Një film në të cilin vriten pa mëshirë edhe fëmijë të pambrojtur, ku ushtarët fluturojnë në ajër nga minat tokësore dhe ku njësia e Vermahtit transformohet ngadalë në një makineri vrasëse. Në filmin me tri pjesë, "Nënat tona, baballarët tanë", (origjinal: "Unsere Mütter, unsere Vater") me autor Stefan Kolditz, regjisor Filip Kadelbah dhe producent Niko Hofman, asgjë nuk zbukurohet. Filmi do të jetë një fazë e re e përpunimit të nacionalsocializmit në filmin historik, thonë mediet gjermane. Përgjegjësit në kanalin e dytë televiziv gjerman ZDF marrin duartrokitje të ngrohta në temperaturat ende dimërore në Gjermani. Papritur kanali televiziv, i cili thuajse nuk ekziston për të rinjtë, gëzon një vëmendje të madhe nga kjo pjesë e publikut: 6,5 deri 7,2 milionë telespektatorë i ndoqën seritë e filmit, nga të cilët të paktën 2 milionë të rinj. ZDF arriti një kuotë tregu më shumë se 20 për qind gjatë transmetimit të serisë me tri pjesë.
Tensione deri në minutën e fundit
Në serinë "Nënat tona, baballarët tanë", ofrohet nga autorët nga një anë një vepër ku tensioni vazhdon deri në minutën e fundit. Nga ana tjetër ofrohet një metodë të re: regjisori Filip Kadelbah dërgon në betejë pesë të rinj. Të gjithë protagonistët e filmit janë rreth 20 vjeç, plot me dëshirë për të jetuar dhe ide. Pesë personazhe simpatikë, që ëndërrojnë "të pushtojnë botën" (por jo vende të tjera!). Ata e shohin luftën si një devijim të vogël në rrugën drejt realizimit të ëndrrave dhe karrierës së tyre. Por nuk është aspak kohë e përshtatshme për të ëndërruar. Ngjarjet zhvillohen në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të sulmit kundër Bashkimit Sovjetik. Vëllezërit Vilhelm dhe Friedhelm duhet të marrin pjesë në luftë si ushtarë. Sharlot paraqitet vullnetarisht të punojë si infermiere dhe dërgohet gjithashtu në frontin e Lindjes. Ndërsa, Greta qëndron në Berlin kur punon për karrierën e saj si këngëtare dhe flirton me një oficer të lartë nazist.
Transformimi në ushtarë
Pas një kohe të shkurtër të rinjtë naivë transformohen në ushtarë që duhet të zbatojnë urdhrat për të vrarë ushtarë armiq, pleq, gra dhe fëmijë. Ushtarë që shkatërrojnë e djegin shtëpi, ferma dhe fabrika dhe që u duhet të qëndrojnë gjysmë të ngrirë në llogore në temperatura minus 40 gradë. Filmi "Nënat tona, baballarët tanë" është një film kundër luftës që ndryshon nga prodhimet e deritanishme gjermane.