar ndonjëherë në mend ideja sakrilegj e shkatërrimit të nekropolit të lashtë hebre të Selanikut” (Robert Kapllan: “Greqia, gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”, SH.B. “Dituria”, fq.25-26; Tiranë, 2002).

Por, tanimë dihet, se grekët e kanë traditë “fshesën”. “Njëqind vjet më parë, një numër i madh hebrenjsh në Korfuz dhe në krahina të tjera, u masakruan prej grekëve në revolucionin e vitit 1821, edhe pse nuk luajtën ndonjë rol nën sundimin turk. Madje, edhe pse nuk ishin palë, dhe as që donin të përziheshin në konfliktin midis myslimanëve e të krishterëve. Masakrat që ata përjetuan në atë kohë nga grekët ngjanin me ato të Holokaustit të shekullit XX: 5000 të vrarë në More, qindra të tjerë në Vllahi, 1200 në Tripolza. Hebrenjtë që jetonin në ishullin e Spartës, Patras, Korinthos, Mistras dhe Argos u fshinë nga faqja e dheut. Të njëjtin fat patën edhe ata të Tebës, Vrachonit, Atikës dhe Epirit” (Harvey Sarner: “Shpëtimi në Shqipëri”. 1998).
Në Jugosllavi. Numri i hebrenjve të zhdukur është 60 mijë, në Maqedoni: 7.142; në Itali: 8000.
Bosnje-Hercegovina. “Më 16 prill, një ditë pasi gjermanët hynë në Sarajevë, me ta u bashkuan bandat vendëse, të cilat ngrinin dorën e djathtë dhe tregonin katër gishtërinjtë, bashkë me të madhin, për të thënë se ishin të “Kolonës së Pestë”. Objektivat e para ishin sinagogat hebrenje. Ushtarët e Werhmahtit hynin brenda në këta tempuj, duke qëlluar e rrëzuar me automatikë shandanët e duke hedhur granata në altarë. Oficerët gjermanë u gajasën, kur panë se si bandat vendëse i plaçkitën dhe i shkatërruan dy ditë me rradhë, duke rrëmbyer qilimat, shandanët, fronat, bankat, dritaret, dyert. Ata, madje, shqyen edhe fletët prej bakri të sinagogës dhe linoleumin nga dyshemetë. Biblioteka hebrenje u shkatërrua plotësisht; shkrimet e shenjta u dogjën rrugëve të Sarajevës”. (Po aty. Fq.498)
Kroacia. “Nga të 40.000 hebrenjtë që jetonin në Kroaci, Slloveni, Strem (Kroacia Lindore), Bosnjë dhe Hercegovinë, 20.000-31.000 u vranë. Kampi më famëkeq ishte ai i Jasenovacit. Rreth 1500 gra hebrenje u mbajtën në Labograd, në Veriperëndim të Zagrebit, ku komandantët dhe personeli i kampit u morën rregullisht me përdhunime (Misha Glen:”Histori e Ballkanit”.IDK, Tiranë, 2007, Fq.500-501).
Serbia: “Bashkësitë më të mëdhaja hebrenje janë në Beograd, Banat dhe Shabac... Brenda pak kohësh, gjenerali Bahme zuri të pushkatojë edhe hebrenjtë e Beogradit e të Banatit... Autoritetet ushtarake ishin pranë të vërtetës, kur i raportuan me krenari Berlinit, se Serbia tani ishte “Juden frei” (“Pa asnjë hebre”).
“Në mëngjesin e bartjes së parë, një kampion i rëndë dhe një makinë e madhe ngjyrë hiri hynë në kamp. Personeli i makinës i ngarkoi plaçkat në kamion; pastaj ndihmoi njëqind gra e fëmijë të hipnin në një kamion të dytë. Dhjetë minuta më vonë, pasi makina kishte kaluar nga Zemuni në drejtim të Beogradit, makinat ndaluan vetëm për një çast. Njeri nga dy shoferët zbriti poshtë kamionit dhe e mbylli tubin e shkarkimit të makinës, në mënyrë që gazrat të shkonin në pjesën e mbushur me fëmijët, të cilët përtypnin ëmbëlsirat, që ata vetë ua kishin “dhuruar” pak çaste më parë...” (Misha Glen: “Histori e Ballkanit”, fq.505).

Sidomos, për jo pak të huaj, duket e çuditshme dhe “mrekulli hyjnore”, që ngjyra e zezë e vdekjes nuk e vizatoi dot edhe Shqipërinë në “Hartën e Holokaustit”.
“Pjesa e bardhë” e “hartës së Ballkanit” nuk e pranoi vdekjen e njeriut.
Sipas etnologut dhe historianit Shaban Sinani,  gjatë dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri u dyfishua. Pra, u shpëtuan jo vetëm hebrenjtë rezidentë, por edhe ata që mundën të hyjnë në vendin tonë në prag dhe gjatë Luftës, nga Gjermania, Franca, Austria, Hungaria, Polonia, Jugosllavia etj.
Vetëm qyteti i Beratit, nga viti 1941 e në vijim, në vitin 1942 dhe më vonë, priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë. Berati shpëtoi, jo vetëm hebrenjtë “e vet” pra, rezidentë, por, edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore, Ballkani e, sidomos, Kosova.
-Nderim për bashkatdhetarët tanë që ruajtën dinjitetin dhe jetën njerëzore!
Nderim për Beratin, i cili, si ndër qytetet më të vjetër e më të bukur të Europës Juglindore, u bë edhe kryeqytet i humanizmit!
Gjithsesi, ndryshe, për shembull, nga vitet 1990-1991, tanimë, pas 20 vitesh, kemi një bibliografi relativisht të gjerë për lidhjet mes shqiptarëve dhe hebrenjve, dhe posaçërisht në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

