2013-03-11

Profesorët francezë: Arsyet pse Hoxha iu kundërvu Shehut


Profesorët francezë: Arsyet pse Hoxha iu kundërvu Shehut
Vitet ’80 në Tiranë sipas Elisabeth e Jean Paul Champseix
Hoxha e lidhi Shehun me të gjithë “tradhtarët” që ai vetë kishte zhdukur dhe fanatizmin ekstrem e ktheu në provë”
Vetëvrasja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu ishte ende ngjarja e ditës. Ndoshta nuk ishte momenti më i mirë për dy profesorët francezë për t’u dhënë mësim studentëve shqiptarë. Por Elisabeth dhe Jean Paul Champseix u duhej të përshtateshin. Do të kalonin 6 vite në Tiranë dhe duhet të mësoheshin me absurditetet shqiptare, me kultin e Enver Hoxhës, fotografitë dhe bustet e tij që i shoqëronin kudo që shkonin. Në librin e tyre me kujtime “57, Bulevardi Stalin”, profesorët ndër dhjetëra situata, me të cilat u përballën gjatë qëndrimit të tyre, një vend të veçantë u kanë lënë pikërisht dy ngjarjeve të mëdha, eliminimit të Mehmet Shehut dhe vdekjes së Enver Hoxhës. Nga njëra anë akuzat komike të ish-diktatorit ndaj njeriut të tij më të besuar në 40 vjet dhe nga ana tjetër jeta e diktatorit, prejardhja, shkollimi, koha që i kushtoi të shkruarit dhe obsesioni që zbulohet duke analizuar veprën e tij dhe në fund, vdekja, e shoqëruar nga një ceremoni me nota të theksuara patetike. al.mi
Nëpër rrugët e Shqipërisë apo nëpër qytete ndeshnim një yll prej çimentoje, të lyer në të kuqe me një shënim të vetëm:
1908-i pavdekshëmHoxha është kudo. Bustet e tij gjigante na dominonin me gjithë lartësinë e tyre, mbi piedestale teksa ngjisnim rrugën për në Fakultet. Në katin e dytë ai vjen drejt nesh, teksa mban një buqetë lulesh në duar, në një foto me madhësi sa një bojë njeriu. Muret e korridoreve janë mbuluar me slogane të lavdishme. Në çdo klasë, duke përfshirë dhe tonën, portreti i tij është në mur. Nëpër dyqane, kafene, autobusë, madje dhe në karrot me kuaj, është vendosur fotografia e tij. Është e pamundur t’i shpëtosh vështrimit të tij. Ndryshe nga vendet e tjera komuniste, që fiksojnë imazhet e “liderëve të tyre të mëdhenj” në një portret të vetëm zyrtar, imazhi i Hoxhës ofrohet në shumë variante dhe nuk e fsheh plakjen e tij. Flokët e bardhë, portreti i holluar, balli me rrudha, një patriark i nderuar plot urtësi.
Ai është babai i kombit. Në një parullë thuhet: “Emri i shokut Enver dhe ai i Shqipërisë janë shkrirë në një”. Ai është gjithashtu edhe krijuesi: “Shoku Enver është arkitekti i Shqipërisë moderne”. Ai është së fundi edhe profeti i një të vërtete, të cilën nuk e ka shkelur vetëm Shqipëria: marksizëm-leninizmi.

Edukimi francez
Në fotot e tij të fëmijërisë dhe të adoleshencës, ai ngjan si një lord i vogël. Shtëpia e tij e lindjes është një lloj saraji turk, e vendosur në qendrën monumentale të qytetit të Gjirokastrës, dikur e banuar nga pronarët e tokave dhe funksionarë të Perandorisë Osmane. Kështu që nuk kishte pikë dyshimi që Hoxhat ishin një familje shumë e pasur. Është ky fakt i papranueshëm që propaganda kërkon të fshehë.
Babai i Hoxhës, i prezantuar si një “nëpunës i vogël”, i cili kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara, ia la xhaxha Hysenit, kryebashkiak i qytetit, kujdesin e rritjes së fëmijëve. Nga viti 1923-1927, Enveri i ri u dërgua në Liceun Francez në Gjirokastër dhe, pas mbylljes së urdhëruar nga italianët, në Liceun e Korçës nga viti 1927 në 1930. Më tej, ai përfiton një bursë studimi shpërndarë nga profesorët francezë. Beqar, ai niset për në Francë. Do të jetojë në Montpellier nga viti 1930-1933, për të studiuar atje Shkenca Natyre, të cilat nuk i interesonin fare. Në vitin 1933, për shkak të rezultateve universitare, bursa e tij ndërpritet. Kjo duket se nuk e preku fare dhe ai u nis për Paris. Shumë elegant në fotografitë e kohës, duket se ai bënte një jetë të gëzueshme. Ai do të frekuentonte komunistët francezë dhe do të admironte në mënyrë të veçantë Marcel Cachin, emri i të cilit iu vendos një bulevardi në Tiranë. Shkroi disa artikuj te “L’Humanite”. Në vitin 1934 u emërua funksionar në konsullatën shqiptare në Bruksel, çka provon se aktiviteti i tij politik nuk ishte edhe aq intensiv. U regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Belgjikë, por nuk mori asnjë diplomë universitare.
