2013-03-11

Riviera shqiptare, nje parajse e lire



Gazeta virtuale gjithëkombëtare "Floripress" reklamon bregdetin e jugut te Shqiperise

Gazeta virtuale "Floripress" herë pas herë ka botuar shkrime për Rivierën shqiptare: "Riviera shqiptare, nje parajse e lire", ku me detaje te shumta pershkruhet bregdeti nga Vlora ne Sarande.

Reporteri i Floripress-it e fillon udhetimin e tij ne Vlore, per te cilen thote se ka shume kafene dhe shume muzike. Me pas shkon ne Himare, ku me shume se sa plazhet, i kane bere pershtypje kafenete me pamje nga deti dhe sufllaqet me bollek.

"Te pakten ne aspektin buxhetor, ne Shqiperi kishe mundesi te kurseje. Per here te pare, pagova 500 € ne jave per gjithcka kam kerkuar, duke filluar me nje udhetim me autobus nga Dubrovniku i Kroacice, vetem 300 milje larg”, shkruan Floripress.


Nder plazhet qe Floripress shetit permend Jalen dhe Gjipene, ku e pershkruan kete te fundit si nje plazh miqesor.


Floripress permend gjithashtu agjencite qe te cojne ne bregdetin shqiptar, cmimet e ushqimeve, fjetjes dhe ne fund e mbyll me llogarine e udhetimit te tij.



 "Bera shume me shume se c’doja dhe fatura ishte 598.32 euro…”, shkruan reporteri i Floripress-it z.Flori Bruqi.

Te tjera aspekte qe i bene pershtypje jane bunkeret e shumte te kohes se diktatures, se sa shume flitej greqishtja ne ato zona, Muzeu i Pavaresise ne Vlore, ushqimi i shijshem dhe sigurisht mikpritja.

Ne artikullin e tij jane bashkangjitur edhe fotografi nga Riviera shqiptare, personazhet qe reporteri takoi gjate udhetimit te tij dhe gjithcka cfare i ka bere pershtypje.































Në bregun tjetër të harrimit(Cikël poetik nga Sabit Idrizi)





Sabit Idrizi  u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe.


Deri më tash ka botuar këta libra:

Pesha e fundshekullit, poezi, 1995
Përderisa është e martë, poezi, 1997
Diell me dhëmbë, poezi, 1998
Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000
Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006
Zarfi, prozë, 2008
Ma fsheh bregun tjetër, poezi, 2010

Etj.

Përveç çmimeve tjera letrare, Sabit Idrizi ka marrë edhe çmimin letrar në nivel gjithëkombëtar “Kostandin Kristoforidhi”, i cili jepet në Elbasan dhe Çmimin e Nëntorit në Mitrovicë.

Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në Komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash.

 Është kryeredaktor i revistës letrare “Fjalë e valë”, të cilën e financon Komuna Mitrovicës, e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, kryetar i së cilës është.

 Është redaktor, recensues apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare.

Është i përfaqësuar në disa antologji dhe leksikone. Poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar edhe në anglisht, kroatisht dhe rumanisht.

Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton në Mitrovicë.

Thanë për shkrimtarin  Sabit Idrizi:

“...Kjo tregon se Sabit Idrizi është një krijues jo lokal i Mitrovicës, por është një krijues kombëtar...” (Dr. Agim Vinca)

“... Poezia, kjo çfarë e shkruan Sabit Idrizi, është poezi që e ruanprestigjin e poezisë, sepse është poezi e një shprehjeje moderne e sugjestive, që kërkon përqendrim gjatë leximit dhe zbërthimit të shenjave të saj gjuhësore, figurave, metaforave, krahasimeve, antitezave, paradokseve, alegorisë, ironisë, aty-këtu edhe simboleve, nëpërmjet të cilave poeti i shqipton idetë, emocionet dhe botëkuptimin e vet...” (Dr. Agim Vinca)

“... Ai (Sabit Idrizi) është një autor që ka talent e dhunti krijuese, që e do krijimtarinë dhe gjuhën në të cilën shkruan. E dashuron doemos gjuhën e poezisë, gjuhën e artit poetik...” (Dr. Agim Vinca)

“... Sabit Idrizi (1955) është një zë i veçantë në mjedisin tonë krijues...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“... Poeti Sabit Idrizi ka qëndrim aktiv ndaj jetës. Ai është poet me talent, poet i ndjenjës së disiplinuar, poet që mendon shumë, po që shkruan shkurt, poet i prirur për një ligjërim të figurshëm e metaforik.
Poezia e tij, e thurur me një gjuhë mjaft bashkëkohore, imponon një ndjenjë vërtet të ngritur të nevojës për lexim të vëmendshëm, disa edhe për rilexim të thelluar e studioz. Pra, poezia e tij është e prirur për
një elitë lexuesish...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“...Poezitë e Sabit Idrizit, edhe pse të shkurta (miniaturale), shpesh janë poemë, një vepër e tërë që të provokon ta lexosh e ta rilexosh, t’i qasesh e të meditosh rreth nuancave kuptimore e artistike që i artikulon fuqishëm...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“... Sabit Idrizi është, padyshim, një ndër zërat autentikë të poezisë shqipe që krijohet sot në Kosovë...” (Dr. Agim Vinca)

“... Tipar që e dallon poezinë e Sabitit është dendësia e fjalës, pra konciziteti i shprehjes, por edhe ironia. Sabit Idrizi është një autor që e zotëron mirë një nga mjetet më tipike të poezisë moderne dhe postmoderne, ironinë...” (Dr. Agim Vinca)

“... Sabit Idrizi, me një shije të hollë dhe me një varg jashtëzakonisht mirë të realizuar, përherë i ka qëndruar besnik poezisë – mbretëreshës së arteve...” (Riza Haziri, prof.)

“... Sabit Idrizi është një poet autentik në letërsinë shqiptare, që ka krijuar individualitet dhe mënyrë të veçantë të shprehjes...” (Dr. Agim Vinca)

“... Poeti Sabit Idrizi ka depërtuar mjaft thellë në psikologjinë e njeriut tonë të shqetësuar, në aspiratat shekullore, duke çmistifikuar rrethanat që dikur ishin të pazbërthyeshme, që të mos thuhet të paarritshme...” (Dr. Shyqri Galica)

“... Poezia e Sabit Idrizit karakterizohet, para së gjithash, nga shqiptimi i mendimit të thellë, figurat, shprehjet e lidhura dhe koncepti refleksiv...” (Dr. Shyqri Galica)

“... Sabit Idrizi është një poet i veçantë, me një vokacion të vetin poetik tërësisht origjinal...” (Ejup Ceraja, prof.)

“... Poezia e Sabit Idrizit ka mjaft antiteza të qëlluara me tonalitete të reja poetike, ku dëshmohet pjekuria e tij krijuese dhe ku shprehen të gjitha veçoritë e poezisë autentike, pikënisjet dhe venerimet e marrëdhënieve të tij ndaj jetës, ndaj vendlindjes dhe ndaj kohës e pakohës në përgjithësi...” (Vezir Ukaj)

“... Poezia e Sabit Idrizit është e një niveli të lakmueshëm ideoartistik...” (Mexhid Mehmeti)

“... Një lirizëm i veçantë, tërheqës, që mund ta krijojnë vetëm poetët e talentuar...” (Dr. Shyqri Galica)


MEDITIM BRI LUMIT IBËR

Diçka e madhe duhet të ndodhë
Që më në fund edhe këto brigje të pikëlluara
Ta mësojnë gjuhën e rrjedhës

Këtu ku cicërimat kaherë e kanë harruar ankorimin
Diçka e bukur duhet të ndodhë
Që ta ledhatojë përjetësisht bregu-bregun



NDALEM E MENDOJ

Sa herë që më humbin diku
Çastet e ditës, që më takojnë
Ndalem e mendoj
A më mirë t’më kulloj gjak ëndrra
E të prishet
A t’më bart deri në fund të mashtrimit
E t’m’i akulloj sytë


FJALA

E para
(Thuhet diku në librat e shenjtë)
Ishte fjala
Një fjalë që u tha nga dashuria
Dhe u krijua gjithçka

Tash
(Ne, pjella e saj)
Herë si melhem për varrë
Herë si shigjetë helmuese
E përdorim



JASHTË LOJËS

Lojën kopukçe
(Që aktualisht është shumë në modë)
Lëre që nuk po e di
Por as nuk dua ta mësoj as ta luaj kurrë
Ligjërishtja, njëherë për njëherë, nuk po luhet
Më ka mbetur vetëm loja e njerëzishtes
Për të cilën po thonë se i ka kaluar koha
Dhe se rrallëkund ndonjë lojtar fanatik
(Që ka mbetur jashtë rrjedhave të zhvillimit)
Ia ka mbajtur mend ndonjë rregull bajate





NDAL

Ç’kërkon tutje grykësia ime mjerane
Nuk të mjafton kjo buzëqeshje prej nimfe
Që ta fali sot ky mëngjes i azdisur

Këtë ecje përdredhake prej zane
Nuk të mjafton që ta mbjellësh diku
Në kopshtin e harruar të kujtimeve përvëluese

Je mësuar t’u shkosh deri në fund
E t’ua prekësh lymin e kotësisë
Ëndrrave që marrin erë...


KAFEJA E MËNGJESIT

A do të ulet një ditë ndokush pranë kësaj tavoline
Kështu bashkë me freskun e natjes
Për ta pirë kafenë e mëngjesit

Miqtë e tij të mirë a do t’i presë edhe ai
Si unë tash Ismailin, Ganiun, Xhelalin...

