2013-03-11

Në bregun tjetër të harrimit(Cikël poetik nga Sabit Idrizi)





Sabit Idrizi  u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe.


Deri më tash ka botuar këta libra:

Pesha e fundshekullit, poezi, 1995
Përderisa është e martë, poezi, 1997
Diell me dhëmbë, poezi, 1998
Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000
Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006
Zarfi, prozë, 2008
Ma fsheh bregun tjetër, poezi, 2010

Etj.

Përveç çmimeve tjera letrare, Sabit Idrizi ka marrë edhe çmimin letrar në nivel gjithëkombëtar “Kostandin Kristoforidhi”, i cili jepet në Elbasan dhe Çmimin e Nëntorit në Mitrovicë.

Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në Komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash.

 Është kryeredaktor i revistës letrare “Fjalë e valë”, të cilën e financon Komuna Mitrovicës, e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, kryetar i së cilës është.

 Është redaktor, recensues apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare.

Është i përfaqësuar në disa antologji dhe leksikone. Poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar edhe në anglisht, kroatisht dhe rumanisht.

Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton në Mitrovicë.

Thanë për shkrimtarin  Sabit Idrizi:

“...Kjo tregon se Sabit Idrizi është një krijues jo lokal i Mitrovicës, por është një krijues kombëtar...” (Dr. Agim Vinca)

“... Poezia, kjo çfarë e shkruan Sabit Idrizi, është poezi që e ruanprestigjin e poezisë, sepse është poezi e një shprehjeje moderne e sugjestive, që kërkon përqendrim gjatë leximit dhe zbërthimit të shenjave të saj gjuhësore, figurave, metaforave, krahasimeve, antitezave, paradokseve, alegorisë, ironisë, aty-këtu edhe simboleve, nëpërmjet të cilave poeti i shqipton idetë, emocionet dhe botëkuptimin e vet...” (Dr. Agim Vinca)

“... Ai (Sabit Idrizi) është një autor që ka talent e dhunti krijuese, që e do krijimtarinë dhe gjuhën në të cilën shkruan. E dashuron doemos gjuhën e poezisë, gjuhën e artit poetik...” (Dr. Agim Vinca)

“... Sabit Idrizi (1955) është një zë i veçantë në mjedisin tonë krijues...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“... Poeti Sabit Idrizi ka qëndrim aktiv ndaj jetës. Ai është poet me talent, poet i ndjenjës së disiplinuar, poet që mendon shumë, po që shkruan shkurt, poet i prirur për një ligjërim të figurshëm e metaforik.
Poezia e tij, e thurur me një gjuhë mjaft bashkëkohore, imponon një ndjenjë vërtet të ngritur të nevojës për lexim të vëmendshëm, disa edhe për rilexim të thelluar e studioz. Pra, poezia e tij është e prirur për
një elitë lexuesish...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“...Poezitë e Sabit Idrizit, edhe pse të shkurta (miniaturale), shpesh janë poemë, një vepër e tërë që të provokon ta lexosh e ta rilexosh, t’i qasesh e të meditosh rreth nuancave kuptimore e artistike që i artikulon fuqishëm...” (Fazli Hajrizi, prof.)

“... Sabit Idrizi është, padyshim, një ndër zërat autentikë të poezisë shqipe që krijohet sot në Kosovë...” (Dr. Agim Vinca)

“... Tipar që e dallon poezinë e Sabitit është dendësia e fjalës, pra konciziteti i shprehjes, por edhe ironia. Sabit Idrizi është një autor që e zotëron mirë një nga mjetet më tipike të poezisë moderne dhe postmoderne, ironinë...” (Dr. Agim Vinca)

“... Sabit Idrizi, me një shije të hollë dhe me një varg jashtëzakonisht mirë të realizuar, përherë i ka qëndruar besnik poezisë – mbretëreshës së arteve...” (Riza Haziri, prof.)

