Nga Gjekë Marinaj
Legjenda e titulluar “Bjeshkët e Namuna”, sjell në qendër të vëmendjes së lexuesit një realitet të hidhur, i cili në disa krahina të Shqipërisë edhe sot e kësaj dite ka diçka të përbashkët me përmbajtjen e legjendës. Aty konflikti i brendshëm arrin kulmin. Në qendër vihet çifti në kërkim të një djali, pas tetë vajzave. Mirëpo edhe në përpjekjen e fundit lindin vajzën e nëntë. Aty vihet theksi mbi forcën e mallkimit, kur shpërthen me të drejtë nga zemra e saj e plagosur. Babai i të porsalindurës, me çmendurinë më të madhe, çohet heret në mëngjes, rrëmben foshnjën, futet në thellësi të Bjeshkëve të Namuna dhe kthehet pasdite në shtëpi pa vogëlushen e tij. Pasi e shoqja informohet për fatin e vajzës, revolta shpërthen në shpirtin e saj nga veprimi barbar. Shkon ta kërkojë njomzen e saj në bjeshkë dhe pasi nuk e gjen një zemër nëne thahet nga dëshpërimi dhe si rezultat nama esaj bie mbi bjeshkët, dhe nga bjeshkë me një gjallërim e gjelbërim të theksuar kthehen në ca male të zhveshura e pa jetë.
Si për ta qetësuar lexuesin, pas tragjedisë së mësipërme, vjen një tjetër lloj legjende në stil dhe përbërje: “E bija e Perandorit të Bizantit”. Në këtë legjendë mbizotëron dashuria e shkodranëve për humorin, si dhe njëfarë naiviteti e adhurimi para bukurisë femërore, të gjitha të ndërthura me hijeshinë mahnitëse të peisazhit natyror që afron Shiroka e tyre. Gjthmonë sipas legjendës, shkodranët mund të durojnë të rrinë pa shumë gjëra, por jo pa të drejtën për të bërë humor. Kjo legjendë është e shkruar me një humor të këndshëm nga autori, i cili ka gjetur mënyrën të sjellë etiologjinë e zajeve në plazhin e Shirokës.
Njëfarë huazimi shihet në legjendën “Gicat e artë të Bunës”. Fshati Zus, sipas autorit, është rrëgjuar sipas ligjeve fonetike të shqipes nga forma e hershme Zeus. Autori e lidh huazim me pohimin e rilindasit Vaso Pasha, i cili e konsideronte hyjni Ilire Zeusin, duke e shpjeguar me fjalën shqipe ‘zë’, pra zëri (rrufetë e gjëmimet) që lëshonte vetë Zeusi kur zemërohej me tokësoret. Huazime të tilla nga grekët kanë bërë për një kohë të gjatë romakët, kurse te vëllimi Nëna e Diellit, kjo është legjenda e vetme ku citohet huazimi.
Në të veçantat që gjejmë në legjendën “Motra kërkon vëllain”, autori vë në dukje tiparet themelore të cilësive të shqiptarit; si bujarinë, kur ajo kërkohet me nder dhe trimërinë kur ky nder i cenohet atij. Atydelmendimi se jeta po të mos jetohet me nder është njëfarë vdekjeje. Këtu kemi të bëjmë edhe me dashurinë e motrës për të vëllanë e anasjelltas. E gjithë kjo histori është kompozuar më tepër se gjithçka në formë përralle, por ngaqë ka një fuqi të mjaftushme artistike nuk mund të quhet e tillë. Tregimi është transformuar pa kontraste të rënda në një legjendë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me ralitetin njerëzor.
“Kushnuk e ka provuar dashurinë e motrës, ka humbur një nga ndjenjat më të ngrohta të zemrës njerëzore”, shkruhet në këtë legjendë.