Këto rrugë të zigzagëta
Që përditë po ma bartin dikah qytetin tim të përgjumur
A do të shpien përherë kah ky Shesh i Dashurisë



NË SHESHIN E DASHURISË

Këtu
Në këtë shesh
Ku për çdo ditë pune e pi kafenë e mëngjesit
Vihet përnjëherë me rrezet e para të diellit

Po erdhe më vonë
Kujtimet do t’i kesh përherë më të varfra
Për një puthje drite

Këtu vihet për ta mbushur dashuri ditën
E për ta mbytur ankthin e natës që shkoi



TRI KOHË

Duke u përpjekur vazhdimisht
Që të nesërmet t’i bëjmë të sotme të lumtura
Ne pavetëdijshëm jetojmë në kohën e tjetërkujt

Prandaj
Të sotmet tona na vdesin ndër duar
Dhe na bëhen të djeshme të humbura


IKU NËNA

Më ike
Shtrojera ime prej rrudhash

Tash
Kur të përhënen dallgët e moteve
Kur të dalldisen erërat
Kujt t’i thërras

Ku t’i njom buzët
Kur t’më thahet goja
E t’më shkrumboj malli
Për këtë emër

Sot
Për herë të fundit po ta puth këtë hartë vuajtjesh
Vizatuar kaq dhembshëm mbi ballin tënd të akullt


SA PAK VETVETE PASKA

(Shkruar më 16 shtator 2010, me rastin e 55-vjetorit të lindjes sime)

Hiç nuk e di
A m’i morët dhunshëm
A vetë ua fala kahet e rrugëve të mia

Këtu ku më sollën këto zigzage të tërthorta
Sa shumë mjegull në ëndrra
Sa pak vetvete paska

Ju të pakthyeshmet
Ju të papërgjegjshmet e mia
Që...
Ju bekoftë Perëndia



LE TË HARLISEN RRUFETË

E mori etja ujin
E më piu

E griu uria bukën
E më hëngri

E dogji malli tokën
E më përpiu

Tash
Në livadhin e pakositur të ëndrrave të mia
Le të kullosin e le të harlisen rrufetë...


ERË MOSHE

Po m’i vjen era vjeshtë moshës
Ka kohë që kam filluar të shoh e të dëgjoj diqysh si verdhë
Si verdhë të bie e si verdhë të zgjohem
Në shtratin e brymtë të ëndrrave të mia

Kur të fillojë të m’i vijë era dimër
Athua do të shoh e do të dëgjoj vetëm bardhë
Bardhë të bie e bardhë të zgjohem
Në krahët e hapur për fluturim...


FËMIJA

I kishin treguar shumë përralla me mbret
Por kishte dëgjuar edhe për poetë

Kur i dëgjoi të thoshin:
“Fëmija është më i madh se mbreti”
Vari buzën e pyeti:
“E kur do të bëhem sa poeti?”


NËSE MË KËRKONI NDONJËHERË

Nëse më kërkoni ndonjëherë në kopshtin e pikëllimit
Kurrë s’do të më gjeni diku tjetër
Pos në fidanët e mbëltuar të buzëqeshjes

Aty ku merr n’thua një epokë paudhësie
Do të më gjeni të ngjizur në do ngjyra të ylberta
Duke projektuar një rilindje të bardhë


DYERT E HAPURA

Të gjithë e dimë
Se në dyert e hapura nuk trokitet

Ajo që kurrë nuk e mësuam me tamam është
Se në cilën kështjellë duhet të futemi
Prej cilit fron ta sundojmë vetveten e pushtuar


POLITIKANËT

Ata i bëjnë të zezat e dynjasë
Mua shkon e m’krijohet njëfarë ndjenje e fajësisë

Për turpet e tyre të përditshme
Shkoj e skuqem si spec

Po më dhimbsesh ti atdhe
Se le të shkojnë në dreq...


S’DI KU

As krejt e fikur
As shumë e përflaktë
Më vjen dikah një rreze

Natë është
E unë s’di ku ta mbjell këtë fidan drite
Që t’mos m’i humbë fara diellit



NE DHE FËMIJËT TANË

Me sytë tanë të shterur në përtejkohë
Ua gdhendim përmasat e ëndrrave të tyre
Dhe ua vëmë përpara si lodra

Kurse ata
Të shqetësuar për përmasat e kohëve të veta
Duke na i lodruar lodrat tona
Na shpërfillin deri në harrim


YLLI IM

Kurrë s’do ta harroj të kaluarën e popullit që i takoj
Do t’i çmoj përherë ngjarjet e mëdha historike
Heronjtë, dëshmorët, martirët...
Por asnjëherë aq shumë
Sa t’më verboj drita e madhështisë së tyre
E t’mos e shoh më asnjë rreze amshimi
Të yllit tim...


VITI 2010

Këtë vit e shpalla vit të vendimeve të mia të mëdha:
Pas pesëdhjetë e pesë motmotesh të zorshme
Vendosa të shkoj tutje
Ta dua jetën e të shkruaj poezi
T’i përfundoj dashurisht rrugët e nisura
E t’mos çmendem nga këto paudhësi


IKU EDHE KY VIT

(Shkruar më 31 dhjetor 2010)

E mbyllëm sot edhe kopertinën e fundit të këtij viti
Ashtu siç mbyllet potershëm një qeli burgu
Me krisma armësh e drita fishekzjarrësh
I vramë e i ringjallëm përnjëherë
Krejt çmenduritë e ëndrrave tona të pabesa
Që kanë dalë e po na presin
Në bregun tjetër të harrimit
Për t’na i mashtruar sërish
Kahet e rrugëve të pakthim


DITËN E SHËNGJERGJIT

Ende pa u ndarë mirë nata me ditën
Vinte nëna e na zgjonte nga gjumi

Ashtu përvidhshëm nëpër terrdritën e muzgut
I suleshim ftoit tek bunari

E rrethonim hajnisht si cubat
Dhe seç varnim diçka nëpër degët e tij

Pastaj ktheheshim ashtu përgjumshëm
Për ta deshifruar recetën e shëndetit të vjedhur

Seç vinin shpesh dikah do stinë të thata
E t’ia shkrumbonin nënës besëtytnitë deri në një



BASHKUDHËTARJA IME

(Gruas sime Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)

Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua

Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Po vetë kulmi i vjeshtës

Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura

Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit...

Ne do të shkojmë prapë tek doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu

Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku...

Mitrovicë, mars 2011


KËMBIMI

Me një kavanoz zorrë në dorë
Trup i bie Prishtinës
Më prinë përpara shpresa
Hallet m’rëndojnë shpinës

Diku te “Bill Klintoni”, më thonë
Është laboratori “Shpresa”
Aty ku dritëson dielli
Aty ku veson vesa

Kërkoj dhe e gjej “Shpresën”
Hallet m’rrinë karshi
E jap një grusht lekë
Marr një kumt të zi

Prishtinë, maj 2011



KËRKOJ FALJE

(Gruas sime Hajries, në dymujorin e vdekjes)

A të kujtohen ato ilaçet që t’i përmendja përditë
(Aty tek shtrati i dergjës)
E që po vononin të na vinin
Nuk kanë qenë ilaçe
Kanë qenë përpëlitjet e mia të fundit
Përpara se t’ia dorëzoja qiellit
Flakën e shkrumbimit tim

Mitrovicë, më 1 shtator 2011



SINJALE TË MJEGULLTA

Unë të flisja për arritjet e mëdha në Shkencat e Mjekësisë
Ti e haje shtatin nga dhembjet e padurueshme

E diku nga pellgu i thellë i verdhësisë sate
M’i dërgoje do sinjale të mjegullta
Që t’i deshifroja prometheisht

Ç’po ndodh kështu me këtë shekull të ri
Që po sqepton kaq pamëshirshëm
E s’po ngopet mëlçi


BUZËQESHJE E VYSHKUR

Më së shumti më dhimbseshe
Kur shtërzoje me krejt fuqinë e shpirtit
Për ta pjellë një buzëqeshje të vyshkur



FALJE-MARRJE

Kur hoqën dorë të gjithë mjekët
(Kemi arritur shumë në Shkencat e Mjekësisë, s’ka fjalë!)
Ajo m’u dorëzua mua
Dhe Krijuesit të Madhërishëm
Unë për vete
(Me pafuqinë time prej vdekatari)
S’lashë ilaç pa trilluar
S’lashë guri pa rrotulluar
Që t’ia falja bile do pritje
Kurse ai...
Krijuesi i Madhërishëm
(Që s’ka çka s’ka)
Pse ia mori të gjitha përnjëherë nuk e di


DORËZOHEM

Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk
Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi
E shihi si vdesin nga dash (uria)

Të lutem shumë atdhe
M’u hëngër mëlçia
Nuk jam më Promethe...



BISEDA E FUNDIT ME TË

Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë

Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re

Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet bile njëri djalë

Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri

Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira

Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin

Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës...

Po (ia ktheva) do të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)

Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishe nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet

Në dy pika loti të kristaltë
Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...



ÇUDI

A malli si prush
A pse po ndjehem tjetërkush


Ç’TË BËJ ME TO

T’u lëshoj fre ëndrrave
A t’i vë nën dry
N’ç’themele t’i ndërtoj të shkretat
Tash pa ty


KUSHT

Po ma gjetët një epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët
Do t’jua jap sytë e tyre që të shihni në përtejkohë

Po ma gjetët një të tillë që s’u mundua t’i vrasë ata
Do t’jua jap jetët e tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash
Që edhe ju ta merrni guximin
E t’ia tregoni bërrylin vdekjes



VETËFLIJIM

Kur mushkëritë e tokës nisin të çahen nga etja
Unë ik nga vetvetja e shkoj e bëhem reshje

Shkoj e bëhem diell
Kur asaj i mërdhijnë kujtimet

Paçka se më akuzojnë për përmbytje
Paçka se më akuzojnë për përcëllim



Ç’NGJYRË DO TË MARRË DETI

(Hajries)

Mes dy pëllëmbëve të mia që digjen
Shtrëngoj duart tua prej akulli
Dhe pyes veten
Athua
Ç’ngjyrë do të marrë deti
Pas perëndimit të këtij shikimi të mugët
Që po ma shpon ballin...



