2013-03-16

nga Xhemal AHMETI :Manifesti pragmatikëve

Dy mendësi paskan kapur diskurset shqiptare; prijnë nacionalistët dhe nihilistët. Vërtet? Të parët i hasim gjithandej, të dytët nuk i gjejmë dot.

Gjatë «debateve» rreth identitetit, bashkimit kombëtar, religjioneve, përveç etiketimeve tashmë klasike; «patriotë» e «tradhtarë» u adaptuan edhe kategorizimet si «nihilistë», «kozmopolitë», «servilë», etj. Edhe pse kjo nuk është ndonjë risi e diskurseve shqiptare – kur dihet se ato tradicionalisht shërbehen me përdhunimin e nocioneve – është interesant t’i përshkruajmë ato për të identifikuar së pari origjinën e klasifikimeve të këtij lloji dhe së dyti ta kërkojmë qëndrueshmërinë e tyre në realitetin shqiptar. Kush janë adresatët e kush adresantët e këtyre etiketimeve?

ETIKETAT DHE SUGJERIMET

Si patriotë, nacionalistë, atdhetarë etiketohen autorë dhe publicistë që besojnë në idealet tradicionale e historike (që nga lindja e kombeve) të shqiptarëve për bashkimin e tyre në një shtet; të atillë që besojnë në supremacinë e «racës» dhe kulturës shqiptare. Kjo kategori nuk lejuaka tolerancë, me shpirtin në hundë e papushim apeloka në realizimin sa më urgjent të «amanetit të të parëve». Edhe pse brenda kësaj kategorie militojnë edhe racistë, fashistë dhe ekskluzionistë, pjesa dërrmuese e autorëve seriozë ruajnë baraspeshën në shprehje duke mobilizuar precedentë historike në favor të idealit që përfaqësojnë.

Nihilistë, servilë dhe kozmopolitë të kamufluar qenkan gjithë ata që kundërshtojnë realizimin e pakusht të idealeve historike. Këta madje mohuakan në stilin nietzsche-an gjitha vlerat ekzistuese shqiptare duke synuar instalimin e një metaidentiteti, të huaj, nga jashtë. Sipas nacionalistëve dhe patriotëve ky divizion mendimtarësh do të sakrifikonte gjithçka për t’iu serviluar sa më thellë e më bindshëm SHBA-be dhe BE-së.

Stanze-di-raffaello-lAccademia
Freskoja e Raffaello Sanzios në bibliotekën «Stanza della Segnatura» të Vatikanit.

Sipas këtij (vetë)përshkrimi të «polemizuesve» shohim se kemi të bëjmë me një konglomerat etiketimesh që ndajnë diskursin shqiptar në dy grupe; në nihilistë dhe në nacionalistë. Është ky «portreti» real i mendimit aktual shqiptar apo etiketimet e kanë krijuar një fasadë të atillë që ta bllokon shikimin më thellë brenda në frymën e debatit?

Pas analizës disamuajshe gazetave dhe portaleve shqiptare (të Shqipërisë dhe Kosovës) do të lehtësohemi duke u bindur se situata nuk është vërtet aq dramatike siç na sugjeron fjalori i ekzagjeruar i temperamentit ballkanik.

PLATONI DHE IDEALISTËT SHQIPTARË

Në njërën nga dhomat e Vatikanit, të quajtur «Stanza della Segnatura» gjendet freska e famshme e Raffaello Sanzios «Shkolla e Athinës». Një vizatim i populluar jo vetëm nga filozofët antikë por aty majtas është edhe Jezu Krishti, Micheloangelo dhe djathtas vetë Raffaello. Në qendër të kësaj freskoje diskuton duoja e famshme e filozofisë antike: Platoni me gisht të çuar përpjetë kah qielli dhe Aristoteli me dorë të drejtuar tokës. I pari përfaqëson idenë (domosdo spekulativen), atë përmbi rétë, i dyti donë që të djersitet duke mësuar së pari se ç’i thotë realiteti, e përjetueshmja. Idealisti në bisedë me pragmatikun.

Platoni besonte – para tij budistët dhe hindutë – se idetë nuk rezultojnë nga procesi i të mësuarit, por ato ekzistojnë gjithmonë, ne veçse se rikujtohemi në to, që do të thotë shpirti ekziston gjithmonë i njëjte ai veçse nëpër kohë ndërron subjektet humane (pra trupat fizikë). Sipas kësaj teorie duhet të besojmë se shpirti i Skënderbeut ende është në veprim në trupin e ndonjërit prej shqiptarëve të sotëm, ashtu si ai i Esat Pashë Toptanit, Enver Hoxhës, Isa Boletinit e shumë të tjerëve.