“... Sabit Idrizi është një poet autentik në letërsinë shqiptare, që ka krijuar individualitet dhe mënyrë të veçantë të shprehjes...” (Dr. Agim Vinca)

“... Poeti Sabit Idrizi ka depërtuar mjaft thellë në psikologjinë e njeriut tonë të shqetësuar, në aspiratat shekullore, duke çmistifikuar rrethanat që dikur ishin të pazbërthyeshme, që të mos thuhet të paarritshme...” (Dr. Shyqri Galica)

“... Poezia e Sabit Idrizit karakterizohet, para së gjithash, nga shqiptimi i mendimit të thellë, figurat, shprehjet e lidhura dhe koncepti refleksiv...” (Dr. Shyqri Galica)

“... Sabit Idrizi është një poet i veçantë, me një vokacion të vetin poetik tërësisht origjinal...” (Ejup Ceraja, prof.)

“... Poezia e Sabit Idrizit ka mjaft antiteza të qëlluara me tonalitete të reja poetike, ku dëshmohet pjekuria e tij krijuese dhe ku shprehen të gjitha veçoritë e poezisë autentike, pikënisjet dhe venerimet e marrëdhënieve të tij ndaj jetës, ndaj vendlindjes dhe ndaj kohës e pakohës në përgjithësi...” (Vezir Ukaj)

“... Poezia e Sabit Idrizit është e një niveli të lakmueshëm ideoartistik...” (Mexhid Mehmeti)

“... Një lirizëm i veçantë, tërheqës, që mund ta krijojnë vetëm poetët e talentuar...” (Dr. Shyqri Galica)


MEDITIM BRI LUMIT IBËR

Diçka e madhe duhet të ndodhë
Që më në fund edhe këto brigje të pikëlluara
Ta mësojnë gjuhën e rrjedhës

Këtu ku cicërimat kaherë e kanë harruar ankorimin
Diçka e bukur duhet të ndodhë
Që ta ledhatojë përjetësisht bregu-bregun



NDALEM E MENDOJ

Sa herë që më humbin diku
Çastet e ditës, që më takojnë
Ndalem e mendoj
A më mirë t’më kulloj gjak ëndrra
E të prishet
A t’më bart deri në fund të mashtrimit
E t’m’i akulloj sytë


FJALA

E para
(Thuhet diku në librat e shenjtë)
Ishte fjala
Një fjalë që u tha nga dashuria
Dhe u krijua gjithçka

Tash
(Ne, pjella e saj)
Herë si melhem për varrë
Herë si shigjetë helmuese
E përdorim



JASHTË LOJËS

Lojën kopukçe
(Që aktualisht është shumë në modë)
Lëre që nuk po e di
Por as nuk dua ta mësoj as ta luaj kurrë
Ligjërishtja, njëherë për njëherë, nuk po luhet
Më ka mbetur vetëm loja e njerëzishtes
Për të cilën po thonë se i ka kaluar koha
Dhe se rrallëkund ndonjë lojtar fanatik
(Që ka mbetur jashtë rrjedhave të zhvillimit)
Ia ka mbajtur mend ndonjë rregull bajate





NDAL

Ç’kërkon tutje grykësia ime mjerane
Nuk të mjafton kjo buzëqeshje prej nimfe
Që ta fali sot ky mëngjes i azdisur

Këtë ecje përdredhake prej zane
Nuk të mjafton që ta mbjellësh diku
Në kopshtin e harruar të kujtimeve përvëluese

Je mësuar t’u shkosh deri në fund
E t’ua prekësh lymin e kotësisë
Ëndrrave që marrin erë...


KAFEJA E MËNGJESIT

A do të ulet një ditë ndokush pranë kësaj tavoline
Kështu bashkë me freskun e natjes
Për ta pirë kafenë e mëngjesit

Miqtë e tij të mirë a do t’i presë edhe ai
Si unë tash Ismailin, Ganiun, Xhelalin...

