2013-03-30

MARINA PRIFTI :Vështrim mbi librin “Gërsheti i prerë”, poezi, të autores Vojsava Nelo

ESSE





image
Ajo është si uji, ushqyese, brilante, e ndryshueshme, rrjedhëse.


Ajo është si ajri, me cilësinë e tejdukshmërisë në mes…


Ajo është si drita, e ngrohtë, depërtuese, prezente edhe në errësirën më të thellë..


Ajo është si toka, mbështetëse, themeluese, bazament, përkrahje, ekzistencë.


Një poezi që i ka të gjitha këto veti, vjen si një botë kompakte dhe e mëvetësishme, është gjendje e përjetshmërisë së natyrës dhe cikleve pa fund të saj.


Shpesh, kritiku dhe shkrimtari janë parë si kundërshtarë të njeri-tjetrit, unë them ata janë bashkëudhëtarë në një rrugë që e përshkojnë në drejtime të kundërta, shkrimtari nga qendra drejt periferisë, kritiku nga gjurmët drejt qendrës. Kur këto rrugë takohen, alkimia e letërsisë është e plotë, teksti dhe metateksti, komunikimi i thellë i strukturave përmbajtëse të shpirtit, gjuha “mistike” “e perëndive”, ripërtërihet dhe jetohet si letërsi dhe si krtitikë letrare.


Elementi në poezi i :


Ujit


Ajrit


Tokës


Dritës


Të gjitha elementet që përmblidhen në këtë poezi, janë të shkrira te simboli i saj kryesor, Gërsheti i Prerë.


Gërsheti i prerë, fija që lidh të dukshmen me të padukshmen, botën transhendentale me atë të së përditshmes, ura lidhëse mes dy gjendjeve të subjektit, nënvetëdijes dhe vetëdijes së tij. Është një gërshet që thurr një kompleks ndjenjash individuale, një rrugë e prerë në mes, një portë e mbyllur. Ai ekziston në mungesë mbi supe. Paprania e tij e bën formën e tij edhe më të dukshme. Ç’gërshet “preu” autorja që e mbush gjithmonë me trishtim dhe peshën e të cilit e mban vazhdimisht mbi supe?!


Si kordoni umbilikal që lidh qenien me botën, gërsheti lidh përkatësinë e njeriut me vatrën shpirtërore prej nga ku ka evoluar deri në shkëputjen e plotë të tij në një cikël të ri ekzistencial. Qenia ripërtërihet te vajza, e cila qan për gërshetin që është qendra lidhëse me botën mbajtëse, ushqyese dhe krijuese, me nënën natyrë. Femra ndahet më dysh, si krijuese dhe si e krijuar, si nënë dhe si fëmijë, me një trishtim të dyfishtë për fillin e dritës prej nga ku zbritëm në botë (kujtojmë përrallën e Rapuzel, ku realizimi i dashurisë kryhet përmes gërshetit). Një botë e prerë në mes, dy qenie të bashkuara në një, nëna dhe fëmija që mbahen pas kujtimit të gërshetit të dikurshëm. Në mungesë të tij, lidhja e tyre bëhet më e fortë, si për të përballuar shkëputjen pa arsye nga bota idilike që hapet si portë, pas rrugëtimit përmes një gërsheti që simbolizon pafajësinë, fëmijërinë, vajzërinë, miturinë, drejt supeve të një të rrituri pa gërshet, por me peshën e padiskutueshme të tij në atë jo-prezencë. Është ky gërshet që shërben si thurrje për gjithë librin. Ky gërshet i prerë poezish, të thurrura me njëra-tjetrën në mijëra fije të shpirtit njerëzor.


Gërsheti në cilësinë e ujit


Uji është i rrjedhshëm, i lëvizshëm, gurgullues i heshtur, i lëngët, i lagësht, i kthjellët, turbullues. Uji është nënshtresë prezente kudo. Gërsheti është i lagur nga lotët e vajzës së vogël dhe të nënës. Ai është lot dhe ujë në lëvizje, është ujëvarë rrjedhëse e subkoshiencës, që me cilësinë e ujit, qëndron si nënshtresë në çdo fjalë. Gërsheti është uji ku rritet embrioni njerëzor. I prerë, ai ua kalon cilësinë e ujit syve që qajnë dhe ngurtësohet në mosekzistencë, në prezencë polare mbi sup. Gjithmonë dikush do presë një fije që e lidh me idilin e pafajësisë, një gërshet, një ëndërr, një udhëtim, një shtëpi, një rrugë...