Në vitin 1936, ai nuk do të shkonte të luftonte në Spanjë si Mehmet Shehu, por do të kthehej në Shqipëri. U emërua profesor në Liceun e Tiranës dhe, një vit më vonë, ai do të japë mësim në Liceun Francez në Korçë, ku kishte qenë nxënës. Iu ngarkua lënda e Moralit! Ishte e pakuptueshme se si Mbreti Zog kishte zgjedhur një revolucionar të rrezikshëm për të formuar kuadrot e kombit. Në kujtimet e tij, ai e pranon gjithashtu të ketë frekuentuar shoqërinë e lartë.
Në vitin 1939, Shqipëria do të bëhej zyrtarisht provincë italiane. Komunistët, të dobët dhe të përçarë, nuk mund të ndërmerrnin asgjë. Enver Hoxha nuk do të fillonte karrierën e tij politike veçse në 28 nëntor 1939, kur do të merrte pjesë në Korçë, në festimin e festës së Pavarësisë, që mori pamjen e një manifestimi antifashist. Pikërisht atëherë ai u përjashtua nga kuadri i mësimdhënies publike. Mori një shtëpi në Tiranë dhe u bë “tregtar”, siç pranojnë burime zyrtare, që nuk guxojnë të thonë se ai ishte bërë pronar i pijetores “Flora”. Pas një manifestimi studentësh në Tiranë, më 28 tetor 1941 për të doli një mandat arresti, i cili e detyroi të tërhiqej. Asokohe do të themelohej edhe Partia Komuniste Shqiptare.
Hoxha, nuk i mbetet veçse…Ekonomia, e privuar nga ndihmat kineze, pësoi një goditje të fortë. Parulla “Me forcat tona” mori gjithë përmasën e saj të vërtetë shqetësuese. Shqipëria duhet të rregullonte marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe Turqinë dhe tregtonte herë pas here me fqinjët jugosllavë. Ajo u kthye gjithashtu nga Europa Perëndimore, gjithnjë me hapa të vegjël dhe me shumë hezitim.
“Vetëvrasja” e Mehmet ShehutNë vitin 1981 u luajt një dramë e pamenduar, që do të thyente një marrëdhënie prej më shumë se 40 vjetësh. Më 18 dhjetor, Mehmet Shehu “vetëvritet”. Strategu i rezistencës, çlirimtari i Tiranës, xhelati i pamëshirshëm i devijuesve dhe të pabesëve të Hoxhës zhduket nga skena politike. Vetëvrasja është tradicionalisht e urrejtshme dhe blasfemuese. Për komunistët është një dezertim. Partia deklaron se kryeministri i famshëm i dha fund jetës pas një depresioni nervor. Gjithsesi, Shehu nuk e kishte shfaqur kurrë gjendjen e tij shpirtërore.
Emri i tij u fshi nga fjalimet dhe botimet. Në muzetë historikë, portretet dhe objektet që i përkisnin atij, maketet, që shqiptarët u thoshin “relikte”, u hoqën. Gjatë vizitave tona në muzeume, në fund të vitit 1982 zëvendësimi i fotografive të retushuara ishte i dukshëm. Brigada e parë Sulmuese që ai kishte drejtuar, kishte pushuar së ekzistuari. Më vonë, me botimin e librit të Enver Hoxhës, “Titistët”, ku do të shfaqej fushata antijugosllave, shqiptarët mësuan se komandanti i tyre i vjetër ushtarak, ish-ministri i Brendshëm, më pas kryetar Kuvendi, ishte një “mercenar i dërguar nga anglo-amerikanët”, “Një agjent i Intelligence Service”, “një agjent i shërbimeve sekrete amerikane” dhe “ i lidhur me ONZA (shërbimet sekrete jugosllave), që i përkiste KGB-së, që donte të “ndryshonte drejtimin e partisë dhe të shtetit tonë drejt perëndimit”. Përveç kësaj, ai u lirua nga kampi i refugjatëve në Francë, pas Luftës së Spanjës nga “dy oficerë, njëri i Gestapos dhe tjetri i SIM-it italian”. Hoxha shkroi gjithashtu që gjatë luftës, Shehu “përhapi terror në fshatrat ku kalonte Brigada e parë për të diskretituar partinë”.