Këto rrugë të zigzagëta
Që përditë po ma bartin dikah qytetin tim të përgjumur
A do të shpien përherë kah ky Shesh i Dashurisë



NË SHESHIN E DASHURISË

Këtu
Në këtë shesh
Ku për çdo ditë pune e pi kafenë e mëngjesit
Vihet përnjëherë me rrezet e para të diellit

Po erdhe më vonë
Kujtimet do t’i kesh përherë më të varfra
Për një puthje drite

Këtu vihet për ta mbushur dashuri ditën
E për ta mbytur ankthin e natës që shkoi



TRI KOHË

Duke u përpjekur vazhdimisht
Që të nesërmet t’i bëjmë të sotme të lumtura
Ne pavetëdijshëm jetojmë në kohën e tjetërkujt

Prandaj
Të sotmet tona na vdesin ndër duar
Dhe na bëhen të djeshme të humbura


IKU NËNA

Më ike
Shtrojera ime prej rrudhash

Tash
Kur të përhënen dallgët e moteve
Kur të dalldisen erërat
Kujt t’i thërras

Ku t’i njom buzët
Kur t’më thahet goja
E t’më shkrumboj malli
Për këtë emër

Sot
Për herë të fundit po ta puth këtë hartë vuajtjesh
Vizatuar kaq dhembshëm mbi ballin tënd të akullt


SA PAK VETVETE PASKA

(Shkruar më 16 shtator 2010, me rastin e 55-vjetorit të lindjes sime)

Hiç nuk e di
A m’i morët dhunshëm
A vetë ua fala kahet e rrugëve të mia

Këtu ku më sollën këto zigzage të tërthorta
Sa shumë mjegull në ëndrra
Sa pak vetvete paska

Ju të pakthyeshmet
Ju të papërgjegjshmet e mia
Që...
Ju bekoftë Perëndia



LE TË HARLISEN RRUFETË

E mori etja ujin
E më piu

E griu uria bukën
E më hëngri

E dogji malli tokën
E më përpiu

Tash
Në livadhin e pakositur të ëndrrave të mia
Le të kullosin e le të harlisen rrufetë...


ERË MOSHE

Po m’i vjen era vjeshtë moshës
Ka kohë që kam filluar të shoh e të dëgjoj diqysh si verdhë
Si verdhë të bie e si verdhë të zgjohem
Në shtratin e brymtë të ëndrrave të mia

Kur të fillojë të m’i vijë era dimër
Athua do të shoh e do të dëgjoj vetëm bardhë
Bardhë të bie e bardhë të zgjohem
Në krahët e hapur për fluturim...


FËMIJA

I kishin treguar shumë përralla me mbret
Por kishte dëgjuar edhe për poetë

Kur i dëgjoi të thoshin:
“Fëmija është më i madh se mbreti”
Vari buzën e pyeti:
“E kur do të bëhem sa poeti?”


NËSE MË KËRKONI NDONJËHERË

Nëse më kërkoni ndonjëherë në kopshtin e pikëllimit
Kurrë s’do të më gjeni diku tjetër
Pos në fidanët e mbëltuar të buzëqeshjes

Aty ku merr n’thua një epokë paudhësie
Do të më gjeni të ngjizur në do ngjyra të ylberta
Duke projektuar një rilindje të bardhë


DYERT E HAPURA

Të gjithë e dimë
Se në dyert e hapura nuk trokitet

Ajo që kurrë nuk e mësuam me tamam është
Se në cilën kështjellë duhet të futemi
Prej cilit fron ta sundojmë vetveten e pushtuar


POLITIKANËT

Ata i bëjnë të zezat e dynjasë
Mua shkon e m’krijohet njëfarë ndjenje e fajësisë

Për turpet e tyre të përditshme
Shkoj e skuqem si spec

Po më dhimbsesh ti atdhe
Se le të shkojnë në dreq...


