2013-03-24

Rrahman Dedaj dhe filozofia e tregimit të tij për fëmijë





...Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të ketë kurorë të argjendë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël. Por, një ditë ngjau dicka e papritur. ..

Fatmir Terziu

Shkrimtarin dhe poetin e shquar shqiptar, Rrahman Dedaj, jemi mësuar t’a quajmë poet. Poetin më në zë të Kosovës. Jemi mësuar t’a vlerësojmë për poezinë e tij. Kanë shkruar dhe e kanë cilësuar sit ë tillë mjaft studiues, kolegë e kritikë. Por, atij në fakt nuk i është dhënë kurrë e drejta, kurrë nuk i është thënë se vepra e tij për fëmijë e rendit në majat e letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, pse jo edhe në piedestalin e letërsisë kontemporane për fëmijë në Botë. Pse e themi këtë me bindjen tonë duke lexuar dhe analizuar krijimtarinë e tij në përgjithësi e sidomos në këtë aspekt. Në analizën tonë do të argumentojmë me fakte dhe me detaje. Rrahman Dedaj lindi më 1939 në fshatin Penduhe, afër Podujeves, Kosovë. Shkollën fillore e kreu ne Podujeve, shkollën normale dhe fakultetin filozofik ne Prishtine. Me letërsi filloi te merret qysh ne bankat e shkollës. Ka botuar keto vepra: "Zogu dhe Kulla", "Me sy kenge", "Simfonia e fjales", "Balada fshehur", "Etje", "Fatkeqesia e urtise", "Kryqezim hijesh", (poezi per te rritur). Pastaj përmbledhje të tregimeve "Fshehtësia" dhe "Medaljoni" si dhe përmbledhjen e vjershave për fëmijë "Dy liqej". Ai është edhe autor i disa tregimeve për fëmijë. Me tregimi për fëmijë “Si lindi tregimi” ai ka kristalizuar edhe një të pathënë për krijimtarinë e tij, duke e rradhitur atë mes emrave të shquar, jo vetëm në mesin e poetëve shqiptarë, por edhe në mesin e lkrijimtarise shqiptare per femije si pene e një mjeshtri të letërsisë për fëmijë. Është parathënë në një nga studimet e Nehas Sopajt se “është vështirë të emërtohen të gjithë, por më të njohur janë M. Kuteli, R. Hoxha, O. Grillo, A. Islami, Rr. Dedaj, I. Kadriu etj, të cilët e kanë pasur horizontin e letërsisë shqipe me përrallat e ritreguara dhe fëmijët i lexojnë me kurreshtje” (Sopaj, 2007:70). (Lexo: Letërsia për fëmijë, Nehas Sopaj, 2007, botim i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Shkupit.)

Në një nga njoftimet tejet dashamirëse të stacionit televiziv RTK vec lajmit tejet pozitiv “U promovua kompleti i veprave letrare të Rrahman Dedajt” thuhet: “Rrahman Dedaj, e ka filluar, vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike, duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare, u tha sot në promovimin e kompletit të veprave letrare të Rrahman Dedajt, të botuara nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” dhe e përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Shkrimtari Rrahman Dedaj krijimtarinë letrare e filloi herët, në kohën kur në Kosovë ishin të paktë njerëzit që merreshin me të. Të gjitha veprat me poezi për të rritur dhe për fëmijë, janë përfshirë në botimin e tashëm të veprës letrare në katër vëllime.”

Duke shtuar më tej lexohet: “Akademik Rexhep Qosja, tha se përvojat që përmbanin historia dhe metodologjia kombëtare, krijimtaria gojore e popullit, përmblidhen në poezinë e Dedajt, me një thellësi kuptimore dhe me një figurshmëri, pothuajse të paprovuar më parë në poezinë shqipe.” (po aty). Dhe më tej ndricohet duke cituar, Qosen, që shprehet: “Rrahman Dedaj është poeti, i cili me thellësi dhe figurshmëri të veçantë e ka kënduar fatin e Kosovës, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. E ka filluar vazhduar dhe përfunduar krijimtarinë e tij poetike duke shkruar vargje moderne për traditën, kulturën, për thesaret shpirtërore e morale të Kosovës dhe më në fund të gjitha trojeve shqiptare” (Qosja, po aty).

