Interviste me gazetarin e njohur Arshin Xhezo
(Pjesa e parë)
-“Shqipëria dhe
shqiptarët sakrifikuan dhe u shpëtuan jetën të gjithë hebrenjve që ishin apo
erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë, kur të gjitha
shtetet e Ballkanit dhe të Europës, sidomos pas urdhërit-doktrinës së Hitlerit
“FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), me iluzionin “për të shpëtuar
kokën e vet”, ose ua nxorën hebrenjtë para syve nazistëve, ose i vranë edhe
vetë, duke u bërë kështu, bashkëpunëtorë në krimin më të madh të shekullit,
Holokaustin ndaj hebrenjve, vdekjen e gjashtë milionëve prej tyre, kryesisht,
fëmijë, gra e pleq”.
-Intervistë me
gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-
ELVIN LUKU
Në këtë intervistë, zotit Arshin Xhezo nuk i kërkuam të fliste për
probleme të gazetarisë dhe përvojës së tij të gjatë si gazetar.
Kemi lexuar, se edhe familja e tij në qytetin
e Beratit, ku ka kaluar fëmijërinë, ka
strehuar dhe shpëtuar jetën e dy familjeve hebrenje gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Gjithashtu, kemi mësuar se po punon për një libër rreth kontributit
të qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për strehimin dhe shpëtimin e
hebrenjve.
Ndërkaq, kemi lexuar, që Arshin Xhezo, ka qenë i pari, i cili, qysh në
vitet ’80, pra, në vitet e diktaturës,-atëherë kryeredaktor i të përditshmes
“Zëri i Popullit”, ka guxuar të botojë një shkrim për këtë problem, atëherë
“tabu”, sepse, sipas politikës absurde të asaj kohe, “Izraeli është kobure në
duart e Amerikës”...
-Zoti Arshin, do të
donim të na tregonit për kontributin e familjes tuaj, e cila, gjatë pushtimit
nazist ka strehuar dhe shpëtuar nga vdekja dy familje hebrenje. Dhe, meqë, siç
jemi të informuar, po përgatitni edhe një libër rreth këtij argumenti, a mund
të na flisni diçka më gjerë për gjestin e bukur, por dhe sakrificën e
shqiptarëve që nuk lejuan të binte asnjë hebre në duart e nazistëve? Ndërkaq,
vetëm pas pak ditësh, më 27 janar, gjithë bota do të përkujtojë Ditën e
Holokaustit(Shoah).
-Faleminderit! Siç e thatë edhe ju, ky akt i madh human nuk është vepër
e një apo pesë familjeve. Gjithashtu, nuk duhet harruar se është vepër e
etërve, e prindërve tanë, dhe jo e ne bijve. Pra, është “pronë e
patrashëgueshme” dhe “tapia” ka emrin e tyre. Ne, që vijmë pas (dhe që unë nuk
jam i sigurt, nëse mund ta bënim atë që bënë ata), na takon tanimë të bëjmë
diçka “tonën”. Dhe, meqë më pyetët, edhe libri që po përpiqem të shkruaj është,
thjesht, një homazh për prindërit, bashkëqytetarët e mi kurajozë e fisnikë, por
dhe për gjithë shqiptarët.
Eshtë një e vërtetë historike, tanimë, se Shqipëria dhe shqiptarët
sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar jetën e të gjithë
hebrenjve që ishin rezidentë ose erdhën në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë
Botërore. Për këtë flasin të gjithë: shqiptarë e të huaj, ish-partizanë e
ish-kuislingë, por edhe politikanë, kryeministra e presidentë, brenda e jashtë
Shqipërisë. Por, po theksoj, ajo që nuk kuptohet dhe nuk evidentohet mirë,
është se ky akt unikal kurajoje qytetare, sakrifice, humanizmi e fisnikërie,
ndodhte, në të njëjtën kohë, kur me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjitha
shtetet e Ballkanit dhe Europës, bënë të kundërtën.