S’DI KU

As krejt e fikur
As shumë e përflaktë
Më vjen dikah një rreze

Natë është
E unë s’di ku ta mbjell këtë fidan drite
Që t’mos m’i humbë fara diellit



NE DHE FËMIJËT TANË

Me sytë tanë të shterur në përtejkohë
Ua gdhendim përmasat e ëndrrave të tyre
Dhe ua vëmë përpara si lodra

Kurse ata
Të shqetësuar për përmasat e kohëve të veta
Duke na i lodruar lodrat tona
Na shpërfillin deri në harrim


YLLI IM

Kurrë s’do ta harroj të kaluarën e popullit që i takoj
Do t’i çmoj përherë ngjarjet e mëdha historike
Heronjtë, dëshmorët, martirët...
Por asnjëherë aq shumë
Sa t’më verboj drita e madhështisë së tyre
E t’mos e shoh më asnjë rreze amshimi
Të yllit tim...


VITI 2010

Këtë vit e shpalla vit të vendimeve të mia të mëdha:
Pas pesëdhjetë e pesë motmotesh të zorshme
Vendosa të shkoj tutje
Ta dua jetën e të shkruaj poezi
T’i përfundoj dashurisht rrugët e nisura
E t’mos çmendem nga këto paudhësi


IKU EDHE KY VIT

(Shkruar më 31 dhjetor 2010)

E mbyllëm sot edhe kopertinën e fundit të këtij viti
Ashtu siç mbyllet potershëm një qeli burgu
Me krisma armësh e drita fishekzjarrësh
I vramë e i ringjallëm përnjëherë
Krejt çmenduritë e ëndrrave tona të pabesa
Që kanë dalë e po na presin
Në bregun tjetër të harrimit
Për t’na i mashtruar sërish
Kahet e rrugëve të pakthim


DITËN E SHËNGJERGJIT

Ende pa u ndarë mirë nata me ditën
Vinte nëna e na zgjonte nga gjumi

Ashtu përvidhshëm nëpër terrdritën e muzgut
I suleshim ftoit tek bunari

E rrethonim hajnisht si cubat
Dhe seç varnim diçka nëpër degët e tij

Pastaj ktheheshim ashtu përgjumshëm
Për ta deshifruar recetën e shëndetit të vjedhur

Seç vinin shpesh dikah do stinë të thata
E t’ia shkrumbonin nënës besëtytnitë deri në një



BASHKUDHËTARJA IME

(Gruas sime Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)

Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua

Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Po vetë kulmi i vjeshtës

Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura

Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit...

Ne do të shkojmë prapë tek doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu

Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku...

Mitrovicë, mars 2011


KËMBIMI

Me një kavanoz zorrë në dorë
Trup i bie Prishtinës
Më prinë përpara shpresa
Hallet m’rëndojnë shpinës

Diku te “Bill Klintoni”, më thonë
Është laboratori “Shpresa”
Aty ku dritëson dielli
Aty ku veson vesa

Kërkoj dhe e gjej “Shpresën”
Hallet m’rrinë karshi
E jap një grusht lekë
Marr një kumt të zi

Prishtinë, maj 2011



KËRKOJ FALJE

(Gruas sime Hajries, në dymujorin e vdekjes)

A të kujtohen ato ilaçet që t’i përmendja përditë
(Aty tek shtrati i dergjës)
E që po vononin të na vinin
Nuk kanë qenë ilaçe
Kanë qenë përpëlitjet e mia të fundit
Përpara se t’ia dorëzoja qiellit
Flakën e shkrumbimit tim

Mitrovicë, më 1 shtator 2011



SINJALE TË MJEGULLTA

Unë të flisja për arritjet e mëdha në Shkencat e Mjekësisë
Ti e haje shtatin nga dhembjet e padurueshme

E diku nga pellgu i thellë i verdhësisë sate
M’i dërgoje do sinjale të mjegullta
Që t’i deshifroja prometheisht

Ç’po ndodh kështu me këtë shekull të ri
Që po sqepton kaq pamëshirshëm
E s’po ngopet mëlçi