DIÇKA SI REVOLTË

Unë kënaqem me pak
Nuk kërkoj shumë prej kësaj jete

Por kjo “pak” nuk do të thotë edhe krejt “hiç”
Toka e lëshoftë

Lirojeni pak dorën pronarë të Atdheut
He nënën ia lofsha edhe kësaj pune


S’ËSHTË SE...

Po iu thá zogut dega e cicërimës
S’është se s’çel pranvera
Po pylli s’ka ku t’i derdhë ngjyrat
Për ta pikturuar mëngjesin e një kënge

Po iu lëndua shpirti njeriut
S’është se përmbyset bota
Po deti s’ka ku t’i marrë thellësitë
Për ta prekur fundin e dhimbjes së një plage


VETËM TY

Në kopshtin e koduar të ëndrrave të mia
Vetëm ty t’i lash dyert
Krah e krah

More çka more
Le çka le
Dhe ike për t’m’i përvëluar kujtimet



GRYKËSI APO LUFTË PËR EKZISTENCË

Edhe asokohe në robëri
(Sado që fëmijët e mi i mashtroja ndryshe)
E kam pas ditur mirë
Se thellësia e këtij deti
Me dallgë është arnuar
Po pse vjen një kohë e lipset
Për ta mësuar kaq mbrapshtë zanatin e notit
Me ma pa heq kryet nuk kisha besuar




KUR HUMBET GUXIMI

Krejt puna mbetet pastaj
Ku me i gjet mushkëritë
E me i fry kungullit në gardh
E me i fry kosit

Ku me e gjet diku një planet prej bryme
E me ia falë veten
Krejt torzo


FLUTUROI TE LUMI

(Ali Podrimjes)

I gjeti diku do krahë të bardhë pëllumbi
Ia shoi etjen mallit që e përvëlonte
Dhe fluturoi te Lumi


ËNDRRAT PËR PUSHTIMIN E MAJAVE

Vetëm ëndrrat për pushtimin e majave
Kanë krahë prej dylli
Plot të tjera bien e vdesin përditë
Po kurrë nuk përplasen kaq dhimbshëm
Mbi kaptellin e djepit të tyre


SA LARG

Sa larg
O Zot sa larg
Nga adresa e të sotmes
Nga adresa e të nesërmes sime
Këta miq të djeshëm prej shkume
Që po ma hanë kaq bulçisht
Të ardhmen e fëmijëve


NJË KËSHILLË FËMIJËVE TË MI

Me sa po e shoh unë
Deshët apo nuk deshët
Ju duhet të mësoheni të jetoni me faktin
Se ekziston diku një “pararojë” e Atdheut
Që vazhdimisht duhet të ushqehet
Me ardhmërinë tuaj të humbur



MEDITIM BRI LUMIT IBËR

Diçka e madhe duhet të ndodhë
Që më në fund edhe këto brigje të pikëlluara
Ta mësojnë gjuhën e rrjedhës

Këtu ku cicërimat kaherë e kanë harruar ankorimin
Diçka e bukur duhet të ndodhë
Që ta ledhatojë përjetësisht bregu-bregun



EDHE SA FLUTURA DUHET TË DIGJEN

Edhe sa flutura duhet të digjen
Që ky qiri i ndezur ta kuptojë gjuhën e flakëve

Që ta kuptojë aktin e vetëflijimit për madhështinë e tij të rreme
Edhe sa flutura duhet të digjen



GRYKËSI

Sa shumë farë e sa pak tokë paska mbetur, tha
Dhe në vend se farën në tokë
E mbolli tokën në farë
Ajo mbiu e u rrit e u rrit e u rrit
Sa i mjaftoi për... një varr


POETËT DASHUROHEN NATËN

(Poetët, si kalorësit e arratisur, po s’e patën, duhet ta trillojnë një dashnore)

Nga palca e territ i nxjerrin
Dashnoret e veta të krisura

As si gra të pabesa
As si zana që shitojnë

Nuse të epshta
Që veç sa s’pëlcasin
U duken

I shtrijnë në shtretërit e tyre të pagjumësisë
Dhe deri në agim
I shterin me të puthura


KA DIELL PËR TË GJITHË

(Shkruar më 17 shkurt 2008)

Asgjë e jashtëzakonshme, biri im
Dielli lindi

Në gjoksin tënd të njomë
Në ballin tënd të hapur
Po dritëson

Merre hisen tënde të qiellit
E qëndisi shekujt e dashurisë
Me rreze

E as mos ia lë
E as mos ia merr kujt kurrë


SOT

(17 shkurt 2008)

E ngjeva penën në buzëqeshjet e vonuara të fëmijëve
Dhe e shkrova vargun më të bukur për dritën

I përzjeva ngjyrat e të gjitha puthjeve të zjarrta
Dhe e pikturova ylberisht dashurinë më të virgjër

I vesova lotët e të gjitha nënave zemërplasura
Dhe e kompozova himnin më të dhembshëm për diellin

E mpreha daltën e ndryshktë në kujtimet përvëluese për të rënët
Dhe e latova shtatoren më të lartë të krenarisë

I mblodha të gjitha ëndrrat e plagosura
Dhe e qëndisa kurorën e amshuar të lirisë

I SHKAPËRDERDHUR

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes

Ku t’i zë fijet e mendimeve
Cilit kujtim t’i vardisem më parë

A t’ia nisi e ta dashuroj marrëzisht
Këtë grua “mollë” të (Mes) jetës sime
A t’i kthehem sërish flokëverdhës së dikurshme të buzëlumit

Në barkun e kalit antik a ta vras gjarprin
E të vdes ëmbël për këtë qytet
A t’i hap portat e përbirimit
E të jetoj përdhunshëm përtej dashurisë

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes


DRUAJTJE E PAKUPTIMTË

Të gjithë mbështetemi në dashuri
E dashurisë i druhemi
Si gjarprit

Pse kaq pamëshirshëm e ndrydhim në vete
Këtë zjarr
Këtë dalldi kaq të fisme

Mos vallë kemi filluar të vdesim përbrenda
Si guacat
E nuk po e shohim



SHALJANËT E MI

Dikur
Me strajcat e tyre të dhirta
Përditë zhdirgjnin ngapak bjeshkë
Në qytetin tim të verdhosur

Dhe kur i shteronin ato pak ëndrra të brishta
E fusnin sërish në kraharor nga një grusht kollë të thatë
Dhe u syheshin lartësive

Tash
Me bagazhet e tyre të hekurta
Përditë bartin e bartin diçka
E s’di kush se pse
E s’di kush se kah...


METEORËT

Shikoni sa teatralisht bëjnë vetëvrasje
Sa etshëm digjen shqim
Këta narcisë të vdekshëm

Në bukurinë mahnitëse të rënies
Sa tmerrshëm e kafshojnë vetveten
Nga kënaqësia e çastit

Në zhdukje
Përherë në zhdukje
Kjo botë yjesh të rremë
Që bien


LULJA ADAM

Kjo lule
Nuk mund të jetë Adam
Po s’e polli nga brinjët e veta
Një grua

Një mëkat
Po s’e polli një mëkat
Nuk mund të ekzistojë më
Kjo botë prej vazoje


ENIGMATIKE

O ende e palindur
O kaherë e perënduar
Fshihet diku koha ime

Unë nuk shkoj derisa të mos vijë
Ajo nuk vjen derisa të mos shkoj
Dhe...
Hajt tash qëlloja
A veja
A pula


KUNDËRSHTUESE

E projektoj një epokë që s’është vetëm e imja
Ma shëmtojnë me djallëzi që është vetëm e tyre

E kush më mirë se poeti di t’i projektojë
E kush më keq se demoni di t’i shëmtojë
Do kohë të ëndërrta që s’po lindin


JAM

Jam plot e përplot Dashuri
Plot e përplot Atdhe
Dhembje e pambarim jam krejt


DËSHIRA E FUNDIT

Ma bëni një varr prej gjoksit tim të shtrydhur
Që t’i përngjajë ëndrrës sime të ndrydhur

Më lani me qumështin e gruas së murosur
Që të bëhem tokë kurrë më e përdhosur

Më mbuloni me pak dhé të dashurisë
Që kujtimi për mua t’i ngjajë ardhmërisë

Dhe më lini të qetë në vetminë time të madhe
Që ta projektoj ringjalljen për një botë pa halle


NË QYTETIN TIM PREJ TELAVE

Për shëndet të paqes
Prapë më duhet ta mësoj gjuhën e çizmeve
E t’i harroj belbëzimet e mia shqip

Se këtu janë miqtë tanë me tanke
Dhe kompjuterët e tyre që urojnë anglisht
Zhveshjen time prej ndjenjash

Matanë Ibrit i kemi varret
I kemi shtëpitë tona të djegura
Anemik më del belbëzimi
Derisa e pi me fund
Edhe një ditë të gjembosur
Të qytetit tim të ndarë
Me tela paqësorë


