2013-03-12

BRENDIA DHE PËRHAPJA E CIKLIT TË KRESHNIKËVE



Cikli i Kreshnikëve përbëhet nga një varg rapsodish, në të cilat tregohen bëmat e dy vëllezërve, Mujit dhe Halilit, si dhe të tridhjetë shokëve të tyre, të cilët quhen agallarët e Jutbinës. Ky cikël përbën patjetër pjesën më të bukur, më madhështore e më të vjetër të folklorit tonë. Studiuesit mendojnë se lindja e këtij cikli mund të jetë aty nga shekujt XI-XII. Në to flitet për ndeshjet e vazhdueshme për toka e kollota që fiset shqiptare kanë kryer në ato shekuj me fiset sllave. Nuk është një luftë e shpallur, por një gjendje lufte e paprerë, një gjendje e shqetësuar për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirisë së vendit. Pikërisht në këto rapsodi, siç thotë Kadareja, “paraqiten njerëz të jashtëzakonshëm në ditë të jashtëzakonshme”

Këngët e Kreshnikëve këndohen vetëm në zonat veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë, në zonat kufitare dhe është pikërisht për këtë që disa i quajnë edhe këngët e kufirit.

Karakteristikë e qartë e këtyre këngëve është fakti që njerëzit dhe ngjarjet paraqiten të hiperbolizuar dhe, në veprimet, në jetën dhe në mendimet e tyre, përzihen qenie përrallore siç janë Orët e Malit, Shtojzavallet etj. Tërë kjo i bën këto këngë, në të cilat siç e pamë ka diçka të vërtetë historike, të marrin trajtat e këngëve legjendare.

Këngët e Kreshnikëve këndohen, duke u shoqëruar me lahutë, prej rapsodësh të talentuar, të cilët na kanë dhënë këngë që zgjaten edhe 500-700 vargje, kryevepra të vërteta që dëshmojnë për fantazinë e pasur popullore dhe për ndieshmërinë e hollë artistike. Vlen të përmenden disa nga këta rapsodë, siç janë Mirash Gjoni, Gjergj Pllumi, Pal Buli, Sokol Martini etj., të cilët ndonëse pa shkollë, kanë qenë poetë të vërtetë dhe të mëdhenj.

Duke lexuar Ciklin e Kreshnikëve, të bëhet nganjëherë sikur ndodhesh përpara ndonjë pooeme të madhe, prej së cilës kanë mbetur këto këngë të mrekullueshme. Është pikërisht kjo që i ka bërë Bernardin Palajn dhe Donat Kurtin, dy mbledhësit e parë dhe të talentuar të këtij cikli, që të pyesin: “A mos vallë kemi punë këtu me një qerthull (cikël) këngësh për rreth ndonjë Troje të rrënueme gjatë inondatave (vërshimeve) sllave?” Askush nuk mund t’i japë një përgjigje të plotë kësaj pyetjeje. Megjithatë një gjë është e qartë: një fill ndërlidhës i përshkon këngët e ndryshme të kreshnikëve, një fill që ka të bëjë si me praninë e po atyre heronjve (Muji, Halili, Ali Bajraktari, Zuku Bajraktari, Krajli, Harrambashi, Ajkuna, Tanusha etj.) si me faktin që armiku kundër të cilit luftojnë kreshnikët është kurdoherë sllavi apo veglat e tij.

Pikërisht duke u nisur nga kjo lidhje që hetohet në këto këngë, mund të vendoset edhe një farë renditje. Nga kjo, mund të themi se brendia e këngëve nisme këngën e famshme “Fuqia Mujit”. “Zanat e Orët e malit, – tregojnë Palaj e Kurti,- kur shofin se sllavi don me kapërcye Danubin, kërkojnë njerinë që me i pri çetës e me u ba ballë. Në këtë kohë Muji, nji çoban prej Klladushe, qi del me kërkue çetave lopët (mbas një rapsodie tjetër del për kaproj) ndeshë në dy djepa e i ven fëmijët në gjumë. Zanat kur kthehen, i japin si në shpërblim fuqi të madhe e zotësinë me mujtë

(=muji) ndër të gjitha luftat e të ndeshunat”. Pas kësaj kënge vinë të tjerat plot ngjarje të çuditshme, plot trimërira dhe akte heroizmi. Trimat shqiptarë luftojnë për të mbrojtur vendin dhe lirinë, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë çaste gjatë së cilave ne i shohim që të kenë edhe marrëdhënie me të huajt, të dashurohen me vajzat e tyre (Tanusha), të luftojnë kundër njëri – tjetrit, por edhe të ndihmojnë njëri-tjetrin sipas rastit. Deri sa më në fund, sidomos kur shpiket pushka, Muji e trimat e tij largohen dhe, të mbyllur në një shpellë, nuk duken më askund.

Në Ciklin e Kreshnikëve shquhen për nga bukuria e tyre disa nga rapsoditë siç janë “Martesa e Mujit”, “Martesa e Halilit” “Muji e Behuri”, “Omeri i ri”, “Zuku Bajraktar”. “Deka e Omerit” “Ajkuna kjan Omerin”, “Martesa e plakut Qefanak” etj.

Në ciklin e Kreshnikëve kanë hyrë edhe rapsodi të cilat nuk kanë të bëjnë me bëmat e Mujit me shokë, por megjithatë tashmë janë shkrirë me këtë cikël. Kështu duhet të përmendim mbase këngën më të bukur të krejt ciklit “Këngën e Gjergj Elez Alisë”, e cila mban kryet e vendit dhe, me sa duket, shërben si hyrje e vërtetë me frymë patriotike në krejt ciklin e Kreshnikëve. Me këtë cikël janë shkrirë edhe këngë të tjera legjendare si ajo e “Ymer Agës”, “Kënga e Halil Garrisë” etj.

PERSONAZHET DHE VEÇORITË E KËNGËVE TË KRESHNIKËVE

Duke u ndalur shkurt te personazhet, duhet thënë se në cikël sikur tregohen në një farë mënyre bëmat e një familjeje të ndihur nga burrat e gratë e gjithë fisit. Kjo familje është ajo e një lopari, e Mujit nga Klladusha, të vëllait të tij, Halilit, e gruas apo motrës së tij Ajkuna, e të birit Omeri etj. Siç vihet re nuk kemi të bëjmë me familjen e një kryetari të fisit, me ndonjë familje me shkallë fisnikërie mesjetare, por me një familje të thjeshtë barinjsh, ashtu siç janë nga familje barinjsh edhe bashkëluftëtarët e tjerë. Madje, nëse ka shumë elemente që dëshmojnë se kemi të bëjmë me një periudhë të patriarkatit, ka edhe shumë elemente të tjera që të bëjnë të mendosh se jemi në një periudhë më të lashtë, në atë të matriarkatit.

Muji (që quhet edhe Çetobashe Muji, Bylykbashe Muji, Baca Muji) zë në ciklin e Kreshnikëve vendin kryesor. Ai është një mishërim i gjallë i modelit Gjergj Elez Alija; ai na tregon sesi do të ishin, të ç’natyre do të ishin episodet e jetës së Gjergj Elez Alisë po të kishin arritur deri te ne. Trim, i urtë, i matur, baba i dhembshur, vëlla i dashur, bashkëshort i kujdesshëm, ai nuk di të bëjë asnjë lëshim përsa u përket neneve të kanunit të fisit. Muji është mishërim i gjallë, në jetën e tij shoqërore e morale, i kanunit të maleve. As të vëllanë, as të birin, ai nuk mund t’i pranojë në çetën e kreshnikëve, nëse ata nuk kanë dhënë prova trimërie. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai është tiran, përkundrazi, ai di të respektojë dëshirat dhe vullnetin e të tjerëve dhe nuk pengon as Halilin të dashurojë Tanushën, as të birin të dalë malit që në moshën shtatëvjeçare; ashtu siç di të dëgjojë me kujdes e me respekt edhe këshillat e kuvendit të tridhjetë agallarëve, bashkëluftëtarë të tij, apo edhe të nënës, Ajkunës. Ideali i jetës së tij, ashtu si edhe i gjithë kreshnikëve të vërtetë, është ruajtja e trojeve dhe e lirisë, ruajtja e kanunit dhe e zakoneve që i bashkojnë njerëzit e maleve; ruajtja e gjuhës dhe e këngës së të parëve.

Ashtu si Muji, edhe Halili (që herë-herë quhet edhe Sokol Halili, Halil aga i ri) është një figurë madhështore e ciklit të Kreshnikëve, deri diku një antitezë, por edhe një plotësim i figurës së vëllait të tij të madh, Mujit. I pashëm, gjaknxehtë e zemërak, Halili nuk është më pak trim sesa i vëllai, mos edhe më shumë; te Halili tiparet e kalorësit mesjetar (i cili dallohej nga shpata, kali dhe e dashura) janë edhe më të theksuara: ai, ashtu siç e kërkonte zakoni kalorësiak, ishte luftëtar dhe kalorës i rrallë dhe dashnor i përsosur. Halili është një nga elementët që lidhet me mjedisin e armiqëve, kryesisht nëpërmjet vajzave të tyre.

Omeri është figura e trimërisë së parakoshme, mishërimi i idesë se kreshniku shqiptar lind trim, ai është kreshnik që në djep dhe për këtë mund të kryejë akte trimërie që në moshë të njomë. Vdekja e këtij kreshniku të vogël, bëhet shkas për këngë të rralla vajtimi, siç është “Vajtimi i Ajkunës”.

Figura e Ajkunës të kujton vende – vende Hekubën trojane, nënë e heroit Hektor, me madhështinë e saj, me heshtjen dhe durimin e saj, me forcën e ndjenjave të saj si nënë. Jo rrallë, burrat e fisit kërkojnë edhe mendimin apo këshillën e saj. Kjo i ka bërë disa studiues të mendojnë se me Ajkunën hasen elemente të matriarkatit.

Muji dhe Halili kanë shokë tridhjetë agallarët e Jutbinës. Këtu fjala aga, kuptohet, nuk ka domethënien e një rangu, por do të tregojë më tepër cilësinë e bartësit të saj, trimërinë e tij, si të thuash tridhjetë trimat e Jutbinës. Këta personazhe janë dhënë kryesisht si tipa e fare pak si karaktere. Kështu, p.sh., Dezdar Osman Aga është mishërimi i ambicies, i karrierizmit; Basho Jona është një plak i urtë, mishërim i neneve të kanunit; njerëz të qetë dhe trima janë kreshnikët si Budaline Tali; plaku Qefanak është një njeri tuaf e qesharak; të tillë tipa janë edhe kreshnikë të tjerë si Musë Qasexhiu, Ali Bajraktari, Lule Frangu etj.



























































































GJERGJ ELEZ ALIJA

I

Trim mbi trima aj Gjergj Elez Alija,

qe nandë vjet nandë varra n’shtat m’i ka.

Veç nji motër natë e ditë te kryet

ia lanë varrat me ujt e gurrs’ nandë vjeçe,

ia lanë varrat me ata lott’e syve,

ia ter gjakun me ata flokt’ e ballit;

shtatin vllaut ia shtërgon n’ruba t’nanës;

n’petka t’babës trupin ia hijeshon;

armt’ e brezit ia rendon mbi krye.

Sa herë trupin motra p’e tërnueke,

dhimbn’ e varrve vllau krejt e harrueke,

dhimba e motrës dekun n’tokë e Ishueke.

A dalë zani e paska marrun dhenë,

se ‘i baloz i zi a’dalë prej detit.

Trim i prapt’ e belagji që ish kanë,

ia ka qitun dheut nji rreng të randë:

tim për tim-o ka një dash të pjekun

tim për tim-o kah nji vashë m’ia djergun,

ditë për ditë kah nji kreshnik me premun,

javë për javë kah nji krahinë me djegun.

Edhe Gjergjit rendi te i ka ardhë,

me loit faqet trimit m’iu kanë mbushë:

erzi i shpisë qysh lshohet n’dorë t’balozit?

Ia ka nisë motra e po bërtet,

krejt me lot-o Gjergjin p’e loton:

“Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?

Nanë e tatë kah kalben për nën bli,

trupi i vllaut varrue q’nandë vjet në shpi,

trupi i motrës n’dorë t’balozit t’zi!

Qysh s’u shembka kulla me na zanë?

Qysh s’u kthyeka shpija n’nji muranë,

me t’pshtue erzin, mori e zeza nanë?”

Dy cop’sh zemra djalit i u ka da,

dy syt n’ballë të motrës ia ka lshue,

dy rigë lot për faqe te i kanë shkue,

dy fjalë kulls’ djali ia ka fjakrue:

“He, ju u nxishi, sarajet e mija!

Me lymashk u mbloshi n’fund e n’krye!

Brevë e gjarpën paçi motr’e vlla!

Pikt’ ndër shtroje kaq shpejt qysh m’i lshuet?

- Jo, mor vlla, lum motra”, – i ka përgjegjë,-

“t’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah fol!

Se përjashta shi nuk ësht tuj ra,

syt e motrës po t’pikojnë, mor vlla”.

Qat’herë Gjergji dorn’ ia ka shtrëngue,

mirë po e lmon me ato duert e shtatit,

mirë po e kqyr me ata syt e ballit.

Kurr ma thekshin djali s’i ka folë:

“Amanet, mori motër, pse po kan?

Zemrën dyshë, mori motër, pse ma dan?

Qe nandë vjet qi trupi a’ tu’ m’u kalbë,

Gjergji yt tjetër pushim nuk ka,

veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.

A thue s’pate me ngranë e me pi?

A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?

A mos t’u randue ndojherë me fjalë?

Motër zezës vllau me i u mërzitë,

huj për burrë ndoshta qi me t’ra?”

Sa mirë motra vllaut po m’i përgjigjë,

dorn’ e vllaut tu balli e paska vndue:

“Amanet ku je, mor njomzja e ahit!

Po a kaq fort, thue, jermi t’ka ngushtue?

Hisha gjallë në dhe, n’t’u martue motra!

Mjaft kam pasë, o vlla, me ngranë, me pi,

mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë.

Kurr ma randë se sot ti folë nu’ m’ke!

Tjetër babë nuk kam, as tjetër nanë,

amanet, mor vlla, mos me m’pasë ranë,

për nji dert qi sot po due me t’kjajtë!

Qysh s’u njom ky shtat që nand pranvera?

Si s’u mkamb ky trup me dalë tu dera?

Si s’u tha kjo motër, thafta-e vera?

Po unë balozit qysh i shkoj tu dera?

Braf në kambë por djali konka çue:

“T’e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,

fill n’gjytet me të, motër, të m’mbijsh

e t’më shkojsh tu nallban probatini.

Falë me shndet, thuej, Gjergji të ka çue,

me ma mbathë me patkoj prej tumakut,

me m’ia u shti thumbat-o prej çelikut,

se n’mejdan balozit due me i dalë.

S’u gjegj gjogun vllathi me ta mbathë,

hypi atit, bjeri n’derë jaranit”.

E n’shehër çika konka ra

edhe a’shkue tu nallban probatini:

“Puna e mbarë të kjoftë, more kumbarë!

- Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!

- Falë me shndet ty Gjergji të ka çue,

me ma mbathun gjogun mirë e mirë,

me m’ia vndue patkojt-o prej tumakut,

me m’ia shti thumbat-o prej çelikut,

se n’mejdan balozit due me i dalë”.

Mbrapshtë po fol ai nallban probatini:

“Për n’m’i falsh, moj vashë, dy syt e ballit,

ta kam pshtue vlla Gjergjin prej mejdanit

e e baj gjogun me fjurue si era”.

Sa me idhnim çika e kite marrë:

“Ç’je kan thue, bre burrë, goja t’u thaftë!

Jam kanë nisë tu dera e probatinit,

qe nandë vjet qi gjogu ksajt s’ka ra,

m’fal se ndeshkjam derën e magjupit!

Se kta syj nji herë unë ua kam falë

tats’ e nans’qi kalben për nan dhe,

Gjergjit tem qi kalbet varrsh’ mbi dhe!”