Sidomos, pas urdhrit të Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja
përfundimtare”), këto shtete të Ballkanit dhe të Europës, edhe me iluzionin
“për të shpëtuar kokën”, i dëbuan hebrenjtë “e tyre”, dhe, ose ua nxorën
nazistëve “prenë” në rrugë, para syve, ose i vranë edhe vetë. Në të dyja rastet
u bënë bashkëpunëtorë të hitlerianëve në krimin më të madh të shekullit
“Holokaustin”, ku gjetën vdekjen gjashtë milionë hebrenj: fëmijë, pleq, gra e
burra.
Heshtja nuk është pendesë. Por, gjithsesi, ka një logjikë se, “në
shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari”.
Puna bëhet lëmsh, kur vrasësi dhe tradhtari shpallet shpëtimtar dhe
hero...
-Të gjitha shtetet e
Ballkanit janë të implikuara në këtë krim?
-Të Ballkanit dhe të Europës, me ndonjë përjashtim krejt të veçantë,
dhe kjo e bën më të dallueshëm “fenomenin shqiptar”. Pra, nëse ka ndonjë rast,
ku Shqipëria mund të ndihet vërtet mirë, madje, krenare dhe model në raport me Europën
dhe botën, ky është gjesti i shpëtimit të hebrenjve nga Holokausti nazist, që
përkujtohet në çdo 27 janar, apo bashkëjetesa fetare, dhe jo “modelet
ekonomike” apo “modelet patriotike”, dhe të tjera përralla...
Po të përfytyrojmë një “hartë memece”, siç e thërrasin fëmijët e
shkollës, dhe të plotësojmë në të me ngjyrë të zezë “hartën e Holokaustit”,
qoftë edhe vetëm të Ballkanit, do të shohim në të njollat e turpit. Le ta
fillojmë nga Greqia plotësimin me ngjyrë të zezë të “Hartës së Holokaustit”.
Në Greqi u shfarosën 65 mijë hebrenj. Vetëm
nga Selaniku u vranë 54.050 vetë; 1700 nga Rodosi dhe 260 nga Kreta.
“Kur gjermanët pushtuan Selanikun, në prill të vitit 1941, hebrenjtë
përbënin komunitetin e dytë, më të madh, pas grekëve... U deshën 15 trena të
mbushur plot e përplot, për 5 muaj me rradhë par ta boshatisur Selanikun nga
hebrenjtë e tij. I gjithë qyteti u dërgua në kampet e përqendrimit. U
shkatërruan të 500 mijë varret e varrezave, ndoshta, më e madhja varrezë
hebrenje në botë... Sikur të mos kishte qenë nxitja e agjentëve vendës,
gjermanëve as që do t’u kishte shkuar ndonjëherë në mend ideja sakrilegj e
shkatërrimit të nekropolit të lashtë hebre të Selanikut” (Robert Kapllan: “Greqia, gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”,
SH.B. “Dituria”, fq.25-26; Tiranë, 2002).
Por, tanimë dihet, se grekët e kanë traditë “fshesën”. “Njëqind vjet më
parë, një numër i madh hebrenjsh në Korfuz dhe në krahina të tjera, u masakruan
prej grekëve në revolucionin e vitit 1821, edhe pse nuk luajtën ndonjë rol nën
sundimin turk. Madje, edhe pse nuk ishin palë, dhe as që donin të përziheshin
në konfliktin midis myslimanëve e të krishterëve. Masakrat që ata përjetuan në
atë kohë nga grekët ngjanin me ato të Holokaustit të shekullit XX: 5000 të
vrarë në More, qindra të tjerë në Vllahi, 1200 në Tripolza. Hebrenjtë që
jetonin në ishullin e Spartës, Patras, Korinthos, Mistras dhe Argos u fshinë
nga faqja e dheut. Të njëjtin fat patën edhe ata të Tebës, Vrachonit, Atikës
dhe Epirit” (Harvey Sarner: “Shpëtimi në
Shqipëri”. 1998).
