2013-03-11

Kosovës në mënyrë deklarative i është dhënë garanci për integrimet europiane, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare siç është OKB’ja.


Baronesha Catherine Ashton, përveç takimeve me zyrtarë institucionalë, të enjten do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn. Por jo edhe me Albin Kurtin. Shefja e diplomacisë europiane synon ta bindë opozitën që të pranojë zgjidhjet e ofruara për Veriun.

E bindi të parin e Qeverisë, por për të realizuar planin e saj për “zgjidhjen historike” të problemit Kosovë-Serbi, Baroneshës Catherine Ashton i duhet ta bindë edhe lidershipin opozitar në Kosovë.

E, për t’u siguruar se gjithçka po i shkon sipas planit, Shefja për politikë të jashtme e BE’së ka marrë mundin të vijë edhe personalisht në Kosovë.

Baronesha angleze të enjten do të takojë edhe liderët opozitarë në tentim që t’i shtyjë ta pranojnë zgjidhjen e ofruar nga Brukseli për Veriun e Kosovës.

“Krejt marrëveshjet që merren në Bruksel duhet të ratifikohen në Kuvend, andaj edhe opozita duhet të bindet që të pranojë zgjidhjen e Brukselit ashtu siç e pranoi edhe Kryeministri Thaçi”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në dialogun Kosovë- Serbi.

Ardhjen e saj Baronesha e ka paralajmëruar qysh të premten përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e saj.

Aty thuhet se Ashton do të vijë në Kosovë që të konsultohet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, krejt kjo në emër të lehtësimit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve ndërshtetërore.

Zëdhënësja e Baroneshës, Maya Kocijancic edhe të dielën ka konfirmuar vizitën e shefes së saj në Kosovë, ndërsa bëri të ditur se Ashton do të takojë edhe Presidenten Atifete Jahjaga.

“Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme europiane, Ashton do të zhvillojë bisedime në Prishtinë më 14 mars. Ajo do të takohet me Kryeministrin Thaçi, udhëheqësit e partive si dhe Presidenten Jahjaga. Këto takime mbahen në kuadër të konsultimeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Kocijancic .

Ndërkohe edhe autoritete kosovare e kanë konfirmuar vizitën e Ashton.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një deklaratë për Express tha se shefja europiane do të takohet me Kryeministrin si dhe përfaqësues të opozitës.

Por nuk tha se e sheh këtë vizitë si presion mbi Prishtinën, pak para takimit të radhës me Serbinë më 20 mars. Për më tepër Kuçi tha se vizita e Ashton është respekt për Kosovën.

“Sa na përket neve është krejt normale të takohet me çdo përfaqësues të partive politike që përfaqëson qytetarët. Është respekt që i bëhet vendit tonë dhe zhvillim pozitiv në raport BE- Kosovë dhe ato të dialogut”, ka thënë Kuçi.

Tashmë dihet se zgjidhja për Veriun e ofruar nga Brukseli zyrtar parasheh themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Për çka verbalisht janë pajtuar edhe palët në dialog, por pa nënshkruar marrëveshje për shkak të mospajtimeve për kompetencat që duhet t’i ketë ai organ.

Përfaqësuesit e opozitës në Parlamentin kosovar ndërkaq bënë të qartë se nuk e pranojnë asnjë lloj presioni kur bëhet fjalë për sovranitetin dhe territorin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, tha se këtë do t’ia bëjnë të qartë edhe Baroneshës Ashton nëse takohen me të.

“Ne mbesim pro qëndrimit që ai asociacion në asnjë mënyrë nuk mund të ketë kurrfarë kompetencash ekzekutive e aq më pak legjislative, andaj Baronesha e nderuar e kryen domethënë punë e saj, obligimin e saj që e ka marrë, mirëpo në një mënyrë është dashur edhe të informojë se çka realisht është duke ndodhur në këto bisedime”, tha Beqiri për Express.

Pothuajse njëjtë mendojnë edhe në AAK’në e Ramush Haradinajt.

Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, ka konfirmuar për Express takimin mes liderit të tyre dhe Catherine Ashton, ndërsa tha se në rast se do të kenë presione për të pranuar diçka jashtë Kushtetutës së Kosovës do ta bëjnë këtë të ditur.

“Në momentin kur shohim presion, ne do të themi se është presion. Por, deri më tani mund të bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim dhe mbështetje. Në fund të fundit, askush nuk ka të drejtë të veprojë jashtë mandatit për këto bisedime”, ka thënë Lumaj.

Të bindur që vizita e shefes së jashtme të BE’së ka të bëjë kryekëput me shtimin e trysnisë ndaj Prishtinës, pak para nënshkrimit të marrëveshjes për Veriun me Serbinë, janë në subjektin politik të Albin Kurtit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, i tha gazetës se nuk kanë asnjë kërkesë për takim eventual me Baroneshën.

Sipas tij, Ashton do të kërkojë që të pranohet koncesioni i radhës si rezultat i negociatave me Serbinë e që sipas VV’së është formimi i një etniteti serb brenda Kosovës.

“Me ingerenca legjislative, ekzekutive dhe të sigurisë, brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Vraniqi.

Sipas tij, në këtë formë do të legjitimohej gjendja në veri dhe strukturat serbe që veprojnë atje.

“Ka mbetur veç t`i vihet emri. Vizita e baroneshës në këtë rast është që të arrihet pajtueshmëri për këtë koncesion, jo aq nga Qeveria edhe nga Kryeministri, sepse ata tashmë e kanë pranuar, por nga spektri i gjerë shoqëror e politik dhe nga opinioni publik në Kosovë”, shtoi zëdhënësi i VV’së.

