“Ajshen ma solli për herë të parë në arë motra e saj. Me të kisha pasur lidhje normale, derisa u martua. Më pas u lidha me Ajshen kur ishte 14 vjeçe. Takoheshim përditë, duheshim…”. Këto fjalë i thotë pas 5 muajsh nga vrasja e studentes 18-vjeçare autori i krimit Shaban Norja.
I cilësuar si “monstra i Durrësit” për shkak të krimit që tronditi mbarë vendin, tashmë duhet të vuajë 25 vjet burg. Dënimi për Norjen, i cili në shkurt mbushi 81 vjeç, u mor në një proces rrufe, zhvilluar me dy seanca. Tashmë si shtëpi të vetën ka qelinë e burgut, ku ndodhet që prej tetorit të shkuar, kohë kur vrau e më pas i preu kokën të dashurës së tij, ish-nxënëses së Medresesë. Për herë të parë në një intervistë ekskluzive nga ambientet e Institucionit të Paraburgimit në Durrës, Shaban Norja rrëfen historinë e njohjes me Ajshe Vatën e deri te momenti kur u arrestua si autor.
Gazeta “Panorama” në një intervistë me Norjeb sjell fakte të reja që opinioni nuk i ka ditur më parë. Ai para Ajshes kishte lidhje me një nga motrat e saj më të mëdha, me të cilën ishte shkëputur pasi ajo u martua. Duke vazhduar më tej me të motrën e saj të vogël, të cilën e vrau kur ajo ishte 3 muajsh shtatzënë me të.
Pohon me këmbëngulje se e donte Ajshen dhe se krimi ishte “amaneti” i saj, por mohon se kishin kryer marrëdhënie gjatë muajit të Ramazanit. Ka pranuar çdo gjë që në fillim kur u arrestua dhe ashtu si në gjyq, shprehet herë pas here se është penduar… Ky është rrëfimi rrëqethës i 81-vjeçarit Shaban Norja, i cili nis të qajë në momentet kur tregon se si e kreu vrasjen.
Ishte momenti i vetëm gjatë intervistës që Shaban Norja tregoi anën e tij të ndjeshme, aq sa mund të ekzistojë një e tillë në një njeri që kryen një krim kaq ngjethës.
Shaban, emri juaj është lakuar shumë në media që pas krimit që kryet ndaj Ajshe Vatës. Si u njohët me familjen e saj?
Me ta jam njohur aty te shtëpia e tyre, pasi pranë kam tokën. Kishte vite që njiheshim. Kisha respekt për familjen e tyre. Më përshëndesnin kur kaloja aty, kur rastisnin te toka. Por më pas u prishëm.
Pse çfarë ndodhi?
U bë sebep një nga vajzat e Muhametit. Atë e la burri dhe nuk i tregonte dot të vërtetën Muhametit, se përse e kishte lënë burri dhe i tha që miqësinë e prishi Shabani. Më kishte inat se e kisha gjetur disa herë duke kryer akte të turpshme dhe i kisha thënë se do t’i tregoja babait të saj nëse i përsëriste. Vajza u martua në Dibër, por ditën e dytë të martesës djali e solli në shtëpi, pasi sipas tij, nuk ishte e virgjër. Vajza nuk ua thoshte dot atyre të shtëpisë shkakun e vërtetë se përse ishte ndarë, por i tha Muhametit që shkaku ishte Shabani, sepse i ka fryrë me fjalë të paqena.
Shaban, ku dhe si u njohët me Ajshen?
Me Ajshen jam takuar në datën 13 tetor 2008. Erdhi së bashku me njërën prej motrave të saj, së cilës nuk dua t’ia përmend emrin. Ajo iku, ndërsa Ajshja ndenji. Nisa ta prekja, por më tha se nuk donte dhe se do të vinte sërish të nesërmen. Kështu, më datë 14 tetor e kam takuar dhe ajo ishte e vendosur për të kryer marrëdhënie seksuale me mua. Kjo ka qenë hera e parë, ndërsa që prej asaj dite dhe deri në ditën që e vrava, takoheshim rregullisht, pothuajse përditë. Më parë nuk e kisha vënë re si femër.
