2013-03-27

Filmi “Agon”, i regjisorit Robert Budina, pas Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, ka marrë një tjetër çmim po në Amerikë.


          Në foto :Robert Budina
Filmi “Agon”, i regjisorit Robert Budina, pas Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, ka marrë një tjetër çmim po në Amerikë.



 Si “Filmi më i mirë i huaj” është vlerësuar historia e dy shqiptarëve që zgjodhën të emigrojnë në Greqi. Ky është subjekti mbi të cilin regjisori ka ndërtuar filmin “Agon”.

 Filmi sjell dramën e dy vëllezërve, që për t’u integruar zgjodhën rrugë të ndryshme. Ky film, që sot po “rrëmben” çmime njëri pas tjetrit në festivale ndërkombëtare, kur u shfaq në Tiranë hapi debate dhe diskutime për skenat e forta të dhunës dhe pozicionin e shqiptarëve në këtë film, karshi atyre grekë.


 Dhe ishte pikërisht Greqia destinacioni i radhës ku do të shfaqej në muajin shkurt.

“Ky çmim duket sikur erdhi nga hiçi, sepse ishte fare i papritur dhe nuk e prisja që filmi të vlerësohej maksimalisht me çmimet më të mëdha të festivalit.


Kam parë që në garë pjesa më e madhe ishin filma amerikanë dhe shpresat për një çmim dukeshin fare të vogla. Anëtarët e jurisë dhanë votën maksimale.


Kjo më ka bërë të ndihem shumë mirë dhe të hap edhe një herë projektet për të ardhmen. Mendoj se Guljem Kotori, që fitoi çmimin si “Aktori më i mirë”, është një talent i ri që dhe në filma të tjerë do të tregojë se ky çmim nuk ishte aspak rastësi për të.


 Edhe në raste të tjera ai është vlerësuar nga njerëz të ndryshëm të industrisë së filmit që kanë parë filmin ‘Agon’”, ka thënë regjisori Robert Budina pas marrjes së çmimit.

Edhe aktori protagonist, Guljem Kotorri, është vlerësuar si aktori më i mirë në Festivalin e Filmit “Bloody Hero International Film Festival” në Arizonë të SHBA.

“Ishte e papritur dhe një surprizë shumë bukur për mua. Ky vlerësim më bëri të ndihem mirë për atë çka unë kam bërë në filmin ‘Agon’. Gjithashtu ky çmim më ka bërë të jem këmbëngulës akoma më shumë në karrierën time si aktor, edhe pse nuk kam bërë një shkollë për aktrim dhe nuk po e bëj momentalisht.

Eksperienca në filmin ‘Agon’ ishte më e bukura eksperiencë që kam pasur deri tani në jetë, në shumë aspekte.



Kjo eksperiencë ka qenë si një shkollë për mua, më ka mësuar shumë gjëra mbi filmin, mbi aktrimin. Falë aktorëve profesionistë që unë kisha në krah, me në krye regjisorin Robert Budina dhe falë punës parapërgatitore që ne kemi bërë, më kanë mësuar shumë rreth aktrimit dhe filmit”, tha Kotorri.

Sipas vetë regjisorit Budina, filmi i tij “Agon” është një histori integrimi mes popujsh me kultura e tradita të ndryshme, një histori që u bie kambanave të alarmit kur këta popuj priren nga paragjykimet në bashkëjetesën midis tyre, të gjitha këto pasqyrohen nëpërmjet dy historish dashurie të pamundura. ”Agon” u xhirua në Selanik të Greqisë, me një përzgjedhje aktorësh grekë dhe shqiptarë dhe me një trupë të përzier teknike shqiptaro-greko-rumune.


 Protagonistë në film janë: Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Xhevdet Jashari nga Maqedonia; Eglantina Cenomeri, Laert Vasili, Antonis Kafetzopulos dhe Isabella Kogevina nga Greqia; Nikolla Llambro, Hajrie Rondo dhe Ergys Çekrezi.


Në fund të vitit që shkoi “Agon” pati premierën në Tiranë e më pas u shfaq në disa qytete të Shqipërisë. Njëkohësisht, filmi Agon është zgjedhur në South East European Film Festival, në Los Anxhelos, SHBA, një festival shumë i rëndësishëm për Hollivudin dhe industrinë e filmit amerikan, që fillon në maj 2013.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...