Pa përmendur autorët e huaj, po kujtoj vetëm disa nga autorët tanë, si Ferit Duka, Pëllumb Xhufi, Artan Puto, Edmond Malaj, Monika Stafa, Simon Vrusho, duke veçuar prof. dr. Shaban Sinanin dhe librin e tij “Hebrenjtë në Shqipëri. Prania dhe shpëtimi” për të cilin, me të drejtë është thënë se, me kërkimet dhe zbulimet për fatin e hebrenjve në Ballkan e Shqipëri “e ka ngritur argumentin e “Holokaustit” nga dëshmitë, tregimet, folklori apo deklaratat propagandistike, në nivelin e kërkimit shkencor, shoqëruar me fakte, dokumente, ekspertizë dhe analizë, si askush tjetër”.
Në datat 26-28 janar të vitit 2000, në Stokholm të Suedisë u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për “Holokaustin”, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta nga 40 kombe të botës, mbi bazën e së cilës, katër vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do ta shpallte 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ato ditë, gazetari i njohur Naim Zoto, i pranishëm në Konferencë edhe si anëtar i delegacionit shqiptar që kryesohej nga zëvendëskryeministre Makbule Çeço, raportonte: “Nga të gjithë delegacionet e ftuara në Konferencë, delegacioni shqiptar përcolli mesazhin më të veçantë dhe që meritoi përgëzimet e gjithë pjesëmarrësve dhe medias. Nga lista e vendeve dhe popujve ku hebrenjtë pësuan fatin më të keq, duke nisur me Gjermaninë dhe Italinë ku lindi fashizmi, për të vazhduar me Poloninë ku u vranë mbi 3 milionë hebrenj, Shqipëria renditej e fundit: asnjë (0 me shifra) hebre i vrarë apo i dorëzuar tek autoritetet pushtuese naziste, ndërkohë që Shqipëria rezultonte, edhe si vendi i vetëm në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku komuniteti hebre ishte shumëfishuar në numër, në krahasim me paraluftën”.
Pastaj, gazetari jep edhe shifrat e hebrenjve të zhdukur nga nazistët në dhjetëra vende të Europës dhe botës: “Gjermania -160.000; Holanda-106.000; Çekosllovakia-217.000; Polonia-3.000.000; Hungaria-200.000; Jugosllavia-60.000; Greqia-65.000; Franca-83.000; Maqedonia-7.122; Belgjika-24.387;...Shqipëria-0”.

Nëse, tanimë, do të merrnim një “hartë memece”, edhe të Europës dhe botës, dhe mbi të, bashkë me shifrat përkatëse të çdo shteti, do të hidhnim edhe ngjyrën e zezë, mund të përfytyrohet lehtë si do të shfaqej para syve “Harta e Holokaustit të botës”, “Njolla e Botës”, harta “Turpi i Botës”.
Ndërkaq, atje, në një kënd të Ballkanit, do të evidentohej, e bardhë, me shifrën 0 (zero) “Harta e Dinjitetit të Njeriut”, harta e Shqipërisë.
Me sakrificën e tyre, shkruan gazetari, “shqiptarët treguan, se si mund të mos bëhej holokausti”. Por, “ngjarjet në ish-Jugosllavi, urrejtja ndëretnike, vrasjet masive të civilëve myslimanë në Bosnjë, spastrimi etnik në Kosovë, bënë që Konferenca e Stokholmit ta kthejë Holokaustin, nga një problem i së shkuarës, në një problem të kohës”.

- Me sa dimë, Serbia ishte i vetmi vend evropian e ballkanik që nuk ishte ftuar në atë Konferencë...

Ç’mund të thoshte një përfaqësues serb, veç pendesës?
Mbi serbët dhe ndërgjegjen serbe rëndon jo vetëm zhdukja e dhjetra mijra hebrenjve, por edhe vrasjet masive në Bosnjë, e gjenocidi në Kosovë, që nuk është vetëm ai i viteve nëntëdhjetë. Janë rreth 800.000 fëmijë, gra e burra të Kosovës që janë vrarë, torturuar, përdhunuar e dëbuar nga vatrat e tyre prej Serbisë.
Jo vetëm nga ngjashmëria e mënyrat primitive të torturave e vdekjeve, por edhe për nga numri i njerëzve, në raport me popullsinë e Shqipërisë, holokausti ndaj hebrenjve, nuk është më i madh se gjenocidi dhe holokausti i serbëve ndaj shqiptarëve. Eshtë fjala për një holokaust “kronik”, tradicional dhe me projekte konkrete genocidale, që nga “Naçertania” i vitit 1844  e Ilia Garashaninit, në atë të Çubrilloviçit të vitit 1937, tek projekti “SANU” i Akademisë serbe të shkencave në vitin 1986. Për fat të keq, sidoqë me emërtimin “Momerandum i ri”, ishte në thelb po “SANU” i vitit 1986, ai që u kërkua këtë vit nga kryetari i Serbisë.
Por, edhe fqinjët grekë nuk qëndrojnë më pas. Mjaft të kujtojmë vetëm 27 qershorin e vitit 1944, që në Çamëri njihet si “Nata e Shën Bartolomeut”. Brenda 24 orëve, bandat e Zervës vranë dhe masakruan 600 shqiptarë, më së shumti, fëmijë, gra e pleq.
 
-A mund të na tregoni, si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është kobure në duart e imperializmit amerikan”?



-Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.
Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave, ekranet e TV-ve, por  të botojnë edhe libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.


Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve. “More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel, ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”...


Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua në prill të vitit 1988. Eshtë, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver Hoxhës...




Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve, -pra, një humanizëm i ngjashëm me atë  ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrëfarë hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.
Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!
Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebrenje. Ky ishte emri i tim ati...Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, - e vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë jetën...

-Atëherë, a mund të na tregoni motivet e vërteta që ju shtynë të botoni këtë shkrim?