Mjeshtria që përdor Naum Prifti në legjendën “Dy vëllezer dashurojnë një vajzë” bën që me lehtësi lexuesi t’i “pranojë” si humanë malin e Tomorit dhe të Shpiragut, të cilët kanë rënë në dashuri me bukuroshen e Mangalemit. Dukuritë interesante që gjejmë në botën e njeriut të lashtë shqiptar, bien si një kometë në një hapësirë të njohur realitetesh njerëzore. Në kontrast me artistët e periudhës së renesancës, Prifti, në punën me karakteret, e krijon femrën ideale të kohës të hollë, elegante dhe jo të dhjamosur apo të trashë nga ana trupore. Këtu alternativa është zgjedhje me vend. Në të njëjtën legjendë dallojmë edhe një tjetër këndvështrim në lidhje me vajzat që edhe sot e kësaj ditë mbetet i preferuar nga shumica e shqiptarëve. Në kulturën etike shqiptare, që vajza të konsiderohej e sjellshme duhej të ecte me “kokë poshtë”. Por, mbi të gjitha, pikët më të mëdha do t’ia jepja gjetjes dhe injektimit të legjendës me një art të filtruar. Nuk ke si të mos dashurohesh me pikturimin që autori transplanton nga natyra dhe imagjinata e tij personale në një përshkrim kaq të ëmbël proze:
“Hyjnitë i kthyen vëllezrit në male dhe Tetën në lumë. Ja tek është Tomori i lartë me gropat që ka lënë mbi shtatin e tij topuzi i të vëllait, ja dhe Shpiragu për karshi me të prerat e shpatës mbi të. Mes tyre Teta e bukur, lumi argjendor Osum, duke shkuar mes luginës takon me krahun e majtë Tomorin dhe me krahun e djathtë Shpiragun, se të dy i deshi dhe vazhdon t’i dojë akoma pa ditur se cilin të zgjedhë”.
Autori shpesh përpiqet t’u kthejë toponomive shqiptare emrat që kanë patur para pushtimit sllav, sikurse këtu ku Osumi quhet Teta, Dobrenji Miras, etj. Një prirje tjetër është pasurimi i panteonit të hyjnive ilire.
Si për të lënë ëmbëlsirën në fund, Naum Prifti e mbyll ciklin me legjendën më të bukur “Çezma e Floririt”. Është ndoshta punimi më i arrirë artistik në prozën e Naum Priftit. Aty shpaloset një spontanitet i veçantë në rrjedhshmërinë e ngjarjes. Për këtë ai e ka patur materialin, i cili vetem nga përmbajtja e jashtme e legjendës do të ishte një sukses në ecurinë e tij si shkrimtar. Pra kemi të bëjmë me një vajzë të zgjuar e pafundësisht e bukur, e cila bie në dashuri me një kaçakmali. Ajo është tepër e ndjeshme, por njëkohësisht edhe krenare. Dashuria e kthen zemrën e saj në një det të mbushur me pasuri ndjenjash të panjohura më parë. Dashuria a tyre përfundon në një tragjedi shumë të dhimbshme: Kaçaku vritet në një betejë dhe Bukuroshja mbytet në ujë për dashurinë e saj të parë dhe të fundit. Pra si të thuash “Çezma e Floririt”, titulli i të cilin vjen nga një çezmë që i ati i vajzës ndërtoi për të si kujtim te vendi i ngjarjes, është shkruar heret në moshën e Priftit si shkrimtar. Kështu, duke jetuar vetë zjarrin djaloshar, një tregim i tillë ka fituar jo vetëm perceptimin personal të ndjenjës së të dashuruarve, por edhe pasionet e para për letërsinë të autorit. Ndryshe nuk mund të shkruhet një tregim kaq i bukur, i cili lundron me të gjitha ngjyrat e ndezuara të ndjenjës nëpër rrugët arteriale të lexuesve, për të mbetur më gjatë në zemrën e tyre. Është pothuajse e pamundur, për mua si shkrimtar i këtij shkrimi, të kaloj te një tjetër paragraf pa e cituar për ju përshkrimin që në hapjen e legjendës autori i bën Trëndafiles së bukur:
“Aq e bukur sa ç’ishte vetë, po aq të bukur e kishte edhe emrin. E quanin Trëndafile dhe emër më të përshtatshëm nuk mund të gjendej për të, sepse faqet qenë si petëla trandafili. Kur kthehej vajza nga kroi, ngarkuar me kënaçe e bucela, pikat e imta të djersës mbi pushin e faqeve dukeshin si vesë mëngjesi mbi fletë lulesh. Gushën e bardhë tulipan ia stoliste një gjerdan floriri, ndërsa nga cepi i lahurisë qendisur me xhixha e tenima, i derdheshin deri te beli dy gërsheta, të cilat kur ecte luanin e hidhnin valle si dy gjarpërushe. Gjoksi i saj – sikur mbante fshehur dy shegë në gji”.
