Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot i ka dhënë mbështetje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për gjithë procesin e dialogut, që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, njofton presidenca e Kosovës.
Sipas njoftimit, këto komente u bënë në takimin e sotëm të presidentes Jahjaga me kryeministrin Thaçi, të cilin e shoqëronte edhe Blerim Shala, koordinator në procesin e dialogut.
Zonja Jahjaga ka theksuar se tashmë të gjithë e kanë të qartë se dialogu nuk po zhvillohet për çështje statusore dhe se të gjitha marrëveshjet janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se i gjithë dialogu po zhvillohet në atmosferë konstruktive dhe nën udhëheqjen shumë të mirë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.
Megjithatë, Thaçi ka theksuar se procesi i dialogut ka hasur në vështirësi të caktuara dhe se për të pasur sukses në vazhdimin e tij, që do të zhvillohet më 2 prill në Bruksel, duhet vullnet dhe konstruktivitet, respekt i ndërsjellë dhe mirëkuptim për kapërcimin e dallimeve.
No comments:
Post a Comment