2013-03-14

Akademik Dr.sc.Namik Shehu,shembul për brezat e rinj...



   Akademik Dr.Namik Shehu

Namik M. Shehu , lindi në Berat më 28 Maj, 1934. Në vitin 1957 mbaroi me rezultate " Shkelqyer " Institutin e Larte Mjekësor në Tiranë. Në vitin 1970 u specializua në kardiologji në Spitalin Nr. 1 në Tiranë. Në 1980 mori gradën shkencore Kandidat i Shkencave Mjekësore. Katër vjet më vonë morri gradën Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, kurse dhjetë vjet më vonë edhe titullin Doktor i Shkencave Mjekësore.
Namik M. Shehu ka qene aktiv edhe në jetën shoqërore dhe shkencore: ishte këshilltar shkencor i Ministrisë se Shendetesise në vitin 1971, kryetar i shoqatave të mjekëve në Berat në periudhën 1971-1994, kryetar i shoqatës Shqipëri-Turqi për Beratin dhe nënkryetar i saj per Shqipërine në vitet 1991-1997. Ka qene anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologëve dhe të Dhimbjes së Kokës qe nga viti 1992. Për punën e tij të palodhshme dhe sukseset e mëdha në këto fusha, u dekorua disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin në Shërbim të Mirë të Popullit”, kurse Instituti Amerikan i Biografive e nderoi me çmimin “American Medal of Honor” (Medalja Amerikane e Nderit).

Si bashkautor, botoi më 1983 monografinë “Reumatizmi artikular akut dhe pasojat e tij”, si dhe botoi artikuj të shumtë në revistat: “Shëndetësia Popullore”, “Buletini i UT-së”, Seria e Shkencave Mjekësore, punime neuro-psikiatrike, punime neurologjike etj. Ka marrë pjesë në 30 sesione dhe konferenca shkencore. Për këtë arsye, profesor Namiku radhitet me të drejtë në radhën e mjekëve, që lanë emër në mjekësinë shqiptare, si: Maksut Dërrasa, Pandeli Çina, Lluka Muço, Ymer Dishnica e shumë të tjerë.

Namik M. Shehu jeton në Astoria, New York bashkë me familjen qe prej vitit 1997. Ai është sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane në New York.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra, ka thënë për profesor Namik Shehun: “Dr. Namik Shehu është një personalitet shkencor dhe një person i devotshëm dhe i aftë në kryerjen e detyrës”.

Në 70-vjetorin e lindjes së tij, ai i dhuroi qytetit të lindjes, ku dhe kremtoi këtë jubile, edhe librin “Berati, mjekësia nëpër shekuj”, kurse Bashkia e Beratit e nderoi me titullin “Intelektual i shquar i qytetit të Beratit”.
Namiku M. Shehu është i martuar me Engjëllushe Shehu (Dyrmishi), me të cilën kane tre fëmijë: Teuta, Erian dhe Loanda.

Doktor i shkencave Namik Shehu , ndërmjet të tjerave, në parathënie të librit, shprehet:

Librin “Shëndetësia në Skrapar” e vlerësoj si një punë kërkimore-studimore serioze me nivel shkencor. Aty përmblidhen materiale me përmbajtje mjaft të zgjedhur, që interpretojnë dhe konceptojnë në mënyrë dinjitoze rrjedhën historike të mjekësisë në krahinën e Skraparit. Autori Nevruz Gërxhani, me guxim, me pasion dhe me plot talent ia paraqet lexuesit dhe botës mjekësore, si nder, sakrificë dhe krenari të punonjësve të shëndetësisë dhe të popullit heroik të kësaj krahine.

Leximi i librit të jep emocione, të mbush me një krenari të ligjshme, të kënaq dhe të bën optimist, kur njihesh me gjithë atë punë madhështore dhe plot sakrifica, që është kryer në këtë krahinë, duke e paraqitur me të drejtë, si qendër me nivel të lartë mjekësor.
Përgëzoj Nevruzin për punën vetëmohuese, që ka realizuar dhe mishëruar në këtë punim me vlerë. Shpreh admirimin tim që ish nxënësi, bashkëpunëtori, kolegu, shoku dhe miku im, ka pasqyruar me meritë veprimtarinë voluminoze të shërbimit shëndetësor të krahinës së Skraparit; duke u lënë një pasuri të vyer dhe një kujtim të paharruar bashkëqytetarëve të tij, brezit të tanishëm dhe pasardhësve.

 Autori Nevruz Gërxhani, bir i Skraparit të respektuar, iu përkushtua këtij vendi tërë jetën, në fillim si ndihmësmjek, qysh në moshën e re dhe më pas si mjek, specialist i sëmundjeve të lëkurës, drejtues dhe organizator i aftë, dhe tani na paraqet këtë punim të rëndësishëm historik, ku përshkruan me vërtetësi dhe realitet veprimtarinë dhe aktivitetet e shërbimit shëndetësor dhe punën e madhe që kanë bërë punonjësit e shëndetësisë për t’i shërbyer këtij populli të respektuar.