Dihet ndikimi i Platonit në formësimin e frymës evropiane ose siç thotë Alfred North Whitehead në librin e tij «Procesi dhe realiteti»: «Karakterizimi më i sigurte dhe i përgjithshëm i traditës filozofike evropiane është se ajo përbëhet nga një varg fusnotash tek Platoni». Ky ndikim – më vonë i përhapur sidomos edhe nga të gjitha religjionet e mundshme – natyrisht që është pjesë edhe e reflektimit intelektual shqiptar. Jo si koncept filozofik (idealizmi) por si mendësi që konstrukton ose përçon idealitete nga e kaluara në të sotmen. Natyrisht se nuk duam t’ia mveshim nacionalistit shqiptar vetinë religjioze të reinkarnimit (pasi nuk shprehen në këtë drejtim) mirëpo gjuha e tyre imperative që kërkon prej «çdo shqiptari të mirë dhe patriot» t’i nënshtrohet këtij apo atij ideali historik dhe atë pavarësisht rrethanave dhe kushteve reale në të cilat gjenden shoqëritë vetëpërshkruan modelin e tyre frymor.

Idealistët si zakonisht vuajnë nga mungesa e «argumenteve tokësore» (vetëm i interpretojnë si të tilla) prandaj edhe burimin qendror të debatit të tyre e kanë historinë, e cila iu shërben si mjet për të sakralizuar idealin që përfaqësojnë. Për shkak të dashurisë së sinqertë ndaj «popullit», «gjuhës», «atdheut» ata fare pak marrin guximin të akuzojnë qeveritë, politikat dhe gjendjet e dërmuara sociale e maksimalisht kapen për armiqve të jashtëm – edhe atëherë kur ata s’janë aktual dhe mezi mbijetojnë vetë. Kjo shihet edhe tek etiketat që prodhojnë si nihilizmi, servilizmi e të ngjashme. Pse?

KU JANË NIHILISTËT?

Po rikujtojmë – ky është definicioni i popullarizuar dhe kështu e mendojnë shumica e polemistëve shqiptarë: me nihilizëm nënkuptohet mohimi programatik i të gjitha vlerave të mundshme (pra edhe kulturore, morale, sociale, historisë, traditës e kështu me radhë). Sa për sqarim: ky mirëpo nuk është e nihilizmi i Nietzsche-s, i cili doli në shenjë proteste kundër mësimeve platonike të «kthimit të përjetshëm të së njëjtës». Në shekullin XXI është problem të besosh në formulën e kthimit të përhershëm të së njëjtës ide, sepse ashtu siç kishte kuptuar qysh Herakliti se gjithçka ndryshon, ribëhet, pra është një proces progresiv. Në gjithë debatin dhe duke lexuar gjithë autorët në hapësirën shqipfolëse nuk e gjen qoftë edhe një softy nihilist e lere më ndonjë radikal. Përkundrazi edhe të etiketuarit si nihilistë herë pas here idealizojnë më shumë se sa duhet vlerat dhe virtytet lokale, rajonale, gjuhësore e kulturore. Nuk kemi nihilistë. Çka kemi atëherë?

FJALA E PRAGMATIKËVE

Sidomos në publikimet kosovare dominon fryma e pragmatikëve. Ajo shkollë që e njohim nga mësimet e Charles S. Peirce, William James dhe John Dewey. Ky rezonim për dallim nga ai platoniku që kërkon sqarime mjegullave, po aristotelçe i vlerëson «të vërtetat», opinionet, idetë dhe teoritë në bazë të mundësisë së realizimit të tyre praktik. Domethënë këta idetë nuk i marrin apriori si telegrame të dërguara nga përjetësia dhe shpirtrat e reinkarnuar, por si mendime që duhet futur në laboratorin e jetës praktike. Nisur nga ky aspekt nuk del fare i habitshëm fakti se shumica e komentatorëve dhe gazetarëve seriozë kosovarë i përkojnë kësaj shkolle reflektimi, kjo ndoshta ka të bëjë edhe me profesionin e tyre prej gazetarësh të konfrontuar për çdo ditë me terrenin dhe proceset shoqërore reale.

Së paku ndër ata që bëjnë opinionet shqiptare nuk shquhet askush për nihilizëm qoftë atij modelit nietzsche-an e qoftë atij radikal. Kemi idealistë platonikë dhe pragmatikë, të fundit kësaj periudhë kanë marrë fjalën. Dhe mirë që është kështu.



Autori ka lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat dhe së fundi Historinë dhe Filozofinë në Univerzitetin e Freiburgut (Zvicër). Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore. Jeton në Bernë.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...