2013-03-11

Nga Flori Bruqi:Tekstet e historisë në Kosovë përkëdhelin pushtuesin osman


“Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Tito dhe Enver Hoxha”, është shprehur Ahmet Davutoglu, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës së tij në Kosovë më 26 gusht 2011.

Edhe Omer Dincer, ministri i Arsimit, i ka kërkuar ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që nga librat e historisë së Kosovës të largohen paragrafët, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet e këtij vendi.
Tekstet e historisë në Kosovë përkëdhelin pushtuesin osman
E njëjta gjë është kërkuar edhe nga ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan : “Lloje të tilla të punimeve, të cilat synojnë largimin e shprehjeve të pakëndshme në librat e historisë, ekzistojnë jo vetëm ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, por edhe shumë shteteve, përfshirë edhe vendin tim e posaçërisht ndërmjet vendeve, të cilat kanë marrëdhënie fqinjësore”.

Kështu që në heshtje librat e historisë në Kosovë kanë filluar të korrigjohen.


 Nga klasa e 5-të deri në të 13-ën del se Perandoria Osmane gjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë nuk ka vrarë, nuk ka ushtruar dhunë dhe nuk ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë dhe administratën tyre sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.



Në hulumtimin tona  vihet re se fjalët “dhunë “ dhe “vrasje” janë fshirë duke u zëvendësuar me “pushtim” dhe “burgosje”; fjala “ashpërsi” është shndërruar në “ndërhyrje ushtarake”; “sundimi i egër osman” në “pushtimi osman”, etj.


Një delegacion nga Turqia pritet ta vizitojë Kosovën në fund të këtij muaji për të biseduar me autoritetet arsimore kosovare për trajtimin që i bëhet Perandorisë Osmane në librat e historisë .


Teksa në Ministrinë e Arsimit një vizitë të tillë e shohin në kuadër të shkëmbimit të përvojave, historianët e cilësojnë si formë presioni.
Fencing,Albanians_of_Montenegro_by_Paja_Jovanoviq
Autori i një libri shkollor të historisë në arsimin parauniversitar dhe bashkautori i shumicës së teksteve të këtij niveli, Frashër Demaj, konsideron se delegacioni ka për qëllim mbikëqyrjen e komisionit të caktuar nga MASHT-i. “Delegacioni nga Turqia vjen për presion dhe për asgjë tjetër.



 Si të tillë nuk e njoh edhe as që kisha dashur të takohesha me ta”, ka thënë Demaj. Ky s’e njeh as komisionin vendës, të themeluar për këtë çështje nga MASHT-i.



“Punën time e bëj të pavarur, prandaj nuk njoh asnjë komision që provon të prekë çështjet shkencore”, ka thënë Demaj. Ky thekson se MASHT-i nuk i ka konsultuar autorët e librave kur e ka themeluar atë komision, ndërsa ka zënë ngoje kryetarin e komisionit, Shkëlzen Raça. Për të ka thënë se është historian, por jo tekstshkrues i librave të historisë në arsimin parauniversitar.


“Ai që nuk ka përvojë në tekstshkruarje të librave të arsimit fillor nuk mund të japë vërejtje të qëndrueshme, mund të bëjë vetëm vërejtje kozmetike”, ka theksuar Demaj. Ky i fundit ka shtuar se me tekstshkruarje të librave parashkollorë të historisë merret që nga viti 2002 dhe se librat në të cilët ka punuar janë të përshtatshëm dhe pa gjuhë të urrejtjes. Megjithëkëtë, Demaj thekson se edhe vetë është për ndonjë shikim të këtyre teksteve, por jo me presion.

qev


Delegacioni nga Turqia ka planifikuar të vijë në Kosovë për rishikimin e librave të historisë, porse vizita është shtyrë për në fund të muajit mars. Në Ministrinë e Arsimit ndërkaq theksojnë se komisioni vendës e ka përfunduar fazën e parë të punës.





“Ai e ka përgatitur një raport në të cilin janë të përfshirë disa rekomandime, i cili gjendet në Divizionin e Sigurimit të Cilësisë dhe i cili në të ardhmen jo shumë të largët do të organizojë debat të hapur me ekspertë të teksteve shkollore”, ka thënë këshilltari i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, Arbër Morina. Sipas tij, pas këtyre debateve do të organizohen takime me autorët e teksteve përkatëse, në mënyrë që bashkërisht të debatohen rekomandimet e komisionit dhe ato nga debatet e hapura.



“Vetëm me pëlqimin e autorëve mund të bëhen ndryshimet”, është shprehur ai, teksa ka mohuar që komisioni që do të vijë nga Turqia do të ndërhyjë në punët kosovare.



“Ardhja e ekspertëve nga Republika e Turqisë nuk e nënkupton ndërhyrjen në punët tona, por ky do të jetë një shkëmbim përvojash, ashtu siç ka ndodhur e do të ndodhë në takimet e tjera që kemi pasur me ekspertë të vendeve të tjera evropiane”, ka përfunduar ai.



