Zymer Neziri, «Këngë të kreshnikëve», Shtëpia botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2010 (ribotim), 272 f.
Shkruan: Begzad Baliu
Ndonëse poezia epike gojore është njëra prej gjinive më të moçme dhe më të pasura të letërsisë gojore shqiptare në përgjithësi, lloji epik i këngëve të kreshnikëve nuk mund të thuhet se ka pasur pasqyrim të dendur në studimet shqiptare. Kjo mund të thuhet për shumë arsye. Në kulturën shqiptare kënga kreshnike paraqet njërën prej shtresave të rëndësishme etnokulturore të popullit shqiptar. Këtij fondi të pasur, i cili vazhdon të pasurohet edhe më tej, falë gjallërisë së tij të mëtejshme në shumë zona, të Shqipërisë dhe Kosovës veriperëndimore, ende nuk i është dhënë vendi i merituar në studimet tona, ndryshe nga përkushtimi që kanë për epikën e tyre gjermanët, francezët, finlandezët dhe më në fund sllavët, pavarësisht prej dyshimit që kanë këta të fundit për shtratin e epikës së tyre. Njëri prej fondeve tona, i njohur si «Visaret e kombit» të këngëve kreshnike ndërmjet dy luftërave botërore, i cili bashkëjeton edhe më tej brenda një fondi të madh, sikur thuhet, të epikës sllave në Universitetin e Harvardit, vetëm vitin e fundit është vlerësuar me një hulumtim fillestar të autorit të këtij libri që po e paraqesim, i cili kohë më parë ka bërë edhe pasqyrën e plotë të epikës shqiptare brenda të këtij fondi, shpesh të përfolur deri në shkallë të letërsisë artistike. Fondi tjetër i gjysmës së parë të shekullit XX, i njohur si “Visaret e Kombit” ende nuk ka përjetuar një ribotim të plotë, ndërsa fondet e mëdha të mbledhura në gjysmën e dytë të shekullit XX (Fondi i epikës, i mbledhur nga brezi i Zihni Sakos; Fondi i epikës, i mbledhur dhe i studiuar nga Qemal Haxhihasani; si dhe Fondi i epikës, i mbledhur dhe i studiuar nga Zymer Neziri) ende nuk e kanë parë dritën as për së afërmi. Ndonëse e sulmuar, e vënë në dyshim dhe madje e përvetësuar nga shkenca sllave, epika shqiptare ende nuk është bërë objekt shterues i një monografie të plotë vendëse, pavarësisht se një numër studimesh të botuara sidomos në serinë Çështje të folklorit shqiptar (në shtatë vëllime) kanë bërë shumë sprova për të dhënë përgjigje për fenomene dhe dukuri të rëndësishme të kësaj gjinie, si në plan të brendshëm ashtu edhe në aspektin krahasimtar etj. Shkruan: Begzad Baliu
Përtej gjithë kësaj, për epikën legjendare të ciklit të kreshnikëve, më shumë se 100 vjet pas fillimit të botimit(fragment) të saj nga themeluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majeri(1897) dhe pak më pak se njëqind vjet pas botimit të saj nga një shqiptar – Gaspër Jakova –Merturi (1904), ende nuk kishim një antologji, e cila në përmasa më të gjera apo më të rrudhura do të jepte një pasqyrë të plotë të zhvillimit historik të saj, të shtrirjes së saj gjeografike në trojet etnike shqiptare, të gjurmimit, të vjeljes dhe të studimit të saj, të pasurisë gjuhësore (leksikore, onomastike, gramatikore etj.) të pasurisë letrare artistike, të trashëgimisë etnografike e historike etj.
Në Shqipëri, pavarësisht prej disa blejve të botuar pjesërisht edhe me lëndë epike, kjo nuk bëhej, sigurisht për shkak se ende nuk ishte arritur të kryhej projekti i madh i botimit të letërsisë popullore shqiptare (prej epikës e deri tek lojërat për fëmijë). Në Kosovë, ndërkaq, ndonëse e pandaluar me vendime të veçanta shtetërore, kjo gjini letrare nga institucionet shtetërore shikohej me dyshim dhe vlerësohej si lëndë e rrezikshme për shumë shkaqe kulturore, historike dhe sidomos politike, prandaj këngëtarët, hulumtuesit, mbledhësit dhe sidomos studiuesit e saj, mund të kishin pasoja nga administrata shtetërore. Më në fund, këto pasoja i ka bartur edhe autori i këtij vëllimi, i një vëllimi nga Epika legjendare e Rugovës (V) dhe i një numri të konsiderueshëm studimesh për epikën legjendare e historike dhe për etnografinë e zonave që ishin dhe janë bartëse të kësaj gjinie letrare, me përkushtim të veçantë krahinën e Rugovës.
