Nga Arbër Selmani
Letërsia është një luks, ndërsa ta bësh atë është një nevojë. I ka mjaftuar një thënie kaq e padefinuar autorit anglez Chesterton për ta promovuar letërsinë autoktone angleze kudo në përmbledhjet botërore. Ai është quajtur edhe mbreti i paradoksit, sado që asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Londrën dhe Anglinë në përgjithësi, të cilën nuk e ka konsideruar si vend prodhues të një letërsie të denjë.
Ai megjithatë për 60 vite jetë ka gjetur një strofull po në këtë vend, dhe njihet si një nga autorët më përfaqësues anglezë. Kosova, me pesë vite jetë shtet, por me shumë të tjera traditë, mban orë letrare më rrallë se kurrë. Emrat si Rifat Kukaj e Agim Deva e gjejnë të përkujtohen në atë të paktin interesim prej njerëzve, duke harruar “Panushin”, “Zonjën e livadheve”, Rrotën e historisë”, “Majmuni me kurorë mbretërore” apo “Dreri me një bri”.
Emra të tjerë letrarë që kanë dekada vite me skenarë librash që mbajtën gjallë shqipen në gojët e shqiptarëve, sot gjejnë ankesa në drejtimin të cilin e ka marrë kjo letërsi. Të vjetrit e të rinjtë e quajnë premtues talentin dhe kreativitetin në të shkruar e të bërit letërsi, por jo edhe përgjithësimin e krejt letërsisë kosovare,
Autori Gëzim Aliu thotë se letërsisë nuk i shkon përshtati optimizmi dhe ngjyrat e hareshme, prandaj nuk e ka pasur dhe nuk e ka gjendjen e mirë.
“Te ne, në këto hapësira, tronditjet e rënda kontekstuale, historike, sociale e politike e kanë rrudhur tej mase kapacitetin shprehës, estetik e artistik të letërsisë shqipe përgjithësisht, pra, edhe të letërsisë shqipe të Kosovës. Sot kemi shumë njerëz që shkruajnë e nuk thonë gjë” pohon Aliu.
Poezia, ekspansioni i kulturës letrare në Kosovë
Ballsor Hoxha, prozator, thotë se numri i botimeve letrare në shoqërinë kosovare është më i vogël sesa numri lexuesve, megjithatë të paktë. Ai çmon poezinë, si prezente në skenën letrare.
“Të mos harrojmë se shoqëria jonë sapo ka dalë prej një aparteidi, prej një burgu kulturor ndër të tjera, dhe 13 - 14 vite janë shumë pak shikuar në distancë, me aq sa ofron konteksti kulturor në Kosovë, ka prezantime të reja dhe jemi popull i vogël dhe nuk mund të presim që secili shkrimtar apo poet të jetë i nivelit botëror” pohon Hoxha.
Gjergj Filipaj, gazetar dhe autor i tregimeve të shkurtra e quan poezinë shqiptare të Kosovës në periudhë ekspansioni, ndërsa prozën e shkruar dukshëm më të rrallë.
“Kjo më habit ngase besoj se shkrimi i poezisë cilësore është më i vështirë sesa shkrimi i prozës cilësore andaj edhe të them të drejtën do të duhej që të ketë më shumë prozë sesa poezi” pohon Filipaj, duke përmendur vlerat e shkrimtarëve si Esad Mekuli, Anton Pashku, Nazmi Rrahmani, Ramiz Kelmendi e Rexhep Qosja si autorë të arritur me penat e të cilëve është rritur një gjeneratë e re.
Ishte poezia ajo që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve `50 e sidomos me emrat: Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Sabri Hamiti e Eqrem Basha.
Buxheti i shtetit dhe varësia e brezit të ri
Nazmi Rrahmani, shkrimtar i njohur e dikur edhe gazetar në “Rilindje” ka ngritur premisën mbi atë se sa vetë shkrimtarët janë angazhuar që letërsia jonë të depërtojë në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
“Në dekadën e fundit, letërsia është pjesë më pak e favorizuar në kulturën tonë. Ka pak botime, me tirazhe të vogla dhe më shumë të shpërndara në shkolla e biblioteka falas, duke ia shtuar këtu edhe mbështetjen dhe stimulimin shtetëror që është minimal. Kjo automatikisht krijon një ngecje serioze të letërsisë në shoqërinë tonë” thotë Rrahmani. Ai flet vetëm për individë, por jo edhe për një gjeneratë apo plejadë të re shkrimtarësh në Kosovë.
“Kjo është shumë relative, përderisa ka edhe gërshetim mes dy gjeneratash. Unë mund të flas për individë, por jo edhe për gjeneratë të re të shkrimtarëve në Kosovë, sepse për këtë duhen ecur vite veprimtari” pohon Rrahmani. Njëjtë mendon edhe shkrimtari Ramadan Musliu. Sipas tij, pos që nuk ka gjeneratë të re shkrimtarësh, ushtrimi i letërsisë dhe edukimit në shoqërinë aktuale kosovare bën që gjithçka të kthehet përmbys, sikur në të 70-tat. Musliu, duke përmend edhe shtetin si një faktor që ka një buxhet qesharak për letërsinë, mbështetjen për letërsinë e quan propagandë.
