Vilhelme Vranari
Haxhiraj
Konventa e III-të e Shoqata
Mbarëkombëtare e Integrimit
të Burgosurëve dhe të Përndjekurve Politikë
A ka vend
Demokracia Shqiptare për të Persekutuarit ?!
Kalvari
i vuajtjeve të një familjeje fisnike
Ju sjell përshëndetjet nga Vlora e Pavarësisë, ku persekucioni nga
diktatura komuniste ka qenë tejet çnjerëzor.
Të nderuar pjesëmarrës!
Të nderuar Shkëlqesi të Diplomacisë botërore që na nderoni me
praninë tuaj në këtë tubim të rëndësishëm i cili është vlerë në konsolidimin e
Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e saj në BE.
Të dashur Studentë, ju faleminderit që jeni sot me ne, që të mund të
njihni sadopak vuajtjet e padrejta të gjysmës së shqiptarëve, me qëllim që t'i
çoni më tej ëndrrat e parealizuara, amanetet e të parëve tanë ilirë, të
gjyshërve dhe baballarëve që nuk do t'i tresë kurrë dheu.
Të nderuar motra e vëllezër bashkëvuajtës të mohuar dhe fajtorë të
pafajë!
Jam si ju, pjesë e juaja, jam Vilhelme Vrana nga Kanina e Vlorës. Me familjen
Vrana- Komneni historikisht ka lindur aristokracia feudale jo vetëm në
Shqipëri, por në Evropën Jugëlindore në shek X-XI. Historia dhe fati i një të
përndjekuri politik është edhe imi edhe yti dhe i gjithë atyre që e kanë hequr
vërtet mbi shpinë kolerën e luftës së klasave që ishte shpikja më gjëmëmadhe,
më vrastare dhe makabre e komunizmit që në Shqipëri u huajt nga sllavo- komunistët
e Moskës dhe Beogradit. I mëshoj kësaj, se Shqipëria duhet marrë si model për
botën e kulturuar, përsa i përket bashkëjetesës në harmoni të tri feve, kurse
komunizmi utopist, jo shkencor na ndau e përçau, na shndërroi në armiq të
betuar të njëri-tjetrit, ne, bijtë e një gjaku, të një race iliro -arbëre, më e
vjetra e kontinentit. Ndaj Pashko Vasa ka thënë: "Feja
e Shqiptarit është Shqiptaria". Shqiptarizmi, tradita dhe mbrojtja
e këtyre trojeve të larë në gjak, e ka udhëhequr shqiptarin në shekuj gjatë
pushtimeve të padrejta, sepse fati i Shqipërisë u luajt në tavolinat e
diplomacisë së më të fortëve, duke e copëzuar atë mes shteteve fqinje. Për ju
sjell thënien e Babait të Kombit Arbëror, Ismail Bej Vlora, që për shpalljen e
një Pavarësie të cunguar u shpreh: "Tragjeditë e kombeve të vegjël dalin
nga portat e shteteve të Mëdha." Dhe pikërisht kur po vendosej
fati i Shqipërisë, më 15 qershor 1913, Victor Frobinshkruan: "Shqipëria,
dekania e racave, dhe më e vogla e shteteve",artikull i ilustruar,
botuar në revistën franceze, "Je sais tout". I jap të
drejtë studiuesit Frobin, sepse përmes shqipes sot deshifrohen gjuhët e vjetra
që nuk ekzistojnë më.
Po ç'ndodhi me ne vallë? Për
gjysëm shekulli bashkëjetoi tragjikomikja brenda një kombi vital, që po të
ringrihej nga varri Shekspiri, Aligieri apo Artur Miller, do të shkruanin
tragjedinë më të dhimbshme të një populli që e çmon lirinë sa jetën. Kolera
komuniste varfëroi kombin materialisht dhe shplau mendjen njerëzore es hndërroi
në shterpë. Trurin e individit e bëri kurban të ideve marksiste, deformoi
moralin e shoqërisë shqiptare ku besa ishte vërtyt i shqiptarit. Ishin këto
pasojat e luftës së egër klasore që bëri genocid brenda llojit dhe genit të
vet, si askund në botë, aq më tepër në shek e XX.