Kështu, ai vërtetoi deklaratat e oficerëve britanikë, të cilëve u kishte bërë shumë përshtypje frika e fshatarëve në “zonat e çliruara”. Episodi, sipas të cilit Shehu ndjek rrugën e Hoxhës, duke përshkuar mespërmes Shqipërinë nëpër male, duke thyer rrethimin nazist, u bë një episod minor “ngritur në legjendë”. Më interesantja ishte kur Hoxha e lidhi Shehun me të gjithë “tradhtarët” që ai vetë kishte zhdukur dhe fanatizmin ekstrem e bëri provë të krimit të tij. Duke masakruar heretikët, ai fshihte lojën dhe vazhdonte punën e tij minuese!
Versione nga më ekstravagantet mbi “vetëvrasjen” qarkullonin mes trupit diplomatik. Pushteti i ngatërruar në gënjeshtrat e veta zbuloi të vërtetën sipas versionit të saj, në gazetën “Zëri i popullit” të 16 marsit 1985 u shkrua që Shehu u likuidua pasi u ballafaqua me unitetin e pashkatërrueshëm të Partisë me popullin”.
Cila është arsyeja e këtij sherri të rëndë? Ndoshta dy çështje i ka vënë në opozitë Hoxhën dhe Shehun: hapja drejt Perëndimit dhe Kosova. Ai e kishte kritikuar Shehun sikur donte të shiste Shqipërinë në perëndim dhe të mbështeste serbët në Kosovë. Këto akuza janë delikate për t’u interpretuar, pasi në traditën staliniste ishte e zakonshme t’u vishje viktimave qëllime të kundërta. Realiteti ndoshta është më prozaik. Në vitin 1974, Hoxha është sëmurë. Diabeti po e shkatërron dhe në 1982-shin, teksa ne e shihnim në kinema, është një i moshuar i dobët që ka nevojë për t’u mbajtur që të ecë. Herë pas here humb ndjenjat dhe në 1985-n përdor një karrige me rrota. Sipas disa diplomatëve, familja Hoxha dhe klanet e besuara duhet t’ia kenë arritur që të likuidojnë trashëgimtarin e hamendësuar dhe aleatët e tij, për të ruajtur pushtetin.
Në fije të ekzistencës së tij shekspiriane, Hoxha do të largojë thuajse të gjithë drejtuesit historikë dhe do të përfundojë jetën e tij politike me një spastrim me një justifikim komik. Sigurisht ai arriti qëllimet për të cilat kishte sakrifikuar: një pushtet personal absolut dhe pavarësinë e vendit të tij. Hoxha ishte nga raca e diktatorëve studiozë dhe të vetmuar. Pas thyerjes me Bashkimin Sovjetik në 1961-shin, ai nuk doli më nga Shqipëria. Ai jetoi i ngujuar në qytetin e tij të ndaluar, duke i lejuar vetes ndonjëherë ndonjë pushim në Durrës apo pranë liqenit të Pogradecit. Ai kalonte kohën në bibliotekën e tij të mbushur me kryevepra franceze dhe para televizionit. Ai vlerësonte më së shumti kanalet italiane. Shkrimtaria e tij u kthye në një lumë fjalësh. Ai ka nënshkruar 150 vepra, por jo të gjitha janë të dorës së tij.
Funerali i udhëheqësit
Në vitet e fundit të jetës, diktatori stalinian i “varur” në një pallto të madhe të zezë, me flokët e bardhë të zgjatur, mori një pamje romantike. Ai vdiq më 11 prill 1985, në orën 2:00 të mëngjesit. Vdekja e tij u lajmërua menjëherë.
Duke dalë në bulevardin “Stalin” heshtja është mbresëlënëse, shumë fytyra dukeshin të rënda, shikime të pikëlluara. Kalimtarët shihnin më së shumti sjelljen time për të gjykuar reagimin tim ndaj ngjarjes. Unë mora një pamje munguese dhe u sforcova të dukesha sa më transparent të ishte e mundur. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhej Komiteti Qendror, është i shkretë. Unë nxitoj dhe arrij pranë Fakultetit. Takoj një mësues që ka sytë e kuq nga lotët. Në shesh, një studente shumë e mirë është plandosur atje, pranë portës së hyrjes, që ta shohin mirë dhe shfaq një dhimbje patetike. Unë manifestova një lloj ftohtësie dhe duke e ndier, mendoj, më hodhi një vështrim të egër. Mendova se askush nuk kishte kohë të më përkushtohej. Një përgjegjës më futi në zyrën e tij. Ai më shpjegoi se kjo vdekje ishte “një humbje e pazëvendësueshme për Shqipërinë” dhe se shumë studentë kishin qarë “spontanisht” kur kishin mësuar lajmin. Unë e dëgjova me vëmendje pa thënë asnjë fjalë. Atij iu duk heshtja ime e çuditshme, pasi ai më njihte më së shumti si orator. Sot rolet janë ndërruar dhe ai merr në dorë fjalimin. Ai duhet që gjatë vizitës dyjavore të Sigurimit të raportojë reagimin tim. Duke dalë, unë i thashë: “Duhet ta dini se e respektoj dhimbjen tuaj”. Ai realisht ka pamjen e një të prekuri.