Ka shkue motra tu nallban janari:

Falë me shndet, thotë, Gjergji të ka çue,

kam orokun e mjedanit,

sa ma mirë kët gjok ti me ma mbathë.

Thanë m’ka për patkoj prej tumakut,

me m’ia shti thumbat-o prej çelikut,

se do t’dal m’u pre me baloz t’detit”.

Si për vedi gjogun e ka mbathë

edhe n’pramje çika a dredhë në shpi,

ka gjetë vllanë tu’ e pritë nën hije t’blinit.

II

Ça kish ba ai trimi Gjergj Alija,

falë me shndet balozit m’i ka çue:

“Me dalë herët n’at fushn e mejdanit.

Çik për ty, baloz, nu’ m’ka qillue.

Desht’ e vathit për ty nu’ m’janë majë.

Sall nji motër nu’ po muj me e lshue,

varrt’ e shtatit s’a kush qi m’i lidh”.

Sa ka nisun drita me zbardhë majet,

n’fushë t’mejdanit trimat konkan dalë,

keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin;

“P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue?

Pse me m’qitë, bre burrë, n’kët fushë t’mejdanit?”

Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:

“Të lumtë goja, baloz, mirë po thue,

qe nandë vjet qi kam marrë rrugn’ e vorrit,

pak pa mrrijtë, baloz, ti m’ke dredhue:

m’ke lypë motrën para se mejdanin,

m’ke lypë berrat para se çobanin,

e jam dredhë n’kët log për me t’kallxue

se ne t’parit’ nji kanu na kanë lanë:

armt’ me dhanë përpara e mandej gjanë,

kurr balozit motrën mos m’ia dhanë,

për pa u pre n’at fushën e mejdanit!

Por shtrëngohu, baloz, se t’ka ardhë dita,

se ktu i thonë-o Gjergj Elez Alija!”

E i kanë ba dy gjogat tim për tim

e n’topuz balozi e ka shinue:

n’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra,

përmbi kryet topuzi i ka fjurue;

dymbdhetë pash n’ledinë u ngul topuzi,

dymbdhetë pash përpjetë si re u çue pjuhni

At’herë Gjergjit rendi te i ka ardhë,

sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë,

lik përmjet balozit te i ka ra.

A’trandë fusha kur a’rrxue balozi.

Mejherë trimi shpatën ma ka xjerrun,

kryet me neje trupit ia ka damun,

zhag për kambet trupin e ka ngrehun,

me gjith at m’nji bunar e ka mbytun.

Të tanë lumën gjaku e ka tërzue,

për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.

Qat’herë trimi a’nisë me dredhë tu shpija

edhe shokt’të gjith m’i ka bashkue:

“Po ndigjoni, more shokt’e mij:

falë u kofshin sarajet e mija,

falë u kofshin tanë paret e mija,

e u koftë falë krejt malli e gjaja e shpisë,-

amanet motra e Gjergj Elez Alisë!”

Edhe shtatit trim i paska dhanun,

motërzezën ngrykas kesh me e marrun,

të dy zemrat priherë po janë ndalun!

Vlla e motër dekun paskan ramun!

Kurrkujt shpirti ma mirë s’i ka dalun.

Gjamë të madhe shokët qi kanë ba,

po ia çilin një vorr bukur t’gjanë,

vlla e motër ngrykas për me i xanë.

E i muranë t’bukur e kanë mbarue,

vlla e motër kurr mos me u harrue.

Ë i bli t’bukur qi m’ia vndajnë tu kryet,

zogu i verës gjithmonë me pushue.

Kur ka nisun mali me u dushkue,

a ndalë qyqja n’muranë t’vorrit t’ri,

ka gjetë blinin të tanë degash tha.

Ka flurue përmbi’ i saraj të zi,

ka gjetë kulmin të tanë shembë përdhe.

M’nji prezor si m’paska hypë,

ka përbe shtegtarin kah po shkon:

“Amanet, more shtegtari i malit,

n’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue

n’kofsh tu’ kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!

Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,

kah verova gjithkund vrri e n’vrri.

kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,

kërkund s’ndesha n’Gjergj Elez Ali!”

Shënime dhe detyra

1. “Kënga e Gjergj Elez Alisë na çon në kohë shumë të mugëta të historisë. Nëpër trupin e poemës vëngojnë uturima të mbytura të pushtimeve të vjetra e të egra, ku populli lëngon nën thundrën e pushtuesve të huaj, i cili djeg me zjarr e hekur gjithë vendin. Pikërisht këtë çast kulmor të pushtimit barbar e të dhunës armike, kapi ndërgjegjja historike dhe artistike: më tutje nis ngritja, ringjallja e popullit – hero. Dhe ai krijoi heroin e vet, Gjergj Elez Alinë!”

Fatos Arapi

2. Fjalor:

rubë-a = rrobë; varrë = plagë; rreng-u – dredhi; lymashk-u = myshk;

brevë-a = lloj gjërpëri; jermi-a = etheja; log-u=fushë; shulla-ni=shullëri, vend i rrahur nga dielli; baloz-i=kështu quhej ambasadori i Venetikut, këtu ka kuptimin e një përbindëshi armik; probatin-i=vëllanë; tumak-u=çelik; jaran-i= këtu është fjala për një mik të ngushtë të Gjergjit e jo për ndonjë jaran (dashnor) të motrës; magjup-i = jevg; orok-u = kohën e mejdanit (dyluftimit); pramje= mbrëmje


ANAFORA OSE PËRSËRITJA NË FILLIM

TË VARGJEVE

Në folklor përdoret shumë anafora, e cila u jep muzikalitet dhe kumbim vargjeve. Ajo ndërtohet duke përsëritur një fjalë ose disa fjalë në krye të disa vargjeve me radhë. Te “Kënga e Gjergj Elez Alisë” ka të tilla p.sh.:

Ia lanë varrat me ujt e gurrës nandë vjeçe

Ia lanë varrat me ata lott’ e syve…”

3. Gjeni anaforat e pjesës së parë të kësaj kënge. Disa prej tyre që ju duken më të bukura, shkruajini në fletore.

4. Pjesa I e kësaj kënge ndahet në katër grupe vargjesh. U vini nga një titull këtyre grupeve dhe tregoni se ç’thuhet në to.

5. Shpjegoni përse qan motra mbi krye të Gjergjit. Ky trim ka nëntë vjet që lëngon në shtrat me nëntë plagë në trup. Ku i ka marrë ai këto plagë dhe ç’tregon kjo për figurën e këtij kreshniku?

6. Në këtë pjesë ka disa përsëritje epike (tregimtare). Tregoni se cilat janë ato dhe me ç’qëllime artistike janë përdorur.

7. Rapsodi ka përdorur në këtë këngë mënyrën e zhveshjes së subjektit, domethënë duke u ndalur vetëm në përshkrimet dhe ngjarjet më kryesore, të tjerat i ka hequr. Nëse do të përdorte mënyrën e pasurimit, ç’mendoni se do të shtonte e do të përshkruante?

II

Shënime dhe detyra

1. Fjalor:

gjog-u= gjok, kalë me qime të bardhë;

ledinë-a = lëndinë;

lik permjet= mes për mes;

zhag=zvarrë;

bunar-i =pus;

tërzue= trazuar, përzjerë

rrekin= ngacmojnë

pak pa mrrijtë =- pa arritur te varri;

kesh me e marrun = të kishte ta merrte;

me dushkue = me u mbush me gjethe, çel gjethe;

prezor-e = dritare




HIPERBOLA

Hiperbola, kjo shprehje figurative, që zmadhon së tepërmi njerëzit, veprimet e tyre, dukuritë e ndryshme, përdoret shumë në këngët e kreshnikëve. Rapsodi e përdor hiperbolën për të forcuar edhe më tepër përshtypjen, për të vënë në dukje më mirë figurën.

Është pikërisht nga këto hiperbola që rapsodi përdor aq shumë në ciklin e Kreshnikëve edhe mënyrën habitore, sikur mrekullohet edhe ai vetë.



2. Gjeni disa nga hiperbolat e kësaj pjese dhe tregoni se ç’përshtypje artistike krijojnë ato.



3. Te vargu “A dalë zani e paska marrun dhenë” kemi një folje të përdorur në mënyrë habitore. Me këtë, autori sikur do të na flasë për një mrekulli. Gjeni në pjesën II foljet në mënyrën habitore dhe shpjegoni se ç’detyrë kryejnë.

4. Detyrë me shkrim. Zhvilloni njërën nga këto tema:



a. Duke pasur parasysh të gjithë rapsodinë, komentoni këto dy vargje;



“Po shtrëngohu, baloz, se t’ka ardhë dita,

se ktu i thonë – o Gjergj Elez Alia!”



b. Duke lexuar “Këngën e Gjergj Elez Alisë” më duket sikur e ndjej veten edhe më të lidhur me njerëzit e mi.

c. “Kënga e Gjergj Elez Alisë” është një himn që i ngrihet dashurisë për atdhe dhe dashurisë vëllazërore.

d. Në “Këngën e Gjergj Elez Alisë” janë shkrirë elementet reale me ato fantastike, të cilat i japin krijimit ngjyra legjendare. Përpiquni ta vërtetoni një gjë të tillë.

MARTESA E HALILIT

I

Lum për ty, o i lumi Zot,

fort po shndrit nj’aj djell e pak po xe.

Ç’p’e merr frima rrapin e Judbinës.

Borë e madhe qi ka ra.

randojnë ahat për me u thye,

ki’n çetinat vetëm kreshtat;

ushtojnë lugjet prej ortiqesh,

prej ortiqesh kah po bijnë ndër gropa.

Janë ra vashat me gja n’lumë,

kanë gjetë krojet tanë ngri hej.

Ça kanë qitun e kanë thanë:

“Kur t’bajë Zoti me lirue,

gjaja e gjaallë, druem, ka mbarue.

Po Zot, ç’janë nj’ata shtegtarë,

veshë e mbathë porsi zotnij ?

Mos janë nisë trimat për me çetue,

qi ata qafat kurrë s’und i kalojnë?”

Ka qitë jera edhe u ka thanë:

“O nuk janë, ja, krushq dasmorë,

se ata paresh rane n’lumë.

Ka dalë Muji me kreshnikë,

a thue ndeshet m’ndoi gja malit”.

T’kjoshim falë, o i madhi Zot,

sa shpejt diellin ma xu reja,

Shpejt ma endi’t pëlhurë t’gjanë e t’gjatë

e i ka veshun majet rreth e rrotull,

qi kur janë kapë trimat tu lumi,

kaq përzi i ka frima pjalm e re,

askurnja shoshojnë trimat s’p’e njofin.

I’n ngri trimat sharrue,

por n’breg t’lumit – kulla e Mujit.

T’tanë për darkë Muji i ka ndalë.

Kqyr shka bani gjetobasho Muji:

u ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm,

tre qind vetë pr i herë m’u xe.

At’herë trimi u ka avitë bucelat,

at’herë trimi u ka avitë fuçijat;

i’n bucelat plot raki,

i’n fuçijat plot me venë.

Sa shpejt frima burrave u ka ardhë,

sa shpejt gjaku trimave po u xehet!

Kanë marrë llafin e po llafiten,

Kanë marrë gazin e po gazmojnë,

Kanë nisë trimat Mujin p’e pvetin;

“N’votër tande kem’ qillue,

mos na ki randë për nji fjalë:

pash nji Zot, Muj, qi t’ka dhanë,

qysh Halilin s’e martove?

Janë martue krejt moca e tij,

djelm e çika Zotynë u ka falë.

A t’u dhimbtën paret për me i dhanë?

A t’u dhimbtën dasmat për me i ba?

Tutna, djalin dikush pa na rre,

shpesh e shpesh po bje n’Kotorre t’Reja,

rob të gjallë djalin p’e xanë.

Le konakun, Muj, qi po ta fikin,

ma zi fisin, Muji po ta koritin”.

As be m’Zotin trimi nuk ka ba,

“Faqebardhë, more shokë, ju kjoshi,

se mirë hallin po ma diki, burra.

Mana paret s’m’u kanë dhimbtë me i dhanun,

mana dasmat s’m’u kanë dhimbtë me i bamun.

Ju t’pavllazën, shokë, s’kini qillue;

kuj po i dhimbsen dasmat për vlla t’vet?

Ky edhe s’asht, or burra cub flligshtishë,

mirë e njihni se a’ daji trimnishë,

qi për n’dashtë me m’pru marren te shpija,

he ktij Zoti i shkimtë hisen e diellit!

E n’pastë menden me na koritë fisin,

gjuejma, re, qetash me kokërr rrfeje!

Zirma, tokë, përjashta n’natë të vorrit!”

At be n’Zotin djali paska ba:

“ Kah kam vlla e kah kam motër,

deksha pra, n’u martosha!

Se gjith gratë e Krahinës ku janë,

se gjith gratë e Jutbinës ku janë,

bash si motra qi po m’duken,

Dheu m’ka mbulue e fat s’i qita vedit,

po s’e mora Tanushën e krajlit.

E unë Tanushën vetë e ko’pa

kur kem pasë besë me Krajli;

gja ma t’mirë s’shef njeri nën kët diell!

Vetlla e saj ndrejt si fiskaja;

shteku i ballit, si shteku i malit

kur merr hana me prarue;

syni i saj, si kokrra e qershisë;

ka qerpikun si krahi i dallëndyshes;

ftyra e saj, si kuqet molla n’degë;

hunda ndrejt, si kalemi i Tushës;

goja e vogl’, si lulja që shpërthen;

dhambt’ e bardhë, si gurzit e lumit

fill mbas shiut kur i shndrit dielli;

qafa e saj, si qafa e pëllumbit;

shtati i saj, si ‘i shtat çetinet;

misht e dors’, porsi rremi i shemshirit”.

At’here djali ma s’a’ pritë pa folë:

dorën gojës Muji ia ka vndue.

Aq ma tepër djali a’ pezmatue:

“ Prapou, Muji, se m’ka ardhë dita e dekës!

Rend me rend, Mujo, po flasim!”

Ka britë t’madhe plaku Basho Jona.

“S’e kam lanë për pare pse nuk pata,

s’e kam lanë, për vashë pse nu’mund hasa,

veç s’kam dashtë vetë m’u martue!”

“ Pa ndigjo, more ti djalë,-

ka folë plaku Osman Aga.-

Ditë e madhe nesër ka qillue,

tridhetë agë kanë me u bashku,

tridhetë vashat t’i kanë pru:

njat ma t’mirën ke me e zgjedhë.

Tridhetë agë për hajr ta bajmë”.

S’pe len djali plakun ma me folë:

“Zoti u vraftë, more agt’e Jutbinës!

Nji be t’madhe qi kam ba,

qi, ja martohem me gur e dhe,

ja e kam marrë Tanushën e krajlit!

E a ndigjuet, ju agët e Jutbinës:

ndeja kuk, si natn’ e vorrit,

e n’Krahinë cok s’u martova!

Por n’qafë m’paçi, mori bjeshkt’ e nalta,

kurrku’ i shtek qi nuk ma latë

për me dalun deri n’at Krajli!”

Sa mirë nama bjeshkt’ m’i paska gjue,

sa shpejt deti djalin ka ndigjue!

E e ka çue nji frimë të fortë,

e e ka çue nji firmë të xetë,

e e ka lshue krejt renë e zezë,

Binë ortiqt nëpër gropa,

ushtojnë malet si prej motit

Por tri dit e ma s’ka ngjatë,

a’shkri bora e ka ra n’lumë;

por tri javë e ma s’ka ngjatë,

shka e ka ba luma ata t’bardhë?

T’bardht’ e bjeshkve krejt e ka mbytë n’det.

II

Lum për ty, o i madhi Zot,

ç’po këndojnë bylbylat n’mal,

ç’po londrojnë fmija npër fushë!

Shpejt me dalë te tbani,

se ka shpërthye ahi!

At’herë djali Mujit i ka thane:

“Qetash gjogun, Muj, ti me ma dhanë!”

Aspak gjogun Muji s’ia ka dhanë.

Gjogu t’vet në shpinë i ka ra

edhe a’nisë Tanushën për me marrë.