Verbalisht pala kosovare dhe ajo serbe në takimin e fundit në Bruksel janë pajtuar për themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe shpërbërje e strukturave ilegale serbe të sigurisë në Veri.

Ka mbetur që dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic. të vendosin edhe për kompetencat e organit që i jep të drejtën e vetëqeverisjes lokale komunave serbe në Kosovë.

Për krejt këto pritet të nënshkruhet një marrëveshje me 20 mars, e cila po shihet si ndër më të vështirat deri më tani.

Thaçi ka deklaruar se nuk pranon kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave, ndërsa ka mohuar me çdo kusht krijimin e “Republika Srpska” brenda Kosovës, njësoj sikurse në Bosnjë. Por, skeptikë ndaj kësaj deklarate janë shfaqur përfaqësues opozitarë.

Ndryshe me arritjen e normalizimit të raporteve me Kosovën, shtetit serb i sigurohet data e anëtarësimit në BE. Përderisa Kosovës në mënyrë deklarative i është dhënë garanci për integrimet europiane, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare siç është OKB’ja.


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi të hënën se vizitat e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, apo cilitdo vend tjetër nuk duhet të shihen si presion ndaj institucioneve ve të Kosovës, por sipas tij, duhet të trajtohen si vizitë në shërbim të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova.

Krasniqi këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke komentuar vizitën e baroneshës Ashton në Kosovë, që është planifikuar për 14 mars 2013.

“Është çështje tjetër se drejtuesit e Kosovës si i shohin dhe kuptojnë vizitat si ndihme apo presion”, tha Krasniqi.


Procesi i dialogut Kosovë – Serbi, ka ngecur për shkak të dallimeve që po shfaqin palët sa i përket çështjes së kompetencave që duhet të ketë Asociacioni i Komunave Serbe në Veri, vlerësoi për Radio Kosovën analisti, Ilir Deda. Ai tha se BE-së, dhe zonjës Ashton, duhet t’i bëhet e qartë se Kosova, sa i përket aranzhimit të brendshëm, ka bërë kompromis me bashkësinë ndërkombëtare në vitin 2007 me Planin e Ahtisarit dhe thjeshtë, më nuk ka hapësirë për çfarëdo kompromisi tjetër.

I gjithë aktiviteti diplomatik i baroneshës KethrinAshton, bashkë me palët në bisedimet Prishtinë – Beograd, duhet të shihet në rrafshin e normalizimit të marrëdhënieve të dy shteteve si dhe të integrimit të veriut në rendin kushtetues, juridik të Republikës së Kosovës. Analisti Ilir Deda, vë në dukje dallimet dhe këmbënguljen e të dy palëve në qëndrimet e veta sa i përket çështjes së themelimit të asociacionit të komunave serbe, ku duket se ka stagnuar procesi.

Natyrisht se baronesha Eshton, do të vijë me modelin e saj edhe para udhëheqësve në Beograd edhe para udhëheqësve në Prishtinë, ku ajo do ta propozojë kompromisin e të dy qëndrimeve. Deda, potencoi se duhet t’i bëhet e qartë se Kosova sa i përket aranzhimit të brendshëm, ka bërë kompromis me bashkësinë ndërkombëtare në vitin 2007 me planin e Ahtisarit dhe thjeshtë, më nuk ka hapësirë për çfarëdo kompromisi tjetër.

Sipas Dedës, me kompromis shtesë sa i përket asociacionit të komunave serbe, rrezikohet krijimi i pushtetit të tretë në Kosovë dhe funksionaliteti i shtetit. Në këto momente, Deda e sheh procesin në krizë. Ai shtoi se, pa marrë parasysh krizën momentale, duhet të shihet në rrafsh më të gjerë se çka do të thotë normalizimi ndërmjet shteteve dhe çka do të thotë që dy shtete, do të fitojnë për zhvillim të tyre të brendshëm dhe karshi integrimeve në Bashkimin Evropian.

Sa i përket afatit kohor për përfundimin e bisedimeve, që parashihet të ndodh në muajin prill, Deda, tha se, a do të jetë muaji prill apo qershor kur do të përfundojnë këto bisedime, është më pak e rëndësishme. Ai tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që asnjë marrëveshje të mos prodhojë jo funksionalitet, destabilitet dhe që asnjë marrëveshje të mos mund të ketë dy kuptimësi në interpretim. D.m.th, ato duhet të jenë të qarta, duhet të jenë të shkruara, që e gjithë popullata në Kosovë dhe e gjithë popullata në Serbi, të sheh se çka është marrë vesh në këtë proces, thotë Deda.

Ai ka shtuar se, transparenca lidhur me marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë – Serbi, është shumë e rëndësishme për procesin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti.


Këshilltari i presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Prishtinën, nëse do anëtarësimin e Serbisë brenda.

“Presidenti Nikolliq e di se cila është linja që nuk mund ta kalojë. BE duhet të bëjë pak presion edhe mbi Prishtinën. Nuk bën që vetëm njëra palë të lëshojë pe në negociata – atëherë ato nuk janë negociata”, ka thënë Oliver Antiq.

Sot në Bruksel po qëndrojnë autoritetet e larta shtetërore të Serbisë, të cilat do të takojnë shefen për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila njëherësh është ndërmjetësuese e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Beogradi insiston që në Kosovë të formohet një asociacion i komunave serbe, me kompetenca ekzekutive. Prishtina, ndërkaq, pranon formimin e tij, por pa kompteneca të tilla.

Për këtë çështje është diskutuar në raundin e fundit të bisedimeve direkte midis kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq dhe pritet të bisedohet edhe në rrethin e radhës, të caktuar për 20 mars 2013.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...