Kreshnik Haxhiaj dhe Ardian Kollmaka në vitin 2006 nga Shqipëria, ia kishin mësyrë Kosovës për të gjetur punë. Kishin rastisur në Shefqet Kelmendin nga Peja. Ky i fundit ua kishte dhënë një punë gogja të vështirë. Ua kishte dhënë 5 mijë euro që ta vrisnin një person në qytetin e Pejës, që asokohe voziste makinën “BMW” me targa të huaja.
Dy se shtetasit e Shqipërisë nuk kishin arritur të kryenin vrasjen e porositur, por gabimisht më 20 gusht të vitit 2006, kishin vrarë në Bajicë të Istogut, Jakup Osmanajn, ndërsa kishin plagosur Ali Bicajn.
Së paku kështu kishin treguar në polici në vjeshtën e 2006-tes dy shtetasit e Shqipërisë, të cilët për krimin e kryer në Kosovë, tashmë gjenden në arrati dhe si të tillë për ta ekziston urdhërarrest ndërkombëtar.
Duke qenë në arrati dy të akuzuarit kryesorë, gjyqësori në vend kishte ndarë rastin duke lëshuar kështu urdhërarrest për të dyshuarit për vrasje, ndërsa kishte ngritur aktakuzë për Shefqet Kelmendin (51) dhe dy djemtë e tij Xhevdet dhe Valdet Kelmendin.
Prokuroria Speciale kësisoji kishte ngritur aktakuzë për babanë dhe dy të bijtë, të cilët i kishte akuzuar për bashkim kriminal lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë dhe veprën penale të mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.
Duke pasur si dëshmi të vetme deklaratat e dy shtetasve të Shqipërisë, Gjykata e Qarkut në Pejë, përkatësisht kolegji i përbërë nga gjykatësi i EULEX-it, Ingo Risch dhe dy gjykatësit vendorë Lumturie Muhaxheri dhe Gëzim Pozhegu, kishte nxjerrë aktvendim lirues për tre të akuzuarit. I pakënaqur me këtë vendim, prokurori special në shtator të vitit të kaluar kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë.
Teksa Gjykata Supreme ende nuk ka nxjerrë vendim përkitazi me këtë ankesë nëse lëndën do ta kthejë në rigjykim apo do të vërtetojë aktvendimin lirues, të martën në mbrëmje rreth orës 22.00, Shefqet Kelmendi është vrarë në qendër të Pejës.
Vrasje pas vrasje
Policia e Pejës ka bërë me dije se rasti ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi” në Pejë.
Policia në vendin e ngjarjes kishte gjetur makinën “Golf” në të cilën ishte gjendur i ndjeri teksa është qëlluar me një armë, që jozyrtarisht është thënë të jetë kallashnikov. Ndërsa, i ndjeri para se të arrinte policia ishte dërguar në Emergjencën e Pejës, ku disa minuta më vonë është konstatuar vdekja e tij.
“Sapo janë informuar që ka ndodhur një incident, efektivët policorë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar rastin se një person është plagosur me armë zjarri. Njësitet përkatëse të hetimeve në nivel lokal dhe rajonal kanë kryer të gjitha veprimet përkatëse në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet tjera operativo-hetimore”, ka thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës në Pejë, Xhevat Ibra.
Ai ka njoftuar se policia edhe gjatë së mërkurës ka dalë në vendngjarje për mbledhjen e provave por ende nuk ka ndonjë të dyshuar. “Policia është duke hulumtuar në disa pista të mundshme”, thotë zëdhënësi i policisë së Pejës, duke konfirmuar faktin se i ndjeri ka qenë i njohur për policinë si person që ka pasur probleme edhe në të kaluarën.
Asnjë informatë tjetër nuk është dhënë nga policia në Pejë, me arsyetimin se mund të shkatërrohen hetimet.
Por, jozyrtarsht gazeta ka mësuar se tashmë i ndjeri Shefqet Kelmendi për vite të tëra të pasluftës u ka shpëtuar sulmeve të ndryshme që kanë qenë të drejtuara ndaj tij dhe familjarëve të tij. Si rezultat i këtyre sulmeve, në tre vjetët e fundit, kanë ndodhur një seri vrasjesh në Pejë e rrethinë. Para disa vitesh, në një sulm të tillë mësohet se kishte pësuar djali i Shefqet Kelmendit, Valoni, ndërsa një shpërthim që kishte ngjarë afër shtëpisë së tij, kishte rezultuar me vdekjen e vajzës së Shefqet Kelmendit.
Por, pavarësisht këtyre vrasjeve, asnjë nga to nuk ka marrë epilogun nga gjykata e madje asnjë person nuk është i arrestuar për këto raste.
Gazeta gjatë së mërkurës ka tentuar që të mbledhë informacione në misionin EULEX dhe te prokurorët vendës përkitazi me këto raste, por organet e drejtësisë nuk kanë dhënë informacione, me arsyetimin se ka raste që janë nën hetime e të tilla që janë mbyllur në mungesë provash.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi ka bërë me dije se një aktvendim lirues i gjykatës së shkallës së parë ekziston për tashmë të ndjerin Shefqet Krasniqi dhe dy persona të tjerë dhe sipas tij, prokurori e ka apeluar të njëjtin, por Supremja ende nuk ka marrë vendim.