Në tërë këtë kuptohet qartë e harruara ose e anashkaluara e arritjeve dhe vlerave të Dedajt në fushën e krijimtarisë prozaike për fëmijë. Po të marrim si shkas vetëm njërin nga tregimet e tij për fëmijë, pikërisht tregimin “Si lindi tregimi” shohim qartë se shkrimtari Rrahman Dedaj, nuk është vetëm poeti që këndon bukur dhe rrjedhshëm, pore dhe shkrimtari që vë këngën e tij të mrekullueshme të fjalës shqipe në gjuhën e moshave të urritura për stilin e tij. Ja se si shkruan ai në këtë tregim: “Na ishte njëherë një përrallë, e në përrallë një princeshë e vogël. Princesha kishte në kokë një kurorë të argjendë e në gisht një unazë të artë. Thesari i saj më i madh ishte fjala. Fjala e saj ishte e ëmbël.

Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të ketë kurorë të argjendë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël.

Por, një ditë ngjau dicka e papritur. Fëmijët më nuk deshën të mendonin për përrallën. E harruan shumë shpejt. Kush ishte fajtor për këtë? A thua, fëmijët i hidhëroi princesha e bukur, apo këta ia kishin zili?!

Jo as njëra as tjetra. Por ngjau dicka fare e cuditshme. Në përrallë hynë njerëzit e këqinj-kusarët. Ata deshën t’ian marrin princeshës kurorën e argjendë dhe unazën e artë. Atëherë princesha iku prej përrrallës. Në përrallë mbetën vetëm kusarët…”

Duke vazhduar sërrish me vlerësimin ndaj veprës së Rrahman Dedajt, gjithmonë sipas RTK-së, mësohet se “Pjesëmarrësit në këtë promovim folën për idetë e reja që përshkojnë poezinë e Dedajt, duke vlerësuar se ai e ka sjellë Evropën në poezinë tonë shqipe. Ndërkaq, akademiku Sabri Hamiti, tha se në thelb poezia e Rrahman Dedajt, e shkruar për një gjysmë shekulli, nuk ka ndërrime të mëdha.” Akademiku, Hamiti mësohet të jetë shprehur: “Ajo plotësohet e zgjerohet nëpërmjet varianteve për të dëshmuar një origjinalitet. Ky identitet poetik përbëhet nga shprehja spontane, ndjeshmëria e figura e parë elementare. Nënvizojmë që poezia e Dedajt nga fillimi deri në fund e ruan karakterin e vet themelor, flet qetë duke figuruar, thotë më thellë duke sugjeruar, kërkon afri e dashuri, e cila kalon nga niveli i mallit në nivelin e mallëngjimit”.

Por edhe pse nuk është lënë pa u përmendur edhe krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Dedaj, pjesëmarrësit janë mjaftuar të shprehen, se “Rrahman Dedaj është një nga shkrimtarët serioz të brezit të dytë të shkrimtarëve tanë për fëmijë, brez që bëri përpjekje që krijimtarinë tonë letrare për fëmijë ta barazojnë me atë të letërsive më të zhvilluara moderne për fëmijë.” Dhe këtë nuk mund t’a themi thjesht si një përpjekje të Dedajt. Vepra e tij është arritje dhe vlerë. Ajo flet qartë. Tregimi i cituar në vazhdim përshkon pa dorashka këto vlera, këto arritje në zbukurimin e tij filozofik. Ai është mjeshtër në gatimin e filozofisë që flet bukur edhe për këtë moshë: “Kështu këtë përrallë e harruan fëmijët, por tregimi për princeshën nuk mori fund.

Ajo doli në breg të detit dhe takoi peshkatarët. Ata ishin njerëz të mirë. Ia dhanë një barkë me margaritarë dhe i thanë të jetëojë në mesin e tyre dhe bashkë të shëtisnin në det.

“Ju jeni shumë të mirë. Puna juaj është e ëmbël, rrjetat tuaja janë të dashura, por mua më duhet të shkoj dhe të hyj në përrallën e bukur, që e duan fëmijët”, tha princesha.

Atëherë e mori barkën me margaritarë dhe u nis nëpër detin e kaltër. Peshkatarët e përshëndetën prej bregut të detit me shamia të blerta dhe i uruan lundrim të këndshëm.