Flitet që keni pasur lidhje edhe me motrat e tjera të Ajshes. Sipas jush, cila është e vërteta?
Në fakt, nuk mund ta mohoj. Është e vërtetë që kam pasur lidhje me një nga motrat e saj. Nuk është se kam asnjë frikë, por nuk dua ta tregoj me hollësi këtë histori. Me të kam pasur lidhje normale deri ditën kur u martua. Pastaj u lidha me Ishen, (Ajshen).
Kishte dijeni mbi lidhjen tuaj të re?
Po vetëm ajo e dinte. Ajo e dinte se dhe ditën që familja e saj vuri re se Ajshja nuk ishte në shtëpi, ajo më telefonoi dhe më tha: “Ku është Ajshja?”. “Nuk e di”, iu përgjigja. “Mirë, më tha, më hidh dhjetë mijë lekë në telefon që ta kërkojmë te të afërmit”. Mirë, i thashë, dhe ia transferova. Unë e dija se ku ishte, sepse e kisha vrarë.
Ku takoheshit me Ajshen?
Te kasollja që kam te cepi i arës. Më merrte në telefon sapo mbërrinte nga shkolla. Krijuam një lidhje normale. Ajo ishte e lumtur dhe ndihej mirë me mua, edhe unë po kështu.
Mund të quhet lidhje normale kjo, duke ditur se jeni gjyshi i saj?
Nuk është se është normale, po… derisa ndiheshim mirë të dy. Problemet nisën kur morëm vesh shtatzëninë. Aty i hipi në kokë që ta vrisja.
Kur e kuptoi Ajshja se kishte mbetur shtatzënë?
Rreth 20-25 ditë përpara se ta vrisja. Ajo e kishte kuptuar dhe më tha se mund të ishte shtatzënë. E besova menjëherë, sepse e dija që kisha gabuar dhe e prisja një gjë të tillë. Fillimisht i thashë se mos e ke me ndonjë tjetër, por e thashë për t’u shfajësuar, pasi isha i sigurt se fëmija ishte i imi. Megjithatë, për ta vërtetuar bleva një test në farmaci dhe ia dhashë. Testi kishte dalë pozitiv. Më mori në telefon direkt dhe më tha që nuk ka asnjë dyshim, ishte shtatzënë. U mundova ta qetësoja nga telefoni. I premtova se do ta zgjidhnim të dy këtë problem kur të takoheshim pasdite. Mirëpo atë e kishte kapur paniku dhe çdo gjë që i thosha e kundërshtonte.
Pse, çfarë i kërkuat ju?
I propozova që ta hiqte fëmijën. I thashë t’i jap unë të gjitha lekët që të duhen për shpenzime dhe qite (hiqe) fëmijën dhe vazhdojmë lidhjen tonë. Nuk pranonte, pasi sipas fesë që besonte ishte krim që nëna të vriste fëmijën. Ajshja kishte frikë se mos e kuptonin të familjes dhe më tha “më mirë më vrit ti, sesa të bëhem me turp dhe të më vrasë babai”. Ajshja kishte shumë frikë se po ta kuptonin të shtëpisë për lidhjen, por mbi të gjitha mbi shtatzëninë, do ta vrisnin.
Thatë se e donit vajzën, si mundët të qëllonit mbi të?
Sigurisht që e doja, por në këtë mënyrë çova deri në fund vetëm amanetin e saj. Ajshja kishte tri ditë dhe tri net që më kërkonte që ta vrisja. Nuk e di se si ma mbushi mendjen dhe pranova ta bëja këtë gjë. Jam penduar dhe qaj çdo ditë për të. Nuk ia fal kurrë vetes këtë që bëra.