Është fija e padukshme që na mban lidhur me qendrën e qenies sonë, prej andej nga ku kemi ardhur, lidhjen me të cilën e mbajmë si kujtim në formën e një fijeje të prerë. Askush nuk mund të kthehet më mbrapa, qenia e re që mbajmë në krahë, që është vazhdim i qenies sonë, lidhet pas së njëjtës fije prejardhjeje. Por a është vërtet fija e lidhjes një gërshet i prerë?


Gërshti në cilësinë e Tokës


Toka është ushqyese, mbajtëse, mbështetëse, e fortë. Gërsheti është rrënja që depërton në qendrën e saj për të ushqyer qenien në përjetësi, është e kaluara jonë, fëmijëria, ku me mundim mësuam të baraspeshojmë trupin mbi tokë dhe të ecim përpara. Gërsheti është mbajtës, mbështetës, ushqyes si toka. Ai është dora që ajo zgjat që nga thellësitë e saj, për të na rritur si trup dhe si shpirt.


Gërsheti në cilësinë e ajrit


Ajri është i pakapshëm, i tejdukshëm, i kudogjendshëm .Gërsheti është prezent mbi sup edhe si mungesë. Ai është mbi shpatull, aty ku ka qenë gjithmonë, i tejdukshëm, i pakapshëm, i kudogjendshëm. Ai është frymëmarrja e parë e mushkërive në çastin e lindjes dhe kujtimi i përhershëm i klithjes së qarjes në çastin e shkëputjes nga një cikël jete në tjetrin.


Gërsheti në cilësinë e dritës


Drita është ndriçuese, zbardhëse, kthjelluese. Gërsheti ndriçon skutat më të errëta të shpirtit, për të kërkuar aty burimin e dhimbjes dhe për ta shëruar atë. Ai është drita e ndërgjegjes së zgjuar, është gjendje vetëlartësimi që kërkon arsyen e flijimit të vetvetes, në çastin sublim të vazhdimit të jetës.


Cikli “Gërsheti i prerë” titullohet ndryshe edhe “Cikli i dhimbjes”. Është dhimbja që përmban të katër elementët konstituive të ekzistencës ujin, ajrin, tokën, dritën, dhimbje që i përshkon këta elemente edhe i ristrukturon sipas dimensionit të pestë, Shpirtit Njerëzor.


Struktura e librit


Libri ka shtatë cikle, si shtatë zanoret e frymës kozmike, shtatë çakrat e konstitucionit human, shtatë notat e muzikës, shtatë ditët e javës. Jo rastësisht “Gërsheti i prerë” është cikli i pestë, katër elementët e jetës plus shpirtin njerëzor, ai që i percepton dhe i rindërton këta elementë, në ndërgjegjen e vet.


Libri fillon me dashurinë, forcën e parë ndërtuese të botës. Dashuria është veprim, energji, shkrirje e të pestë elementeve ujit, ajrit, tokës, dritës, shpirtit në një energji shpërthyese dhe gjithëpërfshirëse:


Te gjitha yjet e botës shpërthyen


Duke përhapur një dritë të flaktë..”


“Drita u rindez. Yjet u ribënë..”


“Vetëm dashuria më lulëzon,


Duke më shndërruar… në mijëra trajta


Në mijëra yje me përpjeston


Në qindra galaktika të arta..”


