2013-03-11

Arusha Sonja dhe turizmi në Sarandë


Nga Auron Tare



Sigurisht që shumëkush që do lexojë këto radhë do më thotë se po tallem me ju apo po bëj shaka. Fatkeqësisht nuk kisha me vete një aparat fotografik të mirë për të bërë foto me cilësi, por kisha disa miq të mi dëshmitarë të kësaj ndodhie në shëtitoren e Sarandës.

Një arushë e vogël ishte lidhur me zinxhirë për hekurash të bulevardit të Sarandës dhe disa persona, të cilët ftonin fëmijët të bënin foto me të, e qëllonin here pas here që ariu i shkretë të kërcente sipas dajres që i binte një jevgjit me kollare. Si zakonisht shqipot që kalonin aty qeshnin e gajaseshin me arushën. Të huajt që kalonin ne bulevard tmerroheshin me barbarinë shqiptare dhe iu vinte keq për vuajtjet e ariut.

E pyeta të zotin, mirë që e torturonte lidhur me zinxhirë dhe e përdorte për foto (5 mijë lek një foto), po nuk kishte frikë se ariu mund të egërsohej dhe të kafshonte ndonjë fëmijë?

-Jo, më tha, ka plot fëmijë që vijnë për foto dhe prindërit i lënë me dëshirë.

Mirë qe ky fakiri rom nxirrte bukën me arushën e vogël, po prindërit që sillnin fëmijët për foto me të nuk i kuptoj se çfarë mësimi ju jepnin fëmijëve.

Nejse, dhashë e mora që t’i thosha të ikte, po e kuptova qe kjo qenka punë e përditshme. Mora policinë e bashkisë dhe atë të rendit, që për hir të së vërtetës erdhën me vrap, mirëpo e pashë që ata nuk po e bindnin pronarin të largohej. Një grua mesa duket i tregonte disa dokumente policisë.

U afrova dhe i pashë. Gruaja iu thoshte policëve që arusha ishte e regjistruar ne bashki dhe nxori nga çanta një dokument të firmosur nga veterineri i bashkisë.

-Unë kam edhe licencë si biznes i vogël, më thotë kur unë u çudita nga dokumenti i bashkisë.

-Jam e regjistruar dhe paguaj taksa për ariun që të dal përditë këtu. Unë nuk iki, më tha, se jam në rregull. (FOTO)

Dukej që me të vërtetë duhej të ishte ne rregull me bashkinë dhe shtetin. “Unë kam një vit që punoj me ariun,” këmbëngulte gruaja rome dhe nuk ikte.

Mirë që këta rom nxjerrin bukën e përditshme duke torturuar kafshën e gjorë, po Bashkia në Sarandë si ka mundësi që lejon një barbari të tillë ditën për diell? Pretendimi i të qenit qytet turistik është një fjalë e madhe, por duhet edhe të sillesh si një vend që me të vërtetë kërkon të jesh vend turistik. Në çdo vend të qytetëruar nuk mund të lejohen barbari të tilla, aq me tepër të lejuara edhe nga Bashkia e qytetit.

Shqipëria, që ka firmosur me qindra konventa për mbrojtjen e asaj apo kësaj shpeze, kafshe të gjore apo luleje në zhdukje, nuk mund të lejojë këto shfaqje, të cilat janë të denja për shoqëri mesjetare, të cilat nxirrnin kënaqësi nga torturimi i kafshëve.

Nuk di ç’të them më, prandaj po e mbyll për një apel në ndihmë të arushës Sonja, e cila mirë që është rrëmbyer në ndonjë mal dhe do përfundojë jetën e saj në ndonjë kasolle, por që Bashkia e Sarandës të ndalojë urgjent këtë shfaqje primitive nëpër bulevardet e saj.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...