Zonja dhe Zotërinj, sot dua të flasë për shtresën e vërtetë të
burgosurve dhe të përndjekurve politikë, jo për ata mashtrues, gënjeshtar,
spiun të sigurimit të shtetit, që nuk iu mohua as preofesioni, as arsimi, as
jeta apo puna në qytet , as u internuan apo t'u bënin apel çdo ditë sigurimsat
dhe sot me paturpësia më të madhe
mbajnë statusin e të persekutuarit dhe më e bukura tani kërkojnë edhe votëbesimin tonë për
deputet,duke vazhduar të na fyejnë e denigrojnë, duke na rrëmbyer të vetmen
pasuri që na ka mbetur, statusin e të përndjekurit që është dëshmi e mohimit
human që na u bë për gjysëm shekulli. Kanë kurajo dhe na përplasin statusin
para fytyrës duke na thënë: "Ju
vuajtët, ju luftuat për rrëzimin e diktaturës dhe fitoret po i korrim ne. Ne
ishim dje, ne jemi edhe sot. Dje baballarët tanë bënë luftën e klasave, vranë,
burgosën,internuan e persekutuan familje dhe fise të tëra. Kurse sot, ne bijtë
e xhelatëve dhe persekurorëve udhëheqim politikën shqiptare. Ne jemi më
demokrat se ju që rrëzuat diktaturën. Ne kemi nevojë vetëm për 400 000 votat
tuaja por jo për ju. Ju jeni bijë të vuajtjes dhe i përkisni mohimit që sjellë
mosekzistencë... "
Zhdukja në sistem e shtresës së
pasur e të mesme, e cila përbën palcën e kombit që ka mbajtur peshën historike
në kohëra, si dhe e intelektualëve të arsimuar në Universitetet më në zë të
Evropës, nisi që nga viti 1943 deri në vitin 90. Edhe brenda fisit, madje edhe
brenda familjes, si pjesë e kësaj shtrese të raskapitur e denigruar që jam, them se
lufta e klasave ka pasur shkallë diferencimi. Njërin vëlla komunizmi e
ndihmonte, madje e bënte gjykatsin e vëllait tjetër, që përfundonte në litar,
me plumb apo në burg. Si fakt e jap nga rrethi im familjar. Ky ishte fati i
paracaktuar nga diktatura për dy vëllezërit e gjyshes sime nga babai ,si dhe me
qindra e mijëra të tjerë u ndoq politika përçarëse. Sot do të flas vretëm për
një familje atdhetare e cila pësoi tragjedi.
Bëhet fjalë për familjen Vrana, një nga 5-6 familjet që themeluan
Kaninën, pasardhëse e familjes së Princ Gjergj Arianiti, gjë për të cilën edhe
pse ky mbiemër u shkaktoi vuajtje e dhembje të paimagjinuara, ata janë krenar
për të. Kjo familje e pasur ka ndihmuar familjet e varfëra, i martonte dhe u
bënte dasma jetimëve, ka ndihmuar luftën çlirimtare, ka strehuar 6 familje çame
kur i përndoqi Greqia. Ende pa mbaruar lufta, e pagoi me internimin nga
gjermanët në Mat'hauzen, të djalit,Skënder Vrana, që u ekzekutua më 9 maj 1945
në Aushvic, ish student i Harry Fulltzit dhe ishte lauruar në Univ. e Sienës(Firence)
Itali. Menjëherë pas sekuestrim- shpronësimeve, burgosën nipin e kësaj
familjeje, Shyqyri Sharra, tregtar e përkrahës i grupit të debutetëve, i cili
s'u rezistoi dot torturave antinjerëzore në burgun e Bedenit (Kavajë) ku çdo
ditë i varrosnin të gjallë, gjë që e detyroi të vetvritej. Vëllanë e tij,
Kr/inxhinerin e Kënetës së Maliqit Abdyl Sharra e varën, si agjent amerikan.
Pas këtyre Sigurimi i Shtetit nisi presion mbi të riun, kushëririn e parë të tyre, Batjar Vrana,
vëlla i Skënderit, student i Tregtares Vlorë. Pse s'pranoi të bëhej spiun, i
vunë dy gozhdë në samarin e mushkës me të cilën shkonte në shkollë. Kafsha u
tërbua nga plagët e gozhdëve dhe e mori zvarrë të riun 18 vjeçar, që nga Vlora
deri në Kaninë dhe në shtëpi nënës i çoi vetëm një këmbë nga gjuri e
poshtë.Trupin ia mblodhën në qefinë natën me pishëtarë. Pas kësaj burgosën
vëllanë e madh të tij, Mynyr Vrana, për agjitacion e propagandë, vetëm se nuk
piu dollinë për mustaqet e Stalinit. Ai në burg, arrestuan vëllanë tjetër Veip
Vrana, si sabotator në fabrikën e vajit Vlorë. Ishte paradoks sepse ai nuk
punonte aty. Fëmijët e tij ishin: 11 vjeç, 9 vjeç, 6 vjeç dhe 2 mujash, kur u
sekuestruan për së dyti, shtëpinë, mobiljet dhe i lanë me rrobat e trupit. Pas
15 muaj torturash mesjetare në hetuesi, e dënuan këtë baba e bashkëshort
me burgim të përjetshëm. Pas apelit ia zbritën dënimin në 25 vjet heqje lirie.