Kur ka ba Muji m’u dredhë,

mirë po i flet nana e motnueme:

“Po ti ç’bane, more bir,

gjogun djalit qi s’ia dhae?

Rrezik djali me ba me pasë

e n’Krajli gja me ta gjetë,

sa t’jesh gjallë djalit ia kujton”.

Sa shpejt Mujit kenka dredhë.

“Nda, Halil!” djalit i ka thanë,

gjogun e vet Muji ia ka dhanë,

e’i msim t’mirë qi i ka dhanë:

“Udha e mbarë të kjoftë tash more vlla.”

at’herë djali i ka kcye gjogut n’shpinë.

“T’mirë u pafshim” – Mujit i ka thanë,

ka marrë dromin për Krajli:

dy herë djalin kurkush s’e ka pa.

Kalojnë male e kalojnë lugje,

kalojnë breshtë e kalojnë ashtë,

kalojnë dit e kalojnë net,

n’rob të Zotit kurrkund s’hasi.

Po thotë dielli “a’ndorja e eme”,

ka thanë hana “a’ndorja e eme”,

kanë thanë ort’ “a’ndorja e jonë”.

Zot, a flet dhija në mal?

Paska folë dhija në mal!

Çka ka qitun e ka thanë:

“Sa t’bajë ditë ka ndoren e dielli,

t’errmën natë ka ndoren hana,

armt’ e brezit ia rue zana!”

Fort Halili m’asht frigue:

“Ç’asht ky za, Zot, nëpër çeta?

P’a thue flasin dhitë e malit?”

- Mos gabo, se s’jem’ dhi malit,

se na jem’tri dhi prej shkambit,

qi rrijmë bashkë me zana!”

Sa mirë djali u ka përgjigjë:

“Mirë p’e di se a’logu i zanave

e fjals’ suej unë nuk i luej”.

Kur ka dalë n’bjeshkën ma t’naltën,

na e ka pa ‘ i lum t’gjan e t’gjatë:

i gjatë ishte det e n’det.

Ka ba gjogut me i dhanë ujë,

tre pasha gjogu a’dredhë përmbrapa:

paka ‘ i njeri për buzë shkami.

Sa mirë ora p’e pëvete:

“Kah je nisë, djalë-o me shkue?”

Ndjeshëm djali fort qi po i përgjegj:

‘Për krajli’ i herë jam drejtue…”

Fort ka qeshë ajo Ora e malit.

Sa mirë Ora e paska msue:

“Pa mba vesh, or djalë i ri,

p’e di mirë pse kha je dalë,

se t’kam pa ndër Lugje t’Verdha,

se t’kam dashtë si syt e ballit,

t’kam ruejtë natën, t’kam ruejtë ditën,

m’ke pasë hije për përmbas trupi.

Por avitu’ i herë prej mejet.

A p’e shef q’at lum të gjanë?

Atje i thonë te lumi i Tunës

Ndale synin n’at breg lumit,

merr teposhtë der tu hijet.

A po i shef do çadra t’bardha,

n’mjedis t’tyne ‘ i shatorr t’kuq?

Frenin gjogut mos m’ia ndalë,

fill t’ka çue te e bija e krajlit”.

Ora a’zhdukë e hupë në mal,

djali a’zhduke e ra në fushë.

A’varë dielli me pranue:

qat’herë dita m’konka errë.

Lum për ty, o i lumi Zot,

ke falë ditën me punue,

ke falë natën më pushue.

“Ça ka hana qi s’po del?”-

kanë pëvetë bylbylat malit.

“Pritni pak, o more zojt e malit;

ju me kndue, tjetër punë s’keni,

Hana sande ka ndodhë zanë,

ka nji ndore me përcjellë”,-

ka përgjegjë dhija në shkamb.

Qat’herë djali sa kish ra n’breg t’lumit.

Ka lidhë gjogun mbrend n’nji imshtë,

imshta ishte tanë ahishtë.

Vetë shatoret nëpër muzg t’nats’ po i lyp.

Kur ka mbrijtë te çadra e kuqe,

at’herë djali por ka ngulë,

ka xanë vend përmbas nji lisit,-

rrajt’ e lisit shpërda n’lumë.

Sa fort djali po mërzitet!

Ça ka qitun e ka thanë:

“Po si s’erdh kur kjo mjesnatë?”

Kur ka falë Zotynë mjesnatën,

sa urtish djali qi p’e msyn;

ma ka nxjerrë thikën ma t’preftën,

kamba-doras asht avitë

edhe e pritka nji copë shatorr.

Ka ba dorën mbrend me shti,

aty djali ka gabue,

se aty dora ndesh n’ballë t’njerit:

njeri ishte bija e krajlit!

Ka lshue vasha nji brimë t’keqe

edhe ndejë a’çue prej trembet.

Tre qind çika pr’i fjalë mbledhë:

“Ç’qe kjo brimë”, – Tanushës po i thonë,-

qi kso vigme kurrë s’e ke ba?

Sa butë vasha u ka përgjigjun çikavet:

“Shkoni e bini, mori shoqe.

Si lugat dishka m’u shti

e prej tremet gjumi m’duel.”

Mejherë çikat kenkan shkepë,

menjëherë vasha a’ulë me ra,

e’ i unazë n’tokë rrotullohet:

shpejt e çon Tanusha toket,

kur – ka pa ftyrën e djalit!

“Po kët ftyrë, Zot, ku e kam pa,

qi po m’giet me t’Halilit?”

tjetër djali s’a’durue:

“Zoti t’vraftë!” – Tanushës’ po i thotë,

“Po a je njeri që ke besë?”

“T’thashin krahët, more djalë i ri,

se fort fellë qi paske hi!

Tre qind shpirtna n’trup me i pasë,

kurrnja drita s’ta ka xanë.

Hajde mbrend, kopil! – po i thotë,-

“Se ja desim të dy përnjiherë,

ja kem’pshtue të dy përnjiherë”.

Sa mirë djali nuk po ngutet:

“Ndal nji herë”, – çikës i ka thanë,

e t’ka nxjerrë shpatën prej millit,

ka xanë pritën n’shtek t’shatorrit,

ka lshue synin rreth oborrit:

rob i gjallë asajtë nuk shifet.

At’here djali mrend ka hi.
E ka marrë vasha për doret,

shpejt e shpejt te i odë i prin;

oda ishte mbushë me pajë.

Tu i ka zgjedhë’ i palë petka ma t’mirat,

t’gjith ngri n’ar kokan kanë, -

e Halilit para ia ka shtrue;

“Çou, Halil, shpejto m’u veshë,

se me t’xanë drita qysh je,

t’dyvet krajli veç na pret”.

Krejt si çikë djali po dan.

III

Ka nisë drita me lbardhë terrin,

marrtas dielli kenka çue.

Zot, ç’po bajnë çikat e krajlit,

qi kaq herët kenkan çue?

Po ngarkojnë lesh sa ku munden

për me ra deri n’at lumë.

Po shpërndahen gurve t’lumit

gurve t’lumit kah po lajnë.

Herë po lajnë, herë po kndojnë.

Del Tanusha n’at breg lumit

vetë e dyta gisht për gisht,

vend po xanë te gurt’ e lumit

Kanë qitë çikat e e kanë pvetë;

“Amanet, mori e bukura e dheut,

po kjo vashë n’dorë qysh t’ka ra,

qi ne pahin krejt na paska marrë?

Syni i saj, si syni i zanës;

balli i saj, si balli i hanës;

shtati i sajë, porsi hala n’bjeshkë.

Kurkund shoqen nën këtë diell s’e paska!”

“ Zoti u vraftë, mori tri qind çika!

Gja e pa shoqe s’asht n’kët jetë.

Fukare e mjera ka qillue,

e ka xanë pasha i Dumlikës,

por kjo pajë s’ka ku me marrë:

baba dekë e kalbë nën dhe,

nana mbet rrugash mbi dhe,

ia ka msy kulln’ tatës krejt,

a’s’a’ send ndoi pare me ia falë.

Por ju lani u pastë Tanusha,

lani lesh e mos u tallni”.

Askurrnja pa s’po e pvetë.

Lum për ty, o i lumi Zot,

se çdo bajë krajlat n’at Kotorr!

Iandërr t’vshtirë e paska pa,

paka n’andërr nji tufë berresh,

n’mjedis t’tufs’ nji uk të zi,

tufa ishte tre qind delesh;

uk i zi si i dash galan.

Trembshëm grueja konka çue,

fill t’u krajli konka shkue;

“ Çohu, bre krajl, ty Zoti t’vraftë,

Se nji çikë Zoti t’ka falë!

Tjetër djalë n’votër nuk ke

e qe ‘i mot me sy nuk e ke pa.

Hypi gjokut ku të jetë ma i shpejti,

se nji andërr t’veshtirë sonte kam pa.”

“Hajre kjoftë”, – britka krajli.

“ Se ishte çue nji uk Jutbinet

e tre qind çikat i kishte përda”.

Menjëherë krajli asht mbërthye:

mirë e shtrëngon dorinë e mejdanit,

mirë shtrëngohet me hekrat e shtatit.

Ka marrë rrugn’qi çon te bregu i Tunës.

Tre qind çika qi po i njeh,

nji ma tepër qi po i del,

ajo e bukura qi m’ishte ndër shoqe.

“Oj Tanushë, lum baba, – i ka thanë,-

po kjo çikë n’dorë kah t’ka ra,

qi n’dynja shoqen s’e paska?”

“Fukara e ngrata ka qillue,

tata dekë e nana mbetë rrugash,

e ka xanë pasha i Dumlikës;

e papajë qyqja ka ndodhë,

fill ka ardhë e ka msy ty,

a’s’a’ send ndoi pare me ia falë”.

Sa mirë krajli asht pshtjellue;

“Tash po nisna për Kotorre t’Reja,

ti me vedi çikën ke me e marrë!’

Ka dhanë emër krajli me bujri,

tre qind çikat me u shtrëngue,

Për Kotorro tek janë fillue.

Asht Tanusha n’t’mbramin rresht

me Halilin gisht për gisht,

djali m’gjog, vasha n’dori.

Mirë ushtria qi po i rue,

kërkund giasë, s’po i shofin për me hikun,

Mbas tri ditësh e mbas tri netsh,

a’kapë çeta të Kotorr’t e Reja.

Tre qind çika janë shkepë ndër koniqe,

e ka zgjedhë Tanusha ‘i kullë ma t’mirën,

n’breg të detit përmbi ‘i shkamb;

dymbdhetë katesh kulla e naltë,

kërrkund shoqen nuk e kishte;

tre qind hapash kulla e gjanë,

t’tana ballet guri s’ltue,

anash krejt guri s’latue

latue shkambi prej mermerit.

Aty gurrat me u flladitë

Aty kopshti me u mahnitë,

Aty velat me velzue,

me velzue për shpinë të detit.

Kur po hin njeri n’at kullë,

me kujtue se ka ndrrue jetë.

Me Halilin mbrenda kanë hi,

paska ndejë tri dit e net,

as kanë hangër, as kanë pi,

“Qysh t’ia bajmë me kthye n’Judbinë?”

Sa mirë vasha ashtu kujtue;

“ Me i dhanë gjogut shpinn’ e detit,

na po himë m’nji barkë me rrema

na po himë mi nji barkë me vela

ti vozit, unë drejto velat.

Na çon Zoti i freski t’hollë,

na i shtyn velat për Krahinë,

aty n’breg gjogu na pret.

Se unë drue nanës me i kallxue”.

I kanë dhanë gjogut shpinën e detit,

Por ç’ka ba shkina e Kotorrit?

Kish pa gjogun mjedis valës s’detit,

fill te krajli kenka shkue;

“Zoti t’vraftë!” – krajlit i ka thanë,-

Tash tri dit çika n’Kotorr a’ ardhë

e as unë, as ti me sy s’e kem’pa!

se mue ngaeja kurrkund sot s’a qet”.

Se fort shpejtë krajlica gadi a’ ba

e ka marrë rrugën e bregut t’detit

për me shkue të kulla e bukur.

Aty m’gjetka kullën xanë.

Sa mirë zanin shkina e ka t’hollue:

“Oj Tanushë, lum nana!”- m’i ka thirrë.-

Çilma derën ‘i herë synë ta shof,

se malli yt a’ kah m’çon n’tjetër jetë!”

A’dridhë çika përmbas deret:

“Po si m’thue, Halil, me ba?”

“Çilja derën, n’bahti t’Zotit”.

Kurrkund zemra s’i ban me shdry derën,

Sa shpejt n’mend i ra çiks’ edhe ‘i fjalë;

“Pa ndigjo, lum nana!” i thotë,

“ Po qysh t’dal e mjera derën me ta çilë

me kët dergjë që shtatin ma ka kputë?”

“ Hajt, moj bi, lum nana!”- i thotë.-

Vetë t’pastë lokja, e re qi kam kanë

e q’so dergje shumë herë qi m’ka ra.

Por po t’ap besën e Zotit,

se ty dergjën nana ta ka shndoshë,

por çilmë derën e mos m’len me pritë,

se ti nanën nanë ke për ta pasë”.

A’ rrejtë bija e zemra hiç s’po e rre:

n’bahtit t’Zotit tek ka ra për shkaallësh,

edhe derën nans’ i paska çilun.

Po, por nana s’ish ken’ nanë’

ish kenë bishë qi hate draguejt.

Kur ka pa shkina Sokol Halilin,

a’ dredhë mbrapsht si derdhet gjarpni.

“ Zoti t’vraftë, moj bi, si t’paska vra!

P’a me cuba kullën e ke mbushë?”

Edhe derën e ka shkrepë,

fill tu krajli tek a’shkue;

“ Ke mbarue, krajl kapedane!

T’kanë ardhë cubat e Jutbinës

e ty kullat t’i kanë zaptue,

erzin marrë, çikat shnjerzue!”

“T’u thaftë goja! Ç’je kah thue?

ka britë t’madhe shkjau i Kotorrit

edhe fytyra zjarm i paska marrun,

Shpejt konka shtrëngue

e e rrethueka krejt bregun e detit,

e e ka msy kullën e shkambit.

Hiç s’po i nepet djalit me qindrue.

T’dy për krahit krajli i ka kapun.

“Si m’shnjerzove kështu, Tanushë, mjerë baba!

Qysh me ndejë me cuba të Jutbinës ?”

N’burgje t’fella Halilin’e ka ndry,

rrugn’ e madhe Tanushs’ ia ka dhanë.

“ Qetash udha e mbarë t’kjoftë, mori bi,

se kto janë rrugt’ qi ke dashtë me marrë!

E ruej se e msy tjetër dern’ e shpisë,

se babs’ e vendit ia ke mbyllë me ferrë!”

Qat’herë vajin ka marrë çika e rrugën,

ka marrë gjamën e fort po gjamon,

krejt e mjeron rrugën kah po shkon.

Kanë dalë gjindja me veshtrue ata vajë,

as m’iu avitë kurrkush nuk po guxon,

kaq rojë t’madhe krajli i kishte vu.

Kur ka mrrijtë te kryet e Kotorrit,

mirë p’e ndal Jovani e p’e pvet:

“Ç’ka ‘kta vajë, Tanushë, lum motra? “ – i thotë,-

“Se kso britmet kurr nuk kemi ndi!

Ktheju nji herë e t’himë mbrenda në shpi.

Ty dishka po deshtka sot me t’gjetë.

“ S’ke pse m’ton, Jovan, për me dredhue.

Rob kanë xanë Halilin e Mujit

e mue rrugat tata m’i ka dhanë,

ma për t’gjallë te shpija mos me kthye”.

“ Po ty, bi hjeksinë kush ta ka ba?”

“Ah, mos pritsha, Jovan-o, me kanë!

Nana qi m’paditi !

Po amanet, Jovan, ta paça lanë,

nji fjalë Mujit tu dera m’ia çue

q’me i ra mbrapa Halilit sa ma parë,

ndryshej djali n’burgje t’u ka kalbë!”

“Unë Mujit shtek as gjurmë s’i di,

po e ka ksajtë nji bi Krahinet.