Vitin e kaluar MASHT-i kishte themeluar një komision për rishikimin e prezantimit të historisë, gjeografisë dhe kulturës osmane e turke në tekstet shkollore parauniversitare në Republikën e Kosovës. Komisioni përbëhet nga gjuhëtarë, letrarë, historianë, muzikologë etj. Puna e komisionit është përfunduar në fund të vitit të kaluar dhe janë dhënë të gjitha rekomandimet se ku do të duhej të ndryshoheshin tekstet shkollore parauniversitare, kudo që flitet për Perandorinë Osmane.



Nga lënda e historisë janë prekur tekstet Historia 5 e autorëve, Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj, botuar nga “Libri Shkollor” më 2007; Historia 6 e po të njëjtëve autorë dhe po të njëjtit botues (2004), , Historia 7 e autorëve Isa Bicaj, Arber Salihu (2004); Historia 8 e autorëve Izber Hoti, Jetullah Krasniqi (2005): Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) e autorëve, Isa Bicaj e Arber Salihu (2004); Historia 10 (Gjimnazi Informatikë – Matematikë ) i autorëve, Jusuf Bajraktari, Frashër Demaj (2003), Historia 10 (Gjimnazi Gjuhësor) -Isa Bicaj e Arbër Salihu (2003) Historia 11 (Gjimnazi Përgjithshëm) –Jusuf Bajraktari, Isa Bicaj (2004); Historia 11 (Gjimnazi Gjuhësor) – Fehmi Rexhepi, Frashër Demaj (2004), Historia 11 (Gjimnazi Shoqëror), Ramiz Abdyli, Emine Bakalli (2004) dhe Historia 12 (Gjimnazi i Përgjithshëm) dhe Jusuf Bajraktari e Arbër Salihu (2005), që të gjithë të botuar nga “Libri shkollor” 2005.



Mirëpo autori dhe bashkautori i disa librave të historisë në sistemin parauniversitar, Demaj, ka thënë se ai zyrtarisht nuk ka marrë raport të komisionit të MASHT-it për të parë se ku është ndërhyrë. “Krejt çka kam mësuar në propozimet për ndryshime janë ato që i kam parë në medie”, ka thënë Demaj. Nga ana tjetër, kryetari i komisionit të themeluar nga MASHT-i, Shkëlzen Raça, ka mohuar që komisioni nga Turqia vjen për të bërë ndonjë presion. Ai po ashtu ka theksuar se edhe raporti që e ka nxjerrë komisioni nuk është përfundimtar, pasi që edhe ai duhet të rishikohet.



Ndërkaq autori i studimit te teksteve mësimore të historisë Kosovë-Shqipëri-Serbi, me titull: Kosova 1912-2000 në tekstet mësimore të historisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë”, Shkëlzen Gashi, mendon se tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë duhet të ndryshohen rrënjësisht dhe urgjentisht.



“Madje këto ndryshime duhet bërë jo vetëm sa i takon prezantimit të periudhës kur Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë qenë nën Perandorinë Osmane, dhe jo siç kërkojnë palët e përfshira, por duke u bazuar në dokumente, dëshmi, fakte, argumente etj.”, ka thënë Gashi. Pra, sipas tij, duhet të eliminohet gjuha e urrejtjes, shpifjet, etiketimet, hiperbolizimet. Ndryshe, ka thënë ai, duhet ruajtur nga çdo trysni politike.




Dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan, janë ndryshuar librat e ciklit parauniversitar në raport me kohën e Perandorisë Osmane. Në versionin ri të historisë Perandoria Osmane është një pushtues, por jo një sundues i egër.



Kosova ka lidhur deri tani 13 marrëveshje me Turqinë, por kjo e fundit ka kërkuar bashkëpunim edhe në fushën e arsimit: autoritetet turke kërkojnë pastrimin e librave të historisë. Tani që ndryshimet janë bërë, zyrtarët shtetërorë turq vlerësojnë se me këtë veprim do të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore.


Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan,  tha  se ndryshimet në librat e historisë do t'i kontribuojnë marrëdhënieve Kosovë-Turqi të cilat, sipas saj, janë të shkëlqyeshme. Ajo kujton se ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera, "të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët".



 Komisioni i ngritur nga ministri Buja dorëzoi para më shumë se gjashtë muajsh rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen librat e historisë. Nga korrigjimet e librave të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-të, del se Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo se ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë e administratën e tyre sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.



Neve kemi   gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë. Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, gjashtë dhe tetë. Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, në faqen 62, fjalët "dhunë" dhe "vrasje" në raport me Perandorinë Osmane janë fshirë.



Në vend të tyre janë vendosur "pushtim" dhe "burgosje". Në faqen 48 të librit aktual, në lidhje me marrjen e pronave dhe pasurisë së shqiptarëve janë fshirë fjalët "...hakmarrje" dhe "...vrasje". Në vend të tyre është vendosur fjalia "...marrja e pronave, vendosja e taksave si dhe depërtimi i një pjese të popullatës vendëse..."!