Cikli i dytë, ninullojnë, është zemra ripërtëritëse e dashurisë, është rikrijimi i botës përmes saj. Cikli i tretë, i vendlindjes, është bërthama ekzistenciale e qenies. Rrugëtimi fillon prej dashurisë (cilki i parëdhe idytë) drejt qendrës së vetevetes, Delvinës, fëmijërisë, oborrit me trëndafila. Pas ciklit të Delvinës, vjen cikli i nënës, prejardhja, jargavani i jetës me hijen e tij mistike dhe spiritualiste njëherësh. Jargavani bëhet simbol i figurës së nënës, me aromën e tij të mirë, mikpritjen, bukurinë, feminilitetin. Nëna qëndron nën hijen e jargavanit, është shpirti njerëzor i pemës. Ajo dhe pema shkrihen në bashkekzistencë, si dy shfaqje të së njëjtës formë. Jargavani ka lule të rënda, të varura përposhtë nga pesha e vetvetes, ashtu si nëna harkohet nga pesha e viteve të saj. Trungu i jargavanit është gërsheti i ngurtësuar i qenies që hyn në ciklin e fundit të ekzistencës. Ai gërshet kthehet në trung, njeriu hyn në formën e pemës dhe vështrimi i poetes largohet në lartësinë e hënës dhe yjeve. Është cikli kozmik i përfundimit të jetës, ku njeriu kthehet në pemë dashurie me dashurinë që ka mbjellë gjatë gjithë jetës së vet.


Pas ciklit të nënës, vjen cikli i dhimbjes, ose gërsheti i prerë, shkëputja totale e unit të rritur prej unit idilik. Përmes dhimbjes vjen rritja. Pas ciklit të dhimbjes, vjen cikli i indinjatës, përse heshtin poetët. Individi i shkëputur nga uni idilik, përplaset me botën, në përpjekje për ta ndryshuar atë. Cikli i fundit, “Shikime që pikojnë nga yjet”, është cikli ku autorja ngrihet në lartësinë e qiellit, por këtë rradhë jo përmes shikimit të të dashurit, por përmes lartësimit të vizionit personal. Fillon rrugëtimin e saj në qiell, në kaltërsinë e shikimit të dashurisë, zbret në tokë deri në rrënjët e krijimit, kthehet në botë si individ i rritur dhe lartësohet në qiell, përmes vizionit të së përjetshmes.


Poezia e fundit, “ Kuajt” kali mitologjik Pegasus, është mishërim i frymëzimit të lartë, muzës dhe dëshirës për të kapërcyer të gjithë limitet e ekzistencës njerëzore. Tani nuk ka më dhimbje për gërshetin e prerë, fluturimi mbi kuajt e ëndërrave, është kapërcimi maksimal i çdo kufizimi njerëzor, është vetevetja e realizuar në infinit.


Vetat e komunikikimit


Poezia e Vojsavës është ndërtuar mbi bazën e komunikimit në vetë të parë dhe hera herës të të dytë. Kjo e bën të drejtpërdrejtë transmetimin e emocionit.


‘’Ku ndodhesh tani?


-Në rrugë me borë...’’


‘’Dua të humbas në puthjen tënde,


të jetoj përhumbjen më të thellë..’’


‘’Të mbështetem pak në gjirin tënd,


ku buron ngrohtësia diellore...’


‘’Të pëlqen shiu”?!


‘’Jam me mijëra km larg...,


...nuk e di si më erdhe pranë..’’


Poezitë ku lexuesi vihet në vetën e tretë, janë ato për fëmijët. Këtu nëna dhe fëmijët janë në çaste dashurie pafund dhe lexuesi merr pjesë si dëshmimtar në gëzimin e tyre.


‘’Kafen e mëngjesit ma bën djali.’’


‘’...Unë humbas në përqafimin e vajzës sime. ( Artemida).’’


‘...’Këtu punon edhe im bir...’’


Cikli i vendlindjes është stil tregimtar.


‘’Kam bujtur dikur në një kasolle...’’


‘’Trëndafilat e oborrit tënd,


nuk e di a çelin si dikur...’’