E ka kullën shi në krye t’Kotorrit,

dern’ e re t’ndreqme sivjet”.

IV

Tu dera Jovani e ka përcjellë

e tu dera gruen e paska hasë

kah po kthete me bulirë prej kronit.

“Shka t’ka gjetë, Tanushë motra?”

“Mue m’ka gjetë shka mos t’gjetët kushi!

Tata rrugat m’i ka dhanë,

dern’ e shpisë ma mos me e msy;

robb m’kanë xanë at Halilin e Mujit;

lutem, djali ka sharrue

po s’erdh Muji për me pshtue”.

Grue prej fisit qi kish kanë,

sa mejherë ia shndoshka zemrën:

“Qi n’kjoftë Muji i gjallë e për të gjallë,

sot tri dit t’ka pri me qitë kunorë”.

E ka gjetë nji njeri beset,

menjiherë Mujit natën ia ka nisun,

N’nesret nadje djali a’ kapë tu kulla,

nji kah nji krejt punt’ ia kallxon Mujit.

T’madhe Muji paska nisë me qeshë:

“A t’kam thanë, taraku i Kotorrit,

se Kotorret kanë m’ta hangër kryet?

Mos me m’ardhë marrja e Jutbinës,

tybe n’Zotin kambën nuk e luejta!”

A’dalë trimi në beden të kullës,

me ‘ i kushtrim ka thirrë Jutbinë e Krahinë:

“Për nji punë qi sot ka ndodhë,

kushtrim, djalë, për me çetue!”

Mejherë trimat kenkan mbledhë:

“Hajre, Mujo” kanë qitë e i kanë thanë,

“S’kam shka u thom, more agët e mij,

veç m’koriti Sokol-Halili!

E kanë xanë mbrend në Kotorre t’Reja,

qi tybe n’Zotin mbrapa n’i bije,

mos me m’ardhtë marrja e Jutbinës!

Me u shtrengue, burra, si t’mundi,

se dita e vdeks’ma e vshtirë ndryshej nuk vjen”.

Treqind agët mirë janë shtrëngue,

kanë ba ashtat trimat me ushtue,

kanë ba lumet trimat me turbullue,

kanë ba gjogat trimat me flurue

e t’jan kapë te Kotorret e Reja.

N’shevarinë të detit kur kanë ra

nëpër ranë t’detit Muji i ja shpërnda:

“Ver me gojë mos guxo kush me ba!”

Sa mirë agt’ janë mshehë

e të gjith pa za po rrijnë.

T’lumet na për Zotin t’lumin

se shum njeri kenka mbledhë

ndër ato Kotorre t’Reja

Me kushtrim krajli i ka thirrë,

tanë Kotorri tu kisha janë ra,

ditë e dielle si m’kish qillue.

N’mjedis t’logut nji djalë i ri,

hekrat duersh, bugagitë kambësh,

ai asht Halil aga i zi.

Mbarë Kotorri me ta qi po qeshen,

Mbet e i foli krajle kapedani:

“A p’e e shef Halil, dekën me sy?

Kurr ma ngushtë, Halil, a thue je kanë?”

Kuvend burrash djali paska shtrue:

“Pa ndigjo, more krajle kapedani!

S’a’ ngushtë njeri deri n’ditë të dekës.

Deka vjen mbas besës s’thyeme,

a’ i kue bukë mos t’kesh për mik.

Sa ma ngushtë, krajl, qi kam kanë

q’aq ma lirë Zoti ma ka ba!”

“Fjaln’ e mbrame, n’e paç për me folë,

se ty jeta n’nj’at hu t’u ka sosë!”
”Zoti t’vraftë, bre krajle kapedani!

Zoti e di për ka e ke ngulë at hu!

Pesë dekika liri për më m’dhanë.

Tjetër t’mirë ne t’parët s’na kanë lanë,

kurrgja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme

por me shpata m’u pre tuj këndue”.

Sa burrnisht krajli e ka çue:

“Gjith sa t’duesh, Halil, me kndue”.

Edhe duert mirë ia shpengojnë,

ia kanë dhanë lahutën n’dorë.

Kurrkush djalin vesh s’und e ka marrë,

Krejt p’e kndon kangën n’ gjuhë të parve:

“E kshtu drita e mbrame m’paska ardhun-o!

Dielli xanë e majet xanë!

Ku e latë ndoren, more diell?

Ku e ke ndoren, mori hanë?

Ku e ke ndoren, mori zanë?

P’a kjo a’besa qi m’patët dhanë?

A po m’gjegjesh, more diell?

Pash nj’at dritë qi flakron n’ballë,

amanet ta paça lanë,

amanet për t’mbramen herë,

kerkoje bjeshkën krep e m’krep,

kërkoi mrizet gjithshku janë,

ndezi ashtat anembanë,

zirjau gjumin orve n’mal,

zanës s’madhe falë me shndet,

thuej Halili qetash mbet!’

Ka flurue nji zog prej malit

u ndal zogu n’degë t’nji ahit.

“Amanet, mor zogu i malit,

a ke flatra me fluturue?

Pash nj’at degë ku rri pushtue,

falë me shndet ti gjetobasho Mujit!

E atë gjumi n’e paske xanë,

kurr kryet shndoshë o mos e qoftë!

Për n’kjoftë bjeshkve kah çeton,

kurr te shpija shndoshë mos voftë!

E për n’kjoftë kund ksajtë tuj ndi,

kurr ma ngusht vedin s’e di!

Qaty Muji për fushë a’dalë

e e ka ba nji piskamë të madhe:

janë shembë kullat deri n’themele

e t’a trandun deti me hi mbrend,

kanë gjimue malet si për mot t’lig.

Kurrnja trimat nuk p’e lanë me hikë,

Luftë e rrebtë aty qi po bahet:

me dhambë trimat duen sheshojnë me shkye,

me dhambë gjokat duen shoshojnë me marrë;

notojnë kurmat fellë në det,

notojnë trupat nëpër gjak.

Hiç s’po lodhet gjetobasho Muji,

sa fellë trimi paska hi.

“Ruej, bre Muj, se krajlin po ma çart!”

fort ka britun Sokol-e Halili.

“Zgjidhmi kush prangat prej dore,

se kam ba be n’t’lumin Zot,

qe ky hu shpirtin m’ia marrë!”

Muji djaln’ e ka shpengue,

a’ turrë djali si i tërbue,

gjallë me dorë krajlin ka xanë,

me shpinë n’hu ditt’ i mbaroi.

Qat’herë burrat kanë rrokë unat,

shpejt qyteti ka marrë zjarr,

ka marrë zjarr krejt n’fund e n’maje.

Sa fort Muji m’asht tërbue:

aspak dhimbë trimi s’po ka,

as për kulla qi rrënohen,

as për t’dekun qi shkrumbohen,

Tri herë diell pa pranue,

tri herë hana ka ague,

kërkund zjarmi me pushue.

Kur ka ba trimi me dredhë,

kenka sjellë pre Kotorresh t’Reja:

“A po ndieni, troje të rrënueme?

Kushdo t’pvesë për tokë e det,

po pse krajli u ka lanë shkret,

trathtoi binë, thoni, nana e vet,

ka nxjerrë Muji vllanë e vet,

muer Halili i’ vashë mbetë shkret!”

Shënime dhe detyra

I



Një natë të ftohtë dimri, Kreshnikët e Jutbinës, mblidhen në shtëpi të Mujit. Pijnë verë trimat, ngrohen pas zjarrit dhe e kalojnë kohën tërë gaz. Në muhabet e sipër fjala shkon te martesa e Halilit. Kreshnikët e qortojnë Mujin pse e ka lënë gjer atëherë të vëllanë pa martuar. Ata janë gati t’i japin për nuse cilëndo vajzë që do t’i pëlqente në Krahinë. Ai më në fund e thotë hapur se ia ka vënë syrin Tanushës së Krajlit që s’e ka shoqen për bukuri.

Kur shkrihet bora e lirohen qafat, Halili niset për Krajli. Ai e gjen Tanushën në një çadër buzë lumit. Vajza e njeh Halilin nga unaza që ka me fytyrën e tij. Atëhere e merr djalin, e vesh me rroba grash dhe e paraqit si një vajzë të varfër që ka ardhë për të kërkuar ndihmë nga i ati. Por e ëma e kupton të vërtetën dhe vete ia thotë të shoqit. Krajli kap Halilin dhe e mbyll në burgje të thella, kurse së bijës i jep rrugët.

Një të diel bëhen gati ta presin Halilin para kishës. Pikërisht në këtë kohë ia mbërrin Muji me shokët e tij dhe fillon një luftë e rreptë me krajlin. Kreshnikët lirojnë Halilin, marrin Tanushën dhe kthehen në Jutbinë.



Qemal Haxhihasani





1. Fjalor

frimë-a = era; Jutbinë-a – qytet në Kroaci; çetinë-a = pishë, borigë;

ortek-u = lëmsh bore që rrëkëllehet maleve; hej = shufra akulli, qirinjsh

paresh = pak më parë; pjalm-i = borë;

me sharrue = me mbetë keq, me vdekë; gjetobash-i – kryetar çete;

mocë-a = mosha; Kotorret e Reja = qytet në Dalmaci; daji = trim;

me shkimë = me rrëmbye, me heqë;

Krahinë-a = Krajna, vend në Bosnjë ku zakonisht zhvillohen ngjarjet e rapsodive të kreshnikëve;

Tusha = një argjendar i dëgjuar që stoliste armët.

shemshir -i = bimë zbukuruese; co = kurrë, jo.



ALITERACION

Edhe rapsodët, si të gjithë poetët e tjerë, përpiqen që të zbukurojnë vargun, t’i japin sa më shumë muzikalitet. Një gjë të tillë ata e bëjnë, siç kemi vënë re, me anë të anaforave, epanastrofave, rimave etj. Një mjet tjetër për zbukurimin e vargut është edhe aliteracioni, domethënë përsëritja e të njëjtit tingull (bashkëtingëllore ose zanore) në fillimet e fjalëve të ndryshme brenda vargut. P.sh:

Gjaja e gjallë, druem, ka mbarue

………………………..

M’dy gjunj gjogu Mujit m’i ka ra

…………………………

shtrëngo shtatin se do t’bijmë n’Jutbinë

………….

Ka kalue katune e kasaba

………..

bini n’pije e pijen po ma pini

1. Gjeni në këtë rapsodi dhe i shkruani në fletore katër anafora, katër epanastrofa, katër vargje me aliteracion dhe dy hiperbola.

2. Ndaluni te vargjet me anë të cilave, rapsodi përshkruan peizazhin dimëror, i veçoni nga të gjitha vargjet e tjera, i shkruani në fletore.

3. Veçoni vargjet ku jepet portreti i Tanushës, i shkruani në fletore.

4. Zgjidhni ose peizazhin ose portretin e mësipërm dhe, duke u mbështetur në to, paraqisni me fjalët tuaja bukuritë që përshkruhen aty.





II

1. Fjalor



kenka dredhë = qenka kthyer; drom-i = rruga; breshtë-a = pyll me bredha;

ashtë-a = ahishtë; ndorje-a = njeri që është në besën dhe nën mbrojtjen e një tjetri; çetinë-a = pisha;

Ora = përfytyrohet si mbrojtëse e njeriut; sipas mitologjisë popullore; çdo njeri ka Orën e vet; kha = këtu;

Tuna = Danubi; shtatorre-ja = çadër; imshtë-a = pyll ahesh, ahishte e re;

çikë-a = vajzë.

2. Kjo rapsodi është e mbushur me ngjarje dhe të papritura të thurura me mjeshtri. Caktoni pikën e lidhjes dhe çastet e zhvillimit të mëtejshëm të veprimit.

3. Siç vihet re, te këngët e kreshnikëve, trimat lëvizin lirshëm nga një vend në tjetrin, mesa duket ata nuk hasin në vija kufitare të ruajtura me rreptësi. Cili është mendimi juaj për një gjë të tillë? A mund të përcaktojmë afërsisht shekullin në të cilin ndodhin këto ngjarje duke u nisur nga fakti i mungesës së kufijve të rreptë?

4. Muji dhe Tanushi janë loparë; Tanusha, ndonëse është bijë mbreti, lan rrobat në lumë bashkë me shoqet; kreshnikët jetojnë duke gjuajtur maleve etj. A kemi të drejtë të mendojmë se ngjarjet e Cilklit të Kreshnikëve ndodhin në një periudhë shumë më parë se sa të vinte feudalizmi? Përse?

5. Gjeni format e shkurtra të fjalëve që hasen në pjesën II të kësaj rapsodie dhe tregoni sesi është forma e plotë.



Detyrë me shkrim



Duke u mbështetur në pjesën e dytë, tregoni ngjarjen duke u përpjekur t’i ktheni vargjet në një prozë të lirë.





III



1. Fjalor

Ibardhë = zbardh; paahin = pamjen, bukurinë; galan = i zi’

dori -a= kalë me qime të kuqërreme;

hekrat e shtatit = armori, rrobat prej hekuri që mbanin motit luftëtarët;

njeh = numëron; shkepë= shpërndarë; dergjë = sëmundje;

m’ton = më fton; hjeksinë = këtu: tradhëtinë; ksajtë = në këtë anë

2. Komenti i kësaj pjese të tretë do të lihet në dorë të nxënësve. Për këtë:

a) Do të caktohen dy grupe nxenësish afro 15 ditë më parë. Çdo grup do të përbëhet nga pesë vetë.

b) Nxënësi I do ta lexojë bukur pjesën.

c) Nxënësi II do të sqarojë brendinë duke u ndalur në çastet kryesore.

ç) Nxënësi III do të përpiqet të verë në dukje gjendjen shpirtërore të Halilit, Tanushës, Krajlicës dhe Krajlit. Paraqitja e psikologjisë së personazheve të shoqërohet me citime vargjesh.

d) Nxënësi IV do të shpjegojë se ç’vend ze kjo pjesë në shtjellimin e krejt subjektit, ku qëndron dramaciteti i saj dhe me ç’mjete është krijuar ky dramacitet nga ana e rapsodit.

e) Nxënësi V do të verë në dukje mjetet e përdorur për ta bërë sa më tërheqëse tregimin (hiperbolat, aliteracionet, anaforat apanastrofat, krahasimet, përsëritjet epike etj).

f) Është e domosdoshme që në fund disa nxënës të shfaqin mendimin e tyre për punën e kryer nga grupi.



Detyrë me shkrim



Cilat janë momentet që më pëlqyen e cilët janë momentet që më pëlqyen më pak, në komentimin e pjesës III kryer nga grupi i nxënësve.




IV

1. Fjalor



tarak-u = viç; shevarinë-a = ranishte, plazh; bugagitë = prangat e këmbëve;

kur = kore; piskamë = britmë; trandum = tundur.


Detyrë me shkrim



Zhvilloni një nga këto tema:



a) Halili përpara vdekjes dhe qëndrimi i tij

b) mendime dhe ndjenja që na zgjon rapsodia “Martesa e Halilit”

c) Komentoni këto vargje:

“ Po ndigjo, mor krajle kapedani!

S’a ngushtë njeri deri n’ditë të dekës

Deka vjen mbas besës s’thyeme,

A i kue bukë mos t’kesh për mik!’



3. Tema për referate dhe diskutime:



a) Si paraqitet shqiptari në Ciklin e Kreshnikëve.

b) Çfarë më tërheq e çfarë nuk më tërheq te figurat e kreshnikëve.

c) Nenet e “Kanunit të Maleve” gjejnë mishërin të plotë te Cikli i Kreshnikëve.

ç) Vërtetoni sesi dy vëllezërit Muji dhe Halili janë dy personazhe që plotësojnë njëri-tjetrin.

d) Afri dhe dallime midis Gjergj Elez Alisë dhe Gjeto Basho Mujit.

e) Si paraqiten figurat e grave në Ciklin e Kreshnikëve.

f) Përzierja e realitetit me përrallën në Ciklin e Kreshnikëve: si realizohet, ç’dëshmon dhe përse shërben.

—————————————————————————

Perjetesia, Lasgush Poradeci


• Analizoni disiplinën shpirtërore dhe qartësinë e
vetëdijes artistike në poezinë e Llazar
Gushos.

