2013-03-11

Ministria përzgjedh vetë projektet kulturore


Kur i kishte pritur në takim përfaqësuesit e Forumit Kulturor, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kishte folur për mundësinë që fondi për përkrahje të projekteve kulturore të menaxhohet në mënyrë të pavarur. Në maj të vitit të kaluar, në zyrën e tij, kishin shkuar përfaqësues nga rrjeti i 22 organizatave që përfaqësojnë komunitetin artistik. Atyre, ministri Krasniqi u kishte thënë se një praktikë e tillë bëhet në plot vende të botës dhe se është e dobishme që të bëhet një debat në komunitet, e që edhe Kosova të aplikojë këtë model.

Por kur konkursi për subvencionimin e projekteve të kulturës është mbyllur, mjetet do të ndahen në avazin e vjetër. Madje as kriteret nuk kanë ndryshuar. I vetmi ndryshim është shifra e cila këtë vit është për 120 mijë euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar.

Fiks 729 mijë e 351 euro është buxheti për subvencionim të projekteve kulturore për këtë vit, për dallim prej rreth 610 mijë eurove që për këtë punë ka pasur në dispozicion vitin e kaluar. Konkursi është mbyllur më 10 janar, e tani në Departamentin e Kulturës është duke u bërë procesi i verifikimit dhe vlerësimit të tyre. Shkëlzen Dragaj ka treguar se kriteret për ndarjen e tyre kanë mbetur të njëjta.

“Vlerat e mirëfillta krijuese, promovuese, kreative dhe inovative janë elementet bazë të kritereve. Procedura është e njëjtë sikur vitet më parë, janë grupe brenda Departamentit të Kulturës që bëjnë vlerësimin dhe në të cilën grup ka ekspertë për secilën fushë pothuajse”, ka thënë Dragaj.

Por vetë ministri Krasniqi, pas propozimit edhe të Forumit Kulturor, ishte shprehur i gatshëm të ndryshojë këtë politikë.

“Është e dobishme që mbi këtë të zhvillohet një debat në komunitet dhe që ndoshta edhe Kosova ta aplikojë këtë model, në mënyrë që mbështetja, që deri tash bëhet nga MKRS, të bëhet nga një trupë profesionale dhe që i takon pikërisht komunitetit”, pati thënë ministri Krasniqi, më 7 maj të 2012-s. Atëherë kishte premtuar edhe se Forumi Kulturor do të jetë gjithnjë pjesë e angazhimeve që do të merren në të ardhmen për të përmirësuar jetën kulturore në vend, në funksion të krijimit të vlerave.

Por për shtatë muajt e ardhshëm gjendja nuk ka mundur të ndryshohet. Shkëlzen Dragaj ka thënë se për këtë duhet të krijohet edhe një bazë ligjore. E prej majit thotë se brenda MKRS-së është duke diskutuar e hulumtuar për ide. Fajëson komunitetin artistik se nuk ka bashkëpunuar.

“E vërteta është se nuk mund të presim edhe aq profesionalizëm për disa njerëz aty, thënë sinqerisht”, ka thënë Dragaj. Ai ka kujtuar se në takim me Forumin, ministri ka folur për një ide që të bëhet një Këshill që përbëhet nga degë të veçanta për kinematografi, për arte pamore dhe për teatër, të cilat vlerësojnë projektet në fushën e tyre.

“Këtë ide e ka thënë ministri edhe në takim, dhe ka mbetur që ata të vijnë me ide dhe iniciativa të reja. Prej tyre nuk kemi pasur më asgjë,”, ka thënë Dragaj.

Por Hajrulla Çeku, drejtor i organizatës “Ec ma ndryshe”, nuk pajtohet me këtë. Ai thotë se kanë dërguar në MKRS ide se si duhet bërë kjo punë.

“Bashkë me Forumin Kulturor e kemi ngritur si çështje. Problemi nuk është te shuma e atij fondi, por te mënyra e menaxhimit dhe e shpërndarjes. Në formën aktuale Ministria ka një strategji që për ne është joefektive, e ajo është që buxheti t’i ndahet secilit nga pak. Është njëfarë logjike që përcillet tash sa vjet, te çdo ministër i kulturës, që secilit t’i jepen nga një mijë – dy mijë euro, me idenë që të kënaqen të gjithë nga pak, dhe në fund po del që janë përkrahur 100 organizata”, ka thënë Çeku “Por kultura nuk funksionon me logjikën masive, ajo ka të bëjë me kulturë dhe vlerë, prandaj së pari aty duhet të vlejë kriteri i meritokracisë”, ka shtuar ai. Ai ka treguar rekomandimin e Forumit. “Rekomandimi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë decentralizimi i këtij fondi, të gjendet forma kur vetë sektori i kulturës së pavarur bëhet pjesë e vlerësimit të projekteve, natyrisht me mbikëqyrje të Ministrisë, meqë bëhet fjalë për fonde publike”, ka thënë Çeku.

Kur ka folur për rritjen prej 120 mijë eurosh, Çeku ka thënë se nëse ato do të ndahen me logjikën e njëjtë, veç sa do të rritet sasia, por jo cilësia e kulturës.

I të njëjtit mendim është edhe dramaturgu Arian Krasniqi. Sipas tij, është mirë që ekziston konkursi për subvencionimin e projekteve të kulturës, por është e domosdoshme që ai konkurs të ketë disa kritere. Sipas tij, edhe kjo rritje është simbolike, dhe nuk do të ketë kurrfarë efekti.

“Duhet të ndalet ajo mënyrë banale e përkrahjes së projekteve me nga 500 euro, e të rritet numri i organizatave që përkrahen vetëm sa për të thënë se po përkrahen shumë projekte”, ka thënë Krasniqi. “Kjo është thjesht maskë”.

Problem tjetër, sipas Krasniqit, është fakti se në kuadër të këtij konkursi obligohen që formalisht të konkurrojnë edhe festivale që tashmë janë tradicionale.

Sidoqoftë, MKRS-ja pret që brenda këtij muaji ose fillimit të muajit të ardhshëm do të dihet lista e projekteve që janë mbështetur....

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...