Vetëm në vitin 1999, njërit prej epikologëve më të përkushtuar në studimet shqiptare, dr. Zymer Nezirit (bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës), i shkoi për dorë të përgatisë një antologji të këngës kreshnike, e cila e plotësuar u ribotua edhe njëherë më 2001. Zgjedhja e autorit për përgatitjen e kësaj antologjie do të mund të lavdërohej jo vetëm për përgatitjen profesionale të tij, por edhe për përkushtimin material e shpirtëror të tij ndaj lëndës. Nuk ka dyshim se autori i saj është ndër njohësit e mirë të botës materiale dhe shpirtërore të bartësve të epikës shqiptare, prej gjirit të së cilës rrjedh edhe vetë.
Ndonëse është një antologji e përgatitur për nevoja të gjimnazistëve, ajo në një masë të mirë sjell dhe ndriçon disa nga elementet historike, gjeografike, letrare artistike dhe gjuhësore të këngëve kreshnike.
Antologjinë e përbëjnë tri tërësi: parathënia e autorit, një hyrje, e shkruar nga Zihni Sako dhe Qemal Haxhihasani, pjesa qendrore e antologjisë, ku janë botuar tridhjetë këngë dhe një antologji e zgjedhur mendimesh të studiuesve dhe njohësve të shquar të kësaj fushe. Ajo hapet me një parathënie të autorit, në të cilën shënon jo vetëm konceptet, parimet dhe modelin, që i ka shërbyer për përgatitjen e kësaj antologjie, por sikur ka sjellë edhe një sintezë të përgjithshme të dijes së sotme për përbërësit e epikës legjendare në përgjithësi.
Prej parathënies së kësaj antologjie të parë të këngës kreshnike kuptojmë jo vetëm parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar ajo, por edhe për ndikimin e përbërësve historikë, gjeografikë e artistikë të këngës kreshnike në modelin e ndërtimit të saj. Ndryshe, nuk ka se si të shpjegohet fakti se antologjia është ndërtuar nga tridhjetë këngët më të bukura nga rreth gjysmë milioni vargjesh sa besohet se janë mbledhur nga ky lloj i epikës. Ndonëse është bërë një përpjekje serioze dhe e përkushtuar, e dhëna se nga epika shqiptare janë të vjela rreth gjysmë milioni vargjesh, na jep të kuptojmë se para autorit të saj shtrohet kërkesa e përgatitjes së një antologjie më të gjerë, e kjo dmth. më të plotë, për përfshirjen e vlerave më të veçanta të kësaj gjinie në letërsinë tonë. Sikur thekson edhe autori, në përgatitjen e antologjisë është nisur nga parimi i vazhdimësisë historike dhe asaj të shtrirjes gjeografike. Është e kuptueshme prandaj pse në këtë antologji gjenden tridhjetë këngë, të mbledhura apo të botuara nga viti 1897 e deri në vitin 1997 nga: Donat Kurti, Barnardin Palaj, Rrustem Berisha, Qemal Haxhihasani, Anton Çetta, Zymer Neziri, Nimon Alimusaj, Ismail Doda, Adem Boroci, Jahir Ahmeti, Halil Mujaj, Tefik Buzoku, Shazim Adili e Fazli Hajrizi; dhe nga albanologë të huajë, si: Gustav Majeri e Maksimilian Lamberci; dhe është po kaq e kuptueshme pse brenda kësaj antologjie kanë gjetur vend tridhjetë këngë të tridhjetë krahinave e krahinëzave të ndryshme, ku historikisht është kënduar dhe këndohet kënga kreshnike: Nikaj, Shalë, Rugovë, Mërtur, Llapushë, Grudë, Llap, Krajë, Pukë, Tropojë, Shosh, Kelmend, Kastrat, Dibër, Gallap, Kërçovë, Drenicë, Bregu i Matës