Poezitë e Llazar Gushos quhen nga të gjithë shumë
realiste dhe të vërteta. Kjo gjë ndodh, sepse ai hidhte në letër çdo gjë që ai
ndjente në çdo periudhë. Tema e përdorur, që dallon më shumë është dashuria çka
do të thotë që ai vetëdijen artistike e ka ngritur mbi konceptin e dashurisë.
Por dashuria fiton vlera estetike në poezinë e Poradecit.

Gjithashtu qartësinë e vetëdijes artistike, Poradeci e
ndërton duke dhënë një model të ri e të qëndrueshëm letrar, të bazuar
thellësisht në ndjenja universale: në gjithëkohësi dhe gjithështrirje
hapësinore.

• Thoni se çfarë dini për rolin prej reformatori lirik në
letërsinë shqipe të Poradecit.

Me veprat poetike “Vallja e yjeve”dhe “Ylli i zemrës”, ai
krijoi një sistem unik poetik. Poezia e tij për gjuhën shqipe njeh figurën
origjinale, formën e re dhe ndjeshmërinë e papërsëritshme në letërsinë tonë. Ai
përdor magjinë e gjuhës, tiparin themelor të letërsisë moderne. Qëllim ndoshta
jo në vetvete i poezisë së tij, por i arritur, ishte vizioni sistemor mbi
letërsinë shqipe dhe letërsinë botërore, duke i parë këto në një bashkëlidhje
funksionale me njëra-tjetrën. Ai proklamonte domosdoshmërinë e një vështrimi
tërësor mbi letërsinë dhe të një vepre në sintezë, pra një formë dhe një
përmbajtje që mund të arrihet vetëm përmes intuitës. Ai solli një model krejt
të ri të lirikës në poezinë tonë, duke e trajtuar atë si problem
filozofiko-estetik, ndaj dhe zgjidhja që ai ofron përmes vargjeve është
absolute. Koncepti prej reformatori mund të konceptohet bazuar në shenjën e
veçantë të ndjeshmërisë, që ai e sintetizon në formë dhe përmbajtje.

• Komentoni krijimtarinë e viteve ’30 të Lasgush
Poradecit dhe dallimin e saj nga romantizmi drejt formave të reja.

Me Lasgush Poradecin, lirika shqiptare mund të
konsiderohet si një dukuri evropiane për nga niveli i ligjërimit poetik
origjinal. Ai paraqitet si poet me shpirt modern dhe evropian. Në këtë kuadër,
Kuteli e ka konsideruar si vlerë themelore të letërsisë shqipe. Dallimi me
romantizmin dhe me format e tjera spikat fare mirë, sepse ato ishin më tepër se
sa një ornament i thjeshtë, më shumë sesa një elegancë e jashtme.

• Evidentoni tiparet gjuhësore të letërsisë simboliste
tek vepra e Lasgush Poradecit dhe komentojini ato në kuadër të muzikalitetit
dhe përshtypjen tek lexuesi.

Lasgushi përdorte gjuhën metaforike. Ai ia doli që
nëpërmjet muzikalitetit të vargut (aliteracionit, onomatopesë, rimave) të
realizojë tiparet stilistike të estetikës simboliste. Gjithashtu mbështetja në
folklor është prirje e tillë, por ndoshta në një kuptim më naiv. Autori në
poezinë e tij përdor fjalë që lidhen me dukuritë dhe jo me sendet; reflekton
perceptimin dhe jo vëzhgimin apo prekjen e tyre. Ai e refuzon gjuhësisht
vendngjarjen dhe kohën e ndodhjes, duke krijuar hapësira e shtrirje universale
në poezinë e tij.

• Analizoni nëntekstet në universin poetik të poetit.

Tek universi poetik i L. Poradecit hasim si te rrallëkush
në poezinë shqipe, një magji të pastër të gjuhës shqipe, të forcave magjike të
tingujve, që japin thirrjet e jetës nëpërmjet zanoreve; në radhitjen objektive
njeriu, jeta, Zoti, përjetësia; në radhitjen logjike gruaja-burri-androgjenia,
të lidhur të gjithë së bashku nëpërmjet erosit, dashurisë si thelb i jetës, si
dhe nëpërmjet vdekjes si rruga drejt përjetësisë, afektive nëpërmjet
cilësimeve, p.sh. Kur ka thënë e bukura, nënkupton më e dashura dhe madje
gramatikore, inversionet, për t’i dhënë një tjetër fuqi poetike.

Poeti mbështetet në mënyrë konsekuente në magjinë e
gjuhës, një tipar konstant i lirikës moderne, duke shfrytëzuar të gjitha
mundësitë tingëllore dhe asociative të fjalës, duke çlidhur përmbajtje të errëta
pa kuptim p.sh. Gaz- helmprurës apo helm-gazprurës, por dhe fuqi misterioze “Një mal e hon e det e llaftari”, magjike”
Bashkohesh brenda me përjashtësi/
bashkohesh jashta me përjashtësi/bashkohesh, tretesh me përjetësi”, të
tingëllueshmërisë së pastër “Rëndë e fellë- edhe përjetë”. Rrjeti i
tensionit të poemave lasgushiane përbëhet nga energji analoge që njeh vetëm
muzika. Kjo poezi do të dallohet për figurat tingëllore, për vijimin e gradëve
të intensitetit, për lëvizjet absolute, ngjitëse dhe zbritëse, në alternancë
midis akumulimit dhe shkarkimit. “Me të
parën pikë loti…/Lot i parë-ah lot i shkretë/ Zu më shket për tatëpjetë/ sapo
Zoti më dha jetë: më dha jetë dhe më la vetë…”

• Arsyetoni thelbin e kompleksitetit poetik e ideor të
veprës së Lasgush Poradecit.

Lasgushi e ndërton poetikën e veprave të tij nëpërmjet fjalëve-kyç që ndahen në dy grupe të mëdha. Më pas jep një gërshetim të sendeve apo tipareve që nuk përputhen me njëra-tjetrën në mënyrë normale. Kështu vetë poeti në gjithë krijimtarinë e tij ka qenë i prirur nga ideali i unitetit, koherencës së
universit artistik, duke u konfirmuar si autor i sintezave të mëdha lirike. Në këtë univers nënshtresohen dhe panteizmi dhe tokësorja, kozmogonikja dhe hedonistikja, parnasiania dhe folklorikja, romantikja dhe hermetikja – të infiltruara në këtë botë me përkatësi autentike. Poeti ia ka dalë të shprehë poetikisht një sistem të tërë poetik, korrelativ dhe koherent në të gjitha hallkat përbërëse të tij. Racional dhe ndjesor, piktural dhe muzikal, onirik dhe real, mjeshtër fin i fjalës shqipe, filozof dhe folklorik, peizazhist dhe dramatik, Poradeci krijon kështu një nga veprat më komplete dhe më komplekse në letërsinë shqipe.

• Përshkruani modifikimin struktural që solli poezia e
Lasgush Poradecit në letërsinë shqipe.

Me Lasgush Poradecin ndodh, në fakt, një modifikim
struktural në retorikën e poezisë shqipe. Nëse deri te Poradeci ligjërimi
kishte një patos të jashtëm, nëse mesazhi poetik konfigurohej në një sasi të
madhe informacioni të transmetuar lexuesit, përmes autorit të vëllimit “Vallja e
yjeve”, lirika bëhet, në radhë të parë, shprehja e një gjendje
vetëdijeje konkrete, përmes një gjuhe me ngjyrim afektiv.

• Shpjegoni format se si personaliteti i Lasgush
Poradecit është reflektuar në krijimtarinë e tij poetike.

Vetë personaliteti i Lasgush Poradecit ishte
kontradiktor: në rini shkroi për vdekjen si koncept filozofik. Gjithashtu ai
ndjenjat e jetës si dashuria, i trajtonte në raporte ekstreme dhe të anatemuara
si gaz-helmprurës etj. Megjithatë mënyra se si ai i është përqasur erosit,
dëshmon për luftën brenda tij për të mbijetuar ndaj çdo lloj force. Pas lufte,
kur regjimi përpiqej ta harronte me çdo kusht, ai shkruante brilantet më të
vyera për erotiken si Kamadeva, apo filozofike si ekskursioni teologjik i
Sokratit.

• Shpjegoni thelbin e qenies në ëndërrimet e poezisë së
Lasgush Poradecit.

Poeti në ëndërr bazohet me një penetrim vendimtar në thellësinë e qenies së tij, duke angazhuar vetë themelet e qenies, pikërisht atje ku ka humbje tërësore të ndërgjegjes
individuale, duke kaluar në rrafshet më të thella të unit dhe atje ku uni nuk
ekziston më. Gjuha metaforike e ëndrrës është më sintetike, më e
përqendruar, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me konceptet racionale. Ëndërrimi i
fal dashurisë së projektuar në fëmijëri një paanësi, përsosuri, pafajësi të
gjesteve, mekanikën e lëvizjeve. Poeti në ëndërr barazohet me një penetrim
vendimtar në thellësinë e qenies së tij, duke angazhuar vetë themelet e qenies,
pikërisht atje ku ka humbje tërësore të ndërgjegjes individuale, duke kaluar në
rrafshet më të thella të unit dhe bash atje ku uni nuk ekziston më, aty ku
është shkrirë me madhësinë e kozmosit.

• Analizoni rëndësinë e vendlindjes dhe të gjuhës amtare
në aspektin poetik të poezisë lasgushiane.

Poezia e Lasgush Poradecit është krijuesja e një hapësire
kombëtare, më së shumti nga pikëpamja gjuhësore. Idilet e përmallshme të një
jete të pastër, mendimet filozofike, kënga për vendlindjen dhe posaçërisht për
liqenin marrin jetë në një mjedis morfologjikisht të pastër shqiptar. Gjuha
shqipe është vetëdija e ndërdija e tij dhe e gjithë kombit shqiptar.

• Nxirrni në pah rolin e krijimtarisë lasgushiane në
zhvillimin dhe përsosjen e shumë formave të shqipes.

Jeta dhe vepra e Poradecit përbën një fat për letërsinë shqipe. Çdo shqipfolës në mënyrë të pavetëdijshme, ka parasysh emancipuesin më të madh të lirikës kombëtare, reformatorin që ngriti poezinë shqipe në kuota kombëtare. Mbi të gjitha, Poradeci ka bindjen se gjuha shqipe mund të shprehë në mënyrë të plotë gjithë spektrin emocional poetik. Ai e quan atë Ligjëratë
pleqërishte; Frymë e gojës shqiptare; Këngë e orës shqiptare; Fjala jonë
pleqërishte; Kuvendi i zogut etj. Nga këto sintagma e formula
poetike poeti njeh lashtësinë e gjuhës shqipe (Ligjëratë pleqërishte),identitetin etnik (Frymë e gojës shqiptare), aftësinë
muzikore të shqipes (Kuvendi i zogut). Në gjithë krijimtarinë e tij poeti bën përpjekje të vazhdueshme për reformimin e gjuhës së pastër shqipe. Ai lektiset pas frymës, dëlirësisë dhe bukurisë së shprehjes së kulluar të popullit, krijon e modelon sipas gjedhesh popullore, ndaj poezia e tij është objekt arti dhe një vlerë e çmueshme, edhe për bukurtingëllimin harmonik të jashtëzakonshëm. Përjetimi intensiv intelektual, shpirti evropian, reflekse të kulturës së poetit, të bashkuar me elemente të poezisë orale, mitike e kombëtare, krijojnë një përbërje të veçantë, një armaturë nga ngrihet një vepër solide me trajta origjinale.

• Komentoni diversionin evropian të krijimtarisë së Lasgush
Poradecit nëpërmjet koncepteve të tij.

Lasgush Poradeci, duke bërë pjesë në peizazhin modern
evropian, mbart edhe tipare moderne që do të dallohen në jetën kulturore të
kontinentit. Ligji që përcakton stilin e konceptuar si “vizion” nuk gjenerohet
nga subjekti apo tema e veprës, dhe as nga gjuha artistike tradicionale. Me
veprën e tij, poezia shqipe njohu praninë e pikturës dhe muzikës në ndërtimin e
lirizmit poetik më shumë se çdoherë më parë. (Kini parasysh këtu poezinë
“Shenjtëreshë” të Malarmesë).

• Diskutoni me njëri-tjetrin për përmasat evropiane të
krijimtarisë së Llazar Gushos.

Për këtë mbani parasysh qëndrimin e Çabej: “Lasgush
Poradeci na hap portën e një jete të re në poezinë shqiptare, një frisson nef, siç pat thënë Viktor Hygoi
për veprat e Bodlerit, lind e rritet në lëmin e këngës shqiptare një stil i ri,
të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, por më kot edhe
ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që shquan këtë poet
djalosh. Kuteli ka thënë për Lasgushin: Arti i tij i detyrohet vetëm e vetëm
artit-mjeshtër të veprës Lasgushiane, e cila prej shumë vitesh e ka robëruar me
bukuritë e saj të pashoqe në letraturën shqipe, e me shoqe të rralla në
letraturën e përbotshme. (Marrë nga: Eldon Gjikaj, Cikli filozofik në sistemin
poetik të Lasgush Poradecit, Naimi, Tiranë, 2010, faqe 44-45).

Analizë “Përjetësia”

* Kjo analizë është mbështetur thellësisht dhe gjerësisht
në interpretimin që studiuesi Eldon Gjikaj i ka bërë poezisë Përjetësia në
monografinë “Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit”, Naimi,
Tiranë, 2010. Për këtë arsye nuk janë cituar numrat e faqeve.

Për më tepër,
sugjerohet konsultimi me burimin: Eldon Gjikaj, Cikli filozofik në sistemin
poetik të Lasgush Poradecit, Naimi, Tiranë, 2010

E tërë vepra e Lasgush Poradecit ku më shumë e ku më pak
i dedikohet përjetësisë. Nga pikëpamja strukturore, përjetësia shfaqet si një
kusht i dyfishtë, i varur dhe dominant. I varur sepse paraqitet si pjesë e
prodhuar nga të gjitha shenjat kryesore ( dashuria, njeriu, Zoti, erosi,
vdekja, etj ) dhe dominant sepse përjetësia kthehet në kushtin e tyre jetësor.,
ato duhet ta mbartin në vetvete domosdoshmërish. Vetë poezia Përjetësia, bën
pjesë tek vëllimi poetik “Vallja e Yjeve” i cili është i strukturuar në shtatë
cikle. Cikli i pestë “Vallja e përjetësisë” përfshin edhe poezinë “Përjetësia”.
Në bazë të këtij cikli është dominant semantika e përjetësisë. Në pesë këngët
që e përbëjnë paraqiten pesë shkallët e zhvillimit të jetës fiziko-psikike.
Këto janë a. Lënda dhe jeta, b. Fryma dhe qëllimi, c. Ndjenja dhe njeriu, ç.
Njeriu dhe Zoti, d. Përjetësia. Ky cikël filozofik është në gjendje të
ngërthejë elementet e sistemit në një thelb poetik semantik sipas perspektivës
zonë tokësore zonë qiellore (simbol i
pentagonit). Duke i ballafaquar ciklet e mësipërme me këngët e ciklit filozofik
gjithnjë sipas perspektivës zonë tokësore zonë qiellore përftohen këto çift:
lënda dhe jeta- Vallja e Dherit

Fryma dhe qëllimi_vallja e vdekjes

ndjenjat dhe Njeriu, vallja e yjeve,

njeriu dhe Zoti, vallja e Qiellit,

përjetësia, vallja e Përjetësisë.

Çifti i fundit përveçohet nga të tjerët sepse
pashmangshëm shtron për zgjidhje një çështje themelore: nëse në ciklin
filozofik “Vallja e përjetësisë” reflektohen gjithë të tjerët, pra në një farë
mënyre, në sistem si funksionin si qendër kondensuese e cikleve të veçanta dhe
se kënga Përjetësia brenda tij kondenson këngët e tjera, atëherë paskemi të
bëjmë me një qendër të qendrës!?