Vëllai i gruas së tij për të ruajtur pozitën ushtarake (kryetar i Degës
Ushtarake), kërkoi që motra të divorcohej, e cila e kundërshtoi. Ishin katër
fëmijë që u rritën jetim me baba gjallë, por nuk ka si nëna. Ajo grua e re, e
bukur nuk i la fëmijët që të ngeleshin rrugëve në mëshirën e fatit. I internuan
në një zonë kënetore të Fierit që me pak vite ndërprerje vazhdoi deri në vitin
1990. Për vite të tëra fëmijët brodhën nëpër dyert e botës vetëm për një
kafshatë bukë.
Ndërkohë qeveria shqiptare dënoi në mungesë edhe dy vëllezërit Sharra,
Hysniu në Paris dhe Imeri, Shef Katedre i Shkencave ekzakte në Universitet
(Romë). Burgosën edhe vëllanë tjetër të tyre Lekmi Sharrën, pse porositi një
unazë ari për gruan, duke i shkaktuar një vdekje të llahtarshme. Pasi provoi
torturat çnjerëzore të hetuesisë dhe sigurimit, levat shfarosëse të komunizmit, e
kyçën brenda një kasaforte hermetike prej metali dhe në mëgjes u gjend i
asfikuar. Për të mohuar krimin e tyre, xhelatët e hodhën nga kati i dytë i
paraburgimit në rrugë. Vepër që shërbente për të frikësuar qytetarët e t'u
jepnin mësim, se kështu e pësojnë armiqtë e popullit që kërkojnë të arratisen nga
burgu i "drejtësisë" për krime të paqena.. Vdekja e tij plotësoi
kuadrin e humbjes së 7 jetëve, fëmijë motre dhe vëllai. Ishin me prejardhje
fisnike nga gjaku i arianitëve, ku 5 prej të cilëve ishin intelektualë,
arsimuar në Universitetet perëndimore dhe dy me Tregtaren e Vlorës.
Shembull integrimi i të persekutuarëve në Shoqërinë
Demokratike
Unë,si autore e këtij shkrimi me
që ma kërkuat këtë rrëfim, jam bijë dhe i përkas kësaj familjeje. Shkollën e kreva sa në
interim, sa nga një fshat në tjetrin. U jam mirënjohëse njerëzve të mirë, të
cilët më ndihmuan të kryeja shkollën pedagogjike. Punova si mësuese në fshat 4
vite dhe vazhdoja studimet e larta. Kur shteti komunist arsimoi njerëzit e vet
, s'kishte më nevojë për të persekutuarit dhe i hodhi në rrugën e madhe. Atë
kohë pësova tri dhembje. Më 16 gusht 1966 në Vlorë, u mohuan profesionin 165
intelektualëve, mes tyre edhe mua. Kisha vetëm tri lëndë për likuidim
dhe më
ndaluan diplomimin e Universitetit. Të drejtën e arsimit të lartë e
rifitova pas kërkesës te Prokurori i Përgjithshëm, u diplomova pas 13 vitesh,
por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Një vit më vonë, korrik 1967 nisi
një valë e re internimesh. Bashkë me ta u internua familja ime dhe tre xhaxhallarët
e mi u riinternuan deri më 1990. Madje edhe djali i xhaxhait që mbeti
në Mat'hauzen, jo vetëm e internuan por e çuan të jetonte në varrin e Sinan
Pashait(dhëndërr i Sulltanit) Po u
drejtohem këtyre të përkëdhelurve të komunizmit, këtyre të persekutuarëve
falsë, që sot kërkojnë votëbesimin tonë, e kanë provuar ndonjëherë të jetojnë
në këneta dhe të paraqiten te oficerei i sigurimit çdo ditë, a kanë jetuar në
angaret e duhanit, apo në kotecet e pulave të kooperativës si familja ime
etje...? Jo, kurrë, sespe kur të tjerët internoheshin, ata shkonin për studime
universitare, strehoheshin në pallatet e partisë dhe emëroheshin inxhiniera,
drejtorë, mësuesa në shkollat e qytetit.
