Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër caqeve serbe, në historinë e re të Kosovës, është një nga ditët më domethënëse dhe kuptimplotë për lirinë e vendit, dhe paraqet krenari për të gjithë kosovarët, vlerëson presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh Alenaca Veriatlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish Jugosllavi, që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova”, tha Atifete Jahjaga.
Mëtutje, sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, 14 vjet pas këtij akti, zonja Jahjaga thekson se ky veprim i Paktit Veri-Atlantik demonstroi se secili popull e ka të drejtën që të jetoj i lirë në tokën e vet, i barbartë dhe i dinjitetshëm.
“Ne sot jemi krenarë dhe ndjejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s, që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet veti”, thuhet në komunikatë.
Mëtutje, ajo ka theksuar se “Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim.”
Zonja Jahjaga thotë se “Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Shënohet 14 vjetori i bombardimeve të NATO-s
Në Kosovë sot shënohet 24 Marsi i vitit 1999, kur NATO-ja i filloi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe në Serbi.
Në Kosovë sot shënohet 24 Marsi i vitit 1999, kur NATO-ja i filloi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe në Serbi.
Fushata ajtore e Aleancës veriatlantike zgjati 78 ditë dhe përfundoi me dëbimin e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë nga Kosova.
Njëherësh, kjo fushatë e përfundoi luftën në Kosovë kundër regjimit të Serbisë dhe e ndali shtypjen e shqiptarëve të Kosovës nga ky regjim. Poashtu, e ndali dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe atyre që ishin larguar, u mungësoi kthimin në shtëpitë e tyre.
Tërheqja e forcave serbe e hapi rrugën për hyrjen e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës ndërkombëtar, KFOR, i cili ende është i pranishëm në Kosovë.
Konsiderohet se 24 Marsi i vitit 1999 paraqet një ditë historike për Kosovën dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi e mundësoi çlirimin dhe pavarësimin.
Raportohet se 14 vjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, në Kosovë do të shënohet me aktivitete të shumta.