2013-03-16

Fadil Lepaja :Delet nga Lugina e Silikonit

Kjo është një përrallë moderne për “Luginën e Silikonit”! Mundesh me e quajtë edhe ëndërr! Ishte moderne jo veç për rrethanat tona! Kishte një mahnitje planetare.

Si në çdo përrallë edhe këtu ka dele! Harrojini për një çast se si u avullua kjo ëndërr, se si menaxherët ende dergjen nëpër gjykata, dhe dhjetra e qindra milionë që humbën dikah! Harrojini edhe strategët që u avansuan aty ku ka projekte të tjera qindramilionëshe.

Projektet fillonin si pa të keq me dhjetëra milionë, pastaj kostoja dyfishohej para kamerave. E vlen, blegrinin zëdhënësit formalë dhe joformalë. Kemi me shkue edhe në shpi me email. Me ardhë në punë me email. E fëmijët kemi me i shpërnda nëpër shkolla me atachment. Kabllot optike në çdo shkollë! Në çdo shpi! S’ka më transport (ndër)urban.

Pastaj erdhi strategjia “fillo dhe lëre përgjysmë” , që doli të jetë mënyra më e mirë për me i ngatërrue fondet, për me i harrue ëndrrat. Apo strategjia:” Jep donacione, e merr kesh”! Ka shteti!

Ndërkohë edhe pasojat sociale ishin po aq të rënda! Tokat mbetën shkret. Bashqet e shtruara në cimento, livadhet e mbushura me therra e gjarpërinj, kryeqyteti i mbushur me zonjushat tunduese që ende thyejnë takat e larta nëpër sheshet me pllaka të shtrenjëta mermeri. Shoqëri e shastisur pas mermeri. Mermer dhe baltë, kombinim fatal! Por, krejt kjo storie emancipimi e kishte një fillim!

Krejt filloi një mbrëmje të qetë kur princi ynë ra me fjetë dhe nuk e zuri gjumi si zakonisht!

Tërë natën nuk u rehatua! Nuk është punë ndërgjegjegjjeje! Më e keqja e kësaj ishte se nuk po e kuptonte përse i kishte ikur gjumi. Krejt rrethanat i kishte për me u kënaqë në gjumë! Opozita ishte e përçarë dhe po blegërinin si delet. E ai, atë natë më kot po i numëronte delet! Delet, që po i shijonin livadhet e gjera nëpër ekranet e sheshta.

Më paskanë sjellë dyshek të parehatshëm, mendoi. Ose opozita më ka vënë në mes të dyshekëve ndonjë kokërr bizele. Me më provue ! Në fakt, edhe kësaj radhe, ai vetëm po dyshonte, si zakonisht, te opozita! Nuk kishte prova për asgjë! Si për inat, pikërisht kësaj radhe, opozita, vërtetë e kishte vënë një kokërr bizele, diku në mes të dyshekut të tretë apo katërt, nga shtatë gjithësej! Se kryeministri e do numrin shtatë!

Edhe në parti, shtatë i ka nën vete, në hierarki! Sa për aksionin subversive me bizelen, ky ishte aksioni më i sukseshëm i opozitës që nga (ri)shpallja e pavarësisë.

Ashtu, në kllapi, vazhdimisht i shfaqej turma e deleve, larg qoftë sikur të ishin në godinën e parlamentit. Sonte nuk po i shqiteshin delet dhe për çudi po shihte strukturë në shpërndarjen e tyre nëpër livadh. Herë i ngjanin me një tufë të organizueme e herë me një turmë të shkapërderdhur!

Herë në livadh her në parlament. Ishalla nuk janë protesta? ! Papritmas në mes të tufës kërceu një ujk i mbështjellë me lëkurë të bardhë deleje! E njohu! “Bajram, i tha, vepro sipas urdhrit”! Luginat e bleruara u mbushën lotsjellës.

Porsa të zgjohem, kam me e pyet dikë se çka do të thotë me t’u shfaqë në ëndërr ministri yt në syret të ujkut, e me lëkurë deleje krahëve! Ani,dele e bardhë!