Vetëdija kritike dhe estetike e Konicës




Studime shkencore




Prof. Dr. Shyqri GALICA



Pos me zhvillimin e epokave stilistike të romantizmit, të realizmit e të natyralizmit, shekulli XIX karakterizohet edhe me zhvillimin e kritikës letrare. Në rrjedhë të ndryshimeve të sistemeve shoqërore do të ndryshojnë gjithsesi edhe orientimet krijuese letrare, duke sjellë zhvillime të reja në historinë e letërsisë botërore. Do të dalë në këtë periudhë një figurë e shquar letrare, që me penën e tij do të bëjë emër. Është ky Sharl Ogisten Sent-Bëvi (1804-1869), me të cilin kritika letrare do të zbresë nga katedra në shtyllat e gazetave1 dhe do të bëhet faktor në zhvillimin e jetës letrare franceze, madje në një periudhë të bujshme të krijimtarisë letrare, i cili do të quhet me të drejtë ”mbreti i kritikës”. Në shkrimet e tij kritike ai para së gjithash do të kërkojë artistin, cilësitë që portretizojnë më së miri figurën e tij. Diskursi i tij kritik përfshin fenomene e probleme të ndryshme letrare. Portretet letrare ai do t’i skalisë mjeshtërisht, duke i quajtur madje ”portrete eseistiko-psikologjike”. Sent-Bëvi, siç dihet, është themelues i shkollës kritike biografiko-psikologjike. Ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i Montenjit të njohur, eseist francez, i cili me veprën e tij është shquar dhe ka bërë jehonë në mjediset letrare e intelektuale. Sent-Bëvi konsiderohet edhe themelues i historisë së letërsisë franceze.2 Ai me metodën historike shqyrtoi sidomos aspekte të poezisë dhe të teatrit të shekullit gjashtëmbëdhjetë dhe hapi shtigje në fushën e kërkimeve të ndërsjella dhe të analizave të autorëve e të veprave të ndryshme. Më pas Sent-Bëvin do ta vazhdojë e do ta plotësojë themeluesi i ”kritikës shkencore” Hypolit Teni, kurse kjo disiplinë e historisë së letërsisë do të pasurohet me metoda të reja hulumtuese shkencore.

Nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë në Francë lind kritika impresioniste, e cila kriter bazë kishte mbresën, impresionin që lë vepra letrare. Këtë emërtim kritika impresioniste do ta marrë sipas veprës së Zh. Lëmetrit, ”Impresione teatrore” (”Impressions de theatre”, 1898).3

Në rrjedhë të këtyre proceseve letrare, do të kultivohet e artikulohet vetëdija krijuese kritike e Faik Konicës, sidomos në kontaktet e vazhdueshme me qendra universitare e kulturore franceze, si dhe me mjetet e informacionit, që do të kenë ndikim në formimin e tij letrar dhe intelektual. Në këtë kontekst, ndikimi i Sent-Bëvit, i Tenit, i Lëmetrit etj. në krijimtarinë e tij kritike e letrare është i pranishëm. Epoka stilistike e romantizmit shqiptar do të kultivojë zhanre e forma të llojllojshme për të shprehur mendimin filozofik, shkencor e letrar për çështje të ndryshme të realitetit historik e aktual. Eseja, si një lloj i veçantë i krijimtarisë sintetike letrare-shkencore e publicistike, zë fillet mu në këtë periudhë, kur krijuesit shqiptarë priren t’i shprehin pikëpamjet e tyre për një varg çështjesh historike, filozofike, fetare, morale, kulturore, letrare e kombëtare. Kështu do të shkruajnë ese e fragmente eseistike De Rada, Dara i Ri, Z. Jubani, P. Vasa, J. Vreto, N. Frashëri, S. Frashëri, L. Gurakuqi, Z. Skiroi etj. dhe krijimet e tyre do të anojnë herë nga ana imagjinare, herë nga ajo shkencore. Këto trajtime eseistike u përkasin më shumë fushave filozofike dhe etike, siç janë, p. sh., esetë e Jani Vretos ”Për të vërtetënë edhe për shkronjënë e së vërtetësë”,4 ”Mirëvetija” dhe ”Për gjithëçishtënë dhe për Zon’ e jetesë dhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”. Pavarësisht sa këto ese janë origjinale, në ndonjë rast edhe përshtatje, ato afirmojnë sidomos mendimin filozofik në romantizmin shqiptar.5 Esetë e Naimit ngërthejnë një gjuhë më poetike. Eseja ”Mësime”6 është cilësuar ese etiko-fetare, ndërsa pjesë të prozës ”Fletore e Bektashinjët”7 konsiderohen ese fetare. Edhe në kuadër të këtij zhanri letrar, krijuesit shqiptarë bëjnë përpjekje të shprehin çështje universale, madje edhe filozofike, duke u përqendruar gjithsesi në çështjet kombëtare. Epoka e romantizmit është periudhë e Rilindjes Kombëtare, kur shprehjet zhanrore shpërthejnë nga erudicioni krijues i artistëve tanë, të cilët janë të detyruar të bëjnë njëkohësisht dy veprime: atdhetare dhe krijuese.

Diskursi kritiko-letrar (Diskursi estetiko-kritik)



Nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë shpeshtohet dalja e gazetave, e revistave dhe e botimeve të ndryshme, ku gjejnë shprehje edhe shkrime kritike. Mendimet kritike të Jeronim de Radës për letërsinë popullore dhe të Naim Frashërit, që shoqëron përkthimin e tij të këngës së parë të ”Iliadës” së Homerit,8 shënojnë fillimet e kritikës letrare shqipe.9 Mendime kritike rreth problemeve të ndryshme letrare janë shprehur edhe përmes letrave, si formë e komunikimit letrar. Një kritikë e tillë epistolare shprehet në letrat e Vretos dërguar Sotir Koleas në Manastir, letrat dërguar Kristo Shulit në Shkodër, letrat dërguar Sotir Koleas në Ohër etj. Kritika në këtë formë do të shndërrohet në gjykim për çështje të ndryshme të jetës historike, mendore, shoqërore, politike dhe morale të kombit.10 Kritika letrare shqiptare nis e zhvillohet së pari nëpër gazeta e revista të ndryshme të arbëreshëve, në formë të recensionit, të vështrimit dhe të esesë letrare. Revista ”Albania” dhe veçanërisht Faik Konica me krijimet e tij kritike e eseistike, do t’i vërë bazat e kritikës letrare dhe të teorisë së kritikës me shkrimet e tij, duke përmbushur kërkesën dhe vetëdijen për një zhanër aq të domosdoshëm të letërsisë e të kulturës kombëtare. Duke qenë i shkolluar në Francë, Konica do t’i formësojë njohuritë për kritikën nga krijuesit e shquar francezë Sharl Bodler, Zhyl Lëmetër, Pol Valer, Remi dë Gurmon e sidomos nga Sent-Bëvi etj. Te Faik Konica do të ndikojë gjithsesi fryma e kritikës impresioniste, përfaqësuesit e së cilës vlerësonin se kritika objektive nuk ekziston, siç nuk ekziston as arti objektiv…, se secili kritik shpreh temperamentin vetjak, sensibilitetin, qasjen e tij dhe ndjesinë e jetës. Mirëpo, si erudit, Konica do të nënkuptojë pa dyshim se ”edhe kritika impresioniste gjithnjë niset, qoftë edhe jo zëshëm, nga qëndrime teorike të caktuara, nga estetika e caktuar.”11 Si kritik impresionist në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, Konica shpreh përshtypjet e tij, përjetimet, kënaqësitë e pakënaqësitë për veprat dhe fenomenet letrare e kulturore. Ai sugjeron veprimtari në fushën e letërsisë, të artit dhe të kulturës, që do të ndikonin në zhvillimin kulturor dhe emancipimin kombëtar. Në veprimtarinë e gjerë e të shumanshme të Konicës, një vend të veçantë zënë kritika letrare dhe eseistika, të cilave u vë themelet me shkrime, që shquhen për përmbajtjen e tyre serioze, për saktësinë shkencore dhe për kulturën e trajtimit artistik. Krijues erudit, me një diapazon të jashtëzakonshëm, Konica do të shtrojë çështje e probleme në gjerësi e në thellësi, do t’i trajtojë ato me ndërgjegje të një shqiptari të kultivuar, gjithsesi me qëllim të informimit më të gjerë në suaza kombëtare e jashtëkombëtare. Botimi i shkrimeve dhe i informacioneve jo vetëm në gjuhën shqipe, por sidomos në atë frënge e më pas edhe në gjuhën angleze, janë dëshmi e vetëdijes kombëtare e kulturore të tij për ta shtrirë çështjen kombëtare në shkallë ndërkombëtare. Edhe pse në disa situata do të manifestojë karakterin e tij kontradiktor në politikë, në fushën e krijimtarisë e të shkencës do të jetë pak a shumë më konsekuent, me ndonjë përjashtim, sidomos në raportin art – ideologji. Ai shquhet më shumë si estet se esteticien, më shumë si teoricien se kritik dhe më shumë e ndiente artin se ç’e komentonte, sepse veten e kishte vënë në rolin e intelektualit në kuptimin e plotë të fjalës.12 Konica, i cili është njëri nga ndërlidhësit e letërsisë së Rilindjes me atë të Pavarësisë, me pikëpamjet e tij themeloi teorinë e kritikës letrare shqiptare, që do të shpihet më tej me Nolin, Malokin, Çabejn, Kutelin, Koçën, Shuteriqin, Pipën etj. Faik Konica, duke qenë në kontakt me letërsitë më të njohura të botës, do t’i shijojë vlerat e tyre, do t’i konceptojë nivelet artistike dhe do të kërkojë të kultivohet arti i bukur edhe në krijimtarinë tonë letrare-artistike. Është Oksidenti ai që do ta ngrejë shijen e tij kulturore, do ta kultivojë atë shije nëpër universitetet më të shquara, duke marrë edhe grada e lavdërime për erudicionin e kulturën e tij. Mbamendja dhe leximi, puna e pareshtur e përkushtimi do të jenë ndër faktorët thelbësorë që do të ndikojnë në ngritjen e tij intelektuale, kulturore e kombëtare. Në revistën e tij ”Albania” ai do t’i botojë njoftimet për librat shqip dhe për ata që kishin të bënin me shqiptarët, që do të thotë se ”ai kishte vetëdije të formuar për vështrimin, për studimin dhe për informimin letrar, e edhe për kritikën letrare.”13 Në epokën stilistike të romantizmit shqiptar, nëpër gazeta e revista shqipe fillojnë të botohen edhe shkrime për librat, ku në rubrika të veçanta jepen informacione dhe bëhen recensione e vështrime për ta. Bëhet kjo sidomos me botimin e revistës ”Albania”, në të cilën drejtori i saj Faik Konica sheh nevojën e paraqitjes së veprave dhe të krijimtarisë letrare e kulturore. Vetë ai në rubrikën ”Bibliographie”, në gjuhën shqipe e atë frënge, të revistës ”Albania”, do të paraqesë mendimet e pikëpamjet për vepra të veçanta dhe informacione për krijimtarinë e përgjithshme, do të shprehë nevojën e ngritjes së vlerave letrare dhe shqyrtimin analitik të tyre. Me penën e tij do të fillojë teoria dhe praktika kritike dhe kështu do të formohet vetëdija për kritikën letrare. Faik Konica është ”i pari që mendimin kritik e bën përcjellës të letërsisë dhe i pari që kritikën letrare e bën institucion të opinionit letrar dhe kulturor.”14 Faik Konica, në artikujt e tij kritikë, teorikë, eseistikë, shqyrtues dhe informativë, do t’i shprehë pikëpamjet dhe mendimet e tij rreth disa problemeve të përgjithshme teoriko-letrare e kritike, për autorë shqiptarë e të huaj, për çështje aktuale e historike. Ai do të botojë edhe shkrime të karakterit të përgjithshëm kulturor, etnologjiko-etnografik, si dhe do të bëjë portretizime të figurave atdhetare, kulturore e letrare dhe shkrime të tjera me interes historik, shkencor e kulturor. Stili i tij karakteristik, shprehja e qartë e plot mendime dhe fryma e krijimeve letrare e kritike integrohen në temperamentin e veçantë të Konicës dhe në qëndrimin e tij kritik ndaj dukurive të kohës.