Radioja shpërndan telegramet që vijnë nga e gjithë Shqipëria. Ndjeshmëria spontane nuk ka lidhje fare me këtë rast, të gjitha fjalimet mbaronin me të njëjtën frazë, që u bë rituale: “Ne do ta kthejmë dhimbjen tonë në forcë”.
Në Tiranë, në sheshin kryesor u ndalua qarkullimi. Përgjatë tri ditëve, popullsia, sipas kategorive profesionale, mbanin radhë para trupit të Enver Hoxhës. Radha fillonte në bulevardin tonë dhe zgjaste 2 kilometra. Të huajt josimpatizantë nuk janë të ftuar. “Spiun” në shpirt, unë pretendoj që të zbres bulevardin e Dëshmorëve dhe kundër rrymës së kortezhit. Pas gati 20 metrash, një polic me uniformë më ndalon dhe në mënyrë të sjellshme më informon se bulevardi është mbyllur. Në televizor ne shihnim paradën e kortezhit pa ndalur para kufomës së Enverit, të vendosur në një sallë të Parlamentit.
Të shtunën, ne u çuditëm nga gjallëria që mbizotëronte në rrugët ngjitur. Të rinj që shkriheshin gazit dhe të moshuara që angazhoheshin në tregtinë e tyre klandestine. Ne ritakuam studentë që, sapo na shquanin, merrnin menjëherë një pamje të ngrirë.
Funerali u zhvillua në datën 15. Arkivoli i Hoxhës është vendosur në një shtrat topi, tërhequr nga një makinë e vogël ushtarake, ajo prihej nga 14 ushtarë që mbanin, secili, mbi një jastëk të kuq, një nga dekoratat e tij. Kortezhi ndaloi në sheshin “Skënderbej”. Turma u radhit urtësisht përballë tribunës dhe “pionierët qëndronin në të djathtë. Ramiz Alia, në fjalimin e tij, në emër të Shqipërisë, betohet për besnikëri ndaj udhëheqësit të shquar. Vargani u drejtua nga Varrezat e Dëshmorëve. Prania në këtë rrugëtim është e rezervuar vetëm për grupet e autorizuara, që janë përgjithësisht studentë. U prodhuan skena histerie kolektive, të filmuara me zjarr nga televizioni. Greqia nuk është larg dhe tradita e vajtojcave ekziston gjithashtu edhe në Shqipëri. Duke qenë se transmetimi është direkt, është e pamundur që të fshehësh që shumë vajza të reja, me shami në dorë, prisnin kalimin e kamerës, për t’u shkrehur, me një gjest patetik. Çdonjëri qasej që të dukej më i dëshpëruar se fqinji.
Në Varrezat e Dëshmorëve, mbi Tiranë, familja Hoxha, Ramiz Alia dhe përgjegjësit politikë janë rreshtuar para varrit. Një skenë e shëmtuar do të shfaqej. Fusha e kamerës është pushtuar nga fotografët, të cilët në mënyrë të paturpshme “mitralojnë” familjarë e drejtues. Teknikët e televizionit u kërkuan fotografëve të bënin mënjanë, por duke qenë se ata refuzuan, një karrelë u vendos në plan të parë, mu përpara varrit. Pikëllimi i familjarëve është i sinqertë dhe teksa arkëmorti zbret në tokë, nuk ka më skena. Nexhmija, gruaja e Hoxhës, që përgjatë disa ditëve, në sallën e Parlamentit, për hir të propagandës dhe nën dritat e pahijshme të flesheve, duhet të merrte dorën e të shoqit, t’i puthte ballin, t’i çonte lule… u thye. Arkivoli prehet në fund të varrit. Ajo i hodhi një buqetë me lule të kuqe dhe papritur kryqëzoi duart si një gjest lutjeje. Të bijtë e përqafojnë me një vrull spontan dhe ajo nis të mërmërisë me një zë vajtues. Litania është e çuditshme, pasi me të qarat përzihen keqardhjet dhe parullat. Ramiz Alia, i emocionuar, tenton ta ngushëllojë duke përsëritur “Ai nuk ka vdekur, ai nuk ka vdekur…”. Në pak çaste, Shqipëria e vërtetë u shfaq. Sigurisht në përmbledhjen që u dha menjëherë në televizion, duart e kryqëzuara u zhdukën.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...