2013-03-11

Britanikët prishën planet e CIA-s për rrëzimin e Hoxhës


Britanikët prishën planet e CIA-s për rrëzimin e Hoxhës

I dalin në mbrojtje Tito-s

Dy dokumentet e zgjedhura nga arkivi i deklasifikuar amerikan për ngjarjet e viteve 1949-1955 që botojmë sot janë pjesë e dosjeve të operacionit të famshëm amerikan “BGFIEND”. I pari, një telegram që Londra e adreson për përfaqësuesin e Shërbimit britanik në Uashington, ndër të tjera nënvizon kërkesën ndaj amerikanëve për të ndaluar operacionet e tyre të propagandës për një periudhë gati 1-vjeçare, me arsyetimin se këto operacione mund të krijonin probleme për Titon.
Ky telegram mjaft i çuditshëm në përmbajtjen e tij, mbërrin pikërisht në fillimin e përpjekjeve intensive amerikane për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Është e çuditshme kërkesa britanike, nëse marrim parasysh që ata vetë kishin filluar operacionet klandestine të koduara VALUABLE kundër regjimit të Tiranës disa vite më parë se amerikanët. Gjithsesi, një analizë e kujdesshme mund të sjellë si përfundim se britanikët ka shumë mundësi të kenë qenë në dijeni të ndonjë operacioni sekret jugosllav, që synonte me çdo kusht eliminimin e Enver Hoxhës dhe si pasojë kanë kërkuar një periudhë qetësie deri në realizmin e këtij Operacioni.
Megjithatë, informacione me interes të veçantë përmban dokumenti i dytë, që botohet për herë të parë. Ai është një memorandum i gjatë që është hartuar në zyrën e OPC, (Zyra përgjegjëse për Operacionet Klandestine kundër Shqipërisë) dhe shpjegon me detaje disa nga çështjet që kanë preokupuar oficerët e Zbulimit amerikan në lidhje me një operacion të ri që kërkonin të fillonin në pranverën e vitit 1950. Bëhet fjalë për operacionin e transmetimeve klandestine. Përpos një sërë përpjekjesh për të shtuar të rekrutuarit nga radhët e inteligjencës brenda Shqipërisë, amerikanët kërkonin të fillonin transmetimin e një mori emisionesh propagandistike në vendin tonë, duke denoncuar një sërë çështjesh që kishin të bënin me regjimin komunist të Tiranës.
Propaganda, arma mjaft e fortë e lidershipit të Shqipërisë, dukej se do të përballej tashmë me këndvështrimin amerikan për qeverinë e Hoxhës. Për këtë qëllim, amerikanët kishin zgjedhur një mënyrë origjinale: Transmetimin nga deti në bordin e një anije të financuar nga Zbulimi amerikan. Dokumenti pasqyron disa çështje jo vetëm teknike që preokuponin Zbulimin amerikan për këtë operacion. E para, tërheqja britanike nga ky operacion.
Kjo tërheqja, me sa duket, kishte lidhje me qëndrimin e britanikëve ndaj Titos dhe mbështetjes së tyre ndaj tij. Amerikanët duket se janë të pashqetësuar nga largimi britanik dhe në kërkim të partnerëve potencialë, marrin në një analizë të shkurtër mundësinë e bashkëpunimit me disa nga shërbimet partnere. Nga analiza e oficerëve amerikanë mësojmë se Shërbimi Sekret Italian për ta vlerësohet i papranueshëm, pasi italianët kishin lidhje me elementë shqiptarë të kompromentuar me regjimin fashist. Ky fakt është edhe mendimi i Departamentit të Shtetit, i cili në një plan mbi Shqipërinë, ka theksuar lidhjen e Shërbimeve italiane të inteligjencës me shqiptarë fashistë. Ndërkaq, një problem për OPC duket se kanë qenë marrëdhëniet e ngushta që OSO amerikane, apo ndryshe e njohur si Drejtoria e Kundërzbulimit kishte me shërbimet italiane.
Në fakt, Kundërzbulimi amerikan drejtohej nga një prej figurave më të famshme dhe më enigmatike të shërbimeve sekrete: James Jesus Angelton, një oficer i kundërzbulimit X-2, që kishte mundur të penetronte gati të gjitha shtresat e shoqërisë italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe Vatikanin. Si një prej themeluesve të CIA-s, Angelton vazhdoi të kontrollonte Kundërzbulimin për një kohë shumë të gjatë dhe duket se lidhjet e tij me shërbimet italiane kanë qenë shumë të forta dhe gati ekskluzive për të penguar degët e tjera të shërbimeve amerikane të kishin kontakte me italianët.
Shërbimi Sekret Grek, për amerikanët duket se ka pasur dy pengesa kryesore. E para, dyshimet se ky Shërbim ka qenë i penetruar nga kundërshtari, pra nga shërbimet sovjetike dhe e dyta, pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë. Edhe pse amerikanët kishin bashkëpunim me grekët në disa nivele, në këtë dokument duket qartë se ata kanë qenë mjaft të rezervuar nga Shërbimi Sekret Grek. Pra, për operacionin e transmetimeve klandestine në Shqipëri amerikanët përzgjedhin francezët, të cilët në këto vite kishin filluar kontaktet me emigracionin politik shqiptar, i cili kërkonte mbështetje kundër Enver Hoxhës. Francezët, të preokupuar për një rol më aktiv në Ballkan, ishin munduar që të krijonin një grup me influencë nga emigracioni shqiptar me rezidencë në Francë, por me rezultate shumë minimale. Për amerikanët Shërbimi francez është më i pranueshëm nga Departamenti i Shtetit, por duket se edhe shefi i fuqishëm i Kundërzbulimit, Angelton, nuk ka pasur rezistencë për një bashkëpunim të mundshëm. Në këtë mënyrë, Shërbimi Sekret Francez i shtohet listës së shërbimeve me objekt Shqipërinë.