Në gjithë këtë drejpërdrejtshmëri ndjenje, fraza mbetet e pastër, e pangarkuar me figura dhe e ngarkuar maksimalisht me emocion. Emocioni në këtë rast, e shndërron imazhin poetik në simbol. Trëndafilat bëhen simbol i fëmijërisë dhe i lulëzimit të pafaj, shtëpia prindërore bëhet vatra prej nga ku u shkëputën rrënjët dhe u pre gërsheti i ëndrrave, violina e fqinjit bëhet simbol i mallit për të shkuarën, varrezat dhe varri i nënës simbol i së pakthyeshmes dhe humbjes. Gjithçka në poezi është në lëvizje, që nga çasti më i vogël embrional i jetës, (akti hyjnor i krijimit) tek rritja, fëmijëria me trëndafila, përparësen e arnuar të vëllait, doçkat buçko që përqafojnë gjithë dashuri të rinia e vrullshme, nusëria e kristalizuar mes malesh si pikë zbritëse dhe ngjitëse, abys dhe qiell e palëvizshme në gryka malesh si portal i hapur energjie ku toka dhe qielli bashkohen në ritualin e përjetësisë. Rritja emocionale e njeriut, vajza e bukur Artemida, që përplaset me ligësinë e botës, por që autorja s`harron ta porosisë: “Ti e vogla ime, vazhdo, cicëri!’’, rritja e djalit (“Rritu djali im, të ndajmë ca bashkë nga hallet që kam mbi shpinë...”). Nëna, vdekja, gjyshja, shoqet e gjyshes, zvetënimi moral në një shoqëri që ka humbur rrënjët dhe qëllimin, poetja që ecën në të gjitha kohërat, të shkuarën, të tashmen, të ardhmen, shpërndahet në të gjitha “vatrat e saj krijuese”, fëmijëria, rinia, dashuria, fëmijët, jeta, puna, vdekja, me një fjalë një jetë e shpalosur kaq vrulltas, kaq përfshirshëm sa në fund habitesh se si mund disa poezi aq të thjeshta në dukje, të të lenë një mbresë të tillë, të paparë, sikur ke shëtitur një univers të tërë. Në fund universi që ke shëtitur, kupton që s`është gjë tjetër veçse universi yt, korridoret e tua të errëta prej nga erdhe në dritë, gërsheti yt i prerë prej nga ku u rrite përmes dhimbjes, dashuria jote e madhe që të mban të ecësh në hapat e para-ardhësve dhe të përsëritësh aktin hyjnor të krijimit. Dhe në gjithë këtë rrugëtim të brendshëm është ajo, poetja, me dritën e saj të pagabueshme që të udhëheq në gjithë ato skuta të shpirtit që kanë nevojë të ndriçohen e të shërohen. Është vetë ajo, një poezi që Zoti e shkruan për të shëruar shpirtrat e vrarë.


Nuk e di pse, por sa herë e lexoj këtë poezi, përlotem më shumë prej tyre, e më duket sikur në shkretëtirë gjen më në fund një oaz drite dhe dashurie. Prandaj dhe unë mendoj se poezia e ndier siç është poezia e Vojsavës, jo vetem qetëson ''shpirtrat e vrarë'', por të vë në kontakt me shumë pjesë të vetes që i ke mbyllur, i ke harruar që ekzistojnë, sepse në jetën e përditshme s'të hyjnë në punë, sepse të zvogëlojnë ashpërsinë që të është krijuar për të mbrojtur veten nga ndjeshmëria jote, nga realiteti i vrazhdtë. Nga një realitet i vrazhdë me probleme indivduale dhe shoqerore, ku njeriu humbet shumë nga vetja, siç ndodh dhe është tek cikli për nënën, vellanë, etj., që simbolizojnë shumë nga problemet e përditshme që na tjetërsojnë, por autoren e tyre, e lenë përsëri njëlloj; të ndjeshme, kritike, të hapur ndaj plagëve dhe dhimbjes dhe përsëri të ndjeshme, të padeformuar.


‘’... Thonë se kam lindur nga një legjendë... Sa reale dhe ireale është nuk e di, por di që thonë dhe përderisa e thonë, me siguri, që ka diçka të vërtetë.... E, ndërsa koha rrjedh, për çudinë time, besimi se kam lindur nga një legjendë, po zë vend gjithmonë e më shumë në bindjen time...’’


Prej drite apo prej legjende, ti je vetë poezia që shkruan!


''E ardhur nga një legjendë e ndriçuar me dritë të “pikuar nga yjet'', autorja Vojsava Nelo shkrihet me poezinë e saj, duke e kthyer çdo çast njerëzor në poezi dhe duke poetizuar çdo çast jetësor të saj. Kjo është alkimia e plotë e poezisë “gjuha e perëndive”, e përjetuar nga poetja Vojsava Nelo në një dimension sa njerëzor, aq edhe artistik.''

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...