 Fjalia "...osmanët vranë shumë shqiptarë..." është fshirë tërësisht kurse në faqen 69 të librit aktual, fjala "..ashpërsi" është shndërruar në "...ndërhyrje ushtarake". Ndryshimet e tjera janë bërë në faqen 83 të librit të historisë së klasës së 6-të, ku fjalia "...sundimi i egër osman...", është shndërruar në "...pushtimi osman". Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8-të si në faqen 68, ku fjalia "...merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame...", tash ka tjetër kuptim. "...




Në praktikë të gjithë shtetasit në viset e tyre të pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para ligjit. Natyrisht ndonjëherë shfaqeshin keqpërdorimet e nëpunësve lokalë osmanë në kuadrin e reformave të tanzimatit". "Sa i përket muzikës, pala turke mund të ketë pasur vërejtje, si për himnizim të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut", ka thënë kryesuesi i komisionit. Ai thotë se nuk i kujtohet në detaje çfarë ndryshimesh janë bërë në këtë rast. Emri zyrtar i plotë i komisionit është "Komisioni për Rishikimin e Prezantimit të Historisë, Gjeografisë dhe Kulturës Osmane e Turke".

Agjencioni  Floripress  ka  siguruar një raport të punës së këtij komisioni, kryetar i të cilit ishte prof.dr. Shkëlzen Raça (historian), me anëtarë prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.



Komisioni për Rishikimin e Teksteve të Historisë, i formuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka përpiluar një raport, i cili para finalizimit do të shikohet dhe nga ekspertë nga Turqia.

Në muajin mars, një grup ekspertësh nga shteti turk do të vijnë në Kosovë për të konstatuar nëse janë hequr termat në tekstet e historisë që qeveria e tyre kishte kërkuar të ndryshohen me arsyetimin se ofendohej e kaluara e këtij shteti – Perandorisë Osmane.



Por, këtë ata do ta bëjnë në konsultim me anëtarët e Komisionit për Rishikimin e Teksteve të Historisë, e pa mohuar as autorët e teksteve, mendimi i të cilëve sipas MASHT- it nuk do të anashkalohet asnjëherë.



Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit kanë konfirmuar se ky bashkëpunim bëhet në frymën e zhvillimeve akademike të të gjitha vendeve evropiane që të mos ketë gjuhë të urrejtjes në tekste, por që ajo të jetë miqësore. Sipas tyre ekspertët nga Turqia do të jenë të kënaqur me propozimet që kanë bërë ekspertët e MASHT. Ndërsa, kanë mohuar se mund të ketë ndërhyrje nga këta ekspertë.

Në kuadër të vizitës së ekspertëve turq do të organizohen edhe debate lidhur me këtë “problem” në tekstet e historisë si dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve kosovarë.



Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka theksuar se do të mbahet një takim ndërmjet ekspertëve të Kosovës që janë marrë me rishikimin e teksteve dhe atyre nga Turqia. “Ekspertët turq do të vijnë në fund të muajit tjetër. Kjo po bëhet më qëllim që tekstet tona të kenë sa më pak gjuhë të urrejtjes. Kjo nuk do të thotë që është duke ndodhur vetëm me Turqinë, por kjo do të ndodhë edhe me të gjithë popujt dhe shtetet e tjera, sepse përfundimisht gjuha e urrejtjes duhet të hiqet nga tekstet shkollore”, ka theksuar Mustafa, sipas të cilit nuk do të bëhet asnjë ndryshim pa u konsultuar me autorët e teksteve shkollore.



“Grupi i ekspertëve turq do të shikojnë disa nga sugjerimet që kanë dhënë ekspertët e Kosovës dhe do të japin kontributin e tyre, në mënyrë që tekstet tona të jenë të përshtatshme duke përmbushur kriteret”.

Ai ka bërë të ditur se edhe autorët e teksteve do të përfshihen në debate. Mustafa ka hedhur poshtë çdo pretendim se do të ndryshohet historia. Sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë. “Qytetarët e Kosovës nuk duhet të kenë frikë se do të ndryshohet historia e popullit shqiptar në përgjithësi dhe e popullit shqiptar të Kosovës në veçanti. Nuk është ministria ajo që e shkruan historinë, por janë historianët ata që e shkruajnë historinë”.



Ai ka marrë si shembull se në tekstet shkollore gjenden terma si “hordhitë” kur flitet për ushtarët e huaj, një term që Mustafa e sheh të përdorshëm më shumë për grupe të kafshëve. “Ekziston mundësia që ku thuhet hordhitë të thuhet repartet ushtarake”.


Mustafa ka thënë se ardhja e ekspertëve turq nuk duhet të keqinterpretohet. “Nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet tona, por këtë po e bëjmë thjesht për të treguar gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar jo vetëm me Turqinë, por edhe shtetet e tjera”.

Floripress

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...