Vrasje gabimisht
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata e dikurshme e Qarkut në Pejë, një kopje të të cilit e posedon gazeta, Shefqet Kelmendi dhe dy djemtë e tij, janë të pafajshëm për shkak se nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë paguar për t’u kryer një vrasje në Pejë, në vitin 2006.
“Më datën 7 Maj 2007, Zyra e Prokurorisë Speciale në Prishtinë ka parashtruar një aktakuzë ndaj Kreshnik Haxhijat, Ardian Kolmakut, Shefqet Kelmendit, Xhevdet Kelmendit dhe Valdet Kelmendit për veprat penale të bashkimit kriminal në lidhshmëri me veprën penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të posedimit të paautorizuar të armëve”, thuhet mes të tjerash në këtë aktvendim.
Kjo aktakuzë ishte konfirmuar dhe si i tillë gjykimi kishte nisur në fund të 2007-tës. Më 18 dhjetor 2007 ishte shpallur aktgjykimi duke i liruar të gjithë të pandehurit që kishin qenë të akuzuar. Dy shtetasit e Shqipërisë që tashmë gjenden në arrati, ishin dënuar me nga një vit e katër muaj për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve. Ndaj këtij vendimi dhe teksa të gjithë të pandehurit gjendeshin në liri, prokurori i rastit kishte paraqitur ankesë dhe më 27 tetor të vitit 2001, Gjykata Supreme kishte urdhëruar rigjykim për personat që i akuzonte se kanë vrarë Jakup Osmanajn, ndërsa kishin plagosur Ali Bicajn në gusht të 2006-tës.
Kur lënda ishte kthyer në rigjykim, dy të akuzuarit kryesorë janë gjendur në arrati dhe si të tillë të paarritshëm për juridiksionin vendës. Mbi këtë bazë gjithnjë sipas aktgjykimit, ishte ndarë edhe lënda e të akuzuarve.
Rigjykimi për personat që gjendeshin në Pejë, Shefqet Kelmendin dhe dy të bijtë e tij, kishte nisur më 7 maj të vitit të kaluar, ndërsa përmes Ministrisë së Drejtësisë ishte kërkuar ndihmë për sjelljen e dy shtetasve të Shqipërisë per t’u gjykuar në Kosovë, por deri më tani pa ndonjë rezultat. Mbi këtë arsye tashmë ekziston edhe urdhër arresti.
Por, duke mos pasur dëshmi të tjera dhe vetëm deklaratat e dy shtetasve të Shqipërisë, të dhëna në 2006-tën, trupi gjykues e kishte shpallur të pafajshëm Shefqet Kelmendin dhe dy djemtë e tij.
Trupi gjykues kishte konstatuar se mëngjesin e 20 gushtit të 2006-tës, në Bajicë të Istogut, Jakup Osmanaj ishte qëlluar dy herë nga Kreshnik Haxhijaj me një armë zjarri. Nga të shtënat, pos që kishte vdekur Osmanaj ishte plagosur edhe Ali Bicaj.
“Të shtënat ndodhën sepse viktima Jakup Osmanaj dhe Ali Bicaj kanë dashur që ta kapnin të pandehurin Kreshnik Haxhijaj meqë ata kanë menduar se ai ka qenë në atë rajon për t’i vjedhur fshatarët. Jakup Osmanaj dhe Ali Bicaj veç e kishin zënë Ardian Kollmakun dhe e kanë dorëzuar në polici”, thuhet në aktvendim. Me këtë vrasje sipas vendimit, nuk kishin pasur të bënin Shefqet Kelmendi, Valdet Kelmendi dhe Xhevdet Kelmendi. Këta të tretë kishin qenë të inkriminuar nga shtetasi i Shqipërisë, Kreshnik Haxhiaj. Ky i fundit kur ishte marrë në pyetje lidhur me vrasjen kishte sqaruar se kishte ardhur në Kosovë me Ardian Kollmakun e Agim Demirajn, në mënyrë që ta kryejnë një vrasje për Shefqet Kelmendin.
Hxhijaj kishte treguar në polici, se armët i kishte marrë te djemtë e Shefqet Kelmendit, por ai nuk kishte kryer vrasjen “e porositur” ngase në rrugë e sipër për t’i dalë në pritë një personi që asokohe voziste BMW e që sipas shkresave të lëndës ai person ishte Visar Ibrahimaj që kishte hasur në persona të tjerë me të cilët ishte konfrontuar ngase ata kishin dyshuar se shtetasit e Shqipërisë po vidhnin. Ibrahimaj sipas këtij aktvendimi kishte deklaruar se e njeh Shefqet Kelmendin por asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem me të.
Sido që të jetë, Shefqet Kelmendi tashmë është vrarë, ndërsa për dy djemtë e tij që janë të implikuar në këtë rast, pritet që të merret vendimi nga Gjykata Supreme. Ndërkaq, për vrasjen e të atit të tyre, policia ende nuk ka të dyshuar.
Selvije Bajrami & Enver Ulaj