Por, princit, shpejt i iku vegza dhe filloi sërish të ëndërronte, të fuluturonte përmbi male e fusha drejt livadheve të bleruara! Iu kujtua libri frymzues ”Kur kositen livadhet”! Si nuk i kanë kositë këto livadhe mendoi dhe deshi të japë urdhër, por paritmas iu kujtua se s’ka mbetë kush andej me kositë as me lavrue, se krejt i kishte sjellë në qeveri. E mallkimi i pleqve po e ndiqte pas. Nuk lihen tokat djerrë, djalem, nuk lihen livadhet pa kositë. Lugina i hapej parasysh përplot mjegull!

Në fakt, kur i referohemi paragrafit më lart, duhet të sqarojmë për hir të vërtetësisë se asokohe shoqet nuk luanin pitpidak, as ishin të përfaqësuara obligativisht në parlament, por princi kishte ëndrra shumë të avansuara dhe emancipuese për kohën.

Duhet me ba diçka për këtë tokë, këto livadhe, për delet që nuk ka mbetë kush me i qitë nëpër fusha, por të gjitha janë futë në politikë. “Krejt po e mjelim shtetin, e nuk qëndron as shteti kështu”, po i fliste në ëndërr katragjyshi, i ulur ashtu këmbëkryq, ashtu si e përshkruanin më të vjetrit.

Papritmas, lugina ndryshoi! Nuk po i shfaqej në ëndërr si dikur. Në hyrje të saj, te një rrethrrotullim i mbaruar rishtaz, mbi një tabelë të kaltër nën një rresht me yje të verdha, po shkruante “ Lugina e Silikonit”! Në anglisht!

E paskan bërë luginë silikoni këtu, klithi, apo jam në Amerikë?! I iku për një çast vegza e ëndërres dhe u ngrit ulur mbi dyshek , krejt i mbuluar në djersë. Nuk po i shqitej syshë ai kolorit i hirtë. Këtu nuk paska më asnjë lule. Nuk paska klorofil! Veç silikon! Silikooooon! Atdheu ynë prej silikoni !

Shpejt e shpejt u ngrit, shau nëpër dhëmbë dyshekët e parehatshëm nga reklamat dhe mori nga komodina telefonin e tij tashmë legjendar! Mbledhja e kabinetit, filloi pak para syfyri. ...!

Kështu lindi legjenda për luginën tonë të silikonit, kështu nëpërmes mjegullës së ëndrrave popullore u aprovua edhe buxheti dhe bartësit e përgjegjësive! Pasi e aprovoi “sofra e parë” e aprovoi edhe qeveria!

Si e dimë tashmë, nga historia jonë e lavdishme, paratë u harxhuan, e lugina mbeti luginë! Livadhet e pakositura, të mbuluara me therra. Arat e pa lavruara. Nuk ka hesap, ma mirë me i mjelë delet virtuale! Kështu pitja u hangër! Mbeti veç princi me vllaznillak, akraba, e dosta dhe me tepsi në dorë! Edhe ... delet që mblidhen e blegërijnë te sheshi. Te njëri nga sheshet!

E kur delet protestojnë, princi e thërret Bajramin dhe e pyet: “A ke më asi lotsjellës që i ka kalue afati? “ ! Kështu, rimbushet me tym e mjegull lugina e betontë e Kosovës. Bëje zot, ëndërr!

Ah, kokërr e bizeles, sa e vogël por sherrin e madh e paske pasë!

Duhet me ndërrue dikënd ... ! Duhet me e fshehë tepsinë...! Në mal! Në fakt në silikon! Është veç një tepsi silikoni....po arsyetohej në ëndërr para dikujt të cilit nuk po arrinte t’ ia shihte fytyrën!

Krejt fajet i ka opozita, klithi, krejt! Sidomos për kokrrën e bizeles! Opozita që laget në gjumë!Kështu , i doli gjumi, nga zilja e telefonit që po i binte si një çekan i rëndë! Ikën delet dhe Lugina e silikonit! U avulluan!
Ishte, Baronesha!

Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!

                  Kërko brenda në imazh Shkruan  :Flori Bruqi, PHD Disa  vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...