Në librin ”Nëna e Diellit”, edhe përrallat ashtu si mitet janë në anën minore për nga numri. Pesë përralla, të cilat padyshim janë më tëpër se gjithçka me karakter dëfryes, por që mund të shërbejnë edhe si njëfarë barometri për të dalluar veprimet e mira nga ato të këqiat. Natyra e qetë e vet shkrimtarit ka lenë gjurmë edhe në mënyrën e të shkruarit në këto pesë përralla. Secila prej tyre, që nga “E bija e Hënës dhe e Diellit”, “Djali Gjarpër’ e deri te përralla e fundit ‘Mullisi që u bë ortak me djallin”, kanë në vetvete diçka interesante dhe të lexueshme për të gjithë lexuesit pavarësisht nga mosha. Është befasues mesazhi që sjellin këto përralla; ato kanë atë fuqi frymëzuese, të cilat nganjëherë përrallat popullore nuk ta afrojnë dot. Kjo jo për të thënë se përrallat e shkrimtarit tonë Naum Prifti, janë në gjendje ta ndërrojnë personalitetin tonë, por më tepër për të vënë në dukje aftësitë e tij si shkrimtar për të hyrë në botën tonë si regullator dhe jo si një precipitat i padukshëm pluhëror që nuk të pritet ta nxjerrësh jashtë sistemit.
Lidhje të drejtpërdrejtë me këtë ide ka edhe përralla “Mullisi që u bë ortak me djallin”, të cilin do e veçoja si përrallën më të bukur. Në fakt ajo është më tëpër se një përrallë, është gati tregim nga mënyra se si është shkruar dhe poezi nga mesazhi që sjell.
Në këtë përrallë kemi të bëjmë me pozitën e vështirë të një fshatari. Dilema është se ai duhet të zgjedhë djallin si ortak ose të humbasë djersën dhe paratë që ka investuar për ndërtimin e mullirit. Zgjuarësia e djallit fiton epërsi mbi mullisin, falë dëshirës së tij për të mbajtur atë që kishte ndërtuar me djersë, si dhe për të nxjerrë disa fitime, ngaqë nuk kishte tjetër rrugëzgjidhje. Prifti bën një punë të mirë për të arrirë misionin e tij. Gjatë gjithë përrallës, që më jepet ta quaj tregim, ai përpiqet të na kumtojë se sado që të nxitesh nga dëshira për sukses në jetë, kurrë mos ia jep besën të ligut, mos u mundo të vjedhësh pasurine e të tjerëve, dhe ç’është më e rëndësishmja asnjëherë mos bën një krim për të mbuluar një gabim, siç e udhëzoi djalli mullixhiun të vriste dhe ta hidhte në përrua plakën kureshtare. Përralla mund të mos jetë produkt i Priftit, por nuk është përmbajtja ajo që e bën të veçantë këtë përrallë, sa stili i të shkruarit dhe domethënia që e përcjell atë.
Ndonse jemi mësuar me formën poetike të tyre, rapsoditë janë po aq të fuqishme edhe në prozë, kur ajo ka nivel. Konçiziteti me të cilën dallohet krijimtaria popullore e zonave të veriut, bjeshkeve të Jutbinës nuk humb asgjë nga një ripunim konstruktiv që aplikon autori në punën e tij me rapsoditë. Prapë se prapë, edhe të paraqitura në prozë, këngët e kreshnikëve e ruajnë atë imazhin e parë të humanizimit të një bjeshke të tërë, që flet për qëndresën e popullit tonë.
Të dala nga duart e një autori me një diapozon të gjërë kulturor, në librin “Nëna e Diellit” rapsoditë sjellin freski te lexuesi. Qartësia është çelës imperativ për suksesin e çdo letërsie. Ndaj Naum Prifti ka preferuar që versioni i rapsodive të tij të qëndrojë larg nga dialektalizmat gjuhësore. Kjo, jo se ai nuk e ka pranuar vërtetësinë se idiomat e shqipes dhe të dialekteve të saj janë të veçanta dhe të pazëvendësueshme në llojin e kësaj letërsie tek rapsoditë, por, ngaqë ka patur konfidencë të plotë në vetvete se shkrimet e tij edhe në gjuhën tonë letrare do të tingëllojnë po aq bukur, ai ka vendosur t’i ritregojë. Dhe ia ka arritur qellimit. Ka fituar një numër më të madh lexuesish, nga njëra anë dhe ka provuar se rapsoditë tona janë po aq të pëlqyeshme për pjesën tjetër të Shqiperisë sa ç’janë për Veriun.