-Motivet? Vetëm me politikën, më saktë, me politikën normale, nuk kanë lidhje motivi dhe ideja e botimit të atij shkrimi. Eshtë një gjë krejt e ndryshme nga politika, aq më pak, nga politika e ditës. Ishte, thjesht, ngjarja e bukur dhe krejt e veçantë që më tërhiqte. Pra, një temë, një ide “ndryshe”, e patrajtuar asnjëherë më parë në shtyp,- tundimi dhe dëshira e përhershme e çdo gazetari e botuesi.
Më vonë,- ndoshta, edhe reagimi absurd i politikës bëri punën e vet,-fillova të mendoja, se vërtetë, nga ç’rrugë e burime kishte hyrë kjo ide në subkoshiencën time?
Thuhet, se njeriu është fëminia e tij, dhe unë e besoj këtë, siç besoj, edhe faktin, se ngjarjet dhe imazhet që regjistrohen të parat në kujtesën dhe retinën e syrit të fëmijës lënë gjurmë për tërë jetën.
Keni menduar ndonjëherë, se cila është ngjarja e parë, që mbani mend, dhe në cilën moshë keni filluar të mbani mend?


Këto fenomene, sigurisht, studiohen dhe, kurioz pas një ideje të tillë, kam lexuar, se, për ne, njerëzit e zakonshëm është mosha pesë apo gjashtë vjeçare e më vonë, ndryshe, nga,- dhe duket e habitshme,-që, Tolstoi, për shembull, ka filluar të mbajë mend që në moshën dy-vjeçare, si “rrinte ulur në govatën e lëmuar, të errët, dhe “shihte fytyrën dhe llërët e përveshura të dados”. (Cvajg)
Tri-katër ngjarjet që janë rregjistruar të parat në kujtesën time, sigurisht, rreth moshës 5-6 vjeçare, lidhen, padyshim, me familjen dhe shtëpinë e fëmijërisë sime në qytetin e Beratit, në lagjen “Murat Çelebia”; një shtëpi e madhe, 150 vjeçare, me një bahçe të madhe, të bukur, që vazhdon të jetë e tillë, edhe sot e kësaj dite.
Ndër këto tri-katër ngjarje, njëra (hajde gjeje, e para apo e katërta) është ajo lidhur me hebrenjtë.
Asgjë për t’u çuditur për një qytet apo lagje, ku hebrenjtë kanë jetuar prej qindra vjetësh, dhe ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti u bë simbol i shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, sikurse lagjia jonë-simbol i qytetit për nga numri i familjeve që sakrifikuan, dhe hebrenjve të shpëtuar.
E çuditshmja, apo “paradoksi” i ngjarjes së ngulitur në kujtesën time, nuk ishte e natyrshmja, pra, që në fillim të dëgjoja histori për hebrenjtë e ndonjë familjeje në lagje, qytet, sidomos për ata që kishin banuar në shtëpinë tonë. Përkundrazi, është historia e një shqiptari të mbijetuar në një kamp përqendrimi nazist në Gjermani.
Ky ishte Halit Totua, daja i sime mëje, nga Plashniku,-një fshat malor i Beratit, që herë pas here, zbriste në qytet, e vinte në shtëpinë tonë, për të pirë një kafe a thjesht “për muhabet”.
“Unë nuk e di si është xhehnemi, se nuk është kthyer të na tregojë ndonjë nga ata që kanë vdekur, por kampi i përqendrimit është xhehnem e kaluar xhehnemit, them unë. Natë-ditë, i thua shpirtit “Dil!” nga puna e rëndë. Punën, bjere këtu, po ishte edhe druri. Kot fare, se kështu i shkrepej gjermanit.
Po, ç’u ka punuar hebrenjve, thuaj! Ne ishim lule, para torturave që u bënin atyre. Si nuk ka plasur syri nga ato që ka parë! Mori gjermani një ditë nga kapanoni, babë e bir, hebrenj. Ishin hebrenj të Polonisë. Mirë që i griu me kamxhik të dy, po poshtërsia erdhi më pas, kur i çoi të dy tek trekëmbëshi, dhe katili, vari të birin para të atit, që ta shihte me sy. Nuk u ngop me kaq, por edhe pasi djali dha shpirt, gjermani zuri ta tundte e ta shkundte në litar. Plaku u përplas në tokë nga vilania (të fikët). Kafshë,- o; kafshë, thuaj!
Ç’u kanë punuar hebrenjve të shkretë, një Zot e di! I fortë qenka njeriu!
Po, edhe ne të tjerëve, nuk po them, s’na mbajtën me kimet, jo.
Ishim nja 30 a 40 vetë në kampet e përqendrimit, ne, nga Berati. Të tjerët, nuk e mbaj mend, ku e si i zunë gjermanët, po ne na rrethuan në pyll. Morën rradhë ç’kapën aty, jo vetëm ne, disa partizanë. Na hipën në makinat e tyre, dhe, drejt e në Selanik. Në Selanik, ku kishin mbledhur edhe qindra të tjerë, nga Greqia, Jugosllavia e ku di unë, na futën në vagonat e trenave të mallrave, dhe, drejt e në Gjermani, në kamp të përqendrimit.
Një fjalë goje, “drejt e në kamp”, se tortura e rrugës, e vagonit ishte më e keqe se ajo e kampit. Në vagonat ku na plasën kishin vënë nga një a dy fuçi të mëdhaja, të mbushura me benzinë a ujë ,-kush e mori vesh. Puna është se një javë a dhjetë ditë, sa sosëm në Gjermani, natë-ditë ne luftonim të ruheshim nga fuçitë. Treni ikte, ato rrotulloheshin e përplaseshin nëpër faqet e vagonit, dhe ne, me vrap nga një cep në tjetrin, se, po të zinte fuçia, të bluante. Merre me mend vetë tashti si ishim bërë ne, dhjetë ditë rresht, me atë torturë, pa gjumë e pa bukë, të dërmuar fare, kur na plasën në kamp të përqendrimit. Në kamp,- punë, natë e ditë, sa të merrej fryma. Bukë, na jepnin, sa një kalamani. Bënin karshillëk gjermanët, por, po hëngre sa një fëmijë, takatin e fëmijës do të kesh”. Kur na prunë në Tiranë, më 1945-ën, as 30 kile njeri nuk ishim. Na mbajti tre muaj në Tiranë, Komandanti, sa morëm hije njeriu dhe na shpërndau nëpër shtëpitë tona.