BUZËQESHJE E VYSHKUR

Më së shumti më dhimbseshe
Kur shtërzoje me krejt fuqinë e shpirtit
Për ta pjellë një buzëqeshje të vyshkur



FALJE-MARRJE

Kur hoqën dorë të gjithë mjekët
(Kemi arritur shumë në Shkencat e Mjekësisë, s’ka fjalë!)
Ajo m’u dorëzua mua
Dhe Krijuesit të Madhërishëm
Unë për vete
(Me pafuqinë time prej vdekatari)
S’lashë ilaç pa trilluar
S’lashë guri pa rrotulluar
Që t’ia falja bile do pritje
Kurse ai...
Krijuesi i Madhërishëm
(Që s’ka çka s’ka)
Pse ia mori të gjitha përnjëherë nuk e di


DORËZOHEM

Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk
Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi
E shihi si vdesin nga dash (uria)

Të lutem shumë atdhe
M’u hëngër mëlçia
Nuk jam më Promethe...



BISEDA E FUNDIT ME TË

Kësmet
Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)
Do t’ia nisim shtëpisë

Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re

Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)
Do të punësohet bile njëri djalë

Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri

Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)
Do t’i marrim dy nuse të mira

Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin

Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)
Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës...

Po (ia ktheva) do të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)

Kur u ktheva sërish në dhomë
Ajo tashmë ishe nisur pakthyeshëm
Dhe po fluturonte drejt yllit të vet

Në dy pika loti të kristaltë
Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura
Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...



ÇUDI

A malli si prush
A pse po ndjehem tjetërkush


Ç’TË BËJ ME TO

T’u lëshoj fre ëndrrave
A t’i vë nën dry
N’ç’themele t’i ndërtoj të shkretat
Tash pa ty


KUSHT

Po ma gjetët një epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët
Do t’jua jap sytë e tyre që të shihni në përtejkohë

Po ma gjetët një të tillë që s’u mundua t’i vrasë ata
Do t’jua jap jetët e tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash
Që edhe ju ta merrni guximin
E t’ia tregoni bërrylin vdekjes



VETËFLIJIM

Kur mushkëritë e tokës nisin të çahen nga etja
Unë ik nga vetvetja e shkoj e bëhem reshje

Shkoj e bëhem diell
Kur asaj i mërdhijnë kujtimet

Paçka se më akuzojnë për përmbytje
Paçka se më akuzojnë për përcëllim



Ç’NGJYRË DO TË MARRË DETI

(Hajries)

Mes dy pëllëmbëve të mia që digjen
Shtrëngoj duart tua prej akulli
Dhe pyes veten
Athua
Ç’ngjyrë do të marrë deti
Pas perëndimit të këtij shikimi të mugët
Që po ma shpon ballin...



DIÇKA SI REVOLTË

Unë kënaqem me pak
Nuk kërkoj shumë prej kësaj jete

Por kjo “pak” nuk do të thotë edhe krejt “hiç”
Toka e lëshoftë

Lirojeni pak dorën pronarë të Atdheut
He nënën ia lofsha edhe kësaj pune


S’ËSHTË SE...

Po iu thá zogut dega e cicërimës
S’është se s’çel pranvera
Po pylli s’ka ku t’i derdhë ngjyrat
Për ta pikturuar mëngjesin e një kënge

Po iu lëndua shpirti njeriut
S’është se përmbyset bota
Po deti s’ka ku t’i marrë thellësitë
Për ta prekur fundin e dhimbjes së një plage


VETËM TY

Në kopshtin e koduar të ëndrrave të mia
Vetëm ty t’i lash dyert
Krah e krah

More çka more
Le çka le
Dhe ike për t’m’i përvëluar kujtimet



GRYKËSI APO LUFTË PËR EKZISTENCË

Edhe asokohe në robëri
(Sado që fëmijët e mi i mashtroja ndryshe)
E kam pas ditur mirë
Se thellësia e këtij deti
Me dallgë është arnuar
Po pse vjen një kohë e lipset
Për ta mësuar kaq mbrapshtë zanatin e notit
Me ma pa heq kryet nuk kisha besuar