Në Jugosllavi. Numri i hebrenjve të zhdukur është
60 mijë, në Maqedoni: 7.142; në Itali: 8000.
Bosnje-Hercegovina. “Më 16 prill, një ditë pasi
gjermanët hynë në Sarajevë, me ta u bashkuan bandat vendëse, të cilat ngrinin
dorën e djathtë dhe tregonin katër gishtërinjtë, bashkë me të madhin, për të
thënë se ishin të “Kolonës së Pestë”. Objektivat e para ishin sinagogat
hebrenje. Ushtarët e Werhmahtit hynin brenda në këta tempuj, duke qëlluar e
rrëzuar me automatikë shandanët e duke hedhur granata në altarë. Oficerët
gjermanë u gajasën, kur panë se si bandat vendëse i plaçkitën dhe i shkatërruan
dy ditë me rradhë, duke rrëmbyer qilimat, shandanët, fronat, bankat, dritaret,
dyert. Ata, madje, shqyen edhe fletët prej bakri të sinagogës dhe linoleumin
nga dyshemetë. Biblioteka hebrenje u shkatërrua plotësisht; shkrimet e shenjta
u dogjën rrugëve të Sarajevës”. (Po aty.
Fq.498)
Kroacia. “Nga të 40.000 hebrenjtë që jetonin
në Kroaci, Slloveni, Strem (Kroacia Lindore), Bosnjë dhe Hercegovinë,
20.000-31.000 u vranë. Kampi më famëkeq ishte ai i Jasenovacit. Rreth 1500 gra
hebrenje u mbajtën në Labograd, në Veriperëndim të Zagrebit, ku komandantët dhe
personeli i kampit u morën rregullisht me përdhunime (Misha Glen:”Histori e Ballkanit”.IDK, Tiranë, 2007, Fq.500-501).
Serbia: “Bashkësitë më të mëdhaja hebrenje
janë në Beograd, Banat dhe Shabac... Brenda pak kohësh, gjenerali Bahme zuri të
pushkatojë edhe hebrenjtë e Beogradit e të Banatit... Autoritetet ushtarake
ishin pranë të vërtetës, kur i raportuan me krenari Berlinit, se Serbia tani
ishte “Juden frei” (“Pa asnjë hebre”).
“Në mëngjesin e bartjes së parë, një kampion i rëndë dhe një makinë e
madhe ngjyrë hiri hynë në kamp. Personeli i makinës i ngarkoi plaçkat në
kamion; pastaj ndihmoi njëqind gra e fëmijë të hipnin në një kamion të dytë.
Dhjetë minuta më vonë, pasi makina kishte kaluar nga Zemuni në drejtim të
Beogradit, makinat ndaluan vetëm për një çast. Njeri nga dy shoferët zbriti
poshtë kamionit dhe e mbylli tubin e shkarkimit të makinës, në mënyrë që gazrat
të shkonin në pjesën e mbushur me fëmijët, të cilët përtypnin ëmbëlsirat, që
ata vetë ua kishin “dhuruar” pak çaste më parë...” (Misha Glen: “Histori e Ballkanit”, fq.505).
Sidomos, për jo pak të huaj, duket e çuditshme dhe “mrekulli hyjnore”,
që ngjyra e zezë e vdekjes nuk e vizatoi dot edhe Shqipërinë në “Hartën e
Holokaustit”.
“Pjesa e bardhë” e “hartës së Ballkanit” nuk e pranoi vdekjen e
njeriut.
Sipas etnologut dhe historianit Shaban Sinani, gjatë dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore,
numri i hebrenjve në Shqipëri u dyfishua. Pra, u shpëtuan jo vetëm hebrenjtë
rezidentë, por edhe ata që mundën të hyjnë në vendin tonë në prag dhe gjatë
Luftës, nga Gjermania, Franca, Austria, Hungaria, Polonia, Jugosllavia etj.