As hasmin mos e pafsh në kampin e përqendrimit!”
Unë, nuk mundja t’i dëgjoja të gjitha “historitë” e pafund, që tregonte daja, se nuk ndodhesha sa herë vinte ai. Aq më tepër, u largova herët nga familja, dhe nga qyteti. Dhe, më vinte keq që nuk mund ta takoja dot shpesh. Më pëlqente: njeri i sinqertë, dhe burrë “me hije” e dinjitoz. Por, një gjë tjetër, që, gjithashtu, më është ngulitur në kujtesë. Në fund të tregimit a të historisë së tij, për kampin e përqendrimit dhe për torturat e veçanta për hebrenjtë, im atë dhe ime më, nuk harronin asnjëherë, dhe gati me një zë, të thoshin “Me një paqe, o Zot! Amin!”
Dukej krejt e çuditshme, kjo lloj lutjeje apo urimi, i cili, megjithëse lufta kishte gati dhjetë vjet që kishte përfunduar dhe ishte paqe, vazhdonte të mbetej si ritual, jo vetëm kur tregoheshin ngjarje të tilla, por, edhe gjatë vizitave tek fqinjët a kushërinjtë. Para, apo pasi pinin kafen, vinte menjëherë lutja dhe urimi: “Me një paqe, o Zot! Amin!”
“Me një paqe”, në paqe?! Pse?
Ndoshta, tmerri i vdekjeve dhe shkatërrimit nuk ishte larguar ende nga sytë e tyre. Por, ndoshta imazhin e luftës, e mbanin akoma “të ngrohtë” e të afërt dhe varret e freskët, ndërtesat ende të parindërtuara dhe, sidomos, më dukej mua, numri jo i paktë i “sakatëve”, i të gjymtuarve nga bombat që plasnin vazhdimisht, kur, padashur shkeleshin nga kalimtarët, të cilat nazistët dukej se i kishin lënë qëllimisht e si për të thënë, se do të vazhdonin të vrisnin shqiptarë, edhe pas ikjes, edhe pas humbjes. (Siç bënë edhe serbët, pas ikjes në malet e Kukësit e Tropojës, zona kufitare me Kosovën).
Në të vërtetë, kjo lloj lufte pas përfundimit të luftës, e gjermanëve nazistë nuk dukej hiç burrërore, përkundrazi, e pabesë dhe tinëzare, sidomos, po të kishe parasysh ato që thoshin disa nga të rriturit, se vërtetë armiku armik, por, sidoqoftë, ndryshe nga italianët, gjermanët ishin “seriozë e të ndershëm në luftë; të vrisnin, por vetëm ballë për ballë”. Profka!
Kjo “luftë në paqe” që vazhdonte edhe vite të tëra më pas, nuk kursente asnjeri, të mëdhenjtë, por sidomos të vegjlit e qytetit që luanin ku të mundnin; në faqet e Kalasë, tek “Gropa e Zhurrit”, lart mbi kodrën tjetër, tek “Lëmi i Shamatasë”, nga Bifta, deri edhe në Bilçë etj, që kishin qenë edhe zonat më të forta të luftimeve me gjermanët.
Më vonë, kuptova, se “lufta pas luftës”, “në paqe”, nuk ishte dokudo. Ashtu, si gjarpëri kur largohet, lë pas vezët e veta, lufta linte pas gjymtimet, hakmarrjen dhe urrejtjen.
Nga ky “infeksion” nuk prekeshin vetëm të mundurit, por edhe fitimtarët. Madje, më dukej, se fitimtarët prekeshin më shumë pas përmbysjes së të mundurve.
Edhe daja ynë, trim, për shembull, e quajti të pamjaftueshme “luftën në luftë” kundër fashizmit. Vite më pas, pengu i një sherri të mbetur (të pambyllur) nga lufta, bashkë me ndonjë fyerje a diçka të tillë, bëri që t’ia zbrazë pushkën në mes të fshatit një bashkëfshatari që në luftë e kishte patur në anën e kundërt, dhe, pas luftës, “të prekur” e në anën e “të mundurve”:
-“Edepzës! Mirë që dje u bëre me “Ballin”, po me gjermanin ç’deshe që u përzjeve? Nuk të vrava dot dje, të vrasë sot...”
“Atë të “Ballit” e shpëtoi fati dhe nuk e zuri plumbi, kurse dajën, Partia. E përjashtuan nga Partia, por edhe, nga ligji. Gjemb në këmbë nuk i hyri.
Ishte “i yni”, i “Luftës”, “i kampit të përqendrimit”. (Por, e vërteta është, vetëm për këtë rast, sepse jetoi e vdiq në fshat, si gjithë të tjerët).
Pak a shumë, siç vazhdon sot. Kur, pas “luftës”, domethënë zgjedhjeve elektorale, je me fitimtarët e PD-së apo PS-së, je “i yni”, domethënë, ke edhe punë, edhe karrige të madhe, dhe “benefice” të tjera në formë tenderash, etj., etj. Madje, edhe nga burgu shpëton sot “i imi”, apo “i yti”, kur je në pushtet, sikurse daja ynë “i kampit të përqendrimit”...
                                                                                                (vijon...)

                                                                                                            Intervistoi: Elvin LUKU

2012-12-08

Një natë e frikshme hallouini





                                                                   






    



 Nga Elisa Bruçi

1       Në shtëpinë e frikshme

Xheku dhe Ejmi kishin dalur të merrnin karamele për ditën e hallouinit. Ata ishin duke u kënaqur shumë! 