KUR HUMBET GUXIMI

Krejt puna mbetet pastaj
Ku me i gjet mushkëritë
E me i fry kungullit në gardh
E me i fry kosit

Ku me e gjet diku një planet prej bryme
E me ia falë veten
Krejt torzo


FLUTUROI TE LUMI

(Ali Podrimjes)

I gjeti diku do krahë të bardhë pëllumbi
Ia shoi etjen mallit që e përvëlonte
Dhe fluturoi te Lumi


ËNDRRAT PËR PUSHTIMIN E MAJAVE

Vetëm ëndrrat për pushtimin e majave
Kanë krahë prej dylli
Plot të tjera bien e vdesin përditë
Po kurrë nuk përplasen kaq dhimbshëm
Mbi kaptellin e djepit të tyre


SA LARG

Sa larg
O Zot sa larg
Nga adresa e të sotmes
Nga adresa e të nesërmes sime
Këta miq të djeshëm prej shkume
Që po ma hanë kaq bulçisht
Të ardhmen e fëmijëve


NJË KËSHILLË FËMIJËVE TË MI

Me sa po e shoh unë
Deshët apo nuk deshët
Ju duhet të mësoheni të jetoni me faktin
Se ekziston diku një “pararojë” e Atdheut
Që vazhdimisht duhet të ushqehet
Me ardhmërinë tuaj të humbur



MEDITIM BRI LUMIT IBËR

Diçka e madhe duhet të ndodhë
Që më në fund edhe këto brigje të pikëlluara
Ta mësojnë gjuhën e rrjedhës

Këtu ku cicërimat kaherë e kanë harruar ankorimin
Diçka e bukur duhet të ndodhë
Që ta ledhatojë përjetësisht bregu-bregun



EDHE SA FLUTURA DUHET TË DIGJEN

Edhe sa flutura duhet të digjen
Që ky qiri i ndezur ta kuptojë gjuhën e flakëve

Që ta kuptojë aktin e vetëflijimit për madhështinë e tij të rreme
Edhe sa flutura duhet të digjen



GRYKËSI

Sa shumë farë e sa pak tokë paska mbetur, tha
Dhe në vend se farën në tokë
E mbolli tokën në farë
Ajo mbiu e u rrit e u rrit e u rrit
Sa i mjaftoi për... një varr


POETËT DASHUROHEN NATËN

(Poetët, si kalorësit e arratisur, po s’e patën, duhet ta trillojnë një dashnore)

Nga palca e territ i nxjerrin
Dashnoret e veta të krisura

As si gra të pabesa
As si zana që shitojnë

Nuse të epshta
Që veç sa s’pëlcasin
U duken

I shtrijnë në shtretërit e tyre të pagjumësisë
Dhe deri në agim
I shterin me të puthura


KA DIELL PËR TË GJITHË

(Shkruar më 17 shkurt 2008)

Asgjë e jashtëzakonshme, biri im
Dielli lindi

Në gjoksin tënd të njomë
Në ballin tënd të hapur
Po dritëson

Merre hisen tënde të qiellit
E qëndisi shekujt e dashurisë
Me rreze

E as mos ia lë
E as mos ia merr kujt kurrë


SOT

(17 shkurt 2008)

E ngjeva penën në buzëqeshjet e vonuara të fëmijëve
Dhe e shkrova vargun më të bukur për dritën

I përzjeva ngjyrat e të gjitha puthjeve të zjarrta
Dhe e pikturova ylberisht dashurinë më të virgjër

I vesova lotët e të gjitha nënave zemërplasura
Dhe e kompozova himnin më të dhembshëm për diellin

E mpreha daltën e ndryshktë në kujtimet përvëluese për të rënët
Dhe e latova shtatoren më të lartë të krenarisë

I mblodha të gjitha ëndrrat e plagosura
Dhe e qëndisa kurorën e amshuar të lirisë