Vetëm qyteti i Beratit, nga viti 1941 e në vijim, në vitin 1942 dhe më
vonë, priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë.
Berati shpëtoi, jo vetëm hebrenjtë “e vet” pra, rezidentë, por, edhe ata të
ardhur nga Europa Qendrore, Ballkani e, sidomos, Kosova.
-Nderim për bashkatdhetarët tanë që ruajtën dinjitetin dhe jetën
njerëzore!
Nderim për Beratin, i cili, si ndër qytetet më të vjetër e më të bukur
të Europës Juglindore, u bë edhe kryeqytet i humanizmit!
Gjithsesi, ndryshe, për shembull, nga vitet 1990-1991, tanimë, pas 20
vitesh, kemi një bibliografi relativisht të gjerë për lidhjet mes shqiptarëve
dhe hebrenjve, dhe posaçërisht në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Pa përmendur autorët e huaj, po kujtoj vetëm disa nga autorët tanë, si
Ferit Duka, Pëllumb Xhufi, Artan Puto, Edmond Malaj, Monika Stafa, Simon
Vrusho, duke veçuar prof. dr. Shaban Sinanin dhe librin e tij “Hebrenjtë në
Shqipëri. Prania dhe shpëtimi” për të cilin, me të drejtë është thënë se, me
kërkimet dhe zbulimet për fatin e hebrenjve në Ballkan e Shqipëri “e ka ngritur
argumentin e “Holokaustit” nga dëshmitë, tregimet, folklori apo deklaratat
propagandistike, në nivelin e kërkimit shkencor, shoqëruar me fakte, dokumente,
ekspertizë dhe analizë, si askush tjetër”.
Në datat 26-28 janar të vitit 2000, në Stokholm të Suedisë u zhvillua
Konferenca Ndërkombëtare për “Holokaustin”, me pjesëmarrjen e personaliteteve
më të larta nga 40 kombe të botës, mbi bazën e së cilës, katër vjet më vonë,
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do ta shpallte 27 janarin si Ditën
Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ato ditë, gazetari i njohur Naim Zoto, i pranishëm në Konferencë edhe
si anëtar i delegacionit shqiptar që kryesohej nga zëvendëskryeministre Makbule
Çeço, raportonte: “Nga të gjithë delegacionet e ftuara në Konferencë,
delegacioni shqiptar përcolli mesazhin më të veçantë dhe që meritoi përgëzimet
e gjithë pjesëmarrësve dhe medias. Nga lista e vendeve dhe popujve ku hebrenjtë
pësuan fatin më të keq, duke nisur me Gjermaninë dhe Italinë ku lindi fashizmi,
për të vazhduar me Poloninë ku u vranë mbi 3 milionë hebrenj, Shqipëria
renditej e fundit: asnjë (0 me shifra) hebre i vrarë apo i dorëzuar tek
autoritetet pushtuese naziste, ndërkohë që Shqipëria rezultonte, edhe si vendi
i vetëm në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku komuniteti hebre ishte
shumëfishuar në numër, në krahasim me paraluftën”.
Pastaj, gazetari jep edhe shifrat e hebrenjve të zhdukur nga nazistët
në dhjetëra vende të Europës dhe botës: “Gjermania -160.000; Holanda-106.000;
Çekosllovakia-217.000; Polonia-3.000.000; Hungaria-200.000; Jugosllavia-60.000;
Greqia-65.000; Franca-83.000; Maqedonia-7.122; Belgjika-24.387;...Shqipëria-0”.
Nëse, tanimë, do të merrnim një “hartë memece”, edhe të Europës dhe
botës, dhe mbi të, bashkë me shifrat përkatëse të çdo shteti, do të hidhnim
edhe ngjyrën e zezë, mund të përfytyrohet lehtë si do të shfaqej para syve
“Harta e Holokaustit të botës”, “Njolla e Botës”, harta “Turpi i Botës”.