Ejmi ishte veshur si mace kurse Xheku ishte veshur sikur një vampire. Xheku donte që çudira të ndodhin në jetën e tij, edhe Ejmi po ashtu.




Papritur ata ndodheshin para një shtëpi të frikshme, por Xheku dhe Ejmi menduan se njerzit që banojnë aty e kishin zbukuruar shtëpinë për ditën e hallouinit, por jo, ata e kishin gabim. 

Dera u hap vetë ,dhe në shtëpine e frikshme kishte merimanga, kishte skeleta, kishte gjithçka të friksme. Ejmi u dridh nga frika.    
                                                                                                            

“Xhek, eja të dalim nuk qenka njeri këtu,Xhek, Xheeeeek?”   
                                              

   Xheku nuk shihej gjë kundi.  Ejmi filloi të ecte   e friksuar.   
         
                                          

  Ajo pa pritur pa një vajzë në moshën e Ejmit ( 8 vjeç )e cila quhej Rinesa. Ajo u drejtua nga Ejmi dhe i tha : “Ke ardhur të jetosh me mua apo jo?”        
                                                                                                                                       “E-e-e-epo unë jetoj…”-filloi Ejmi, dhe Rinesa e ndërpreu : “Ti jeton këtu tani?” –tha Rinesa -“Eja t’i tregoi dhomat.”-vazhdoi .

Ndërkohë Xheku po kërkonte Ejmin. Ecte duke thirrur : “Eeeeeeeeeejmiiiii, ku je?”. 

Papritur ran ë një grope të stër madhe. Rinesa me Ejmin po ecnin dhe e panë Xhekun. 

Ejmi sa e pa zgjati dorën duke u mu nduar ta kapte. Rinesa  i tha : “ Lëre aty atë hajdut, ai është munduar të më marr krtistalet e mia me vite të tëra”.  “Si? Unë, unë, unë jo”-tha Xheku i çuditur.          

                                               
 “Hahahahahahahahahah!!”-filloi të qeshte vajza- “Mos gënje moj djalosh” ....                        

 “ Gënjeshtare je vetë moj vazë e çuditshme!” –tha Ejmi e zemëruar – “Ai është vëllau im!” –vazhdoi ajo. 

Rinesa nuk kishte faj, ajo ishte e sigurtë që e kishte parë Xhekun por ajo e lëshoi atë. Rinesa nuk ishte e keqe, papritur iu kujtua se në atë shtëpi gjithmonë sheh visione. 

Rinesa iu tregoi Ejmit dhe Xhekut se shtëpia e saj ishte aq e madhe sa as ajo nuke njeh mire shtëpinë e saj, shtëpia ishte si labirint.

Rinesa deshi që t’i çonte tek dhoma e fjetjes, por  ajo pa dashje i çoj  në një vend që as vetë nuk e kishte parë kurrë. Aty jetonte një shrigë .

 Ajo shtrigë ishte një vajzë a zakoshme e cila hyri në atë shtëpi dhe mbeti aty për gjithmonë. Ajo i pyeti “Pse keni ardhur këtu?”                         

 “Unë jetoj këtu…”-tha Rinesa,-“por ne humbëm rrugën.”    

 “Hahahahaha! Ti jeton këtu dhe humbe rrugë? 

Kjo më pëlqen.”-tha shtriga.

Ejmi e pyeti e zemëruar: “Përse të pëlqen moj buda . . . . .” Shshshshshshshshshshshs tha Xheku...

“Si më quajte mua? Për këtë që bëre ju duhet të gjeni 3 gjëra që më duhen dhe nuk kam mundur t’i gjejë, ato janë: kokën prej kungulli të njeriut pa kokë, shpatën në gurë dhe lakuriqin më të madh në botë.”-tha shtriga.   
                                       
“Çfarë, ato as në filma nuk kanë mundur t’i gjejnë dhe ti pret që ne tre fëmijë mund t’i gjejmë?”-tha Rinesa “Ti po bën shaka apo jo”-përfundoi Xheku.

“Ju duhet t’i gjeni dhe pikë ose prindërit ,motrat dhe vëllezërit e juaj do të jenë zbukurime të vdekura në këtë shtëpi.”-tha shtriga...                                 

  Fëmijët nuk mund të lëviznin. Ejmi tha “Kur do të nisemi”.                                  “Tani”-tha shtriga. Fëmijët nisën të ecin shpejt ….

Vazhdon....



-------------------------




Elisa Bruqi është nxënëse e shkelqyeshme e shkollës fillore “Iliria” ne Prishtinë(klasa IV-të).
E lindur në Kanada, por jeton dhe shkollohet ne Prishtinë.

 Përpos suksesit të saj në shkollë, ajo  ka vijuar edhe kursin e baletit ku çdo herë na befason me shfaqjet e mrekullueshme.

 E mos ta harrojmë talentin e saj në letërsi, ku qysh ne ditët e para të klasës se parë ajo ia filloi me thurrjen e poezive të saja të para.

 Ajo është shumë e talentuar në të dy gjuhet, shqipe dhe angleze. Është imitatore dhe manekene, 
fotogjenike...

Elisës i deshirojmë sukses të madh në artin letrarë dhe shpresojmë se do të kemi kënaqësinë të lexojmë  në vazhdime  punimet e saja të rradhës...në romanin e sajë në vazhdime...i cili do të botohet së shpejti si libër në edicionin  tonë.

Prishtinë,7.12.2012


Leter per Elisen e vogel ,nga xhaxhi Luigji qe jeton ne Danimarke.
 
Pershendetje Elisa e vogel !
 
Xhaxhi Luigji te uron jete e shendet se bashku me prinderit tuaj dhe me gjyshin tuaj shume te dashur Floirin,qe ne miqte e tij e duam dhe   e respektojme shume.
 