etj., ndërsa në këngë këndohen tridhjetë kreshnikë: Muja, Sokole Halili, Gjergj Elez Alia, Musa Qesexhi, Mehmet Bajraktari, Ali Bajraktari, Arapi i Zi, Arnaut Osmani, Bardhja e Bardhë, Bani Zadrilia, Tale Budalina, Çika e Kreshte Kapidanit, Dezdar Osman Aga, Dylberja e Bardhë, Fatimja, Gjure Kapedani, Kraleviq Marku, Milloshi i Grebenit, Motra e Gjergj Elez Alisë, Pasha i Vidimit, Zana Zullumçare etj., dhe një varg heronjsh legjendarë, si të krahinave ku këndohen ato këngë ashtu edhe të krahinave fqinje apo edhe të vendeve e të etnive të largëta, nga tridhjetë këngëtarë, përkatësisht lahutarë të dy shekujve të fundit XIX-XX: Mhill Prêka, Shaban Groshi, Haxhi Meta-Nilaj, Sefë Gashi, Zef Tisha, Hysen Alimusaj, Riza Bllaca, Mirash Gjoni, Sokol Avdiaj-Bruçaj, Sadik Mehmeti, Lan Nure Bardhi, Gjon Pali, Osman Arifi, Rexhep Ukshini, Mirash Ndou, Tomë Sokoli, Dedë Nikollë Loshi, Palok Ujka, Cenë Jahë Latifi, Ejup Gërbeshi, Merteza Bajrami, Halim Dauti, Ndue Lulashi, Nezir Keqa dhe katër anonimë.
Sikur mund të shihet, nga fjala hyrëse e autorit dhe nga këngët e zgjedhura për antologji, në zgjedhjen e tyre autori është nisur edhe nga përbërësit më antologjikë të këtyre këngëve. Fala është për motivet kryesore të tyre, sikur janë: “fuqia fizike e kreshnikut dhe zanave, martesat dhe pengesat, mbrojtja e nderit të familjes, mbrojtja e nderit të krahinës etj.”(5) Përtej një modeli thjesht historiko-letrar, që gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka qenë i zakonshëm në përpilimin e antologjive letrare, autori ka shtuar edhe elemente të strukturës së brendshme të vetë këngëve, prandaj edhe antologjia si e tillë del mjaft origjinale.
Ndonëse i shkruar shumë vjet më parë dhe për nevoja të tjera, studimi i Zihni Sakos dhe Qemal Haxhihasanit, i botuar këtu si hyrje del me shumë interes dhe plotëson në shumë aspekte parathënien e autorit të antologjisë. Ky teksti, i dy prej epikologëve tanë të mëdhenj të të gjitha kohëve, është botuar mbase jo vetëm për shkak të respektit ndaj bardëve të letërsisë popullore, por edhe për shkak se ky tekst, sikur të ishte porositur pikërisht për këtë antologji, paraqet sintezën më të plotë të vlerave historike, letrare dhe artistike të epikës legjendare.
Autorët kanë trajtuar këtu zhvillimin historik të këngëve kreshnike dhe vendin e tyre në ndërtimin e botës materiale e shpirtërore të malësorit shqiptar; lahutarët si bartës të përkushtuar të këtyre epeve nga njëri brez tek tjetri; veçoritë muzikore të këtyre këngëve; botën e madhe të personazheve të ndërtuar sipas një rendi shumë të veçantë historik, gjeografik dhe mitik, për t’u ndalur në dy nga figurat qendrore dhe më karakteristike të këngëve kreshnike jo vetëm tek lahutarët shqiptarë; në një nga vlerat më të rëndësishme të kulturës kanunore shqiptare –besën; ambientet e banimit të kreshnikëve, në këtë rast kullën, të njohur edhe sot si banesë tipike të zonave veriore shqiptare; mjetet stilistike-artistike dhe vlerat themelore letrare që i përbëjnë këngët kreshnike; mënyrën e përpunimit të këngëve kreshnike gjatë shekujve dhe mbajtjen gjallë të saj nëpër shekuj.