Leximi i librit të entuziazmon, të shton kënaqësinë për ta rilexuar për t’u njohur me mundimet dhe vështirësitë, me të cilat është përballur kolektivi punonjës i shëndetësisë, si dhe nxjerr në pah gatishmërinë, devotshmërinë dhe sakrificat e punonjësve, që mbeten të denjë dhe krenarë. Përvojën e tyre autori e ilustron me plot shembuj dhe fakte.

Libri meriton të analizohet me imtësi për momentet më të spikatura, për të vlerësuar rëndësinë e punimit dhe për të evidentuar veprimtarinë masive të shërbimit shëndetësor.

Autori na njeh hollësisht me prapambetjen kulturore të popullatës, me injorancën dhe me zotërimin e besëtytnive dhe supersticioneve, na tregon përpjekjet e suksesshme të punonjësve të shëndetësisë së rrethit, që sollën zhdukjen e këtyre praktikave. Më tej autori njeh lexuesin me mjaft hollësi, për ndihmën mjekësore dhënë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ku zgjon mjaft kureshtje për mënyrën e organizimit, vështirësitë e trajtimit mjekësor dhe rezistencën heroike të sëmurëve dhe kuadrove partizane.

Me interes janë, konstatimet dhe sukseset e mëdha, të arritura në fushat e ndryshme të shëndetësisë të kësaj krahine. Vlen të theksojmë se në libër pasqyrohen me vërtetësi etapat e shpejta të zhvillimit të hallkave të ndryshme të shërbimit shëndetësor, që përfshinin ngritjen e institucioneve mjekësore, rritjen e vrullshme të kuadrit, pajisjen me aparatura mjekësore, aftësimin tekniko-profesional; të cilat siguruan nivel të lartë shërbimi, që duken të pabesueshme dhe të pakonceptuara për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë.

Në fillim të viteve ‘60 lexuesi njihet vetëm me një spital-shtëpi me 6 shtretër. Pas një viti ndërtohet një spital i ri me 40 shtretër, ndërsa në vitin 1973 u përurua një tjetër spital tepër modern me 110 shtretër, në Çorovodë, pa përmendur institucionet e tjera me shtretër të përshkruar me hollësi në libër, si në Poliçan dhe në rreth.

Ndërsa shtimi i kuadrit mjekësor i mesëm dhe i lartë, thuhet se i kaloi parashikimet. Rrethi i Skraparit u “dynd “ me kuadro mjekësor për një periudhë kohore të shkurtër.

 Kuadri i lartë, mjekë, stomatologë dhe farmacistë, njohu rritje të madhe numerike dhe specialitetesh, duke i siguruar në këtë mënyrë popullatës së rrethit, të gjitha shërbimet mjekësore të kualifikuara dhe tërësisht të mjaftueshme, pa pasur nevojë për t’u kuruar jashtë rrethit.

Është kënaqësi të lexosh librin e përshkruar me mjeshtri nga autori, ku gjen të pasqyruar me imtësi çdo gjë për shëndetësinë e rrethit. Me respekt përmenden të gjithë punonjësit pa përjashtim, nga mjekët e deri tek sanitaret, duke iu bërë edhe biografinë e tyre, të cilëve u del për detyrë ta falënderojnë autorin. Përshkruhen me korrektësi repartet, klinikat, institucionet dhe shërbimet kurativo-profilaktike, klinikat dentare, farmacitë, laboratorët, repartet e lindjes, çerdhet, anekset dhe qendrat administrative, puna vetëmohuese e punonjësve, veprimtaritë studimore-shkencore, organizimi i KML-së dhe i K.E.M.P-it, etj.

Një prezantim të qartë autori jep për shërbimin shëndetësor të Poliçanit, ku reflektohen përparësitë e shërbimit spitalor në spitalet e rinj dhe në të gjithë institucionet e tjerë me shtretër, në ato profilaktike dhe antiepidemike, si dhe shtimi i kuadrove të lartë, mjekë, stomatologë, farmacistë dhe personelit tjetër mjekësor, ndihmësmjek, mami dhe infermier.

Është e rëndësishme të kujtojmë përshkrimin me përkushtim që i bëhet në punim, vlerësimit të 16 qendrave shëndetësore të fshatrave të rrethit, duke paraqitur me imtësi veprimtaritë dhe arritjet në të gjitha shërbimet e tyre përkatëse, të përshkruar në 90 faqe.

Në libër, me hollësi dhe emër për emër, përmenden të gjithë kuadrot e shëndetësisë, mjekë, ndihmësmjekë e mami-infermiere, që kanë mbaruar shkollat në Skrapar dhe në rrethet e tjera, duke krijuar një listë të madhe.