E dashur Elisa te  falenderoj shume qe kete krijimtarine tuaj  e  ndave me te gjithe ne.  Eshte nje tregim i shkruar shume bukur nga dora jote  e vogel. Te lumte dora dhe mendja jote.
 
Ti do behesh nje shkrimtare e poete shume e talentuar ne te ardhen ku do shkruash shume libra ,ashtu sic ka shkruar e kontribuar Gjyshi juaj Flori.
 
Te uroj cdo te mire ne  jeten tuaj dhe tu realizofshin te gjitha enderrat dhe deshirat tuaja.
 
Me respekt
 
Xhaxhi Luigji ,Danimarke
 

 


Elisa e vogël,sa bukur që rritet
Shkruan si e rritur,edhe kur zbavitet
Unë e njoh poete (tash edhe shkrimtare )
Çfarë të uroj gjyshI? Të bëhesh famëmadhe,


Si nxënëse e shkëlqyer dhe do letërsinë
Poete-shkrimtare,por dhe balerinë.
Je gocë e zgjuar,por dhe poliglote
Sa e talentuar ! Me gen prej Kosove.

Të përqaf fort gjyshi Përparim Hysi që i ka tri mbesa.


----------------

Urimeeee dhe pergezime
vertet flm Elises per embelsine - por dhe juve per afersine, per qasjen tuaj inkurajuese me gjuhen e dashurise per te bukuren, per filizat e artit qe premtojne
s'ka se si me bukur per nisma te mbara engjellore, eshte dic qe ngrohe zemrat

gjithe te mirat Senad Guraziu 



---------------------

........ Këtë serial mos e ndal....

http://www.kosovarimedia.com/index.php/fragmente-tregime/14392-nje-nate-e-frikshme-hallouini.html

të fala nga

Muhamet Hoxhaj




------------------


Te fala
Pauli

-----------------


2012-12-06

MBI ETIKËN

Shkruan: Bujar PLLOSHTANI
       Për hir të mendimit tim bazuar nga pikëpamjet e fundit të natyrës njerëzore, konsideroj se, sot nderi dhe etika janë jo reale, dhe realja nuk është e arsyeshme; sepse mungon ndërgjegja dhe gjykimi kritik. Edhe mendimi kritik nuk ka më sens, as politika nuk ka etikë, as dashuria nuk ka nder (ndërgjegje të jashtme).



“Çdo gjë reale është e arsyeshme, çdo gjë e arsyeshme është reale”, shprehet Hegeli.

            Mirëpo, sot asgjë nuk ec drejt reales dhe të arsyeshmes. Secili individ tenton ta zë parakushtin e tij të çështjes, e jo fenomenet e mundshme që përkojnë me nderin dhe etikën e vërtetë. Nderi është karakteri ose principi i jashtëm që mbart njeriu për hir të vërtetës së brendshme. Në këtë kohë të neveritshme me plot shije meskine, nderi mund të vërehet rrallëherë si vullnet i ndërgjegjshëm, por më tepër si një shprehje e zakonshme që solidarizohet me rutinën e përditshme. Nderi, sot është vetëm një shprehje e zakonshme, që masa e përgjithshme e lakmon në pozita të nevojshme duke përfituar. Nisur nga pikëpamja e tezës së famshme të Hegelit, unë vlerësoj se, sot asgjë nuk është reale dhe e arsyeshme, për faktin se gjithkush mendon të imponojë ose përfitojë mendimin e njëjtë me pa të drejtë tek tjetri. Nuk ka një tolerancë që mund të shpresosh apo guxosh! Ose, kjo do të thotë se mendimi nuk hulumtohet, çdo gjë reale është e arsyeshme, por, sot realiteti njerëzor është i padrejtë dhe non sens duke lënë pezull mëkatet vetjake tek enden nëpër qiejt e gjithkujt. Prandaj, kohëve të fundit çdo gjë ka humbur ndriçimin e meritueshëm duke u marrë me çështjen, dhe duke e konsideruar mendimin e pazakontë si një gjykim jo kritik. Këtu është drita në fund të këtij tuneli që na verbon. As politika dhe as dashuria nuk kanë nder dhe etikë, por kanë një vullnet për të jetuar mbi etikën dhe nderin e rremë duke përfituar hipokrizisht!

            Për hir të mendimit tim bazuar nga pikëpamjet e fundit të natyrës njerëzore, konsideroj se, sot nderi dhe etika janë jo reale, dhe realja nuk është e arsyeshme; sepse mungon ndërgjegja dhe gjykimi kritik. Edhe mendimi kritik nuk ka më sens, as politika nuk ka etikë, as dashuria nuk ka nder (ndërgjegje të jashtme). Por, ka një histeri të zakonshme të infiltruar nga koha e fundit, që për masën dhe intelektualët partiak, koha mbetet sot e kësaj dite diçka e frikshme dhe e neveritshme që duhet me çdo kusht jetuar. Gjithkush, sot është i prirur pas kohës, pas të zakonshmes, pas një dukurie që ngrihet në bazë të etikës moderne për të përfituar në kohë reale, pavarësisht se kthehen në eautontimoroumenoi, dënues të vetvetes, pa e ditur e ndier thelbësisht.