Forma eseistike (Shqyrtimi fiksional e diskursisv)



Esetë dhe kritikat letrare, natyrisht, sa dihet deri tash, nuk qenë të shumta në krijimtarinë e Faik Konicës, por ato janë të veçanta, me një origjinalitet dhe me një spektër karakteristik trajtimi. Eseja dhe fryma eseistike, e pranishme tejetej krijimtarisë së tij, një zhanër i mësuar në Francë nga penat më të mprehta si Montenji, Volteri, Rusoi etj., do t’i përgjigjet flakë për flakë temperamentit dhe karakterit të Faik Konicës, figurës së tij të veçantë krijuese, që jo vetëm do të lërë gjurmë në shumë fusha, por edhe do të vërë shumë themele. Në shkrimet kritike e eseistike, shkencore e publicistike, ai do të shtrojë shumë çështje në mënyrë sinkretike, me mjeshtërinë e tij letrare, informuese e shkencore. E kësaj natyre është eseja, zhanër që provokon posaçërisht Konicën. Nëpërmjet esesë, shqyrtimit fiksional e diskursiv, ai zbërthen imagjinatën e tij krijuese dhe prirjet e afinitetet për shumë fusha të artit e të jetës. Stili eseistik i Konicës përshkon tërë krijimtarinë e tij, kurse elemente eseistike pleksen veçanërisht në shkrimet portretizuese. Në ato krijime gjen shprehje shpirti i tij specifik, elokuenca, ngrohtësia e poetit, argumenti i shkencëtarit dhe informimi i publicistit. Në këto portretizime shkrihen kufijtë ndërmjet portretit dhe esesë, duke shkrirë fizionominë e tyre me elemente plastike. Në krijimtarinë e tij janë edhe dy vepra eseistike, që jo vetëm e shquajnë Konicën sa i përket këtij zhanri sinkretik shkencor-letrar e publicistik, por e veçojnë si erudit, gjeni të kohës dhe figurë poliedrike, që ka mbetur vërtet i veçantë në botën tonë letrare e kombëtare. Vepra ”Shqipëria si m’u duk”,15 që është një kompleks esesh, dëshmon njohësin e thellë të Shqipërisë në aspektin historik, kulturor e etnopsikologjik: ”Ai ka logjikën e Montenjit, por edhe forcën apologjike të Marin Barletit.”16 Një vepër, që do të cilësohet e pakryer, ”Shqipëria si m’u duk”, si shumë krijime të tjera të Konicës, do të shprehë aktualitetin shqiptar të viteve 1928-1929, me ngjyra karakteristike, një realitet shqetësues, që edhe vetë autorin do ta lërë të shqetësuar. Që në konceptimin e parë të shkrimit receptuesi njihet me origjinalitetin e Konicës, i cili priret në mënyrë të brendshme, gati intuitive ndaj trajtimit pothuajse poetik të një subjekti të caktuar. Stili thuajse letrar, me prirje poetike, përfytyrimet dhe iluzionet e natyrës artistike i japin këtij shkrimi (jo fort të shkurtër) pamje interesante, tërheqëse për të gjitha kategoritë e lexuesve. Ishte ndoshta një ”dredhi krijuese” e autorit për të tërhequr lexuesin me nisjen e esesë në mënyrë sa poetike, aq dhe origjinale: ”Njeriu që e shkon kohën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak të ëndërrosh se lulëzon edhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjurmë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka turp dhe s’ndodhet gjëkundi, sepse në tru të ëndërronjësit… po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet.” Stili i Konicës si eseist shpaloset gjithnjë e më i pasur, duke u kombinuar në mënyrë të natyrshme elemente publicistike, të kronikës, përshtypje udhëtimi, kujtime, specifika të reportazhit, të dhëna e fakte historike. Të gjitha këto, në vështrim të parë, duket sikur e largojnë paksa nga lloji letrar, po, në të vërtetë, poeti dhe prozatori lë gjurmët edhe në këtë shkrim. Përfytyrimet poetike janë të pranishme në forma më të larmishme: ”po si një ëndërr e bukur”, ”posi një vend i bukur në mes shkretëtirës” ose ”Afër Shijakut, e çuditi një pyll i vogël plot me zogj, plot me popull zogjsh, këngët e të cilëve bashkohen dhe trazohen aq bukur dhe aq ëmbël, sa të duken si një simfoni e krijuar prej ndonjë muzikanti të natyrës që rron në shelgjet dhe bën shoqëri me shpesët”!Elementet e prozës poetike bëhen shpesh pothuajse mbizotëruese, ndërsa forma letrare plekset me trajtimin publicistik, të tipit të reportazhit, për të krijuar kështu përfytyrime sa më tërheqëse e interesante për receptuesin. Kombinimi i metaforave ”forcova zemrën”, ”filizi i fundmë i lisit të madh ilirian” me ironinë: Shqiptarë dhe ”ekspertë”, që shkon deri në sarkazëm të mprehtë: ”robotët e zyrave të Shqipërisë”, si dhe shfrytëzimi i elementeve të prozës artistike, si dialogu midis figurave reale, që marrin pamjen e personazhit artistik, krijimi i një rrëfimi mbi bazën e pyetjeve dhe përgjigjeve, gjithnjë të imagjinuara nga autori dhe shfrytëzimi i trajtave kohore të ndryshme janë të gjitha elemente të prozës artistike, që Konica i përdor dhe i kombinon me mjeshtëri të rrallë. Krahas tyre në konceptimin eseistik të tij gjejmë edhe mënyra të tjera, si krijimi i portretit të një figure historike, elementet e vizatimit të peizazhit (”me një ngjyrë vjollce, si themë të përgjithshme që i bashkonte e i lidhte të gjitha ngjyrat”). Me gjithë kombinimet e këtyre elementeve, të marra nga publicistika, nga historia a letërsia, Faik Konica strukturon një shkrim, që në formën më të qartë shpreh veçoritë e esesë, specifikën e këtij lloji tepër tekanjoz, që herë duket si trajtesë objektive, herë si trajtesë subjektive, me elemente të theksuara poetike.

Vepra tjetër eseistike ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, që Konica e shkruan sipas porosisë për lexuesit amerikanë në vitet 1935-1939, botohet pas vdekjes së autorit, më 1957, kurse shqip do ta shohë dritën së pari më 1991.17 ”Libri përfaqësoi mirë Shqipërinë në botën amerikane, që nuk e njihte sa duhet vendin tonë, – thekson prof. dr. Jup Kastrati. Vepra ishte një manifest i kulturës kombëtare shqiptare, i qytetërimit të Shqipërisë gjatë shekujsh. Ishte një afirmim i plotë i cilësive, i karakteristikave dhe i virtyteve më pozitive të shqiptarëve përmes gojës së autoriteteve shkencore botërore: angleze, franceze, gjermane, austriake, italiane, amerikane etj. Me këtë libër autori i solli një dobi të madhe çështjes shqiptare, njohjes dhe popullarizimit të Atdheut tonë.”18 Problemet që shtrohen janë të shumta e interesante dhe kjo është vërtet një histori kritike.19