Gjithnjë sipas perspektivës zonë tokësore zonë qiellore,
kënga Përjetësia përqendron maksimalisht prurjen poetiko-semantike të ciklit
filozofik, për pasojë të krejt sistemit poetik lasgushian. Aty thuket i gjithë
konceptimi i autorit mbi botën dhe njeriun (në përshkallëzimin
trup-zemër-shpirt), dy kolonat universale të mendimit filozofik sot e mot sipas
linjës vertikale tokë/qiell., nga ky këndvështrim mund të themi se mund të
konsiderohet qendër e qendrës… ndërkaq në kontekstin tonë ka rëndësi të
posaçme afria simbolike mes numrit pesë dhe qendrës. Pesa evokon qendrën e
kryqit, pozicioni qendror i njeriut mes tokës dhe qiellit. Pra Lasgushi ka
kërkuar në poezinë e tij, qendrën e qendrës pesekëndëshe, nëpërmjet kësaj ai
pasuron vlerat estetike të tekstit. Kënga Përjetësia zgjerohet ndjeshëm., ajo
përbëhet nga tri pjesë, paraprakisht Përjetësia si në boshtin vertikal VY,
ashtu edhe në boshtin hapësinor VZ, e paraqet në mënyrë të përqendruar vizionin
e tij poetiko-filizofik mbi çështje madhore: Procesi i njohjes prej njeriut,
shkallët e këtij procesi sa racional aq edhe mistik, ku bota tokësore me botën
qiellore krijojnë amalgamë të qenësishme.

Poezia Përjetësia është e ndarë në tre pjesë dhe ka një
organizim specifik të materialit shkrimor. Vargjet rimojnë me njëri tjetrin
sipas skemës aba b, me rima fundore dhe parafundore. Studiuesi Eldon Gjikaj në
punimin e tij “Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit”, ka
vërejtur se mes ideve filozofike të Lasgushit ka përkime me idetë filozofike të
Kantit. Thënë ndryshe, në poezinë Përjetësia, studiuesi vëren se Lasgushi ka
ndërtuar një raport: perceptimi shqisor i botës së jashtme-formësimi i saj
subjektiv, ku çdo subjekti i gjegjet një e jashtme e veçantë dhe personale.
Raportet që përbëjnë tharmin ideor të poezisë Përjetësia, është ai i
shkëmbimeve në kahjen subjekt®natyrë, thënë ndryshe e brendshme ®e jashtme,
por edhe e anasjella, pra natyrë®subjekt, e jashtme ®e brendshme.

Në një studim në rrafshin vertikal të poezisë Përjetësia
gjenden pikëprerje ku paraqitet poetikisht procesi i njohjes së botës përmes
shqisave: të shijuarit, të prekurit, të shikuarit, të dëgjuarit (referuar
procesit të njohjes sipas Kantit). Veçse ky njeri shfaqet i bërë njësh me
objektin e perceptuar: Je lëng… / Je pluhur…/Je erë e lules së vetë…Je
fije bar, je tingull prej këmbore.

Në këtë kuadër poezia i referohet tre fjalëve kyçe,
trupit, zemrës, shpirtit. Pra lidhja me botën, kryhet sipas këtij rendi. Në
këngën e parë, nëpërmjet trupit me tre shqisa: të shijuarit, të prekurit, të
nuhaturit, në këngën e dytë përmjet dy shqisave të tjetra, të shikuarit dhe të
dëgjuarit të cilat mbërrijnë thellë tek njeriu dhe të përbashkuara, japin
zemër. Në këngën e tretë mbërrihet në shkallën e tretë të lidhjes, e cila është
më e plota dhe më e thella, shkalla e shpirtit. Shkëmbimi në këngën e tretë nuk
ka vetëm kahje nga jashtë brenda, pra natyrë-subjekt, por edhe nga brenda
jashtë, subjekt-natyrë. Kemi të bëjmë me një proces të tërë shkëmbimesh të
ndërsjellta, mes të veçantës dhe të përgjithshmes të cilin Lasgushi e quan
shteg bashkimi, një proces ky i mistershëm (që ti s’di se si). Përjetësia në
interpretimin e saj në rrafshin vertikal është një tekst i alternuar mes vetës
së parë dhe vetës së dytë, me denduri më të madhe të kësaj të fundit.
Fillimisht duhet identifikuar zëri në vetën e parë., kush flet? edhe pse në
dukje diçka është e thjeshtë, është e qartë se përemri unë si zë në poezi i
takon përjetësisë, veçse në këtë rast përjetësia është njësh me një Zot
panteist, sepse entiteti të cilin e shquan zëri në vetën e parë shtrihet në të
gjitha elementet e natyrës. Kjo dukuri përkon me mendimin e Ali Xhikut, për pranimin e një Zoti panteist
tek poeti: “Zoti i Lasgushit nuk është Zoti teologjik, por Zoti që si në çdo
gjë të natyrës, është edhe në vetë njeriun”. Duke u rikthyer tek zëri i rrëfimit, në rrafshin vertikal poezia
Përjetësia, ilustron një skemë dialogjike. Ku njëri personazh, njeriu, është i
pranishëm vetëm si subjekt, e cila skematikisht mund të përfytyrohej:

Zoti (Përjetësia)®Njeriu

Për sa i përket të vërtetës së procesit të njohjes, poeti
është i shkrirë si me Zotin ashtu edhe me Njeriun. Reflektimi meditativ i
poetit, vjen përmes zërit të Zotit në trajtë predikimi mbi njeriun, pra duket
sikur poeti më së shumti kërkon të sqarojë vetveten. Nga kjo pikëpamje, në
rrafshin e mesazhit vertikal, në poezinë përjetësia dhënësi dhe marrësi
identifikohen në një: poeti.

Procesin e njohjes së botës, autori e jep në mënyrë të
përshkallëzuar përmes: perceptimit shqisor (shijon, përket, je, sheh, etj).,
stadit shpirtëror (ndje.,) raporteve e brendshme/e jashtme, e jashtme /e
brendshme, shkëmbimeve të ndërsjella mes tyre (vlak, det).

Si në interpretimin në rrafshin vertikal, ashtu edhe në rrafshin
hapësinor poezia Përjetësia, është e organizuar në formën vertikale të
materialit shkrimor, duke shkuar gjithnjë prej kulmit drejt një baze të
shtrirë, pastaj rishtas kulmim e rishtas në vargje të gjata. Vetë titulli i
poezisë Përjetësia lidhet me një kategori absolute qiellore, e cila nis të
zbresë e të zërë vend në gjësendet tokësore e njerëzore. Përgjithësisht poezia
është e ndërtuar nëpërmjet vargjeve të lira, por të ndërtuar me një muzikalitet
të rrallë. Gjithashtu në poezi vërehen, përdorimi i përsëritjes së fjalëve e
togfjalëshave, me qëllim përforcimin e mendimit., përdorimi i vargjeve eliptike:
(në qiell, që mendjen ty ta qellson,/në diell mendjen që ta diellëson) këtu
kemi zhvendosjen e përemrit që në segmentin e dytë të vargut, e cila pasohet me
mungesën e përemrit ty. Gjithashtu vërejmë përdorimin e enumeracionit dhe të
pyetjeve retorike, si në çdo poezi kemi përpjekjet e Lasgush Poradecit për të
na dhënë fjalë të reja, si dhe antonimin: në kulm, në thelb, në fund të vetes
sate.

________________________________

Lirike me shi – Azem Shkreli
• Shpjegoni rëndësinë e Azem Shkrelit në letërsinë shqipe të pasluftës. Rëndësia e Azem Shkrelit në letërsinë shqipe të pasluftës. Shfaqja e poetit të fuqishëm, Azem Shkrelit shënoi kthesën drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Rëndësia e tij është më e dukshme për faktin, se Shkreli ishte një prej poetëve të parë në poezinë kosovare, me një talent të fuqishëm emancipues, ndërsa në Shqipëri, gjendja e poezisë shqipe ndodhej nën trysninë e dogmës letrare të socializmit, të kontrolluar ideologjikisht. Liria poetike nga dogmat dhe krijimi i një traditë poetike në Kosovë u mishëruan në krijimtarinë e poetit Azem Shkreli. Pas botimeve të librave të parë me poezi të Esad Mekulit e Martin Camajt, Azem Shkreli e formësoi dhe e konsolidoi këtë traditë me vëllimet që me vëllimin “Në krahët e shkrepave”. Pak nga pak, poezia e Shkrelit priret nga një poezi e subjektit personal, duke e çliruar unin lirik intim nga ai kolektiv e duke përfshirë në të temën e dashurisë për vendlindjen, dashurinë për vashën, lirikën e peizazhit dhe portretizimin e njeriut rugovas me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë. Gjithë këto veti, bashkë me poetët e tjerë, si Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj etj., ndikuan në modernizimin e letërsisë shqipe pas luftës. • Karakterizoni vetitë e poezisë së Azem Shkrelit. Një ndër vetitë kryesore të poezisë së Azem Shkrelit është dendësia e mendimit, pra tek ky poet nuk shteron kurrë burimi i mendimeve. Ngarkesa dhe tendosja emocionale janë veti të tjera të poezisë së tij, të cilat nuk janë sajime mekanike, as rezultat i reduktimeve dhe i shkurtimeve sasiore të mjeteve shprehëse, pra krijimtari i pakufizuar, pa reduktime. Poezia e Azem Shkreli përdor efekte artistike me figura të ligjërimit poetik, si metafora, përsëritja, aliteracioni, etj., të cilat e bëjnë poezinë e tij të ketë ritëm, gjallëri, imazh mendor dhe asociativ. Një pjesë e efekteve të poezisë së Shkrelit janë dhe përpunimi i materies popullore vendase, mitet, tabutë, paganizmi i theksuar në betimin për gurin, rrënjët, qiellin e tokën. • Përkufizoni natyrën poetike të shkrimtarit Azem Shkreli. Në natyrën poetike të Azem Shkrelit, përfshihet dendësia e të gjitha shtresimeve poetike, e cila e ka të mprehtë ndjeshmërinë ndaj fjalës, dhe mundohet të nxjerrë, të shtrydhë nga ajo të pamundshmen. Në natyrën krijuese të poetit ndërthuren mendime dhe nuanca mendimesh, emocione, ndjenjë, imazhe përfytyrimi dhe imagjinate. Natyra e Shkreli, është para së gjithash, lirike dhe elegjiake. Ai është i prirur t’u këndojë si mahnisë para bukurisë, ashtu edhe humbjeve intime, individuale dhe shoqërore. • Renditni dhe sqaroni karakteristikat e poezisë së Azem Shkrelit. Gdhendja mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike është një ndër karakteristikat e poezisë. Në karakterin e saj poeti ka arritur të vendosë ritëm dhe harmoni të natyrshme të ndërthurura me njëra-tjetrën. Saktësia e imazhit imagjinativ dhe figurativ, saktësia dhe tërësia e perspektivës dhe e filozofisë poetike gjithashtu qëndrojnë në thelbin e poezisë së Azem Shkrelit. Poeti ka një vizion konciz mbi poezinë, duke e shteruar imazhin në përputhje të saktë me idioma e efekte gjuhësore, në të mirë të atmosferës dhe afeksionit krejt ngjyrime origjinale. • Përshkruani parafytyrimet që krijohen gjatë leximit të poezisë së Azem Shkrelit. Parapërfytyrimet e krijuara nga poezia “Lirikë me shi”. Është një veçori, mbase e rrallë përgjithësisht që gjendet nga leximi jo i thellë i veprës, ku “mendimi dhe emocioni robërojnë strukturat tërësore të vargut, strofës, frazës. Motivi i poezisë është krejt i zakonshëm, një peizazh, një qytet në kohë me shi”, Peizazhi është i përjetshëm, plazmon gjaku dhe psikika emocionale në përputhje me përmasat e fizikës dhe shpirtërores së trevave shqiptare. • Në ç’raporte qëndrojnë ndjenjat estetike me strukturën e vargjeve në poetikën e Shkrelit. Poema “Lirikë me Shi” ka një strukturë të thellë estetike, në të cilën vargu, strofa dhe fraza derdhen lirshëm dhe arrijnë një elegancë të përsosur ritmi dhe mendimi poetik. Vargjet e kësaj poezie janë 11-rrokeshe. Në të janë të shkrira një mori figurash letrare. Estetika dhe strukturimi i vargjeve në këtë vepër janë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Vargu i Shkrelit është jotradicional, poezia nuk ka forma të ngurta organizmi, ai hap shtigje të reja metaforike, në përputhje me natyrën emocionale e meditative të malësorit shqiptar të veriut, konstruktit të tij shpirtëror e mental, me lakonizmin, thellësinë, por edhe me misticizmin e besëtytnitë e tij. • Përsëritni edhe një herë tiparet e poetikës së Shkrelit. Poetika e Shkrelit vjen në forma sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Në të shkrihen shumë natyrshëm ngjyrosjet emocionale, ngarkesa dhe tendosja e tyre, nuanca mendimesh, imagjinate, dendësie, ndjeshmëria ndaj fjalës etj. Fjala, figura dhe fraza ndërthuren bashkë në një vepër të vetme. Organizimi i poezisë bëhet jo qëllim më vete. Zotërojnë vargjet e lira me rima spontane, ritmi i rregullt e i lirë, në përputhje edhe me strukturën grafike (strofa, monokolona, distiku etj). Mbisundon përsiatja dhe elegjia, tabloja lirike dhe etydi poetik. Shpesh herë poezitë marrin ngjyresë epigrafike, sentenciale, këshillimore (“Katër këshilla vetes”).

_________________________________________________________

1.2 Tema Josif Brodskij, fjalimi i Nobelit. Tekstikulturologjik ora I:
Objektiva: a) Të përvetësuarit e disa koncepteve estetike; b) Të lexuarit dhe të kuptuarit mirë e fjalimit të Broskijt.

Mësuesi sugjerohet t’i njohë nxënësit me konceptet e mëposhtme me qëllim që ata ta kenë më të lehtë të kuptuarin e tekstit. Këto koncepte nxënësi mund t’i lexojë për dijeni të përgjithshme jo si detyrë e mësimit.
Sugjerohet dy herë leximi i pjesës: një here nga mësuesi duke ndaluar dhe duke dhënë shpjegimet përkatëse për çka nxënësve mund t’u tingëllojë e panjohur; dhe leximi i dytë nga nxënësit që të jetë lexim për ta asimiluar përmbajtjen ideore të tekstit.
• Evidentoni objektin dhe subjektin e kësaj ligjërate eseistike. Subjekti i ligjëratës është me patjetër shkrimtari Brodskij, por edhe shkrimtari në kuptimin universal. Objekti është ekzistenca njerëzore, arti, gjuha dhe letërsia, etika dhe estetika, libri.

• Si do ta vlerësonit esenë: me prirje etike apo estetike? Çfarë mësuat nga këto dykëndvështrime për esenë? Ndoshta me të dyja llojet e prirjeve: kur niset nga këndvështrimi i subjektit mbi objektet, është estetik; kur niset të gjykojë mbi objektet është estetiko-etik.