“Një propagandë e ministrit, shumë qesharake. Flitet për rritje të buxhetit, por duhet të kujtojmë se 60 mijë e 100 mijë euro për librin janë dhënë edhe para 5-6 viteve, jo veq tash” pohon shkrimtari Ramadan Musliu. Filipaj thotë se ka patjetër një gjeneratë të re shkrimtarësh në Kosovë, e cila ka në dorë të tregoj se a është apo jo gjeneratë cilësore. Ai ka ngritur nevojën e përcjelljes së trendëve botërore, kjo për ta rritur numrin e vogël të pjesëmarrësve në këtë gjeneratë, duke ikur nga siç ai e quan epokë të nacional-socializmit. Ndërsa tendencën e autorëve të vjetër që thonë se nuk po krijohet një gjeneratë e re letrarësh në Kosovë, Hoxha e quan si humbje të pushtetit.
“Është normal tendenca e të vjetrit për të mohuar të renë, është një lloj humbje e 'pushtetit' të dhënë nga shoqëria, por të mohosh diçka të tillë është sikur të thuash sot nuk ka përjetim, aq e nevojshme është letërsia. Ndërsa sa i përket 'aktivitetit' të të vjetërve krejt ka të bëjë me aftësinë e shkrimtarit t'i flet secilit në çdo kohë, pavarësisht kontekstit në të cilin jeton lexuesi, ndoshta ky është problemi i letërsisë së vjetër: të qenit e vjetër” pohon Hoxha.
Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës
Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës është një ide krejtësisht kreative, kjo për të rritur e integruar numrin e madh të shkrimtarëve të rinj të kryeqytetit. Iniciativa ka lindur nga një kontakt në rrjetin social, mes Faton Ratkocerit dhe Elizabeth Gowing.
“Historiku i grupit është i lezetshëm, ishte një kohë kur Elizabeta ishte në Angli e unë në Kosovë dhe po kontaktonim në internet. Elizabeta po më tregonte për grupin që po e ndiqte në një lokal në Londër ku po mblidheshin e po lexonin shkrime te ndryshme” tregon Ratkoceri. Një grup i ngjashëm lindi edhe në Prishtinë, me vendtakim “Dit e Nat” për këtë lloj aktiviteti.
“Ideja ishte që secili të sjellë shkrime të veta, t'i lexojë ato dhe të tjerët të japin mendimet e tyre për atë shkrim, poezi, prozë, artikull për ndonjë gazete, apo ese apo çfarëdo lloj shkrimi tjetër, me rëndësi të jetë autori vetë ai që e lexon” vazhdon Ratkoceri. Sot komuniteti quhet “Prishtina`s Writers Group” (Grupi i Shkrimtarëve të Prishtinës) natyrshëm nga takimet e shpeshta në Prishtinë, por jo vetëm me autorë të Prishtinës. Emrat si Valbona Bashota, Fadil Lepaja, Mirjana Tejic, Muzafer Ramiqi e Halil Kosumi sot janë në përbërje të grupit, dikur edhe me emrat si Luljeta Krasniqi, Ardian Lama e Andy Sparks. Grupi deri tani ka organizuar disa netë poetike në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa kaherë posedon idenë e ndonjë botimi të përbashkët, asnjëherë e realizuar.
Foto: Laura Hasani
Pseudo-patriotizmi letrar, i tepërt
“Patriotizmi, e kam thënë shumë herë, është një ndjenjë nga më njerëzoret, nga më të shëndetshmet, është një ndjenjë që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë në botë” kishte pohuar Kadare në një nga intervistat e tij të shumta. Të tillë, patriotizmin e kemi të pranishëm tej mase në letërsi, dhe kjo për disa autorë duket ekzagjëruese.
“Së pari duhet ofruar lexuesit atë që e kërkon, si në vetëdije si pavetëdije (sa do e çuditshme të tingëllojë kjo), shkrimtari duhet krijuar lexuesin e jo e kundërta. Nëse shikohet më me gjakftohtësi brenda letërsisë kosovare, ndoshta edhe është koha ta pranojmë që jo çdo gjë kombëtare / patriotike është edhe vlerë” pohon Ballsor Hoxha. Autori Gëzim Aliu thotë se letërsia shqipe e Kosovës ka ngecur në dy gropa: pseudoshkrimtarinë e re dhe letërsinë e vjetruar shterpë të prozave patriotike.
“Ka mungesë të madhe të letërsisë kualitative; të shumtëve nga ata e ato që shkruajnë sot, po ua hape librat autorialë, menjëherë e vëren nivelin e kulturës e naivitetitin e sinqertë ‘letrar’. Këta vetëm shkruajnë, sepse, për çudë, janë të bindur që bëjnë kryevepra sa herë t’i nxijnë faqet” pohon Aliu. Megjithatë, ai mendon se ka shkrimtarë të brezit të ri që botojnë mirëfillshëm dhe do ta nxjerrin letërsinë nga gropat e përmendura.
Autori Ballsor Hoxha thotë se ka letërsi të re në Kosovë, përfshirë edhe format e reja e aktuale, globale të të shprehurit me përpjekje për të thënë përvojën e quajtur Kosovë.
“Megjithëse, e reja mund të matet vetëm në një mënyrë: suksesin e saj në të komunikuarit me njeriun e sodit në Kosovë, e kjo është duke ndodhur në masa skandaloze për një shoqëri” ka thënë Hoxha.