Ajo largohej e prej së largu i shkëlqente kurora e argjendtë dhe unaza e artë. Rrezet që binin mbi të, shndërroheshin në ylbera.

Para se të arrinte në bregun tjetër, princesha dëgjoi një këngë. Ajo ishte kënga e tre vocërrakëve të mirë dhe, të armatosur me harqe dhe me shigjeta. Kishin dalë për t’i vrarë kusarët dhe për të shpëtuar princeshën. Kur barka iu afrua bregut të detit dhe zbriti princesha e vogël, vovërrakët i këndonin dhe i buzëqeshnin. Ajo zu të shpërndajë margaritarë dhe t’u flasë me ëmbëlsi:

“Do t’i thërrasim gjithë vocërrakët e botës!”

“Të gjithë do të flasim ëmbël!”, thanë fëmijët.

“Dhe do të këndojnë si ju”, shtoi princesha.

“Kjo do të ishte më mirë se në përrrallë. Ky do të sihte tregimi më i bukur që është shkruar deri më tash”, buzëqeshën fëmijët.

“Në tregimin tonë s’kanë për të hyrë më kusarët, as njerëzit e këqij”, - shtuan fëmijët.

Dhe kështu në vend të përrallës, lindi tregimi i bukur për tre fëmijët e mirë dhe për princeshën me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë. (Dedaj).

Kështu duke u ndikuar dhe mahnitur fuqimisht me leximin e Rrahman Dedajt në këtë fushë, natyrshëm fjala është për vendin e merituar të krijimtarisë së tij. Pra, vepra e tij, më saktë letërsia për fëmijë nuk duhet të jetë shkak për “etërit e letërsisë sonë didaktike”. Ne jetojmë me letrësinë e tij për fëmijë dhe më tej…

Letërsia për fëmijë, si shkas për …

… “etërit e letërsisë sonë didaktike…”

Etër! Për hirin tuaj etër,… ne ‘jetojmë me letërsinë tuaj për fëmijë’!

E dimë prej kohësh që Letërsia për Fëmijë u nda nga letërsia e përgjithshme për t’iu përshtatur më mirë botës së fëmijëve, veçorive të moshave të reja, përvojës dhe aftësive të tyre njohëse. Dhe që nga kjo ndarje është një kohë e gjatë, një rrugë e gjatë. Letërsia për fëmijë eci dhe u lëvrua si e tillë. U zhvillua dhe krijoi emrin e saj. Shtrati i kësaj letërsie natyrshëm krijoi edhe venddihatjen e tij në itinerarin lidhës mësues-shkollë-letërsi për fëmijë dhe nxënës, por shpeshherë harroi arsyen dhe analizën e duhur dhe të domosdoshme për këtë krijimtari. Vetë mësuesi që udhëzon veprimtarinë e tij letrare tek nxënësit në këtë itinerar, shpesherë dikton mbi atë që Natasha Poroçani e quan:

“një libër që e apasionon nxënësin si nga forma narrative, edhe nga vlerat që transmeton, e përdor atë si sfond integrues dhe e transformon në manual të aktiviteteve të ndryshme” (Poroçani, Mangësia në të lexuar dhe alternativa për shmangjen e saj; Kurrikula dhe shkolla, Cikli fillor 5; 2003:205).

Më tej mësuesja me një përvojë profesionale në këtë fushë e sheh këtë në praktikën mësimore ‘tek gjetja e një lloj letërsie didaktike’ (Po aty).

Letërsia didaktike është një nga mjetet e saj, misionin e së cilës, fjalorët me karakter enciklopedik, e përcaktojnë kështu: Letërsia didaktike ka si qëllim “të japë një mësim shkencor, moral, artistik” (F. Leka - F. Podgorica - S. Hoxha. “Fjalor shjegues i termave të letërsisë”. Tiranë, 1972, fq. 40-41)

Ajo përfaqësohet në prozë (me traktatin, lexsionin, fabulën, parabolën) dhe në poezi (me poemën didaktike, epistulën, satirën). Duke e shtjelluar më gjerë, me letërsi didaktike kuptojmë veprat artistike të kryejnë edhe funksione didaktike, duke transmetuar të dhëna me karakter shkencor, artistik, moral, filozofik, historik etj., në përshtatje me moshën, zhvillimin fizik, aftësitë perceptuese të fëmijëve etj. Të tilla, p.sh., janë: fabulat, poemat didaktike, traktati, leksioni, epistula, satira, tregimi fantastiko-shkencor etj (Prof. dr. Shefik Osmani; Letërsia didaktike shqipe dhe arsimi ynë fillor; 2003:214). Dhe kjo në fakt sipas Osmanit quhet edhe letërsi didaskalike.

