2013-03-16

Ali Cenaj :Thneglat e gjinkallat tona

Ditë më parë, me një mik tek diskutonim për këtë realitetin tonë grotesk, mjerimin moral e ngrysjen e gati të gjitha vlerave, hajnitë e përmasave nacionale, xhipat e zinj e pasuritë milionëshe të leckamanëve të djeshëm, seç m’u kujtua mësuesi im i parë.

Ai i paharrueshmi, mësues Faiku dhe përralla për gjinkallën e thneglën. Ju kujtohet ajo fabula e Jean de La Fontaine, porosinë e të cilën mbase mund ta kemi kuptuar më shumë se seriozisht.

Vetëm puna. Pa punë s’ka asgjë. E shihni, e shkreta gjinkallë, me mendjelehtësi e kalon ditën gem më gem duke kënduar, herë andej, herë këndej, por harron se kur të vijë dimri, do të ngordhë nga uria bashkë me fëmijët. E thnegla punëtore, që tërë ditën punon pa u ndalur, vërtet që lodhet, por s’ka nevojë t’i frikësohet as dimrit, as kujt tjetër, - thoshte mësues Faiku duke ngulitur në kokat tona fëmijërore punën, ndershmërinë, familjen... si vlera kulmore. Vlerat absolute me të cilat mund ta kenë nisur dhe ngrysur jetën edhe familjarët tanë, por në të cilat gjithnjë e më shumë po shfaqen shenja dyshimi.

Normalisht, me kohë gjërat ndryshojnë. Edhe përrallat si kjo e La Fonteine-it për thneglën e gjinkallën. S’e ke dëgjuar versionin më të ri, -më thotë miku me një nënqeshje, dhe nis rrëfimin që në versionin e përfolur mund të dukej kështu:

Verë e nxehtë. Thnegla e mbytur në djersë as kryet s’mund ta çojë nga puna. Mbjell, korr, fshinë... kur në atë kohë ia beh gjinkalla.

Ç’po bën ashtu, thnegël, - pyet duke ndërprerë atë refrenin monoton ga, ga ga,...?

Qe, po punoj. Po përgatitem se dimri i gjatë, nuk i dihet... e pa punë s’ka gjë. Po ti, ç’po bën?

Asgjë, hiç, po shkoj disa ditë në det se nuk durohet kjo vapë, - i thotë dhe vazhdon udhën.

Pastaj vjen dimri. Gjinkalla ndal xhipin nga i cili binte në sy një biondinë, si dhe skijat e snoubordi.

Ore, thnegël, çka po bën pash Zotin, - pyet nga dritarja?

Qe, po e pastroj rrugën nga bora, do dru i kam bërë gati, nganjëherë po gjej ndonjë punë me mëditje se fëmijët duan bukë, veshje e mbathje. E ti, kah je nisur, - e pyet?

Hiç, u mërzita. Edhe kjo Prishtina u bë bajat. Po dal pak kah Boroveci, pak skijim, sa për ta thyer monotoninë, - dhe niset.

Verën tjetër, sërish gjinkalla ndal me brof para thneglës xhipin e zi, me dy biondina e një zeshkane brenda dhe përmbi dërrasë sërfingu. Sërish e njëjta pyetje therëse.

Hë, thnegël, çka bëre?

Qe more, si zakonisht, punë, punë, natë e ditë, siç ka thënë Naimi ynë... Mbjelljet i kam kryer, tash po mihi pemët, po mbledh barin... E ti, kah je nisur prapë kështu?

Qe, po dal pak kah Evropa. Pak në detin kroat, pastaj pak shoping në Venedik... Thjesht, të dal pak se nuk rrihet këtu, - dhe ia fishkëllen rrotat para hunde.

S’kalon shumë dhe dimri vjen prapë. Sërish gjinkalla tash me një lloj cigareje me bari e zinxhirin që i shkëlqen rreth qafe, del nga BMW tipi më i ri, pasi ndal pak muzikën që ushtonte nga zëruesit Bosse, sërish pyet?

Po ku je moj thnegël, pash Zotin? Çka po bën? Si po të shkojnë punët?

Mirë more jemi, gjallë jemi, shëndosh jemi... Por ky dimër shumë i fortë. Po më duhet të punoj shumë se ku KEK-u diçka e ka shtrenjtuar rrymën, faturat e larta, fëmijët duan edhe nga një euro kur shkojnë në shkollë, qe... po kalojmë disi. Te ti çka ka? Si po të shkojnë punët?

Ç’të them, nuk është edhe keq. Po mundohemi, vendi ka nevojë për angazhime, kemi tash edhe kushtet për BE. Qe, për atje jam nisur. Një turne lobues, Vjenë, Berlin, Londër... Pastaj ndoshta dal pak edhe kah Franca. Vendi do angazhime... Megjithatë, po ia dalim disi, - thotë dhe bën të niset.

- Prit, prit, i thotë thnegla, dhe gjinkalla hap dritaren.

Pash shoqërinë që kemi pasur, ma bëj një të mirë. Kur të kalosh kah Parisi, mos harro, lype dhe gjeje atë Lafontenin, ku është e ku s’është.

Dhe, pash Zotin, jo rrahe, por zdëpe dajak. Bëje për atë dynja. Pisin, se më mori në qafë, - kishte thënë Thnegla në version e ri të fabulës.

Se diçka në këtë shoqëri nuk po shkon, po shihet. Por, kush na e ka fajin neve, thneglave të zhgënjyera? Veç mos më thoni mësues Faiku.

E di, jeni në anën e Thneglës që mund t’u ngjasojë si shumë edhe juve apo të afërmve tuaj. Por e pranoni, më shumë u pëlqen të jeni gjinkallë!

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...