            Përfitimi vetjak në kohë reale është dhe mbetet dukuri negative; konceptuar nga mendimi se kënaqësia e prodhuar nga ky përfitim është një ide fikse që të përmbys unin dhe veten. Nisur nga ky mendim, duke e shtrirë këtë gjendje reale edhe në politikë, edhe në dashuri, askush që vepron nën këtë trajtim nuk konsiderohet i përfillshëm. Ai që e konsideron veten të mençur, (që shumë pak ka të mençur) nuk përfiton në kohë jo të arsyeshme, dhe u shmanget përfundimisht të këqijave. Realisht, marrë këtë vështrim të sipërfaqshëm, duket qartë se secili që merret me politikë ose veprimtari të tjera nuk janë të arsyeshëm me shoqërinë dhe veten. Fakte ka plotë, dhe se askush që bën politikë zyrtare nuk ndodhet pranë reales, por bindjes vetjake të tij. Megjithëkëtë, ky grup njerëzish, qoftë elita politike apo ushtrues të ndryshëm nuk janë të drejtë aspak me realitetin dhe etikën që premtojnë, por janë në kontradiktë. Këta njerëz janë të lajthitur, dhe bredhin pas kënaqësive të kësaj jete duke përfituar në kohë, dhe fundja zakonshmërisht përballen me mashtrimin, dhe përfundojnë në humnerë.

            Së fundi, që të kemi një etikë apo një nder kudoqoftë, në radhë të parë, siç thoshte Goethe “Përfito nga gjendja e mirë shpirtërore, sepse vjen rrallëherë”, duhet të sillemi në lëvizje të mirë me të gjitha prirjet e fshehura të natyrës sonë. “Vita motu constat” ka thënë Aristoteli, që jetën ta lëvizim si pasojë e rregullit të arsyeshëm, dhe të shmangemi nga mendime katekizmi.

http://www.sa-kra.ch/mbietiken.htm

MARIGO POZIO DHE FLAMURI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT



Rrugëtimi i Flamurit historik të Vlorës

     Për shumë vjet në historiografinë shqiptare ka dominuar versioni zyrtar se, flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga  korçarja Marigo Pozio, e cila atëkohë jetonte në Vlorë, dhe është thënë se ajo flamurin e qëndisi brenda natës. Ky version shpërfaqet edhe në filmin "Nëntori i dytë" i xhiruar në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika.



Nga Sheradin Berisha


            Për shumë vjet në historiografinë shqiptare ka dominuar versioni zyrtar se, flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga  korçarja Marigo Pozio, e cila atëkohë jetonte në Vlorë, dhe është thënë se ajo flamurin e qëndisi brenda natës. Ky version shpërfaqet edhe në filmin "Nëntori i dytë" i xhiruar në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika. Për më tepër historiani Ilirian Gjika thekson që flamurin kombëtar e qëndisi Marigoja e ndihmuar nga dy vajzat e saj. Përtej këtij vështrimi, shkon historiani Kristo Frashëri, i cili në një studim të tij, shkruan se, "…me sa dimë, modelin e shqiponjës e dha Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës dhe gjatë natës e qëndisi Marigoja".
            Por, si duket ky version i shndërruar në mit, tashmë nuk i kënaq të gjitha interpretimet tjera që bëhen nga historianët tanë. Eqrem bej Vlorës (kushëri i Ismail Qemalit) në kujtimet e tij shkruan se, Marigo Pozio Flamurin e ka qëndisur disa ditë pas mbajtjes së Kuvendit të Vlorës, duke u bazuar në flamurin e tij personal, të cilin e kishte ngritur Ismail Qemali - më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Madje një version tjetër shpjegon se Marigoja (e arsimuar në Shkollën e Vashave të Korçës) flamurin e kishte qëndisur që kur ishte vajzë dhe e kish pjesë të pajës së saj, sipas modelit të dhënë nga kleriku katolik, Dom Mark Vasa.


 

Flamuri i qëndisur nga Marigo Pozio


            * * *
            Një version tjetër që spikatet në kujtimet e pjesëmarrësve të Kuvendit të Vlorës është, se flamuri që u ngrit në 28 nëtor 1912 në  Vlorë ishte po ai flamur, që e zbukuronte podiumin e Hotelit „Kontinental“ në Bukuresht, në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, gjatë takimit që mbajti Ismail Qemali me komunitetin shqiptar në Rumani, ku morën pjesë: Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, Dhame Kume etj. Në këtë takim realisht u vendos që Shqipëria të shpallë Pavarësinë e plotë nga Perandoria Osmane, e cila pas kryengritjes së përgjithshme shqiptare të verës 1912 në Kosovë, po i numronte ditët e fundit në Ballkan. Dhe, kjo do të ndodhë 23 ditë më vonë, saktësisht më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës. Sipas këtij versioni, të gjitha burimet përmblidhen në një pikë, se  Spiridon Ilo nga Korça (përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bukuresht) e kishte marrë Flamurin nga kryeqyteti rumun dhe gjatë udhëtimit me delegacionin e Ismail Qemalit për në Shqipëri, do ta mbante tërë kohën me vete, në gji.
            Spiridon Ilo, në kujtimet e tij shkruan: “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht unë e kam mbajtur në gji, që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak”.
            Në këto zhvillime, ndonëse Spiridon Ilo ishte djal i tezes së Marigo Pozios, ai më 27 nëntor 1912, (kur karvani i Ismail Qemalit erdhi në Vlorë), natën do ta kalonte në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe thuhet se, Marigo Pozio brenda natës i ka qëndisur vetëm theket e flamurit (por jo krejt flamurin), që e kishte sjellur Spiridon Ilo nga Bukureshti.



Spirodon Ilo (1878 - 1950)


 

Flamuri i Spiridon Ilos, që e solli nga Bukureshti.


            Ndërkaq, Vangjo Ilo (djali i Spiridon Ilos) në kujtimet e tij, thotë, se: flamuri që ka sjellë i ati i tij nga Bukureshti në Vlorë, ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe përmasa ka qenë një metër me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat i ka qëndisur Marigo Pozio.