Më tej nga teoria e cekur prej Osmanit, po edhe nga teoria e studimit të letërsisë dimë se letërsia didaktike është një mjet i fuqishëm për të realizur disa synime që ka shkolla, familja, mjedisi lidhur me edukimin e brezit të ri nga ana e edukimit human, qytetar, shkencor, artistik etj. Nuk duhet të identifikojmë letërsinë didaktike me letërsinë për fëmijë. Kjo e fundit është degë e veçantë e letërsisë së përgjithshme artistike, që krijohet posaçërisht për të vegjëlit dhe të rinjtë (që nga mosha 4-5 vjeç deri në moshën 17-18 vjeç), që të ndihmojë në zhvillimin e këtyre moshave në përgjithësi, e në veçanti në edukimin e shijeve të tyre, në stilin bisedor të fjalës së folur e të shkruar, në aftësimin e nxënësve për të dalluar të bukurën nga e shëmtuara, të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, heroin nga tradhtari, të bardhën nga e zeza.

***

Ndoshta kemi harruar ta quajmë këtë letërsi si pjesë të familjes së letërsisë, por edhe kur e quajmë si ‘familje më vete’, dendur e nisim dhe e bitisim aanalizën e saj tek “etërit e letërsisë sonë didaktike: Kristoforidhi dhe Naimi” (Shefik Osmani; 2003:215). Duke e konsideruar atë si një familje më vete, natyrshëm kemi edhe një gjeneologji të saj. Pra, kemi etërit, kemi bijtë, nipërit e mbesat e saj, në kuptimin logjik, në kuptimin figurativ, apo edhe të mirëfilltë të kuptimit të saj. Kemi kështu krijuesit e vjetër, krijuesit e viteve që pasuan atë, krijuesit e djeshëm dhe ata që lëvrojnë letërsinë për fëmijë sot. Pra këtu është një lidhje me vetë risinë e cituar, por edhe me mitologjinë, si shkas në këtë aspekt të letërsisë dhe krijimtarisë.

Duke u rikthyer tek mitologjia, sepse çdo krijimtari në letërsinë për fëmijë vjen nga një mit që të çon në një mit tjetër, vetë krijimi letraro-artistik për fëmijë mund të jetë një mit në një kohë të mirë për të krijuar një bazë të dhënash mbi këtë bazë të shëndoshë, për veprat e krijuara apo që krijohen nga autorë të ndryshëm në mënyrë që të ketë një arsye më shumë në listimin e tyre, pse jo edhe në përfshirjen e tyre në vlera normative për moshën përkatëse. Le të kujtojmë këtë si një arsye që lidhet me letërsinë e fqinjëve grekë. Ata prej kohësh vepronin në mënyrë të atillë që të gjenin “një fushë për nënën dhe babain” në këtë kuadrat krijimtarie dhe mbi vlerat e secilit ndërtohej përzgjedhja e letërsisë që vinte nga koha romake apo ajo greke, duke sigluar kështu në njëfarë mënyre kronologjikisht sipas vlerave edhe krijimtarinë e lëvruar në kohë tjetër. Si temë e veçantë kjo pjesë e letërsisë vazhdon, që t’ikonsiderojë këto të hyra dhe këta krijuese që kanë lëvruar në vite, si një amorfitet, si një ngecje, kur në fakt ka ecje përpara, si në çdo etapë tjetër, por duke mos u nxituar themi se ajo synon në këtë pikë të lëvrojë aspektin normativ që do të ndihmojë për të mbajtur drejt dhe qartë, duke seleksionuar krijimtari karakteristike që të shërbejë si një raportim efikas në fushën e kërkimit shkencor.