Filozofia e shtetit, etika e tij, pa folur më për estetikën – janë përherë “dje”-ja. Gjuha dhe letërsia (kategori estetike) janë gjithmonë “sot”-i dhe shpesh – sidomos aty ku sistemi politik është ortodoks – ato madje mund të përbëjnë edhe “nesër”-in.
Çdofarë realiteti i ri estetik përsaktëson për njeriun realitetin etik. Sepseestetika është nëna e etikës; nocionet “mirë” dhe “keq” – janë nocione, para së gjithash, estetike, që parakuptojnë kategoritë e “së mirës” dhe “së keqes”. Në etikë jo “gjithçka është e lejueshme”, sepse në estetikë jo “gjithçka është e lejueshme”, ngase sasia e ngjyrave në spektër është e kufizuar. Një foshnje pa arsye që me të qara refuzon një të panjohur ose, përkundrazi, joshet drejt tij, instinktivisht ka bërë një zgjedhje estetike dhe jo morale. Zgjedhja estetike është gjithëherë individuale.
• Analizoni raportin e artit me privatësinë e ekzistencës njerëzore. Nga buron ky raportdhe si përthyhet ai në realitet? Nëse arti diç edhe na mëson (artistit, në radhë të parë), atëherë kjo ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore. Duke qenë më e stërlashta – dhe forma më e fjalëpërfjalshme e iniciativës vetjake – ajo dashje ose pa dashje stimulon tek njeriu pikërisht ndjesinë e individualitetit, unikalitetit, veçanësinë –duke e shndërruar atë nga një kafshë shoqërore në personalitet. Shumë gjëra mund t’i bashkëpjesëtosh: bukën, shtratin, bindjet, të dashurën – por jo poezinë, të themi, të Rajner Maria Rilkes. Pra arti është i lidhur ngushtë si me krijuesin e saj, ashtu edhe me përjetuesin e saj, sepse në të dyja rastet në forma të ndryshme ndikon në thelbin e tyre ekzistencial, për pasojë edhe për qasjen ndaj botës. Letërsia përthyhet tek gjithsecili prej nesh nëpërmjet individualitetit tonë dhe e kultivon atë sipas organizmit që ky organizëm ka. Pikërisht pra nëpërmjet kulturimit dhe kultivimit të ndjenjave njeriu shndërrohet nga një kafshë shoqërore në personalitet, sepse madhështia e artit është aq e pafundme, ashtu si raporti direkt që krijon me lexuesin e saj. Ky raport buron nga fakti se arti është i pashtershëm dhe universal për nga karakteri. Në realitet përthyhet me kulturën estetike të gjithsecilit prej nesh.

• Në ç’raport është letërsia, arti me shkrimtarin, artistin dhe si ndryshon ky raport melexuesin apo përjetuesin e artit? Letërsia pra përfshihet tek artet, pavarësisht se është forma më e stërlashtë e tij. Raporti me shkrimtarin/ artistin është shumë individual, sepse vepra e artit, letërsia në veçanti dhe poezia më përveçmas, i drejtohet njeriut têt-á-têt, duke u lidhur me të në marrëdhënie direkte, pa ndërmjetës.Pra arti është i lidhur ngushtë si me krijuesin e saj, ashtu edhe me përjetuesin e saj.

• Si shpaloset kundërshtia art-politikë në tekst dhe nga buron kjo oponencëuniversale? Pra, për këtë arsye, nuk e kanë dashur artin në përgjithësi dhe poezinë në veçanti prijësit e të mirave të përbashkëta, sundimtarët e masave, tellallët e domosdoshmërisë historike. Sepse aty ku kakaluar arti, ku është lexuar poezia, ata zbulojnë në vend të pëlqimit dhe solidaritetit – shpërfillje dhe kundërshtim, në vend të vendosmërisë për veprim – mosvëmendje dhe neveri. Oponenca universale buron nga misioni i gjithsecilës veprimtari njerëzore në jetë sepse 1.nuk e kanë dashur artin në përgjithësi dhe poezinë në veçanti prijësit e të mirave të përbashkëta, sundimtarët e masave, tellallët e domosdoshmërisë historike; 2. Sepse aty ku kakaluar arti, ku është lexuar poezia, ata zbulojnë në vend të pëlqimit dhe solidaritetit – shpërfillje dhe kundërshtim, në vend të vendosmërisë për veprim – mosvëmendje dhe neveri.

• Shtjelloni konceptin universal të artit sipas Brosdskijt dhe komentoni postulatin “…arti parathotë një periudhë, periudhë, presje dhe një minus”. Me fjalë të tjera, nëpër zerote vegjël me të cilët prijësit e së mirës së përbashkët dhe sundimtarët e masave priren të veprojnë, arti parathotë një “periudhë, periudhë, presje, dhe një minus”, duke e shndërruar çdo zero në një njeri të vockël, megjithëse jo gjithmonë të bukur. Arti sipas Brodskijt qëndron mbi gjithshka, sepse ai ka edhe funksion parathënës çka është maksimumi që arrin gërshetimi i ndjenjës me arsyen, historia etike me të ardhmen estetike.

• Krahasoni raportet kohore në të cilat është gjuha dhe letërsia në raport me format etjera të organizimit njerëzor. Argumentoni qëndrimet pro dhe kundra. Gjuha dhe, siç më duket mua, letërsia- janë gjëra më të lashta, më të pashmangshme, më të përjetshme sesa çdo formë e organizimit njerëzor. Pra fillesa e mendimit njerëzor është nëpërmjet artit sipas Brodskijt. Për këtë arsye, ai mbetet edhe universal.

• Dalloni argumentet në raportin e (pa) ndërsjellë letërsi-shtet sipas Brodskijt.Mbështetuni në kontekstin historik, social, psikologjik e artistik të diskutimit.

Zemërimi, ironia apo indiferenca e shprehur nga letërsia në lidhje me shtetin, është në thelb, reaksioni i së përhershmes (argumenti), më saktë të themi – i të pafundmes, kundrejt të përkohshmes (raporti) , të kufizuarës. Të paktën deri atëherë kur shteti do t’i fusë hundët në punët e letërsisë, letërsia ka të drejtën e vet të ndërhyjë në punët e shtetit (argumenti). Sistemi politik, forma e rendit shoqëror, sikundërse çdo sistem në tërësi, është, për vetë natyrën e saj të përcaktuar, formë e kohës së shkuar që rreket ta quajë vetën formë të së tashmes (shpesh herë edhe të së ardhmes), dhe njeriu, profesioni i të cilit është gjuha, është i mbrami që mund t’i lejojë vetes ta qesë në harresë këtë gjë (argumenti, kontrastues).
Konteksti historik-social: sistemi komunist në vendet e Europës Lindore, ngritja e doktrinës së realizmit socialist. Konteksti psiko-artistik: mungesa e lirisë së shprehjes për artistët, që shfaqej në dobësi forme e përmbajtjeje për doktrinën e realizmit socialist.

DETYRË SHTËPIE: Zbërtheni imtësisht universalitetin e fjalisë “Rreziku i vërtetë për shkrimtarin nuk është edhe aq mundësia (dhe shpesh siguria) e përndjekjes nga shteti, sesa mundësiapër t’u ndjerë i hipnotizuar nga tiparet e shtetit, të cilat, të përbindshme apo tënënshtruara ndryshimeve për mirë, janë përherë të përkohshme.” Mbështetni analizattuaja në shtyllat e mëposhtme:

- ç’është mundësia (siguria) e përndjekjes nga shteti - ndihem i hipnotizuar nga tiparet e shtetit Pra ngritja e mungesës së lirisë shpirtërore, të cilat i kanë detyruar shkrimtarët të kalojnë në metamorfozat më të çuditshme.

___________________________________________________

Ushtrime ndihmese per Virginia Vulf
•Lexoni me shumë vëmendje tekstin eseistik të Virxhinia Vulfit dhe rilexojeni edhe një herë, në qoftë se është e nevojshme për të kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë. Si mendoni, cili është subjekti i kësaj eseje?

Në këtë ese, Virxhinia Vulf është përpjekur që duke vënë përballë dy personazhe: një femër dhe një mashkull të trajtojë konceptin e mendjes androgjene, gjithmonë sipas botëkuptimit të një femre. Vulf thotë se mendja është një organ mjaft i mistershëm dhe duke u futur brenda saj nuk njeh asgjë edhe pse ne varemi prej saj. Mendja është përqendrimi i mendjes në një pikë çfarëdo në një çast çfarëdo, saqë nuk mund të ketë asnjë gjendje të veçantë. Për sa i përket mendjes androgjene, kemi të bëjmë me përzierjen e dy gjinive asaj femërore dhe asaj mashkullore. Këto dy gjini nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën dhe bashkimi i burrit me gruan përbën kënaqësinë dhe lumturinë e të dy gjinive. Vulf thotë se te femra personazh kryesor mbetet gjithmonë shpirti, sepse të gjitha shkrimet e shkrimtareve femra, fillojnë vetëm atëherë kur shpirti i saj do të rrëfejë diçka.

• Ç’do të thotë “mendje” për shkrimtaren dhe cili është raporti që ekziston mes mendjes dhe shpirtit sipas këndvështrimit tuaj?

Sipas Vulf mendja është një organ mjaft i mistershëm. Mendja është përqendrimi në një çast çfarëdo dhe në një pikë çfarëdo duke qenë se ajo ka një fuqi shumë të madhe. Raporti që ekziston mes mendjes dhe shpirtit bazohet në atë se mendja është më tepër e identifikuar me vetëdijen, kurse shpirti ka të bëjë me përjetimin dhe raportin mes tyre, shkrimtarja e jep vetëm duke vënë veten e saj në situata të ndryshme vëzhgimi.

• Analizoni konceptin “uniteti i mendjes” sipas Virxhinia Vulfit dhe si e perceptoni ju atë.

Unitetin e mendjes Virxhina e Vulf e ka dhënë nëpërmjet mohimit duke thënë se: mendja ka një fuqi aq të madhe përqendrimi në një pikë çfarëdo, në një rast çfarëdo saqë të duket se nuk mund të ketë asnjë gjendje të veçantë e të dallueshme. Pra, sipas autores një gjendje tjetër e mendjes përveç asaj unitare nuk ekziston.

•Argumentoni rrugëtimin e mendjes duke e përshkuar atë dhe praninë e mendjes jashtë trupit. Përqendrohuni te raporti trup-mendje.

Për shembull, mendja mund të shkëputet krejtësisht nga njerëzit e rrugës dhe ta shohë veten të shkëputur prej tyre, tek rri aty në një dritare në katin e sipërm dhe i sodit ata. Ose mund të mendojë bashkë me njerëz të tjerë në mënyrë krejt spontane, siç ndodh, për shembull, me një turmë njerëzish që presin të gjitha bashkë të dëgjojnë një lajm që do t’u lexohet me zë të lartë.

Raporti mes trupit dhe mendjes që autorja vendos është i karakterit autonom. Është i tillë sepse autorja ka vendosur që aktivitetin e tyre ta bëj të veçantë, por ata nuk i largon asnjëherë nga njeri tjetri. Dikush mund të mendojë se ky raport është i një pavarësie totale. Megjithatë mendojmë se përderisa këndvështrimi i pozicionimit fizik të individit vëzhgues vendoset nëpërmjet mendjes atëherë nuk ka kuptim që ta konsiderojmë atë të pavarur.

• Rikthehuni tek analiza e raportit shpirt-mendje në varësi të gjinisë dhe argumentoni konceptin e një mendjeje të ndritur sipas Colerdige.

Coldrige thotë se një mendje e ndritur është një mendje androgjene. Vetëm kur realizohet ky bashkim mendja bëhet plotësisht pjellore dhe i përdor të gjitha aftësitë e saj. Një mendje që është vetëm mashkullore, nuk është në gjendje të krijojë, ashtu si edhe një mendje vetëm femërore. Pra këto dy gjini nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën.

• Argumentoni pro dhe kundër shprehjen “Vetëm kur realizohet ky bashkim mendja bëhet plotësisht pjellore dhe i përdor të gjitha aftësitë e saj”.

Në këtë shprehje argumentet pro këtij qëndrimi janë këndvështrimi universal mbi dukuritë dhe subjektet që natyra njerëzore ofron. Argument kundër mund të jetë fakti që nuk ka pse të mungojë një këndvështrim vetëm femëror apo vetëm mashkullor mbi faktet sociale sepse secili nga këndvështrimet afron mundësira të reja për ta parë botën nëpërmjet nevojave të secilës gjini në fund të fundit.

• Shtjelloni konceptin “mendje androgjene” sipas Vulfit dhe këndvështrimit feminist mbi argumentin.

Sipas Volf “mendja androgjene” është përzierja e dy gjinive; asaj mashkullore me atë femërore. Gjendja e zakonshme dhe e rehatshme mendore është ajo ku të dy jetojnë në harmoni së bashku, në bashkëpunim shpirtëror. Kur njeriu është burrë, pjesa grua e trurit të tij duhet të luajë një rol; dhe gruaja nga ana e saj, duhet të ketë ndërveprim me burrin që ndodhet brenda saj.

• Analizoni në nivel kontekstual dhe tekstual përkufizimin: “Shekspiri si tipi i mendjes androgjene” për nga pikëpamja e kritikës feministe dhe nga ajo e përgjithshme.

Sipas Shekspirit një nga shenjat dalluese të një mendjeje vërtet të zhvilluar është se ajo nuk mendon veçanërisht dhe në mënyrë të njëpasnjëshme për gjininë, është shumë më vështirë sot se dikur të përftosh atë gjendje mendore.

• Renditni me shkrim tiparet e një mendjeje të zhvilluar sipas Vulfit dhe komentoni secilin prej tyre:

1. Nuk mendon veçanërisht dhe në mënyrë të njëanshme për gjininë.

2. Sot është shumë e vështirë që të përftohet mendja e një burri-grua.

3. Mendja androgjene ka rezonancë dhe është poroze; ajo është aftë të përçojë emocione pa pengesa, se është krijuese në mënyrë të natyrshme dhe përshkënditëse.

• Trajtoni lidhjen që ekziston mes letërsisë dhe gjinisë nga këndvështrimi i Vulfit. A bini dakord me shprehjen “Kjo gjë duhet t’u ketë nxitur burrave dëshirën e papërmbajtur për t’u afirmuar…”

Asnjë epokë nuk mund të ketë qenë kaq e vetëdijshme për ndarjen e gjinive sa jona; mjaft të sillje në mend librat e pafund që kishte në Muzeun Britanik të shkruara nga burrat për gratë, të cilat e provojnë këtë më së miri. Për këtë ishte pa dyshim fajtore fushata e së drejtës së votës për gratë. Kjo gjë duhet t’u ketë nxitur burrave dëshirën e papërmbajtur për t’u afirmuar; duhet t’i ketë bërë që të vënë theksin tek gjinia dhe tiparet e saj, gjë që nuk do të kishin marrë mundimin ta bënin po të mos qenë sfiduar nga gratë. Dhe kur dikush sfidohet, qoftë edhe nga disa gra me kapela të zeza, ai kundërshton, dhe kur nuk të kanë sfiduar kurrë më parë, kundërshtimi bëhet edhe më i tepruar.

Lidhur me dëshirën e papërmbajtur të meshkujve për tu afirmuar mund të themi se bëhet fjalë për ndryshime të thella sociale më shumë se sa për sfida të karakterit gjinor. Sfida në vetvete nuk është forca, por është këndvështrimi.

• Interpretoni domethënien e shprehjes “Nuk isha plotësisht e sigurt, nëse kjo ishte një “I” në trajtën e një peme apo të një gruaje që po ecte.”, duke e parë në kontekstin maskilist, por dhe nga pikëpamja feministe. Shihni me kujdes simbolikën që mbartin mjetet gjuhësore të shprehjes.

Nëpërmjet kësaj shprehjeje Virxhinia Vulf ka shprehur më së qarti dyshimin e saj mbi personalitetin e individit, prandaj ajo thotë: nëse kjo ishte një “I” me një fjalë a është dikush me personalitet të plotë njerëzor pavarësisht nga përkatësia gjinore apo sociale dhe ana tjetër e shprehjes apo të një gruaje që po ecte çka do të thotë se individi identifikohet në bazën e gjinisë dhe të forcës psikosociale që kjo gjini i atribuon.

Simbolika që mbart lidhet forma e drejtë e shkronjës “I” me konceptin e pemës që në fakt është një metaforë për integritetin personal të gjithsecilit individ, por dhe të shterpësisë që ky lloj integriteti mbart në vetvete.

• Komentoni domethënien e shprehjes “… e bllokonte himnin e energjisë krijuese dhe e mbante brenda ca kufijve të ngushtë”. Shiheni komentin tuaj edhe nga një këndvështrim sociologjik mbi nevojën e një fushëpamjeje femërore për jetën dhe artin.

Shprehja në vetvete i atribuohet shterpësisë së kanoneve dhe modeleve kallpe, të cilat e frenojnë fantazinë krijuese. Kjo do të thotë se bota ka nevojë për dy këndvështrime atë femërore dhe atë mashkullore që nuk do të thotë domosdoshmëri barazie gjinore, por thjesht botëkuptim femëror dhe mashkullor.