            * * *
            Ekziston edhe një version tjetër për sjelljen e flamurit në Vlorë, e, që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë në mesin e komunitetit shqiptarë që jetonë në SHBA, është përfolur se, flamuri që u ngrit në Vlorë është qëndisur në Boston të Masacusets. Për këtë çështje madje ka shkruar edhe gazeta „Dielli“ që botohet në Amerikë.
            Në një shkrim të Qerim Panaritit thuhet, si vijon:
            “Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz, një vit para se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë.“ Në vijim z.Panariti thotë se: “Detyra e mbajtësit të flamurit ju ngarkua z. Naçi Nuçi, ish mësues i gjuhës sonë shqipe në Korçë dhe më pas, pas ndalimit të shkollës, ai punoi si instruktor në një shkollë tregëtare në Korfuz dhe ndihmonte tregëtarët shqiptarë." Z. Naçi ishte një mik i çiftit tregëtar Pozio nga Vlora të cilëve ua besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur derisa t'ju kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë ta ndanin nga Turqia. Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe i lyer me ar në majën e së cilës gjendej një shqiponjë me dy koka prej fildishi…“
            Për hollësi të tjera, se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë shqiptaro-amerikane Koli Rodhe. Aty vihet në pah se, Marigo Pozio nga Oçishti i Korçës (grua e një tregëtari vlonjat), ndonëse ato ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.

            Si u dogjë Flamuri historik i Ismail Qemalit?
            Përveç versioneve, të shpërfaqur më lartë, ekzistojnë tashmë edhe argumente tjera për flamurin historik të Vlorës. Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, thotë se, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte një flamur personal, pronë private e tij, që e mbante në shtëpi si kujtim, të dhuruar solemnisht në vitin 1909 në Paris, nga një prej mëtuesve të fronit mbretëror të shqipërisë, Juan Pedro Aladro Kastrioti, i cili konsideronte veten si pinjoll i familjes Kastrioti.
            Pra, ky flamur u përdor, sipas Eqrem bje Vlorës, në ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
            Kësaj historie i hedhin dritë tashmë disa dokumente - letërkëmbime të vitit 1930, në mes Eqrem bej Vlorës, prefekturës së Vlorës dhe ministrisë së jashtme e të brendshme të Shqipërisë, të cilat në maj 2004 janë gjetur, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.



 

Eqrem bej Vlora (1885 - 1964)


 

Flamuri i Eqrem Bje Vlorës , që ia kishte dhuruar
Juan Pedro Aladro Kastrioti, më vitin 1909 në Paris.



Juan Pedro de Aladro Kastrioti (1845-1914) dhe flamuri.
Ky dokument ëshët gjetur në arkivin e Stambollit.


            1. Në dokumentin e parë thuhet se, në vitin 1930 qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm, që flamurin e ngritur në Vlorë (më 28. XI. 1912) ta kthente në një material muzeal dhe për këtë qëllim, prefekturës së Vlorës i drejtohet me një letër zyrtare, ku i kërkohej ta gjejë atë flamur dhe ta sjellin në Tiranë për ta vendosur në Muzeun Kombëtar. Në vitin 1930 pothuaj se të gjithë protagonistët ishin gjallë, përfshirë këtu edhe Marigo Pozion.
            2. Për këtë qëlllim, Prefektura e Vlorës i dërgon një letër zyrtare ministrisë së brendshme të Shqipërisë (ministër i brendshëm ishte Musa Juka) në të cilën sqaron se flamuri, që Ismail Qamali e ka ngritur në Vlorë ishte pronë private e Eqrem bej Vlorës, ashtu siç thotë edhe vet z.Vlora në kujtimet e tij. Prandaj, kjo prfekturë kërkonë nga ministria, që t'i drejtohet zyrtarisht Eqrem bej Vlorës, i cili atëkohë ishte zyrtarë i qeverisë shqiptare (mbretërisë zogiste) në Athinë.
            3. Zoti Rauf Fico, ministër i jashtëm i Shqipërisë, i dërgon një letër Eqrem bej Vlorës në Athinë, ku kërkon prej tij dorëzimin e flamurit, për ta vendosur në muzeun kombëtar në Tiranë.
            4. Ndërkohë, Eqrem bej Vlora, organit zyrtarë ia kthen një letërpërgjigje prej tri faqesh. Ai pasi e falënderon ministrinë e jashtme, që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin historik të Vlorës, në material muzeal, me keqardhje shkruan, se ky flamur nuk ekziston më!
            Në letër, z.Vlora shkruan se flamuri i ngritur në Vlorë, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës - më 28 Nëntor 1912, u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë si të shenjtë. Kur në vitin 1914 në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptar që kishin orientime perëndimore u dogjën tërësisht), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora për në Delvinë e merrë me vete edhe flamurin historik të Vlorës. Znj.Delvina gjatë tërë kohës këtë flamur e ruante me kujdes të veçantë (si sytë e ballit) së bashku me gjësendet e saja pesonale.
            Në këto zhvillime dramatike, në vitin 1914, në jug të Shqipërisë, hynë forcat greke „vorio - epirote“, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë. Me këtë rast sulmojnë edhe qytetin e Delvinës, dhe familja Delvina ndonëse ishte në shënjestër për t'u persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre. Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar pothuajse tërësisht Delvinën, ia vunë flakën edhe shtëpisë së delvinajve, dhe me këtë rast, së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi u dogjë edhe flamuri historik i Ismail Qemalit.

            Si përfundim
            Këto dokumente arkivore, zbehin të gjitha versionet tjera që kanë të bëjnë me flamurin historik të Ismail Qemalit.


     Një Flamur që është përdorur nga qeveria e Vlorës gjatë vitit 1913. Flamuri u identifikua vitin e kaluar, në bazë të raportit gjatësi e gjerësi tek flamuri objekt dhe të po këtij raporti tek flamuri që paraqitet në dy fotografi të kohës. Flamuri është realizuar në pëlhurë të leshtë, në të cilën është qëndisur nga të dyja anët shqiponja e zezë. Përqark konturohet nga një shirit me thekë bronzi. Identifikimi i këtij flamuri u realizua nga Prof.As.Dr. Frederik Stamati dhe u certifikua nga konsulta e specialistëve, e thirrur nga QSA më datë 6 janar 2012.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...