E dimë të gjithë që sot shoqëria shqiptare, përgjithësisht, ka kapërcyer barrierat e vështira që solli ndryshimi strukturor dhe ideor social edhe në aspektin krijues të letërsisë për fëmijë. Para këtij realiteti të ri të moderuar, në fakt duket se jemi vetëm teorikisht të tillë, pasi akoma në letrsinë për fëmijë kemi ngelur tek preambula e gjithëcituar mendësisht ‘etërit e letërsisë sonë didaktike’. Ne jemi të përgjegjshëm për arritjet dhe nivelet e reja ku bëjmë pjesë, jo thjesht si subjekte, por tashmë si njësi e strukturës bashkëkohore, apo ‘kontemporane’, sic cilësohet më së shumti si term i huazuar nga anglishtja.

***

Ky rezultat i kësaj analize tregon qartë se kryesore është të kuptohet, se ndërsa librat për fëmijë kanë ndryshuar shumë vetë në dy dekadat e fundit, madje kanë dhënë vendin, pamjen dhe rolin e duhur të fëmijës në shoqërinë shqiptare, shumë nga të rriturit mbeten injorant ose të palidhur me realitetin e ndryshimeve të tilla. Shumë prej këtyre ‘të rriturve’ janë edhe pena apo kritikë e analistë që kanë mbetur me orën e së djeshmes, ose që ende shohin nëpërmjet vrimave të gjilpërës së teorisë së tyre. Përgjigjet e këtyre të rriturve për këtë përshkrim do të ishin vërtet shumë habi, për shembull, po ta dinin se ende tani nuk është dorë e sigurtë, apo më saktë tani është dhe duhet shumë më tepër të vihet theksi mbi ndjenjën seksuale në librat për fëmijë. Një sinqeritet i madh i filluar në letërsinë aktuale perëndimore për fëmijë qysh herët, pas revolucionit psikoanalitik, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ndihmën për të çuar tërë letërsinë për fëmijë në këtë ndryshim. Adler, një nga psikoanalistët bashkëkohorë të Frojdizmit, në teorinë e tij thekson se ndryshimi i letërsisë për fëmijë, duhet të vijë në një linjë me ndryshimin e familjes. Kjo nënkupton shumë fakte dhe arsye që lidhen me zhvillimin dhe kulturën në të cilën jetojmë dhe përfshihemi. Rivalitetet familjare në mjaft libra apo inskenime filmike për fëmijë në të kaluarën shqiptare janë parë vetëm si aludime letraro-artistike, apo si trille në shërbim të ‘edukimit marksist-leninist’. Shumë shpesh shihen në librat për fëmijë, nën ritme fjalesh si ‘muskuj’; ‘zemra që rrahin fort për …”; “gjokse…burrërore”; “shokë trima” etj dhe aspak ose fare pak fjalë për jetë fëminore të lidhura me rrethnajën familjare dhe me hap-gjatësinë e ecjes normale. Kështu përshembull në Shqipëri, pranë televizionit shihen familjarisht “Portokallia” apo humore të ndryshme që shtatë fjalë në pesë i lidhin me seksin dhe maturinë, dhe asgjë nuk shihet si një arsye edukuese në kontekstin krijues letrar të letërsisë për fëmijë që krijohet sot. Dhe këtu kritika aspak nuk është kujtuar të bëjë edhe rolin e duhur, por edhe rolin seleksionues të nevojshëm.