Pjesën qendrore të antologjisë e përbëjnë tridhjetë këngë. Autori i kësaj antologjie, me të drejtë, brenda këtyre tridhjetë këngëve ka botuar një fragment, sigurisht për të dhënë një pasqyrë të gjendjes së saj një shekull më parë dhe dy motërzime, për të parë një pasqyrë të vlerave shpesh të papërsëritshme letrare, artistike dhe gjuhësore. Brenda një teme, të këtyre këngëve ndërtohen dhe ndërlidhen motive të shumta, dialogje e monologje të fuqishme dramatike, figura, vende e vendbanime historike e mitike, luftëra heroike e beteja morale, dyluftime heronjsh madje edhe të gjinive të ndryshme, betime në vlera universale dhe autoktone, në objekte materiale e shpirtërore, në vlera tokësore e qiellore, por më së shumti betime në besë – vlerën më të pakontestueshme të kulturës shpirtërore e materiale shqiptare.
Në vazhdim botohen tridhjetë këngë, të emërtuara kryesisht në mbështetje të personazheve që kanë, në veprimet e tyre apo sipas vargut të parë, që në të vërtetë është veçori e emërtimit të këngëve lirike: Fuqia e Mujit, Fuqia e Halilit, Gjergj Elez Alia, Të lumtë na për të lumin zot (që më shumë se një titull kënge është një varg antologjik i këngës kreshnike), Martesa e Halilit, Muji e Zana Zullumçare, Kur e ka nxan Muja nusen, Muji dhe Halili, Halili prêt Filipe Maxharrin, Muja vret Milloshin e Grebenit, Muja e pret bajlozin e Detit të Zi, Muja lidhet me kusht, Grebeni djeg kullat e Mujit e i grabit gruen, Çetobashe Muji dhe Krajleviçe Marki, Krajli i Miskovit rrëmben gjogun e Mujit, Musa Qesexhia, Gjergj Elez Alia (tash një këngë tjetër nga më shumë se pesëdhjetë këngë sa njeh folklori shqiptar, por jo motërzim) Bani Zadrili, Halili merr gjakun e Mujit, Ager Isvano, Gjogu i Mujit, Tha, dritë ka dal e dielli nuk ka ra, (fragment i parë i një kënge kreshnike, botuar nga themeluesi i albanologjisë shkencore Gustav Majer, më 1897, i cili veç tjerash kujtoj se dëshmon edhe për një strukturë gjuhësore (morfologjike e sintaksore të këngës kreshnike, në gjysmën e dytë të shekullit XIX), Vdekja e Mehmet Bajraktarit (motërzim), Ali Bajraktari merr Fatimen e Pashës së Vidimit, Beno Bajraktari i shpëton motrat, Çika e Hermi Mustafë Agës i del në mejdan kralit të Sejës, Zymeri dhe Ganiqe Galani, Mujën e thrret mbreti në Stamboll (motërzim) dhe përsëri një këngë për Gergj Elez Alinë etj.
Brenda tridhjetë këngëve të botuara në këtë antologji, autori ia ka arritur që të sjellë vlerat më të larta letrare-artistike të epikës shqiptare. Më shumë se një këngë ato së bashku paraqesin universin historik, gjeografik dhe artistik të këngës kreshnike. Letërsia shqipe më shumë se cilën do prej gjinive letrare, epikën, ndonëse gjallon edhe më tej, e ka gjininë letrare më të konsoliduar brenda një universi të mbyllur stilistik, prandaj edhe zgjedhja e këngëve, me të drejtë është bërë në atë mënyrë që të mbulohen të gjitha veçoritë e saj veç e veç: kreshnikët, zanat, nderi, mejdanet etj.
Antologjia e këngës kreshnike e dr. Zymer Nezirit, është një vëllim dhe model i veçantë edhe për një arsye, të cilën nuk e gjejmë ndër antologji tonat letrare. Në fund të saj autori ka zgjedhur dhe botuar disa fragmente mendimesh po kaq antologjike për këngën kreshnike, të cilat i kanë shkruar autorë shqiptarë dhe të huaj.
