Bernd Posselt, deputet gjerman i Parlamentit Evropian ka thënë se Turqia nuk duhet të përzihet në librat shkollor të Kosovës pasi populli i Kosovës duhet që të jetë i pavarur në të vendosurit për librat shkollorë të historisë dhe mënyrën e të mësuarit të historisë për të rinjtë e saj.
Deputeti Posselt i ka thënë agjencisë së lajmeve dtt-net.com se presioni i qeverisë së Turqisë ndaj qeverisë dhe historianëve të Kosovës është i papranueshëm dhe ai duhet që të ndalet.
“Është e papranueshme që një ish-fuqi kolonizatore përpiqet që të bëjë presion ndaj një kombi të lirë evropian i cili ka qenë një ndër viktimat me shekuj me radhë ndaj interpretimeve të mënyrës së vjetër të historisë. Populli i Kosovës duhet që të jetë i pavarur në të vendosurit për librat shkollorë të historisë dhe mënyrën e të mësuarit të historisë të rinjve të saj. Kosovarët po e bëjnë këtë në mënyrë shumë të arsyeshme”, ka thënë ai.
Posselt ka pohuar se librat shkollor duhet që të jenë të bazuar në të vërtetën dhe ai e përkrah për këtë Kosovën.
“Është e qartë se të gjithë librat shkollor duhet që të bazohen në të historinë e vërtetë dhe në shërbim të pajtimit midis popujve. Ky është qëndrimi në të cilin unë e përkrah Kosovë. Turqia duhet që mendoj e të reflektoj për mënyrën e saj se si ua mëson historinë të rinjve turq”, ka thënë deputeti Bernd Posselt, i cili vjen nga partia CDU e kryeministres gjermane Angela Merkel.
Ankara është duke e përdorë tërë peshën e saj politike dhe diplomatike ndaj qeverisë së Kosovës për të ndryshuar librat shkollore të historisë dhe ta përshkruaj okupimin pesë shekujsh të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit nga Perandoria Osmane si një ‘okupim miqësor’.
Zyrtarë të lartë të qeverisë turke kanë nisur qysh para dy viteve një fushatë aktive të presionit ndaj autoriteteve kosovare për të ndryshuar librat shkollor për historinë dhe kanë kërkuar që disa fjalë si ‘vrasje’, ‘okupimi i egër Osman’ e të ngjashme të shlyhen nga përmbajtja.