• Cilat janë pengesat për të cilat hamendëson Virgjinia Vulf? Qartësoni raportet femër-mashkull sipas këndvështrimit të saj.

Vulf mendon se raportet femër-mashkull duhet të jenë të barabartë dhe asnjë prej tyre mos të dominojë. Këto dy raporte duhet të jenë të bashkuar sepse ashtu krijohet kënaqësia dhe lumturia e plotë e tyre.

• Ku qëndron thelbi i “paturpësisë së Shekspirit”? Po thelbi i “Zotit A”?

Paturpësia e Shekspirit të kthen përmbys njëmijë e një mendime në kokë, por është larg së qenit e mërzitshme. Dhe Shekspiri e bën këtë për t’u zbavitur. E bën në shenjë proteste. Proteston kundër barazisë së seksit tjetër, duke pohuar superioritetin e vet. Zoti A e bën qëllimisht. Ai është i penguar, i kufizuar dhe i vetëdijshëm, po ashtu siç mund të kish qenë edhe Shekspiri sikur dhe ai kish njohur në kohën e tij gra si zonjusha Clough dhe zonjusha Davies. Pa as më të voglin dyshim letërsia e epokës elizabetiane do kish qenë shumë ndryshe nga ç’është, në rast se lëvizja feminist do të kish lindur në shekullin e XVI dhe jo në të XIX-tin.

• Komentoni shtrirjen estetike, psikologjike dhe sociologjike të shprehjes: “Proteston kundër barazisë së seksit tjetër, duke pohuar superioritetin e vet”.

Kënvështrimi sociologjik: lidhet me fokusimin tek normat morale në të cilat ishte e fokusuar epoka elisabetiane, e cila në disa kuptime i jepte një rol të veçantë mashkullit në shoqëri.

Kënvështrimi psikologjik: Shekspiri ka qenë i penguar, i kufizuar dhe i vetëdijshëm.

Kënvështrimi estetik: Pa as më të voglin dyshim letërsia e epokës elizabetiane do të kish qenë shumë ndryshe nga ç’është, në rast se lëvizja feministe do të kish lindur në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe jo në të nëntëmbëdhjetin.

• Në çfarë përfundimesh del autorja në esenë e saj? Argumentoni universalizmin e tyre.

Sipas autores është shumë më e rëndësishme në këtë çast të dimë sa para dhe sa dhoma kanë pasur gratë, sesa të bëjmë teori për aftësitë e tyre – unë mendoj se dhuntitë, qoftë të mendjes apo të karakterit, nuk mund të peshohen si të ishin sheqer ose gjalpë, madje as në Cambridge, ku janë aq të aftë për t’i klasifikuar njerëzit, për t’u vënë kapela në kokë dhe nga një germë pas emrit.

Universalizmi i mendimit të Vulfit qëndron në faktin se mendja është e pavarur nga gjinia dhe është e pamatshme nga shoqëria.

_________________________
Ushtrime ndihmese per “Ikja nga kompleksi i Rozafes”
• Cili është parimi metodologjik që analisti Artan Fuga ka ndjekur në studimin e tij? A mendoni se kjo metodologji është aktuale dhe pse?

Sugjerohet orientimi në paragrafin:

Në shkencat e sotme shoqërore ka një metodologji të caktuar për të përdorur modernitetin në zbulimin e përmbajtjes së vlerave dhe domethënies së kulturës tradicionale, si dhe tradicionalen për të lexuar më në thellësi modernen. Fjala është, siç thuhet, për ta lexuar traditën nëpërmjet aktuales dhe aktualen nëpërmjet traditës. Duke u mbështetur në këtë model të arsyetuari, do të dëshironim të flisnim për qëndrueshmërinë e institucioneve politike që ishin ngritur gjatë fazës së tranzicionit në Shqipëri, duke iu referuar legjendës së stërvjetër, që ka marrë emrin e Rozafës. Ndërsa ikjen nga pastabiliteti institucional, që ka karakterizuar fazën e tranzicionit shqiptar, do ta emërtonim simbolikisht si ikje nga kompleksi i Rozafës, ashtu sikurse fëmija ikën, në njëfarë mënyre, nga kompleksi i Edipit, pavarësisht mesazheve të përhershme që ai i dërgon gjatë gjithë jetës së vet. Vështruar kështu, e gjithë faza e tranzicionit të institucioneve politike shqiptare do të konsiderohej si ikje nga kompleksi i Rozafës, pastabiliteti dhe shprishja ciklike që ka karakterizuar “fëmijërinë” e tyre.

• Zbuloni tezën që Fuga paraqet për analizë dhe diskutoni aktualitetin e saj.

TEZA: Një e drejtë që duhet kompensuar.

Aktualiteti i tezës lidhet me fazën ende transitive të vendit në ngritjen dhe funksionimin demokratik të institucioneve drejtuese të shtetit.

• Rindërtoni legjendën dhe interpretoni simbolikat e

1) kalasë – Pushteti: Kalaja është ndërtuar me mure të forta, ka hije të rëndë, duket se materiali i gurtë me të cilin është ndërtuar e bën tepër solide. Por, prisni… Nga pikëpamja njerëzore, ajo është njëherazi e fortë dhe e dobët. Hiqni vellon e misterit fillestar, tregoni se në çfarë mënyre u procedua për ta flijuar nusen e re dhe gjithçka mund të shembet nga brenda, nga lufta vëllavrasëse. Vëllai i vogël dhe fëmija i tij, tashmë i rritur, do të kërkonin të hakmerreshin që në çastin kur do të merrnin vesh të vërtetën. Muret, institucionet, pra, kanë një pikë çekuilibrimi themeltar; ato mund të mbahen ngritur vetëm nëse e vërteta fshihet nëpërmjet manipulimit. Paradoksi do të bënte që e vërteta të ishte shkatërrimtare dhe gënjeshtra ndërtimtare. Mbajtja më këmbë e konstrukteve murale do të kërkonte që ato “të mirëmbaheshin” në mënyrë të vazhdueshme nga hipokrizia vëllazërore.

2) tre vëllezërve – Duke ditur se drama legjendare lind pikërisht nga paaftësia e vëllezërve për të marrë një vendim të respektueshëm nga ata të tre dhe pastaj nga e gjithë familja klanore, kuptohet se ata nuk kanë përvojë të mjaftueshme dhe strukturë mendore e psikologjike të gatshme për të ushtruar pushtet horizontal brenda një grupi me individë të barabartë në të drejta, në çastin kur pushteti i dikurshëm vertikal, ai i atit, siç duket mjaft autoritar, ka pushuar së vepruari dhe e ka lënë bosh vendin e pushtetit

3) plakut të panjohur – . Këshilla e plakut të panjohur që kaloi atypari ishte sa e mistershme, aq dhe e papritur për të tre vëllezërit që kishin mbetur pa autoritetin e atit të tyre, pa pushtetin e tij. Kuptohet që i ati i vëllezërve ka vdekur, sepse, kur skena e tregimit zhvendoset në familje, vetëm ai nuk përmendet. Sigurisht që ky element nuk mungon rastësisht. Mungesa e tij, në mënyrë të pathënë, të heshtur, është vetë guri themeltar i legjendës.

4) këshillat- tradhëtia, përçarja: . …Tre vëllezërit e legjendës vendosën ta dëgjonin këshillën e plakut për të bërë theror njërën nga gratë e tyre. Por, vini re! Ata që vendosin ta pranojnë këtë zgjedhje janë dy vëllezërit më të mëdhenj. Ata janë më të rritur në moshë dhe fjala e tyre, ndoshta e thënë më parë, ka pasur më shumë peshë dhe e ka sugjestionuar vëllain e vogël, i cili pranon të bashkohet me zgjedhjen e bërë. Për më tepër, ata, dy më të mëdhenjtë, siç duket, kanë vendosur të mos i qëndrojnë besnikërisht paktit të bërë dhe se do t’ua tregojnë grave të tyre sekretin, duke i këshilluar që të nesërmen të gjejnë të gjitha pretekstet e mundshme e të mos shkojnë në kantier. Ndoshta, një vështrim i shpejtë sy më sy, ka mjaftuar që ata të merren vesh në çast me njëri-tjetrin. Pra, në të vërtetë, vendimi nuk është marrë në mënyrë të njëzëshme nga të tre vëllezërit, por është një imponim i shumicës (dy vëllezërve të mëdhenj) ndaj pakicës (vëllait të vogël).

Gjeni pikat e lidhjes mes tyre dhe analizoni kushtëzimin për këto katër elemente të legjendës.

Pakti i fshehtë, i bërë në bashkëpunim ose jo midis të dy vëllezërve të mëdhenj, është ai dhe vetëm ai që, në fakt, çon në marrjen e vendimit për të bërë theror njërën nga gratë, pra bën të mundur ngritjen e bedenave. Sipas hipotezës që edhe vëllai i vogël do të mashtronte njëlloj si dy vëllezërit e mëdhenj, është e sigurt që asnjëra nga gratë nuk do të shkonte ta çonte ushqimin dhe atëherë sakrifica nuk do të mund të bëhej dhe ngritja e kalasë, aq e nevojshme për familjen, nuk do të realizohej.

• Rilexoni këshillën e plakut dhe analizojeni atë nga pikëpamja pragmatike dhe nga një qëndrim idealist. Krahasoni qëndrimin tuaj me atë të autorit. A ju duken të mjaftueshme shpjegimet që jep ai?

Këshilla: . Këshilla e plakut të huaj përmblidhet kështu: njëra nga tri gratë e vëllezërve, që rastësisht do të caktohej të sillte ushqimin të nesërmen në drekë në vendin e punës të tre vëllezërve, do të duhej të flijohej duke u murosur e gjallë në themelet e mureve të kështjellës (ASPEKTI PRAGMATIK) dhe prej andej do të kullonte pikë-pikë qumështi i gjirit të saj për të ushqyer foshnjën e parritur, si për t’iu kujtuar brezave të ardhshëm se gjithçka që ishte ndërtuar aty në mënyrë epike, ishte fryt i sakrificës së saj sublime, mbështetej te kapërcimi i së pamundurës, te kapërcimi i jetës te vdekja dhe i vdekjes te pavdekësia

• Cilat mund të jenë shkaqet e tjera të zhdukjes së nuses së vëllait të vogël, sipas autorit Fuga? Komentoni qëndrimin “E dëshërojnë, prandaj e zhdukin”. Krahasojeni me kompleksin e Edipit sipas Fugës dhe fushëpamjes suaj.

… Përse flijohet një grua? Përse flijohet nusja e vogël? Përse i lihet një gji jashtë? Flijimi i femrës në një shoqëri tradicionale burrash maçistë… Përse nusja e vogël? Ajo më e reja? Sigurisht më e bukura. Më e freskëta. Mos duan ta eliminojnë objektin e dashurive inçestuale brenda familjes. E dëshërojnë prandaj e zhdukin. Nuk e durojnë dot ta duan dhe të mos ta kenë. Ta shohin e mos ta përvetësojnë. Të zhdukim, se të duam. Njërin gji jashtë, ta shohim të zhveshur, mes gurësh, inçesti në themel të ndërtimit institucional, varrimi i tij si një sëmundje e pashërueshme. Kemi edhe justifikimin: qumështi të derdhet që andej për të ushqyer fëmijën…

Kompleksi i Edipit: Kompleksi Edipit e ka marrë emrin nga mitologjia greke, prej emrit të mbretit Edip, ku sipas mitit djali i ri vret babain dhe martohet me të ëmën e tij, pa ditur se kush ishin ata.

• Zbërtheni simbolikën e “mbrapshtësisë” të plakut lidhur me provën që ai u vë vëllezërve përpara. Si përkthehet kjo provë për një shoqëri të konsoliduar dhe për një shoqëri në tranzicion? A gjykoni se sjellja e vëllezërve mund të ketë qenë amorale në ndonjë moment?

Nuk dihet nëse i huaji mashtrohet dhe e beson trukun e vëllezërve apo edhe ai bën sikur e beson, ndërkohë që e di mirë që më parë se, në thelb, me propozimin e bërë, ka futur tharmin e grindjes vëllazërore në gjirin e familjes. Pra, e ka bashkuar duke e përçarë dhe e ka përçarë duke e bashkuar. 28

Në shoqërinë tonë kjo përkthehet a, i justifikon qëllimi i plakut (zënia e pushtetit atëror) mjetet (përçarjen). Në rastin e vëllezërve, qëllimi është ndërtimi, pra organizimi i strukturës së brendshme të funksionimit të tyre, reformat e gabuara politike, a e justifikojnë qëndrimin e politikanëve në pushtet.

• Analizoni simbolikën dhe metaforën që qëndron në thelb të pohimit “Uniteti është vendosur, ndonëse i mbështetur mbi një hipokrizi vrastare”.

Metafora e unitetit këtu zbërthehet në bindjen që vëllezërit dëshmojnë ndaj ekzekutimit të këshillës së plakut të panjohur. Ai konsiderohet i tillë, sepse ndërtimi i kalasë bëhet, dhe pavarësisht tradhëtisë së brendshme, jeta vazhdon, e ngritur mbi një krim nga padija dhe pabesia dhe jo si pasojë e sakrificës.

• Trajtoni konceptin “revansh vëllavrasës” në kuadër të trajtimit që i ka bërë autori trajtimit të legjendës së Rozafës dhe sillni shembuj nga realiteti që ta përligjin këtë.

“Revansh vëllavrasës” sipas Fugës: Por, gjithsesi, ngrehina është e mbështetur mbi themele të rrëshqitshme, sepse palët e kanë pranuar paktin e përbashkët vetëm pasi njëra prej tyre nuk e di hilenë që i kanë bërë (C’ka ndodhur). Në çdo çast që ta marrë vesh, ajo jo vetëm nuk do ta pranojë më rezultatin e zgjedhjes së bërë, por edhe do të kërkojë revansh vëllavrasës (C’mund të ndodhë), çka do të shkaktojë sërish prishjen e mureve të kalasë (Pasojat). Në kushtet e një bashkësie me individë të barabartë në të drejta, zëvendësimi i aftësisë së vërtetë vendimmarrëse me marifetin e një marrëveshjeje false të përshëndetur nga të gjitha palët, mund të arrijë të ketë vetëm një sukses afatshkurtër, por nuk mund të realizojë atë koherencë të brendshme të bashkësisë, që mund ta bëjë atë të evitojë katastrofat institucionale të mëpastajme (Si nuk duhet të jetë).25

• Jepini përgjigje, sipas gjykimit tuaj, pyetjeve retorike të mëposhtme, duke analizuar simbolin përgjegjës në shoqërinë e sotme:

- Mos vallë ata kanë pasur frikë se propozimin e plakut askush nuk do ta pranonte dhe në vend të paqes, midis tyre do të niste një grindje e pafund dhe asnjëherë nuk do të arrihej të merrej një vendim çfarëdo?

- Mos vallë nuk do të kishte kurrë flijim? Dhe, për rrjedhojë, as kala?

• Lexoni fundin e esesë prej “Gjithsesi, ata, me mundim, me sinqeritet….” deri në fund dhe përmblidheni atë në funksion të tezës kryesore të shkrimit mbi ndërtimin e shtetit.A bini dakord me qëndrimin e autorit? Argumentoni pro dhe kundra.

Përmbledhja: Jo në çdo hap, qëllimi duhet të justifikojë mjetet. Duhet idealizëm në ngritjen dhe drejtimin e shoqërisë.


LEAVE A REPLY


STUDENTS E-BLOG



Search for:
PETRO NINI LUARASI

Perpiqemi t'ju japim sa me shume informacione,kuriozitete dhe ushtrime.Ky eshte qellimi yne!
March 2013
M T W T F S S
« Feb
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
ARCHIVES

February 2012
February 2011
“STUDENTS E-BLOG” NE TELEFONIN TUAJ!

Shkoni ne en.support.wordpress.com/apps/ dhe zgjidhni tipin e telefonit tuaj e me pas instaloni programin falas qe do te download-oni.
Th

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...