Viti 1990 shkëputi zinxhirët e
skllavërisë të të persekutuarve dhe i vuri të gjitha familjet tona në krye të
lëvizjes demokratike për përmbysjen e diktaturës dhe hedhjen e hapave të para
të demokracisë. Kurse ata që u privilegjuan dhe sot hiqen të persekutuar ia
mbathën nga frika e dhënies llogari. Kurse unë dhe të tjerët si unë, të
mohuarit e diktaturës, më 1991 u rikthyem në arsim. Me 4-5 zonja të tjera formuam
LDG. Duke qenë Kryetare LDG. Vlorë dhe anëtare e K.K.PDSh dhe LDGSh formulova
peticionin e parë për të drejtat e gruas dhe mbi barazinë gjinore, drejtuar
Parlamentit. Përmes publicistikës, sesioneve shkencore organizuar me
specialiste të fushave sociale kam orientuar këtë segment të denigruar të
shoqërisë(femrën) drejt integrimit,për të lufuar problemet sociale si: trafiku
dhe përdorimi i drogës, trafiku i armëve, trafiku i qenieve njerëzore (femrave
dhe fëmijëve) kriminaliteti, aborti tek të miturat, legalizimi dhe bashkimi i
familjeve të emigrantëve etje... Pjesëmarrja aktive në problemet demokratike më
bëri të gjejë veten, megjithëse vonë shpalosa talentin tim në fushën letrare.
Sot jam një shkrimtare e afirmuar, vlerësuar nga kritika profesionale brenda e
jashtë vendit, fituese e shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare si dhe autore
në disa antologji si Shqipëri, Angli, Itali, Greqi, Rumani, Kosovë dhe Mal të
Zi etje. Ndihem plotësisht e integruar moralisht dhe profesionalisht, pasi jam
autore e 32 librave të botuar dhe 6 librave që presin dritën e botimit me të cilat si
askush tjetër ndihmoj në zbutjen e problemeve sociale që shqetësojnë familjen
dhe shoqërinë. Me gjithë këtë krijimtari, përsëri jam e varfër ekonomikisht, si
gjithë shtresa e të persekutuarëve.
U drejtohem zotërinjëve të nderuar diplomatë të akredituar në Shqipëri
me pyetjen:"A ka vend në Demokracinë Shqiptare për të Persekutuarit
?!"
Pse do të pyesni ju?
1-Papunësia e të persekutuarëve.Kur nuk u ofrohet punë fëmijëve
tanë, kam të drejtë të them se im bir me shokët e tij të kompletuar me arsim,
trainim, me gjuhë të huaja, është brezi i katërt që po persekutohet, sepse i
mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit, gjë që pengon integrimin e tyre.
2-Kthimi i Pronës: Nuk është kthyer prona te pronari legjitim. Kjo u
ndalon të persekutuarëve mundësinë e dhënies së vlerave të tyre në fusha të
ndryshme. Nuk ka demokraci nëse prona nuk shkon tek i zoti.
3-Korrupsioni : Kjo gjëmë është një plagë që po grryen shoqërinë,
ku paraja bën ligjin dhe detyrimisht antivlera mohon vlerën.
4-Falsiteti dhe gënjeshtra: Nëse nuk zgjidhen këto probleme kyçe,
nuk funksionon shteti i së drejtës, aq më tepër kur ligjëvënësi, ekzekutivi apo
juristi, nuk dihet se ç'identitet kanë, përderisa curriculumi i tyre është
fals. Individë të tillë të dyshimtë të mos reklamohen në media, sepse i njeh
lagjja, qyteti dhe e gjithë Shqipëria. Të gjithë e dinë se kush ishin
nismëtarët në themelimin e PD, të LDG, si e vranë frikën, cilët ishin
qëndrestarët e 97 dhe kush i korri fitoret duke ua shkuar ujin nën rrogoz me
servilizëm, gënjeshtra, mashtrime, që janë disa të pafytyrë, njerëz pa principe
dhe ideale, spiun ordiner. Ata ngrehin dorën vetëm të fitojnë simpatinë dhe të
sigurojnë një post që nuk u takon. Për këtë e mbajnë gojën të kyçur ndaj çdo
padrejtësie që këlthet dhe ulërinë me të madhe, që e sheh i verbri, e dëgjon
edhe shurdhi. Këta njerëz të pacipë dhe të paturp, duhet të ngrihen dhe të
rrëfejnë se cilët janë në të vërtetë. Demokracia e vërtetë kërkon realitet dhe
jo falsifikim. Vota e të persekutuarit është e shenjtë, ndaj kurrë nuk mund t'i
jepet një njeriu fals dhe të pabesë. Një demokraci me njerëz të tillë anonim,
s'ka vend për të persekutuarit.
Ju faleminderit!