Shkruan : Demir KRASNIQI
Për të nxjerrë në dritë të botimit ndonjë vepër letrare , krijuesi letrar në botën e sotme demokratike , duhet që t’i luaj këto role , si vijon :
1. Krijuesi robot ,
2. Krijuesi lypsar ,
3. Krijuesi patron dhe
4. Krijuesi Baba Dimër.
1. Gjatë kohës së hartimit, përpilimit dhe krijimit të një vepre letrare çfarëdo qoftë ajo, krijuesi , apo autori i saj duhet që me mish e me shpirt të angazhohet , të punojë, të mbledh materiale, të shkruaj, të kontrollojë veprën e tij deri në fazën përfundimtare, duke derdhur djersë e mund ditë e natë, madje edhe duke humbur shumë kohë e shumë net të pa gjumë, i cili vërtetë luan rolin e një roboti të gjallë, duke i shkuar në nerva edhe familjarëve të tij .
2. Pasi ta ketë përfunduar dhe rrumbullakuar punën e vet krijuese , tani krijuesi letrar do të detyrohet që ta luaj rolin e një lypsari modern, i cili do të trokas derë me derë nëpër miq, shokë, firma, ndërmarrje, organizata , ministri... për të kërkuar në formë të lëmoshës, para për financimin e shpenzimeve rreth botimit të asaj vepre , apo libri .
3. Pas nxjerrjes nga shtypi të veprës letrare , krijuesi , apo autori i asaj vepre, apo libri, vetëm një ditë do të jetë në rolin e një patroni të vërtetë , ku do ta organizojë promovimin e asaj vepre, për çka do të fton shumë miq, shokë, kolegë e dashamirë të librit. Në këtë rast, aty do të vërshojnë edhe mjetet e informimit publik, diskutues, kritikë letrarë , figura të shquara publike, ku nuk do të mungojnë as drekat, darkat , koktejet dhe muhabetet e ndryshme .
4. Fill pas aktit solemn të promovimit publik të veprës së botuar , autori, apo krijuesi letrar do të detyrohet që ta luaj rolin e Baba Dimrit , i cili çdo ditë do ta ngarkojë një barrë të madhe mbi krahë dhe do të trokas derë me derë, shkollë me shkollë, zyrë me zyrë, për t’ua shpërndarë falas (gratis) veprën e vet, madje edhe duke ua shkruar kujtimet me nënshkrimet dhe autografet e veta personale , se si po bëhet zemërhapur, human dhe kavalier i kohës !
Pas të gjitha këtyre përpjekjeve , mundi, shpenzimeve dhe dhurimit të veprave gratis , dihet mirëfilli se sa do të lexohet, sa do të vlerësohet vepra dhe mundi i krijuesit dhe ku do të përfundojë vepra, apo libri i falur !