I SHKAPËRDERDHUR

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes

Ku t’i zë fijet e mendimeve
Cilit kujtim t’i vardisem më parë

A t’ia nisi e ta dashuroj marrëzisht
Këtë grua “mollë” të (Mes) jetës sime
A t’i kthehem sërish flokëverdhës së dikurshme të buzëlumit

Në barkun e kalit antik a ta vras gjarprin
E të vdes ëmbël për këtë qytet
A t’i hap portat e përbirimit
E të jetoj përdhunshëm përtej dashurisë

Shpesh e më shpesh më ndodh
Të zgjohem krejtësisht i shkapërderdhur
Brenda vetvetes


DRUAJTJE E PAKUPTIMTË

Të gjithë mbështetemi në dashuri
E dashurisë i druhemi
Si gjarprit

Pse kaq pamëshirshëm e ndrydhim në vete
Këtë zjarr
Këtë dalldi kaq të fisme

Mos vallë kemi filluar të vdesim përbrenda
Si guacat
E nuk po e shohim



SHALJANËT E MI

Dikur
Me strajcat e tyre të dhirta
Përditë zhdirgjnin ngapak bjeshkë
Në qytetin tim të verdhosur

Dhe kur i shteronin ato pak ëndrra të brishta
E fusnin sërish në kraharor nga një grusht kollë të thatë
Dhe u syheshin lartësive

Tash
Me bagazhet e tyre të hekurta
Përditë bartin e bartin diçka
E s’di kush se pse
E s’di kush se kah...


METEORËT

Shikoni sa teatralisht bëjnë vetëvrasje
Sa etshëm digjen shqim
Këta narcisë të vdekshëm

Në bukurinë mahnitëse të rënies
Sa tmerrshëm e kafshojnë vetveten
Nga kënaqësia e çastit

Në zhdukje
Përherë në zhdukje
Kjo botë yjesh të rremë
Që bien


LULJA ADAM

Kjo lule
Nuk mund të jetë Adam
Po s’e polli nga brinjët e veta
Një grua

Një mëkat
Po s’e polli një mëkat
Nuk mund të ekzistojë më
Kjo botë prej vazoje


ENIGMATIKE

O ende e palindur
O kaherë e perënduar
Fshihet diku koha ime

Unë nuk shkoj derisa të mos vijë
Ajo nuk vjen derisa të mos shkoj
Dhe...
Hajt tash qëlloja
A veja
A pula


KUNDËRSHTUESE

E projektoj një epokë që s’është vetëm e imja
Ma shëmtojnë me djallëzi që është vetëm e tyre

E kush më mirë se poeti di t’i projektojë
E kush më keq se demoni di t’i shëmtojë
Do kohë të ëndërrta që s’po lindin


JAM

Jam plot e përplot Dashuri
Plot e përplot Atdhe
Dhembje e pambarim jam krejt


DËSHIRA E FUNDIT

Ma bëni një varr prej gjoksit tim të shtrydhur
Që t’i përngjajë ëndrrës sime të ndrydhur

Më lani me qumështin e gruas së murosur
Që të bëhem tokë kurrë më e përdhosur

Më mbuloni me pak dhé të dashurisë
Që kujtimi për mua t’i ngjajë ardhmërisë

Dhe më lini të qetë në vetminë time të madhe
Që ta projektoj ringjalljen për një botë pa halle


NË QYTETIN TIM PREJ TELAVE

Për shëndet të paqes
Prapë më duhet ta mësoj gjuhën e çizmeve
E t’i harroj belbëzimet e mia shqip

Se këtu janë miqtë tanë me tanke
Dhe kompjuterët e tyre që urojnë anglisht
Zhveshjen time prej ndjenjash

Matanë Ibrit i kemi varret
I kemi shtëpitë tona të djegura
Anemik më del belbëzimi
Derisa e pi me fund
Edhe një ditë të gjembosur
Të qytetit tim të ndarë
Me tela paqësorë


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...