Autori e përfundon punimin me një përshkrim-kujtesë shumë prekëse ku përmend mjaft emra mjekësh të ardhur, që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në Skrapar dhe që u bënë më pas të nderuar me grada dhe tituj shkencorë; të cilët ndiejnë respekt për atë popull dhe atë vend ku kanë shërbyer.

Ata e konsiderojnë veten të nderuar për ndihmën e dhënë dhe me kënaqësi kanë shprehur përshtypjet e tyre.
Intelektualin dhe mjekun

Nevruz Gërxhanin e përgëzoj dhe e përshëndes me respekt për librin e tij, të shkruar me pasion, me përkushtim dhe me aftësi profesionale, që u dedikohet dhe u jepet si dhuratë e çmuar punonjësve të shëndetësisë, kolegëve, vendlindjes së tij dhe gjithë dashamirësve.


*****
Historia e mjekësisë beratase

Historia e shërbimit shëndetësor në qytetin e lashtë të Beratit, është e lashtë sa vetë kalaja e këtij qyteti muzeal. Në këtë pikëpamje, aktorët dhe personazhet e kësaj historie humane, meritojnë të nderohen e respektohen brez pas brezi.

Në stendat e muzeut të shëndetësisë beratase, kanë zënë vend figura të nderuara e që mbajnë tituj shkencorë të akorduar nga vetë brezat e qytetarëve. 

Zyrtarisht, shërbimi shëndetësor starton në vitin 1921, duke u plotësuar me personazhe e kontribute të reja, sot në ditët tona.

Askush, as sot dhe as nesër, nuk mund të fshijë nga memoria historike emrat e mjekëve të parë të beratasve si: Doktor Omer Nishani, Hajdar Sula, Jani Kona, Osman Jonuzi, Xhafer Kongoli (emrin e tij e mban spitali i Elbasanit), Nikolla Haxhistasa, Dhimitër Shyti, Azbi Kuci, Lluka Muco, Vangjel Ikonomi, Sulo Mborja e Maksut Dërrasa (ky i fundit njihet si themelues i kirurgjisë shqiptare). Është pikërisht kjo plejadë e artë që i ka dhënë emër vetë qytetit të Beratit në mjekësi 


Botimet:.



Në vitin 1983 ka botuar monografinë me bashkautor: " Reumatizmi artikular akut dhe pasojat e tij" me një volum prej 2008 faqe. Ka bërë përkthime dhe përshtatje. Ka botuar artikuj në revistat "Shëndetësia Popullore", "Buletini i UT-së", "Seria e Shkencave Mjekësore", "Punime Neuro-Psiqiatrike", " Punime Neurologjike" e shumë të tjera. Për probleme të shëndetit janë mbajtur disa referate dhe është folur edhe në RTSH. Qyteti i Beratit si dhe qytetet e tjerë fqinj kanë patur fatin të kenë mjekë të aftë si Doktor Namik Shehu, i cili ka punuar përkrah mjekëve të tjerë të aftë, që kanë një emër nderi në Mjekësinë Shqiptare si: Maksut Dërrasa, Pandeli Çina, Lluka Muço, Vangjel Ikonomi, Ymer Dishnica e shumë të tjerë.

...Ka marë pjesë në takime të shpeshta me ambasadorin e Shqipërisë pranë OKB -së, si dhe takime me mjaft interes me ambasadorin e Shqipërisë në Uashington për probleme të akademisë dhe në interes të Kombit Shqiptar. Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro - Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra është shprehur: "...Dr. Namik Shehu është një personalitet shkencor dhe si person i devotshëm dhe i aftë në kryerjen e detyrës..., ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Prof. Dr. Ylli Popa është shprehur: ... Nëpërmjet Doktor Namik Shehut i uroj suksese Akademisë së shkencave Shqiptaro - Amerikane. 

Familja ime dhe unë personalisht pata fatin e madh jetësor të njifemi për së afërmi më Namik Shehun dhe shoqën e tij Engjëllushe Shehun...Dhe duke e njohur më përseafërmi udhën e e jetës së tij të bukur, të gjatë e të vështirë, në të cilën ka ecur gjatë gjithë jetës së tij si njeri, mjek, shkencëtar, doktor, si dhe me kontributin e tij të madh që i ka dhënë shkencës , Akademiku ynë Namik Shehu ka ecur edhe në udhën e gjatë, duke hyrë në portën e madhe të Historisë dhe Historia, jo vetëm që e ka pranuar , por atij i ka dhënë vendin e nderit që i takon në historinë e mjekësisë globale dhe asaj shqiptare në veçanti.
Le të mbetet Akademik Namik Shehu nderi i Kombit, i beratasve,tiranasve,prishtinasve i gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë ne të bashkohemi njëzëri duke i uruar: "Jetë të gjatë, duke u mbetur shembull për brezat e rinj".

Lexoni :






http://floripress.blogspot.com/2012/07/reportazh-nga-kosova-nga-dr-namik-shehu.html
Përgatiti Flori Bruqi

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...