Pa dyshim, vepra ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” është krijimi më i ndërlikuar i Konicës sa i përket karakterizimit dhe tipologjisë së llojit. Ndërthurja e elementeve të publicistikës, të shqyrtimit shkencor dhe të përfytyrimit e figuracionit letrar i japin veprës më shumë formë eseistike. Këtu është shprehur raporti midis objektives dhe subjektives, ndërthurja e stilit gazetar me atë shkencor e letrar, si dhe vetë temperamenti i Konicës. Që në fillim autori premton se do të përpiqet të jetë sa më ”objektiv dhe i paanshëm”, por nuk mund t’i qëndrojë besnik deri në fund këtij parimi. Së pari, është vetë forma e esesë që e ”detyron” autorin të jetë më i lirë në shprehjen e mendimeve, të emocioneve e të shqetësimeve të tij. Si eseist, Konicën e cyt gjithherë një dëshirë e brendshme dhe një pasion i fuqishëm për të arsyetuar, gjykuar, pohuar ose mohuar diçka. Ky pasion i brendshëm nuk mund ta lejojë të jetë ”objektiv” në atë shkallë që e kërkon logjika shkencore. Mbase, duke mos iu drejtuar një auditori të kualifikuar, shkencor, ai e ndien veten krejt të lirë të shprehë atë që ndien, përfytyrimet dhe bindjet e veta. Së dyti, objektivizmi i veprës cenohet në një masë edhe nga vetë temperamenti i autorit. I ashpër deri në cinizëm ndaj dukurive që s’i pëlqejnë Konicës, s’ka forcë të ruajë ekuilibrin midis objektives dhe subjektives. Kështu, jo rastësisht eseja, si lloj i veçantë, bëhet e preferueshme prej tij, sepse ajo ngërthen një shenjë të theksuar të temperamentit krijues të autorit. Në këtë cikël esesh bie në sy synimi i autorit për të hedhur teza për studiuesit e historisë dhe prirja për të shfrytëzuar të dhëna e interpretime shkencore të studiuesve e të historianëve të huaj. Autori shfrytëzon përcaktime fjalësh, të dhëna gjeografike, etnografike, etimologjike, fetare etj. Stili shkencor kthehet shpesh në stil publicistik, kur autori sjell kujtime personale dhe në stilin letrar, poetik kur krijon përfytyrime, i jep veprës një atmosferë të këndshme dhe komunikuese për receptuesin e huaj. Duke respektuar specifikën e esesë, që nuk mbështetet në të dhëna të sakta shkencore, autori priret në mënyrë të dukshme nga stili letrar. Ai shfrytëzon vargje poetike (p. sh., nga Bajroni) për të mbështetur teza të ndryshme, që kanë të bëjnë me problemet e lashtësisë së Shqipërisë, të historisë dhe të kulturës së saj, të pozicionit gjeografik, të prejardhjes racore, të virtyteve etj. Nga ana tjetër, janë edhe përshkrimet e tij letrare me elemente poetike e fantazi të bujshme. Në përkufizimet teorike është thënë se ”eseja është një lloj i veçantë letrar”, që dallon me stilin e saj nga publicistika shkencore e gazetare. Eseja ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” ngërthen elemente të stilit letrar. Autori i largohet së tepërmi stilit shkencor e publicistik, duke përdorur me shumë sukses stilin bisedor të drejtpërdrejtë. Si në një krijim letrar, ndihet uni i rrëfimtarit, i cili herë rrëfen, herë bën pyetje dhe përgjigjet po vetë, herë zemërohet e bëhet ironik deri sarkastik, herë është aq i sinqertë me receptuesin, duke pohuar se ”zakonisht unë mbaj një heshtje mirësjelljeje, por më ndodh nganjëherë të mos jem me të mira dhe në raste të tilla nuk mund ta mbaj një të qeshur të fortë”. Mënyra e rrëfimit në vetën e parë krijon një komunikim më të drejtpërdrejtë me receptuesin, të cilin autori e përfytyron sikur e ka aty pranë vetes dhe me të cilin qan hallet! Nga ana tjetër, përfytyrimi i peizazhit, shënimet e komentet subjektive, duke iu referuar pohimeve të autorëve të huaj (gjithnjë jo në formë faktesh, por më shumë në formë përshtypjesh e kujtimesh) dhe prirja e herëpashershme për arsyetime edhe të karakterit filozofiko-shoqëror krijojnë një stil tejet të larmishëm, të rrjedhshëm e joshës. Duke pasur parasysh veçoritë specifike të esesë, sa i përket stilit të saj, temës së shtjelluar dhe destinimit, vepra ”Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” është një ese e gjatë. Sa i përket stilit mbizotërues në këtë vepër është vështirë të veçosh njërin apo stilin tjetër, sepse Faik Konica ka ditur të kombinojë stilin letrar me stilin publicistik dhe atë shkencor, në përputhje me problemin që trajton, momentin emocional dhe bashkëbiseduesin imagjinar. Kjo ndërthurje mjeshtërore i jep forcë dhe peshë të veçantë stilit të përgjithshëm eseistik të Faik Konicës.



Shënime për autorin

Prof. dr. Shyqri Galica (1951) është studiues i letërsisë, publicist e pedagog. Ka botuar studime letrare, vështrime kritike, eseistike, publicistike, si dhe poezi e prozë në gazeta e revista të ndryshme.

Ka botuar edhe këto vepra: Koha flet me brezni, poezi, 1979; Poezia e Fatos Arapit, studim monografik, 1990; Amësia, tregime, 1991; Simbolika e sundimit, kritikë dhe ese, 1995; Konica – moderniteti, eseistika, kritika, studim monografik, 1997; Mesazhi kritik, ese dhe kritika, 1999; Dashuria vdekërisht, roman, 2003 dhe Identiteti artistik, kumtesa shkencore dhe vështrime kritike, 2005.

Është mësimdhënës i historisë së letërsisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, kurse lëndët bazat e gazetarisë, mediet dhe komunikimi publik, si dhe shkrim akademik dhe kulturë gjuhe i ligjëron në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Kosovë.

[1] Frida Filipovic, “O piscu” (pasthënie), te Sent Bev, ”Knjizevni portreti”, ”Kultura”, Beograd, 1960, f. 341.
[2] Larousse, “Opšta enciklopedija”, ”Vuk Karadzic”, Beograd, 1971, f. 46.
[3] “Recnik knjizevnih termina”, ”Nolit”, Beograd, 1986, f. 264.
[4] Jani Vreto, “Vepra të zgjedhura”, Shtëpia Botuese e Librit Politik, Tiranë, 1973, f. 67.
[5] Rexhep Qosja, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1984, f. 246.
6 Naim Frashëri, “Vepra 6”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1986, f. 157.
[7] Naim Frashëri, “Vepra 2”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1986, f. 153.
[8] Naim Frashëri, “Vepra 6”, f. 281.
[9] Rexhep Qosja, vep. e cit., f. 248.
[10] “Recnik knjizevnih termina”, f. 338.
[11] Aty.
[12] Ibrahim Rugova, “Kah teoria”, ”Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 80.
[13] Aty.
[14] Rexhep Qosja, “Faik Konica – kthimi i tij” (parathënie), te: Prof. Dr. Jup Kastrati, ”Faik Konica” (monografi), ”Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 11.
[15] U botua në vazhdime në ”Dielli” më 1929.
[16] Moikom Zeqo, cituar sipas: Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), ”Gjonlekaj Publishing Company”, New York, 1995, f. 397.
[17] Faik Konica, “Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore” (përkthyer nga dr. Abdullah Karjagdiu), ”Buzuku”, Prishtinë, 1991.
[18] Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), f. 476.
[19] Aty, f. 447.

2013-03-10

Profesor Koço Danaj ka plotësisht të drejtë...





Prof. Dr.sc.Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të ditës së sotme me titull "Maqedonia duhet varrosur, Tirana dhe Prishtina të bashkojnë shqiptarët në një shtet", të botuar prej zotit Feliks Taho, u njoha me intervistën e Prof.dr. Koço Danaj.

E përshëndes ngrohtësisht Prof. dr. Koço Danaj për deklaratën e tij në adresë të Bashkimit Evropian, i cili e ka vërtetuar me fakte se nuk çan kokë absolutisht për etninë shqiptare në Evropën Juglindore.

Qëndrimi i tij shpërfillës ndaj masakrimit të adoleshentëve shqiptarë në Maqedoni, ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe veriut të Mitrovicës, të cilin e ka shndërruar në fillin e Penelopës, dëshmon se Brukseli mbron vetëm të krishterët sllavë dhe as që i bëhet vonë fare për kombin shqiptar, i cili, në shumicën dërrmuese, është i besimit mysliman.

 Profesor Danaj ka plotësisht të drejtë: shteti kopil maqedonas duhet shpërbërë përfundimisht dhe këtë mund ta realizojnë fare mirë Tirana dhe Prishtina, për t'i treguar Evropës se boll është tallur me kombin shqiptar një shekull të tërë.

Kombi shqiptar nuk mund të presë ndonjë të mirë për çështjen kombëtare nga Bashkimi Evropian që ka për Kryetar një ish-komunist të thekur portugez.

Santa Barbara, Kaliforni,10 mars 2013


--------------------------


Prof.Dr.sc.Koço Danaj 

Maqedonia duhet varrosur, Tirana dhe Prishtina të bashkojnë shqiptarët në një shtet



Koço Danaj: Maqedonia duhet varrosur, Tirana dhe Prishtina të bashkojnë shqiptarët në një shtet

Brukseli po përdor shqiptarët si zjarrfikës të Ballkanit, hesht për dhunën ndaj shqiptarëve

Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka komentuar shpërthimet etnike në Maqedoni dhe dhunën e autoriteteve të këtij shteti ndaj shqiptarëve. Ai ka kritikuar ashpër shtetin e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat sipas tij, nuk kanë bërë asgjë veçse ka nxitur përçarjen midis faktorit politik shqiptar në Maqedoni.



 Koço Danaj hedh akuza të rënda në drejtim të partive politike shqiptare në Maqedoni, drejtuesit e të cilave sipas tij, janë kapur nga shovinizmi maqedonas.


