Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në tubimin përkujtimor në përvjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj banorëve të fshatit Krushë e Vogël, në vitin 1999 tha se masakra e Krushës tash e katërmbëdhjetë vjet e tronditi gjithë atdheun dhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile, ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve dhe policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.
Jahjaga gjithashtu bëri homazhe para varreve të viktimave të masakrës në këtë fshat, ndërsa më pas ajo foli para të pranishmëve të shumtë në tubimin përkujtimor.
“Në ditët si kjo sot, ne ndiejmë dhimbje dhe pikëllim sepse mblidhemi së bashku për të kujtuar më të dashurit tonë që u vranë dhe u masakruan nga dora gjakatare. I kujtojmë me dhimbje të pashuar fëmijët, bijtë dhe bijat, vëllezërit, motrat, nënat, baballarët dhe të afërmit tanë, që sot nuk janë me ne. Një numër i këtyre dëshmorëve ende nuk e kanë një varrë ku të prehen, një vend ku vijmë dhe i nderojmë në ditët tona të dhimbjes”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja tha se sakrifica e bijve dhe bijave më të shtrenjta të popullit që ranë për lirinë e atdheut është e shenjtë dhe do të kujtohet gjithmonë si një dëshmi se liria dhe pavarësia nuk u fituan lehtë.
“Duke e pasur gjithmonë këtë në mendje, ne sot duhet të marrim forcë, të jemi më të organizuar, më të përkushtuar, duke kapërcyer çdo vështirësi, duke e bërë vendin tonë, duke e bërë Republikën e Kosovës një shtet demokratik e të përparuar, një vend të zhvilluar, një vend që u krijon mundësi të gjithë qytetarëve për punë, për shkollim, për një jetë më të mirë, për neve që sot jetojmë dhe që i kemi të freskëta vuajtjet dhe traumat e luftës dhe për gjeneratat që do të vijnë, që të jetojnë të lirë të barabartë dhe të dinjitetshëm duke qenë Kosova vend i Bashkimit Evropian dhe duke pasur një miqësi të përjetshme me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.
“Rruga jonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë ishte një rrugë e drejtë, ishte një përkushtim dhe një angazhim i të gjithë popullit, me dije, me organizim dhe me luftë të armatosur. Në realizimin e këtij ideali tonin për të cilin u shkrin shumë veprimtarë e intelektualë çfarë është profesori i nderuar Ukshin Hoti, ne nuk ishim vetëm”, tha presidentja e vendit.
Ajo u shpreh se “në këto çaste të dhimbjes dhe pikëllimit duhet të mbledhim forcën dhe të jemi krenarë për historinë tonë, të jemi të fortë përpara veprës dhe sakrificës të ma të dashurve tanë, dhe të ecim kryelartë përpara, sepse lirinë askush nuk na e fali. Në themelet e saj janë dëshmorët dhe në këto troje më kurrë nuk do të shkelë këmbë e okupatorit”.
“E kam thënë se ne asnjëherë nuk do të ndalemi përderisa të gjithë kriminelët t’i sjellim përpara drejtësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurojmë se krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe vetëm në këtë mënyrë parandalojmë që krimet e tilla të mos i ndodhin më asnjë populli dhe asnjë vendi. Ky është përkushtim i përhershëm i organeve tona të drejtësisë. Dhe ne sot jemi krenarë se Republikën e Kosovës po e ndërtojmë si faktor paqeje dhe stabiliteti, po e ndërtojmë si shtet qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit i gëzojnë liritë dhe të drejtat e barabarta, pa marrë parasysh numrin dhe përkatësinë kombëtare dhe fetare”, tha ndër të tjera, Jahjaga.