Këtë e kam vënë re sidomos tek rapsodia “Omeri liron të atin”. Ndonëse në platformën treguese të poetikës origjinale, aftësitë e krijimit të popullit shprehin një reliev poetik të fuqishëm, Prifti ka gjetur forma që mungesën e kësaj natyre ta kompensojë me gjetjen e spikatur të trajtimit të ngjarjes. Duke iu larguar me zgjuarësi linjës përcjellëse të episodeve, ai e ka transformuar sipas interesave të tij rapsodinë e tipit të parë. Ekuilibri legjendar shtrohet i përafërt me ato të legjendave greke, ku heronjtë edhe humbin. Me një zë të fuqishëm shtrohet nevoja e një besimi më të madh të prindërve ndaj mençurisë dhe trimërisë së fëmijëve të tyre. Ai e konkludon legjendën e tij me fitoren e kreshnikëve, ndonëse për ta, duke përfshirë edhe Mujin, humbja e betejës me Ganiç Galanin ishte e konfirmuar. Fitorja, natyrisht nxjerr në pah meritat e luftëtarit të ri Omeri, mosha e të cilit e shtyu të atin të mos e miratojë si luftëtar.
Që në fjalinë e hapjes së rapsodisë “Muji dhe Halili te Sultani” të bie në sy një farë poetizimi në prozën e Priftit:
“Kërrusur nga mendimet, si çetinat nën dëborë, rrinin Muji dhe Halili pas leximit të letrës që kishte sjellë tartari, korrieri perandorak, prej Stambollit”.
Një krahasim i bukur poetik ky që është aq i nevojshëm në prozën bashkëkohore. Futja që heret e artit poetik në tregimet e Priftit, ka ndihmuar në rritjen e mirënjohjes mbarëshqiptare të tij si shkrimtar. Shkathtësia e përdorimit të mjeteve artistike, dhënia me mjeshtëri e roleve të kreshnikve në shoqërinë e atëhershme dhe një humor me art që flladëron ëmbël gjatë momenteve interaktive të tyre me Sultanin e bëjnë këtë rapsodi të jetë superiore ndaj gjashtë rapsodive të ciklit në fjalë. Megjithatë, secila rapsodi ka bukurinë e vet në zinxhirin e eposit të kreshnikëve. Në secilën prej tyre vihet re iniciativa e autorit që nëpërmes përdorimit të hapësirës materiale të zgjerojë sferën e mundësisë së kuptimit sa më të drejtë të rolit të kreshnikëve… Qartësimi i vizionit dhe i manovrimeve të kreshnikëve në ruajtjen e profilit të tyre, indirekt, hedh një dritë të re mbi aspektet historike të kulturës dhe të origjinalietit tonë popullor. Jo pa qellim autori u jep atyre një zgjerim me të madh epik, diku më të lidhura e diku tjetër më organike. Ç’është më e rëndësishmja ai e arrin këtë pothuajse pa u shkëputur nga veçoritë e caktuara kompozicionale, stilistike e gjuhësore të traditës. Karateristikat e brendshme të formës artistike të lënë një shije të embël edhe tek lexon rapsodinë “Rrëfimi trimëror i Dezdar Agës” dhe “Takimi i fundit me kreshnikët”, të cilat mbyllin atë cikël sa inspirues aq edhe argëtues.Rrëfimet Popullore – Fabulat janë vendosur në fund të librit. Autori i përvishet një pune serioze që fabulat e dalura nga pena e tij të jenë diçka më tepër se “thjesht” rrëfime të shkurtra. Këtë e bën të mundur imagjinata dhe fantazia e hapësirës që fabulat Priftiane paraqesin. Ja një shembull i shkëputur nga rrëfimi popullor “Çobani te mbreti”:
“Qentë, me të parë një të panjohur që po i afrohej kopesë, u sulën drejt tij, duke lehur egërsisht. Në një rast tjetër ai [mbreti], do të kishte qeshur me qentë që e kishin marrë mbretin për hajdut bagëtish, po tani që ata po i afroheshin të egërsuar me dhëmbë jashtë, e zuri frika se do t’i shkulnin ndonjë llokmë nga prapanica mbretrore…”
Megjithatë, Naum Prifti nuk ndalet me kaq. Në tentim për të përçuar një të vertetë morale, një mësim apo ide, atij i vjen në ndihmë integrimi i përvojës estetike që zotëron, si dhe eksperienca jetësore që ka si njeri dhe shkrimtar. Madje edhe në fabulat që janë mbledhur prej tij, nga ku do të veçoja atë me titull “Merimaga dhe Sëmundja”, kriteri tematik konkretizohet në aksione të besueshme, të cilat tingëllojnë aq të nevojshme për kohën, sa ç’është Naum Prifti për letërsinë tonë të re.