Ndërkaq, atje, në një kënd të Ballkanit, do të evidentohej, e bardhë,
me shifrën 0 (zero) “Harta e Dinjitetit të Njeriut”, harta e Shqipërisë.
Me sakrificën e tyre, shkruan gazetari, “shqiptarët treguan, se si mund
të mos bëhej holokausti”. Por, “ngjarjet në ish-Jugosllavi, urrejtja
ndëretnike, vrasjet masive të civilëve myslimanë në Bosnjë, spastrimi etnik në
Kosovë, bënë që Konferenca e Stokholmit ta kthejë Holokaustin, nga një problem
i së shkuarës, në një problem të kohës”.
- Me sa dimë, Serbia
ishte i vetmi vend evropian e ballkanik që nuk ishte ftuar në atë Konferencë...
Ç’mund të thoshte një përfaqësues serb, veç pendesës?
Mbi serbët dhe ndërgjegjen serbe rëndon jo vetëm zhdukja e dhjetra
mijra hebrenjve, por edhe vrasjet masive në Bosnjë, e gjenocidi në Kosovë, që
nuk është vetëm ai i viteve nëntëdhjetë. Janë rreth 800.000 fëmijë, gra e burra
të Kosovës që janë vrarë, torturuar, përdhunuar e dëbuar nga vatrat e tyre prej
Serbisë.
Jo vetëm nga ngjashmëria e mënyrat primitive të torturave e vdekjeve,
por edhe për nga numri i njerëzve, në raport me popullsinë e Shqipërisë,
holokausti ndaj hebrenjve, nuk është më i madh se gjenocidi dhe holokausti i
serbëve ndaj shqiptarëve. Eshtë fjala për një holokaust “kronik”, tradicional
dhe me projekte konkrete genocidale, që nga “Naçertania” i vitit 1844 e Ilia Garashaninit, në atë të Çubrilloviçit
të vitit 1937, tek projekti “SANU” i Akademisë serbe të shkencave në vitin
1986. Për fat të keq, sidoqë me emërtimin “Momerandum i ri”, ishte në thelb po
“SANU” i vitit 1986, ai që u kërkua këtë vit nga kryetari i Serbisë.
Por, edhe fqinjët grekë nuk qëndrojnë më pas. Mjaft të kujtojmë vetëm
27 qershorin e vitit 1944, që në Çamëri njihet si “Nata e Shën Bartolomeut”.
Brenda 24 orëve, bandat e Zervës vranë dhe masakruan 600 shqiptarë, më së
shumti, fëmijë, gra e pleq.
-A mund të na tregoni,
si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit”
një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi
lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë
politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është
kobure në duart e imperializmit amerikan”?
-Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë
kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo
pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.
Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për
servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave,
ekranet e TV-ve, por të botojnë edhe
libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët
Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.
Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar
këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve.
“More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe
për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë
kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel,
ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”...
Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua
në prill të vitit 1988. Eshtë, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u
bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të
bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që
u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije
Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver
Hoxhës...
Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i
thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën
dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve,
-pra, një humanizëm i ngjashëm me atë
ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të
cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrëfarë
hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e
strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.
Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura
të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu
duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!
Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta
firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç
janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një
redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e
shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebrenje. Ky ishte emri i tim
ati...Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin
e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, - e
vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të
merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë
jetën...
-Atëherë, a mund të na
tregoni motivet e vërteta që ju shtynë të botoni këtë shkrim?
-Motivet? Vetëm me politikën, më saktë, me politikën normale, nuk kanë
lidhje motivi dhe ideja e botimit të atij shkrimi. Eshtë një gjë krejt e
ndryshme nga politika, aq më pak, nga politika e ditës. Ishte, thjesht, ngjarja
e bukur dhe krejt e veçantë që më tërhiqte. Pra, një temë, një ide “ndryshe”, e
patrajtuar asnjëherë më parë në shtyp,- tundimi dhe dëshira e përhershme e çdo
gazetari e botuesi.