 Danaj i kërkon shtetit shqiptar t’i japë fund indiferentizmit dhe të dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, ndërsa akuzon ashpër edhe Bashkimin Evropian, i cili sipas tij, është shndërruar në përkrahës të politikave shoviniste maqedonase.

-Maqedonia është përfshirë së fundi nga konfliktet etnike. Sipas jush, cilat janë arsyet e këtyre shpërthimeve?

Nuk është një fenomen i ri dhuna e shovinizmit maqedonas ndaj shqiptarëve. Por nuk është edhe ndonjë gjë e re, as “dënimi” që i bëhet kësaj dhune nga politika mbarëshqiptare. Por kjo është shumë pak, kjo është për të “larë” gojën. Për këdo që njeh shovinizmin maqedonas, e ka tashmë shumë të qartë se ai ka dekada të tëra që ushtron dhunë sistematike ndaj shqiptarëve.


 Ngjarjet e fundit në Shkup treguan qartë para shqiptarëve në Shqipërinë Lindore dhe mbarë rajonin, para Brukselit dhe Uashingtonit se logjika Shoviniste e Gruevski-Cervenkovskit, nuk e pranon logjikën e dialogut që për mëse dy dekada po ju ofrojnë shqiptarët. Kjo logjikë, që nga viti 1994, 1997, 2001, 2004, që nga ngjarjet në Brodec, në Radushë, në Strugë, në Manastir, në Shkup, pranon vetëm shqiptarë të nënshtruar, por jo të barabartë me maqedonasit. Shteti artificial i krijuar në 1945 nga Tito në kurriz të shqiptarëve, edhe në 2013 kërkon të jetojë përsëri në kurriz të shqiptarëve dhe duke përbuzur, përgjakur dhe eliminuar shqiptarët, kulturën dhe historinë e tyre.

-Maqedonia është në fushatë elektorale. A janë këto riaktivizime të dhunës etnike ndaj shqiptarëve një formë presioni për të ulur prezencën politike dhe vendimmarrëse të shqiptarëve?

Nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale, kanë të bëjnë me logjikën e shovinizmit. Para kësaj dhune dhe në prag të fushatës elektorale, kishim sherrin ndërmaqedonas, por që befasisht u shua në prag të fushatës.

-Shpesh herë shqiptarët që janë në opozitë me pushtetin në Maqedoni, akuzojnë bashkatdhetarët e tyre në pushtet për bashkëpunim me maqedonasit për interesa personale. Sipas jush, a ndikon kjo përçarje midis vetë shqiptarëve në aktivizimin e dhunës ndaj tyre?

Do të bëja një ndërhyrje të vogël, jo shqiptarët si popull, por politikanët shqiptarë. Ata po, ata janë të përçarë me njëri-tjetrin. Mjerisht kësaj përçarje këtë herë i hodhi “benzinë” edhe disa parti politike nga Kosova, të cilët duke “falur” Veriun e Kosovës, shkuan në Shkup për të thelluar përçarjen midis partive politike shqiptare. Doni shembuj?


Ja disa: LSDM e Cervenkovskit, megjithëse nuk lë asgjë pa thënë kundër Gruevskit, kur vjen puna tek Komuna e Strugës, nuk nxjerr kandidat për kryetar, por vendos të mbështesë kandidatin e Gruevskit. Pse? Sepse ai është maqedonas.



 Ndërsa BDI dhe PDSH dalin të përçara në Strugë, secila me kandidat të vetin. Pra, ka ardhur një moment kur duhet thënë se shqiptarët në Shqipërinë Lindore në Maqedoni janë “jetimë”.


Krerët e partive të tyre regjistrohen shqiptarë por ndjehen maqedonas, qoftë për hir të aferave korruptive, qoftë për hir të mediokritetit intelektual, qoftë për hir të mentalitetit internacionalist. E përballë kësaj përçarje, Prishtina thellon përçarjen, ndërsa Tirana zyrtare hesht dhe lan “gojën” me ndonjë deklaratë.

-Sa është zbatuar, sipas jush, marrëveshja e Ohrit?

Më falni, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur. Në gusht 2001, ajo shpëtoi Maqedoninë nga shpërbërja. Ajo ishte kompromisi i madh i shqiptarëve. Ndërsa sot, nuk ekziston. E, sa kohë që ajo ka “vdekur”, ka vdekur edhe vetë Maqedonia.

-Shpesh herë qarqe të ndryshme maqedonase janë shprehur pro idesë së ndarjes së Maqedonisë për të krijuar një shtet etnik maqedonas. A janë këto shpërthimet e fundit, vazhdë e një politike të fshehur për shpërbërjen e Maqedonisë?

Më falni por është e kundërta, ata sot luftojnë për të marrë akoma territore shqiptare. Ata pasi spastruan etnikisht Manastirin, Prilepin, Velesin, duan ta realizojnë këtë edhe në Kumanovë edhe në Strugë. Kjo është strategjia afatmesme e tyre.


 Prandaj sot shovinizmi maqedonas është hedhur në ofensivë, ai po ju tregon shqiptarëve se në vend të demokracisë dhe bashkëjetesës, duhet të zgjedhin frikën nga shteti apo nga njerëzit e paguar nga shteti. Prandaj ky shovinizëm duhet të zhduket. Por për të zhdukur shovinizmin maqedonas, nuk kanë vlerë deklaratat që dënojnë atë dhe në fund ju bëjnë thirrje shqiptarëve për maturi! Ka mëse një dekadë që këto deklarata vijnë nga Tirana, Prishtina apo dalin nga selitë e partive politike shqiptare në FYROM.



 Ka mëse një dekadë që kombi shqiptar nga Brukseli po përdoret si zjarrfikës i Ballkanit, kur duhet të jetë paqebërësi kryesor i tij. Me ngjarjet e fundit në Shkup, porositë e Brukselit apo deklaratat e Tiranës, Prishtinës, etj nuk kanë më vlerë. Tashmë ka vlerë vetëm rezistenca, protesta masive. Ka vlerë vetëm Bashkimi Kombëtar, ka vlerë vetëm Shqipëria Natyrale. Shovinizmi maqedonas si çdo shovinizëm tjetër ndaj shqiptarëve, do të zhduket vetëm atëherë, kur shqiptarët të bashkohen në një shtet. Për këtë arsye Tirana zyrtare duhet të heqë dorë nga deklaratat që nuk zgjidhin asgjë dhe të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë, e cila parashikon edhe bashkimin kombëtar, edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

-Sipas jush, cilat janë arsyet e përçarjes midis faktorit politik shqiptar në Maqedoni? A lidhet kjo thjesht me presionin ndërkombëtar për të mbajtur Maqedoninë në këmbë apo ka diçka tjetër?

Faktori ndërkombëtar, natyrisht që ka pjesën e tij. Por nuk është kryesori. Kryesorja është se politikanët shqiptarë në Maqedoni janë “të kapur” nga shovinizmi maqedonas. Kryesorja është se ata nuk ndjehen shqiptarë, ata nuk ndjehen evropianë, ata janë thjesht “pashallarë neootomanë”.


 Ata janë më komodë nën urdhrat e shovinizmit maqedonas se sa të shndërrohen në udhërrëfyes dhe udhëheqës të shqiptarëve. Prandaj, “Lista për Shqipëri Natyrale” ju bën thirrje shqiptarëve në Shqipërinë Lindore: Vazhdoni të rezistoni, vazhdoni të protestoni, nga Kumanova në Strugë.



Braktisni partitë që duan t’ju përdorin si “mish për top” për interesa të lidhjeve të tyre korruptive me shovinizmin maqedonas. Mos lejoni të sakrifikoheni as ju dhe as shqiptarët e Kosovës Lindore në emër gjoja të kompromisit të madh historik Thaçi-Daçiç, kompromis që jo vetëm nuk mbron shqiptarët, por fal territore të shqiptarëve. Maqedonia “ka vdekur” si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve.


Le ta “varrosim” atë. Ky do të jetë kontributi më i madh në shërbim të paqes, progresit dhe stabilitetit të Ballkanit. Ky do të jetë kontributi më i madh edhe për të shpëtuar Brukselin nga kriza e ekzistencës së vetë BE.

-Si e vlerësoni rolin e shtetit shqiptar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë?

Ka mëse një dekadë që kombi shqiptar nga Brukseli po përdoret si zjarrfikës i Ballkanit, kur duhet të jetë paqebërësi kryesor i tij. Me ngjarjet e fundit në Shkup, porositë e Brukselit apo deklaratat e Tiranës, Prishtinës, etj nuk kanë më vlerë.


Tirana zyrtare duhet të heqë dorë nga deklaratat që nuk zgjidhin asgjë dhe të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë, e cila parashikon edhe bashkimin kombëtar, edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.



Shovinizmi nuk ndalet me deklarata. Po në këtë kuptim nuk duhen keqkuptuar mesazhet dhe apeli i partnerëve tanë strategjikë të perëndimit. SHBA është kundër retorikave nacionaliste, por është pro Kushtetutës së Shqipërisë.


SHBA nuk mbron shovinizmin maqedonas në kurriz të shqiptarëve. Po kështu, Tirana zyrtare duhet të marrë shembull nga veprimi i presidentit italian Napoletano, i cili anuloi takimin me kandidatin për kancelar të Gjermanisë vetëm se ai fyeu dy politikanë italianë, Berluskonin dhe Bepe Grillon duke i quajtur “klounë”.


Dhe me të drejtë Napoletano u shpreh se: Unë jam simbol i unitetit të kombit italian, prandaj e anuloj takimin në emër të unitetit nacional dhe dinjitetit të Italisë. Dhe së fundi: Dhuna e shovinizmit maqedonas nuk mjafton të dënohet, ajo duhet të ndalohet. Dhe atë e ndalon vetëm bashkimi kombëtar vetëm Shqipëria natyrale.