***

Thërmija të tjera nga kritikët letrarë në tryezën e psikoanalizës përfshijnë miratimin e fantazisë jo thjesht si një kontekst për të fituar imagjinatën në frymëzim por si një metaforë e vlefshme për pasazhin e vetë jetës së njeriut. Për Karl Jungun përrrallat dhe tregimet, poezitë dhe fabulat që vijnë nga mite zanash janë shpesh simbolikë e individit dhe pasazhe që vijnë përpos jetikes nga lufta e primitivitetit, dhe si një lidhje e botës së kafshëve në kënd-ndodhjen e njeriut si pjesë të nivelit të lartë të botës së vetëdijes personale dhe që diktohet nga përmbushja e marëdhënieve njeri-hapësirë, në situata njohjeje. (Jung; 1986:63). Pyjet, monsterat, kështjellat, barinjtë, lidhet me të vlerësuarat dhe ndihmëtarët e të gjitha gjykimeve autoriale në fushat e ndryshme të krijimtarisë që janë hasur në rrugë të drejtë janë aspekte që sjedhin anën pozitive dhe negative për lexuesin e vetë krijuesin. Edhe pse J.R.R. Tolkien (autori i Mbretit të Unazave [Lord of the Rings]) dhe CS Leëis shkruajtën fantazitë e tyre letrare nga një ndikesë që frymëzohej nga bota e njohjes dhe të qenit të krishterë dhe jo nga një sfond psikoanalitik, seriozitetin me Tolkien vetë e kemi diçka që ka qenë dhe i detyrohet një diçkaje për të trajtuar mënyrën, atë mënyrë që Jung dhe të tjerë e kanë shpjeguar si krijimtari që vjen e plotë dhe fuqizohet në natyrën e frymëzimit të tyre nga bota nga ata vijnë që më pas të kthehet tek ideja e mitit si në thesar psikologjik për ata dhe vetë përcaktimin e tyre personal për të kuptuar plotësisht letërsinë e mirëfilltë për fëmijë. Ky parim është mbajtur cilësor në këtë seleksionim. Herët në krijimtarinë shqiptarë, Çajupi, Guranjaku, N. Frashëri, S. Frashëri, Asdreni, Çomora, Kristoforidhi, Konica, Poradeci, Kuteli, Mosi, Bulka, Asllani, Skendo, Koliqi, Marko, Ballanca, Mehmeti, Xhaferri, Podrimja, Bogdani, Budi, H. Z. Kamberi, Fishta, Noli, Hanxhari etj. dhe më vonë Deva, Huruglica, Prifti, Kristo, Grillo, Dedja, Xoxa, Kikaj, Gajtani, Ramabaja, R. Hoxha, Mustafë Spahiu, Bushaka, Demolli, Elshani, Isaku, Sulejmani, Stefa, Shapllo, Skendo, Kukaj, Demolli, Bushaka, Dedaj, Bojku, Spahiu, Ulqinaku, Agolli, Thaçi, Gjokutaj, Mamaqi, Kadare, Drini, Halili, Camaj, Batalli, Pashku, M. Kraja, N. Sopaj, Hamiti, Vinca, Kelmendi, Mehmeti, Islami, Qosja, Musliu, Rela, etj kanë qenë ndoshta disa nga krijuesit që janë seleksionuar përpos disa rregullave të ngurta.

***

Mjafton të shohësh katalogun e propozimeve të veprave figurative dhe burimeve të tjera plotësuese në “Kurrikulën e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”, ku të paktën më shumë se kudo, ndoshta më shumë se në Atdhe, duhet letërsi e mirëfilltë dhe bashkëkohore për fëmijë, natyrshëm shihet se si është ky fakt. Edhe në seksionin e literaturës së propozuar shihet ndjeshëm fakti paralel me problemin në fjalë. E vetmja gjë është se këtu nuk bëhet fjalë për fill të kuq apo m-l, por për një mbetje në këndin e ngecur, duke perifrazuar për inerci të së shkuarës, tekste dhe tituj ‘etërish’ të krijimtarisë didaktike apo edhe të asaj për fëmijë. Shumë pak emra, dhe shumë pak tituj të më të rrinjve, merren në konsideratë, apo shumë më pak emra krijuesish ‘të pafat’ për të qenë në listat seleksionuese të mëparshme, nga autorë që kanë krijuar në vite dhe kanë një bagazh të vlerësuar librash. Shumë pak të tillë, që edhe pse sot duhet të jenë në këto përzgjedhje shihen ende si thjesht ‘të pafat’. Pse? Këtu pse-ja është shumë e gjatë. Është në një itinerar kohor, rutinor, …, por edhe klanor. Klanet e përzgjedhjes vijnë me ndërresë, por me një emër: Pushtet. Dhe dihet, po si ‘këndove’ klaneve dhe orekseve të kësaj simptome nën petkun ‘Pushtet ose pusht-shtet’, vendin e ke larg listave. Kështu më mirë të mbeten ‘etërit’, që natyrshëm janë dhe duhen respektuar, për të mënjanuar ‘bijtë e pafat, apo …, mjerranët që presin të bëhen etërrrrr…” .

Etër! Për hirin tuaj etër,… ne ‘jetojmë me letërsinë tuaj për fëmijë’!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...