Më vonë,- ndoshta, edhe reagimi absurd i politikës bëri punën e
vet,-fillova të mendoja, se vërtetë, nga ç’rrugë e burime kishte hyrë kjo ide
në subkoshiencën time?
Thuhet, se njeriu është fëminia e tij, dhe unë e besoj këtë, siç besoj,
edhe faktin, se ngjarjet dhe imazhet që regjistrohen të parat në kujtesën dhe
retinën e syrit të fëmijës lënë gjurmë për tërë jetën.
Keni menduar ndonjëherë, se cila është ngjarja e parë, që mbani mend,
dhe në cilën moshë keni filluar të mbani mend?
Këto fenomene, sigurisht, studiohen dhe, kurioz pas një ideje të tillë,
kam lexuar, se, për ne, njerëzit e zakonshëm është mosha pesë apo gjashtë
vjeçare e më vonë, ndryshe, nga,- dhe duket e habitshme,-që, Tolstoi, për
shembull, ka filluar të mbajë mend që në moshën dy-vjeçare, si “rrinte ulur në
govatën e lëmuar, të errët, dhe “shihte fytyrën dhe llërët e përveshura të
dados”. (Cvajg)
Tri-katër ngjarjet që janë rregjistruar të parat në kujtesën time,
sigurisht, rreth moshës 5-6 vjeçare, lidhen, padyshim, me familjen dhe shtëpinë
e fëmijërisë sime në qytetin e Beratit, në lagjen “Murat Çelebia”; një shtëpi e
madhe, 150 vjeçare, me një bahçe të madhe, të bukur, që vazhdon të jetë e
tillë, edhe sot e kësaj dite.
Ndër këto tri-katër ngjarje, njëra (hajde gjeje, e para apo e katërta)
është ajo lidhur me hebrenjtë.
Asgjë për t’u çuditur për një qytet apo lagje, ku hebrenjtë kanë jetuar
prej qindra vjetësh, dhe ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti u bë simbol
i shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, sikurse lagjia jonë-simbol i qytetit për
nga numri i familjeve që sakrifikuan, dhe hebrenjve të shpëtuar.
E çuditshmja, apo “paradoksi” i ngjarjes së ngulitur në kujtesën time,
nuk ishte e natyrshmja, pra, që në fillim të dëgjoja histori për hebrenjtë e
ndonjë familjeje në lagje, qytet, sidomos për ata që kishin banuar në shtëpinë
tonë. Përkundrazi, është historia e një shqiptari të mbijetuar në një kamp
përqendrimi nazist në Gjermani.
Ky ishte Halit Totua, daja i sime mëje, nga Plashniku,-një fshat malor
i Beratit, që herë pas here, zbriste në qytet, e vinte në shtëpinë tonë, për të
pirë një kafe a thjesht “për muhabet”.
“Unë nuk e di si është xhehnemi, se nuk është kthyer të na tregojë
ndonjë nga ata që kanë vdekur, por kampi i përqendrimit është xhehnem e kaluar
xhehnemit, them unë. Natë-ditë, i thua shpirtit “Dil!” nga puna e rëndë. Punën,
bjere këtu, po ishte edhe druri. Kot fare, se kështu i shkrepej gjermanit.
Po, ç’u ka punuar hebrenjve, thuaj! Ne ishim lule, para torturave që u
bënin atyre. Si nuk ka plasur syri nga ato që ka parë! Mori gjermani një ditë
nga kapanoni, babë e bir, hebrenj. Ishin hebrenj të Polonisë. Mirë që i griu me
kamxhik të dy, po poshtërsia erdhi më pas, kur i çoi të dy tek trekëmbëshi, dhe
katili, vari të birin para të atit, që ta shihte me sy. Nuk u ngop me kaq, por
edhe pasi djali dha shpirt, gjermani zuri ta tundte e ta shkundte në litar.