-Po qëndrimin e BE si e shikoni?

Po të flisja fare shkurt, do të thosha se BE edhe njëherë ndaj ngjarjeve të fundit të shovinizmit maqedonas, tregoi se është ose një “fantazmë” e së shkuarës, ose “Një Klub i Krishterë”. Por po zgjatem pak për të bindur skeptikët.


 Ju kujtohet sherri politik ndërmaqedonas midis Gruevskit dhe Cervenkovskit? Çfarë ndodhi? Brukseli u shqetësua me të drejtë, Komisioneri Fyle shkoi urgjent në Maqedoni për të pajtuar Brankon me Nikollën. Po ndaj dhunës së egër, raciste, shoviniste ndaj shqiptarëve, çfarë bëri? Asgjë. Stefan Fyle, që realisht është edhe pa “punë” nuk lëvizi nga Brukseli. Pse?



 Sepse këtë herë sherri ishte midis shqiptarëve dhe maqedonëve. Sepse këtë herë, shovinizmi maqedonas është i krishterë, ndërsa viktimat shqiptare janë myslimanë. Kjo është fytyra e vërtetë e Brukselit, dhe ne duhet ta themi hapur këtë.


Dikur në mesin e viteve 70-të, ish-marksist-leninisti Barroso, e adhuronte Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në atë kohë ai ishte një nga drejtuesit e Federatës së studentëve Marksistë leninistë,(FEM-L) dhe anëtar i Partisë Komuniste Portugeze (të Rindërtuar) . Ndërsa sot, kryeministri i BE, Barroso, i përbuz shqiptarët dhe merr në mbrojtje shovinizmin maqedonas.

Intervistoi: Andi Malasi

“Ajshen ma solli për herë të parë në arë motra e saj. Me të kisha pasur lidhje normale, derisa u martua. Më pas u lidha me Ajshen kur ishte 14 vjeçe. Takoheshim përditë, duheshim…”.







“Ajshen ma solli për herë të parë në arë motra e saj. Me të kisha pasur lidhje normale, derisa u martua. Më pas u lidha me Ajshen kur ishte 14 vjeçe. Takoheshim përditë, duheshim…”. Këto fjalë i thotë pas 5 muajsh nga vrasja e studentes 18-vjeçare autori i krimit Shaban Norja.

I cilësuar si “monstra i Durrësit” për shkak të krimit që tronditi mbarë vendin, tashmë duhet të vuajë 25 vjet burg. Dënimi për Norjen, i cili në shkurt mbushi 81 vjeç, u mor në një proces rrufe, zhvilluar me dy seanca. Tashmë si shtëpi të vetën ka qelinë e burgut, ku ndodhet që prej tetorit të shkuar, kohë kur vrau e më pas i preu kokën të dashurës së tij, ish-nxënëses së Medresesë. Për herë të parë në një intervistë ekskluzive nga ambientet e Institucionit të Paraburgimit në Durrës, Shaban Norja rrëfen historinë e njohjes me Ajshe Vatën e deri te momenti kur u arrestua si autor.

Gazeta “Panorama” në një intervistë me Norjeb sjell fakte të reja që opinioni nuk i ka ditur më parë. Ai para Ajshes kishte lidhje me një nga motrat e saj më të mëdha, me të cilën ishte shkëputur pasi ajo u martua. Duke vazhduar më tej me të motrën e saj të vogël, të cilën e vrau kur ajo ishte 3 muajsh shtatzënë me të.

Pohon me këmbëngulje se e donte Ajshen dhe se krimi ishte “amaneti” i saj, por mohon se kishin kryer marrëdhënie gjatë muajit të Ramazanit. Ka pranuar çdo gjë që në fillim kur u arrestua dhe ashtu si në gjyq, shprehet herë pas here se është penduar… Ky është rrëfimi rrëqethës i 81-vjeçarit Shaban Norja, i cili nis të qajë në momentet kur tregon se si e kreu vrasjen.

Ishte momenti i vetëm gjatë intervistës që Shaban Norja tregoi anën e tij të ndjeshme, aq sa mund të ekzistojë një e tillë në një njeri që kryen një krim kaq ngjethës.

Shaban, emri juaj është lakuar shumë në media që pas krimit që kryet ndaj Ajshe Vatës. Si u njohët me familjen e saj?
Me ta jam njohur aty te shtëpia e tyre, pasi pranë kam tokën. Kishte vite që njiheshim. Kisha respekt për familjen e tyre. Më përshëndesnin kur kaloja aty, kur rastisnin te toka. Por më pas u prishëm.

Pse çfarë ndodhi? 
U bë sebep një nga vajzat e Muhametit. Atë e la burri dhe nuk i tregonte dot të vërtetën Muhametit, se përse e kishte lënë burri dhe i tha që miqësinë e prishi Shabani. Më kishte inat se e kisha gjetur disa herë duke kryer akte të turpshme dhe i kisha thënë se do t’i tregoja babait të saj nëse i përsëriste. Vajza u martua në Dibër, por ditën e dytë të martesës djali e solli në shtëpi, pasi sipas tij, nuk ishte e virgjër. Vajza nuk ua thoshte dot atyre të shtëpisë shkakun e vërtetë se përse ishte ndarë, por i tha Muhametit që shkaku ishte Shabani, sepse i ka fryrë me fjalë të paqena.

Shaban, ku dhe si u njohët me Ajshen? 

Me Ajshen jam takuar në datën 13 tetor 2008. Erdhi së bashku me njërën prej motrave të saj, së cilës nuk dua t’ia përmend emrin. Ajo iku, ndërsa Ajshja ndenji. Nisa ta prekja, por më tha se nuk donte dhe se do të vinte sërish të nesërmen. Kështu, më datë 14 tetor e kam takuar dhe ajo ishte e vendosur për të kryer marrëdhënie seksuale me mua. Kjo ka qenë hera e parë, ndërsa që prej asaj dite dhe deri në ditën që e vrava, takoheshim rregullisht, pothuajse përditë. Më parë nuk e kisha vënë re si femër.

Flitet që keni pasur lidhje edhe me motrat e tjera të Ajshes. Sipas jush, cila është e vërteta? 

Në fakt, nuk mund ta mohoj. Është e vërtetë që kam pasur lidhje me një nga motrat e saj. Nuk është se kam asnjë frikë, por nuk dua ta tregoj me hollësi këtë histori. Me të kam pasur lidhje normale deri ditën kur u martua. Pastaj u lidha me Ishen, (Ajshen).

Kishte dijeni mbi lidhjen tuaj të re? 

Po vetëm ajo e dinte. Ajo e dinte se dhe ditën që familja e saj vuri re se Ajshja nuk ishte në shtëpi, ajo më telefonoi dhe më tha: “Ku është Ajshja?”. “Nuk e di”, iu përgjigja. “Mirë, më tha, më hidh dhjetë mijë lekë në telefon që ta kërkojmë te të afërmit”. Mirë, i thashë, dhe ia transferova. Unë e dija se ku ishte, sepse e kisha vrarë.

Ku takoheshit me Ajshen? 

Te kasollja që kam te cepi i arës. Më merrte në telefon sapo mbërrinte nga shkolla. Krijuam një lidhje normale. Ajo ishte e lumtur dhe ndihej mirë me mua, edhe unë po kështu.

Mund të quhet lidhje normale kjo, duke ditur se jeni gjyshi i saj? 

Nuk është se është normale, po… derisa ndiheshim mirë të dy. Problemet nisën kur morëm vesh shtatzëninë. Aty i hipi në kokë që ta vrisja.

Kur e kuptoi Ajshja se kishte mbetur shtatzënë? 

Rreth 20-25 ditë përpara se ta vrisja. Ajo e kishte kuptuar dhe më tha se mund të ishte shtatzënë. E besova menjëherë, sepse e dija që kisha gabuar dhe e prisja një gjë të tillë. Fillimisht i thashë se mos e ke me ndonjë tjetër, por e thashë për t’u shfajësuar, pasi isha i sigurt se fëmija ishte i imi. Megjithatë, për ta vërtetuar bleva një test në farmaci dhe ia dhashë. Testi kishte dalë pozitiv. Më mori në telefon direkt dhe më tha që nuk ka asnjë dyshim, ishte shtatzënë. U mundova ta qetësoja nga telefoni. I premtova se do ta zgjidhnim të dy këtë problem kur të takoheshim pasdite. Mirëpo atë e kishte kapur paniku dhe çdo gjë që i thosha e kundërshtonte.

Pse, çfarë i kërkuat ju? 

I propozova që ta hiqte fëmijën. I thashë t’i jap unë të gjitha lekët që të duhen për shpenzime dhe qite (hiqe) fëmijën dhe vazhdojmë lidhjen tonë. Nuk pranonte, pasi sipas fesë që besonte ishte krim që nëna të vriste fëmijën. Ajshja kishte frikë se mos e kuptonin të familjes dhe më tha “më mirë më vrit ti, sesa të bëhem me turp dhe të më vrasë babai”. Ajshja kishte shumë frikë se po ta kuptonin të shtëpisë për lidhjen, por mbi të gjitha mbi shtatzëninë, do ta vrisnin.

Thatë se e donit vajzën, si mundët të qëllonit mbi të? 

Sigurisht që e doja, por në këtë mënyrë çova deri në fund vetëm amanetin e saj. Ajshja kishte tri ditë dhe tri net që më kërkonte që ta vrisja. Nuk e di se si ma mbushi mendjen dhe pranova ta bëja këtë gjë. Jam penduar dhe qaj çdo ditë për të. Nuk ia fal kurrë vetes këtë që bëra.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...