2013-03-12

Shqipëria e Kosova “në mejdan” për këngët kreshnike

Në adresë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO ka gjasë që të shkojnë dy dosje për Eposin e Kreshnikëve. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë arritur të merren vesh për një projekt të përbashkët.

Ende pa u finalizuar projekti i parë për futjen e Eposit nën mbrojtje të UNESCO-s - i iniciuar para dy vjetësh dhe me të cilin kërkohej që këngët epike të njiheshin si trashëgimi botërore - Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri ka marrë një nisme të re. Ky komitet ka ngritur grupin punues për futjen e Eposit të Kreshnikëve në listën e UNESCO-s si trashëgimi shpirtërore në rrezik.

Në janar të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte formuar Komisioni qeveritar i Republikës së Kosovës për kompletimin e dosjes për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën “ombrellën” e UNESCO-s. Zymer Neziri, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ishte emëruar kryesues i Komisionit në përbërje të Shaban Sinanit nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe akademik Vasil Toles. Për projektin e paraqitur si të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë deri më tani është realizuar pjesa e parë e dosjes, përdera e dyta duhet të plotësohet me një dokumentar dhe një monografi.

Zymer Neziri, iniciues i projektit, e ka quajtur nismë paralele veprimin e Komitetit të Trashëgimisë Shpirtërore të Tiranës. Madje, të hënën ai i është drejtuar Ministrisë së Kulturës që të kërkojë nisjen e bisedimeve me homologen në Tiranë për të gjetur zgjidhjen.

Duke thënë se plotësimi i dosjes për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s është në procedurë të finalizimit, Neziri thotë se nuk ka qenë në dijeni për nismën e re, të cilën e konsideron paralele dhe të panevojshme.

“Kjo nismë ishte një befasi për mua si përgjegjës i Komisionit qeveritar të Republikës së Kosovës. Nuk kam qenë i njoftuar paraprakisht dhe mund të them se kjo është e drejtë e Tiranës, por nuk është as e udhës, as e dëshirueshme që të bëhen dy projekte për Eposin”, ka thënë Neziri, teksa ka shpjeguar se Komisioni i emëruar nga Qeveria e Kosovës për këtë çështje ka dy vjet që po punon për kompletimin e dosjes.

Neziri ka thënë se nuk ka qenë e nevojshme që të zgjerohet projekti dhe se përkundër që emri i tij është në nismën e re të Tiranës, ai nuk do të bëhet pjesë e këtij projekti.

Shqetësimin e tij Neziri ia ka adresuar edhe Ministrisë së Kulturës.

“Kërkesa ime në Ministri ka qenë që në nivel ministror të bisedohet me Tiranën. Të kemi një informatë të plotë se çka ka ndodhur dhe a është në dijeni Ministria me këtë veprim të Komitetit të Trashëgimisë dhe çfarë qëndrimi kanë”, ka thënë Neziri teksa ka shtuar se vetë Tole është dashur që ta bënte me dije ministrin se ky projekt ekziston.

Nga ana tjetër, akademik Vasil Tole, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për futjen e Eposit të Kreshnikëve nën mbrojtjen e UNESCO-s, ka mohuar se bëhet fjalë për nismë paralele.

“Me sa di unë nuk janë nisma paralele, sepse bëhet fjalë për dy lista të ndryshme. Ajo që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë duke ngritur grupin punues për regjistrimin e Eposit bëhet fjalë për regjistrimin e tij në listën e dukurive shpirtërore, kurse nisma e Shqipërisë ka të bëjë me regjistrimin në listën e dukurive që kanë nevojë urgjente për mbrojtje”, ka thënë Tole.

Sipas tij, projekti i iniciuar nga Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri nuk krijon përplasje me projektin e përbashkët të dy shteteve.

“Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, nuk ka kurrfarë përplasjesh. Në Shqipëri kanë ngelur gjithsej dhjetë lahutarë dhe do të bëjmë gjithçka që ta regjistrojmë këtë dukuri në listën e atyre që kanë nevojë urgjente për përkujdesje”, ka thënë Tole.

Ai nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse do të vazhdojë bashkëpunimin për projektin e parë, duke e cilësuar si punë në finalizim.

“Ai projekt është pothuajse i mbyllur, dosja teknike është pothuajse gati”, ka thënë Tole. “Ajo që ka mbetur është që Republika e Kosovës të ratifikojë Konventën e UNESCO-s për trashëgimi shpirtërore, në mënyrë që të hapet rruga për kandidim, sepse pa e njohur konventën nuk mund të bëhet kandidimi”, ka thënë ai.

Eposi i Kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) përbëhet nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme dhe në Kosovë, si Malësinë e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera. Në qendër të këtij eposi qëndrojnë dy vëllezërit Muji dhe Halili.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...