Plaku u përplas në tokë nga vilania (të fikët). Kafshë,- o; kafshë, thuaj!
Ç’u kanë punuar hebrenjve të shkretë, një Zot e di! I fortë qenka
njeriu!
Po, edhe ne të tjerëve, nuk po them, s’na mbajtën me kimet, jo.
Ishim nja 30 a 40 vetë në kampet e përqendrimit, ne, nga Berati. Të tjerët,
nuk e mbaj mend, ku e si i zunë gjermanët, po ne na rrethuan në pyll. Morën
rradhë ç’kapën aty, jo vetëm ne, disa partizanë. Na hipën në makinat e tyre,
dhe, drejt e në Selanik. Në Selanik, ku kishin mbledhur edhe qindra të tjerë,
nga Greqia, Jugosllavia e ku di unë, na futën në vagonat e trenave të mallrave,
dhe, drejt e në Gjermani, në kamp të përqendrimit.
Një fjalë goje, “drejt e në kamp”, se tortura e rrugës, e vagonit ishte
më e keqe se ajo e kampit. Në vagonat ku na plasën kishin vënë nga një a dy
fuçi të mëdhaja, të mbushura me benzinë a ujë ,-kush e mori vesh. Puna është se
një javë a dhjetë ditë, sa sosëm në Gjermani, natë-ditë ne luftonim të ruheshim
nga fuçitë. Treni ikte, ato rrotulloheshin e përplaseshin nëpër faqet e
vagonit, dhe ne, me vrap nga një cep në tjetrin, se, po të zinte fuçia, të
bluante. Merre me mend vetë tashti si ishim bërë ne, dhjetë ditë rresht, me atë
torturë, pa gjumë e pa bukë, të dërmuar fare, kur na plasën në kamp të
përqendrimit. Në kamp,- punë, natë e ditë, sa të merrej fryma. Bukë, na jepnin,
sa një kalamani. Bënin karshillëk gjermanët, por, po hëngre sa një fëmijë,
takatin e fëmijës do të kesh”. Kur na prunë në Tiranë, më 1945-ën, as 30 kile
njeri nuk ishim. Na mbajti tre muaj në Tiranë, Komandanti, sa morëm hije njeriu
dhe na shpërndau nëpër shtëpitë tona.
As hasmin mos e pafsh në kampin e përqendrimit!”
Unë, nuk mundja t’i dëgjoja të gjitha “historitë” e pafund, që tregonte
daja, se nuk ndodhesha sa herë vinte ai. Aq më tepër, u largova herët nga
familja, dhe nga qyteti. Dhe, më vinte keq që nuk mund ta takoja dot shpesh. Më
pëlqente: njeri i sinqertë, dhe burrë “me hije” e dinjitoz. Por, një gjë
tjetër, që, gjithashtu, më është ngulitur në kujtesë. Në fund të tregimit a të
historisë së tij, për kampin e përqendrimit dhe për torturat e veçanta për
hebrenjtë, im atë dhe ime më, nuk harronin asnjëherë, dhe gati me një zë, të
thoshin “Me një paqe, o Zot! Amin!”
Dukej krejt e çuditshme, kjo lloj lutjeje apo urimi, i cili, megjithëse
lufta kishte gati dhjetë vjet që kishte përfunduar dhe ishte paqe, vazhdonte të
mbetej si ritual, jo vetëm kur tregoheshin ngjarje të tilla, por, edhe gjatë
vizitave tek fqinjët a kushërinjtë. Para, apo pasi pinin kafen, vinte menjëherë
lutja dhe urimi: “Me një paqe, o Zot! Amin!”
“Me një paqe”, në paqe?! Pse?