Ato janë mendime të shkruara nga studiuesit dhe njohësit më të mirë të epikës shqiptare, prandaj mendimet e tyre ndonëse të nxjerra nga sinteza të mëdha shkencore, studime të veçanta, vepra të cilat jo krejtësisht janë shkruar për probleme të epikës, dhe më në fund të nxjerra nga vepra persiatjesh letrare dhe shkencore, përbëjnë tërësi mendimesh që e pasurojnë mendimin e sotëm dhe hapin rrugë të reja për hulumtimin, vjeljen dhe studimin e këngës kreshnike mbi baza shkencore dhe intelektuale.
Ato janë fragmente mendimesh që flasin për aspekte të jashtme dhe të brendshme të këngës kreshnike, për vlerat universale të saj, por me theks të veçantë në veçoritë kombëtare të tyre: për figurat e simbolet mitologjike-përrallore, vetëdijen etnike, bërthamën e lindjes së saj, “konfliktin etnik iliro-arbëror me krajlët shkje”, kohën e konfliktit në Ballkan dhe vendin e tij në arealin e epikës botërore etj. (Alfred Uçi); për himnizimet fizike e shpirtërore të heronjve dhe himnizimin e tyre, konfliktet etnike dhe mitizimin e tyre etj (Andromaqi Gjergji); për moshën antike iliro-thrakase të këngëve kreshnike dhe bartjen e tyre në mesjetë, për pasqyrimin e luftërave të tyre, himnizimin e heronjve etj (Demush Shala); për bashkëjetesën e heronjve të ciklit të kreshnikëve me figurat e besimeve popullore: zanën, shtojzovallet, orët, djajtë etj., për mitizimin e tyre, dhe vendosjen e veprimit të tyre në kohën e matriarkatit, prejardhjen historiko-shoqërore të heronjve dhe ndjenjën njerëzore të tyre (Enver Mehmeti); për vargun e këngëve kreshnike, i cili “na paraqitet kështu, në thelb, si një varg tonik, që ndodhet në një fazë kalimtare drejt formave më të reja të sistemit silabotonik”, për lidhjet e tij me eposet popullore të Evropës dhe mëvetësinë e tij origjinale, për bashkëjetesën e tij me tiparet e lashta gjuhësore dhe ngurtësimin e tij në një fazë të caktuar kalimtare etj.(Gjergj Zheji); për përdorimin e kohës dhe të hapësirës, për lashtësinë e saj dhe ruajtjen e vazhdimësisë së veprimit dramatik etj.(Ismail Kadare); për këngën kreshnike si gjininë më të lashtë dhe më konservative të folklorit tonë; për veçantinë e sintaksës së saj, për interesin e krahasimit të saj me gjuhën e shkrimtarëve të vjetër, me pasurinë e veçantë të gjuhës së tyre etj.(Mahir Domi); për ngjashmëritë dhe dallimet midis epikës homerike dhe asaj shqiptare, për përbërësit historikë dhe artistikë midis këtyre dy epeve, për përbërësit mitikë e fetarë të tyre etj. (Mina Skafte Jensen); për trembëdhjetë premisat e pakontestueshme për trajtimin e çështjeve themelore të Ciklit të këngëve të kreshnikëve: dyndjen e sllavëve, dobësimin e organizimit politik të ilirëve; vendosjen e sllavëve në trojet ilire për një kohë të gjatë dhe lindjen e këngëve kreshnike, asimilimin e një pjese të etnisë ilire, vendosjen e një pjese të tyre në zona malore, asimilimin e iliro-shqiptarëve me supremaci të faktorit sllav, krijimin e një komuniteti të përbashkët në kufijtë veriorë, krijimi i zonës malore me emrin Berda (pjesë e sotme plotësuese e Malit të Zi), luftërat politike e jo klasore sikur synohet të paraqiten betejat e heronjve të këngës kreshnike, përmbajtjen qendrore që është ndërtuar në zonën veriore ilire dhe jo shtresëzimet anësore të tyre që janë të ndikimit sllav të mesjetës së vonë etj.(Injac Zamputi).
Libri mbyllet me shënimet për literaturën, burimet e lëndës, lahutarët, fjalorthin dhe indeksin, të cilat e lehtësojnë përdorimin e saj nga lexues moshash dhe dijesh të ndryshme. Duke qenë një antologji e parë e këtij lloji, kujtojmë se një rezyme në fund të librit apo përkthimi në gjuhën angleze i tekstit hyrës, këtë antologji do ta bënte më të përdorshme për një rreth më të zgjeruar lexuesish.