Ndoshta, tmerri i vdekjeve dhe shkatërrimit nuk ishte larguar ende nga
sytë e tyre. Por, ndoshta imazhin e luftës, e mbanin akoma “të ngrohtë” e të
afërt dhe varret e freskët, ndërtesat ende të parindërtuara dhe, sidomos, më
dukej mua, numri jo i paktë i “sakatëve”, i të gjymtuarve nga bombat që plasnin
vazhdimisht, kur, padashur shkeleshin nga kalimtarët, të cilat nazistët dukej
se i kishin lënë qëllimisht e si për të thënë, se do të vazhdonin të vrisnin
shqiptarë, edhe pas ikjes, edhe pas humbjes. (Siç bënë edhe serbët, pas ikjes
në malet e Kukësit e Tropojës, zona kufitare me Kosovën).
Në të vërtetë, kjo lloj lufte pas përfundimit të luftës, e gjermanëve
nazistë nuk dukej hiç burrërore, përkundrazi, e pabesë dhe tinëzare, sidomos,
po të kishe parasysh ato që thoshin disa nga të rriturit, se vërtetë armiku
armik, por, sidoqoftë, ndryshe nga italianët, gjermanët ishin “seriozë e të
ndershëm në luftë; të vrisnin, por vetëm ballë për ballë”. Profka!
Kjo “luftë në paqe” që vazhdonte edhe vite të tëra më pas, nuk kursente
asnjeri, të mëdhenjtë, por sidomos të vegjlit e qytetit që luanin ku të
mundnin; në faqet e Kalasë, tek “Gropa e Zhurrit”, lart mbi kodrën tjetër, tek
“Lëmi i Shamatasë”, nga Bifta, deri edhe në Bilçë etj, që kishin qenë edhe
zonat më të forta të luftimeve me gjermanët.
Më vonë, kuptova, se “lufta pas luftës”, “në paqe”, nuk ishte dokudo.
Ashtu, si gjarpëri kur largohet, lë pas vezët e veta, lufta linte pas
gjymtimet, hakmarrjen dhe urrejtjen.
Nga ky “infeksion” nuk prekeshin vetëm të mundurit, por edhe
fitimtarët. Madje, më dukej, se fitimtarët prekeshin më shumë pas përmbysjes së
të mundurve.
Edhe daja ynë, trim, për shembull, e quajti të pamjaftueshme “luftën në
luftë” kundër fashizmit. Vite më pas, pengu i një sherri të mbetur (të
pambyllur) nga lufta, bashkë me ndonjë fyerje a diçka të tillë, bëri që t’ia
zbrazë pushkën në mes të fshatit një bashkëfshatari që në luftë e kishte patur
në anën e kundërt, dhe, pas luftës, “të prekur” e në anën e “të mundurve”:
-“Edepzës! Mirë që dje u bëre me “Ballin”, po me gjermanin ç’deshe që u
përzjeve? Nuk të vrava dot dje, të vrasë sot...”
“Atë të “Ballit” e shpëtoi fati dhe nuk e zuri plumbi, kurse dajën,
Partia. E përjashtuan nga Partia, por edhe, nga ligji. Gjemb në këmbë nuk i
hyri.
Ishte “i yni”, i “Luftës”, “i kampit të përqendrimit”. (Por, e vërteta
është, vetëm për këtë rast, sepse jetoi e vdiq në fshat, si gjithë të tjerët).
Pak a shumë, siç vazhdon sot. Kur, pas “luftës”, domethënë zgjedhjeve
elektorale, je me fitimtarët e PD-së apo PS-së, je “i yni”, domethënë, ke edhe
punë, edhe karrige të madhe, dhe “benefice” të tjera në formë tenderash, etj.,
etj. Madje, edhe nga burgu shpëton sot “i imi”, apo “i yti”, kur je në pushtet,
sikurse daja ynë “i kampit të përqendrimit”...
(vijon...)
Intervistoi: Elvin LUKU