Se sa efekt ka pasur ky Shërbim kundër regjimit të Tiranës, është shumë e vështirë për ta gjykuar pa pasur një mundësi hulumtimi në arkivat franceze. Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin që Shërbimi francez ka qenë një prej shërbimeve më të penetruara nga sovjetikët, mund të thuhet se Enver Hoxha nëpërmjet sovjetikëve mund të ketë pasur mundësi të shikojë në brendësinë e sekreteve franceze me objekt Shqipërinë.
DOKUMENTI I TOP SEKRET 7 shkurt 1950 MEMORANDUM Subjekti: BGFIEND – Implementimi i transmisioneve propagandistike klandestine nga deti
1. Duke marrë parasysh pozicionin e ri kundrejt operacioneve BGFIEND nga britanikët në fillim të janarit, si dhe zhvillimet e reja nga DTNOTCH (emri i koduar i Departamentit të Shtetit), na duhet të pranojmë si përfundimtar mosdëshirën e britanikëve për të ndërmarrë operacione të përbashkëta në transmetimet klandestine nga anija, një operacion shtesë në fazën e propagandës.
2. Megjithatë, tërheqja britanike në asnjë mënyrë nuk duhet të krijojë probleme për planin e përpunuar me shumë kujdes nga OPC, për përdorimin e kësaj anijeje. Kjo metodë e transmetimeve në Shqipëri është rishikuar në planin teknik, si dhe në planin politik dhe është miratuar në princip nga Departamenti i Shtetit. Asnjë metodë tjetër transmetimi në Shqipëri nuk është e mundur teknikisht dhe e dëshiruar politikisht deri tani.
3. Për ta aktivizuar këtë anije, OPC ka ndërmarrë hapat e mëposhtëm:
a. Problemet teknike për transmetime nga një anije e vogël janë studiuar nga zyra e teknikës së komunikimit dhe rrezja e transmetimit dhe koha e limiteve janë kalkuluar me kujdes dhe janë përcaktuar.
b. Me këtë informacion, pajisje speciale, të cilat do të përdoren në hapësira dhe kondita të një anije të vogël janë përcaktuar, prokuruar, testuar, vendosur nëpër kuti dhe tani janë në magazina, të gatshme për t’u dërguar në bordin e anijes së përcaktuar.
c. Të gjitha pajisjet speciale kërkojnë një qendër ekzekutive në një vend ku anija do të drejtohet. Kjo është tashmë e përcaktuar, urdhëruar dhe është gati. d. Kërkesat për personel teknik dhe folës për të qenë pjesë e anijes dhe qendrës tashmë janë përcaktuar dhe prokurimet janë në proces. Shërbimet e një specialisti të propagandës radiofonike për qendrën janë siguruar. Ai është indoktrinuar tërësisht mbi objektivat e BGFIEND dhe është i gatshëm për t’u dërguar në operacion brenda tri javësh.
1. Është e qartë se me tërheqjen e britanikëve nga transmetimet e këtij operacioni, OPC-së do t’i duhet ndihmë nga shërbimet e tjera, nga ku anija do të bazohet dhe do të transmetoje dhe ku do të jetë e sigurt. Për të siguruar këto kërkesa, një ndërmarrje unilaterale ndaj njërës prej këtyre shërbimeve të mëposhtme është e domosdoshme: Shërbimi Sekret Italian. Megjithëse italianët në vështrimin e tyre me interes shumë të gjatë ndaj çështjeve shqiptare do të jenë të aftë dhe të etur për bashkëpunim me OPC, në këtë çështje duhen marrë parasysh konsideratat politike, përfshirë marrëdhëniet aktuale të italianëve me të djathtët dhe me kolaboracionistët shqiptarë, çka e bën këtë bashkëpunim me ta jo të pëlqyeshëm (Këto janë pikëpamjet e Departamentit të Shtetit deri më tani. Shiko origjinalin e planit për Shqipërinë). Po kështu, ekziston edhe një komplikim tjetër në marrëdhëniet me Shërbimin italian, pikërisht marrëdhënia e OSO me këtë shërbim. Në bisedimet tona me kolegët tanë të OSO, na i kanë bërë të qartë që:
a) të gjitha marrëdhëniet me italianët të kalojnë nga kanalet e OSO dhe
b) operacionet anglo-amerikane të mos zbulohen si të tilla. Nëse këto pikëpamje të OSO janë vendimtare apo jo, kjo është jashtë temës. Zgjidhja e këtyre çështjeve do të konsumojë shumë energji dhe do të vonojë fazën e propagandës së BGFIEND.
Duke marrë parasysh këto çështje, është e qartë që ndihma e Shërbimit Sekret Italian nuk duhet të merret parasysh. Shërbimi Sekret Grek. Në të njëjtën mënyrë, një kërkesë unilaterale ndaj Shërbimit Sekret Grek do të pranohet me shumë dëshirë e në fakt një bashkëpunim është kërkuar me ngulm nga ana e grekëve. Është e qartë për ne se përfshirja e Shërbimit grek për çështje të qarta politike do të ketë çështje të pretendimeve territoriale, të cilat do ta dëmtojnë të gjithë suksesin e BGFIEND.
Ne kemi qenë vazhdimisht të informuar nga Departamenti i Shtetit për të bërë kujdes me grekët në operacionin BGFIEND, për arsye sigurie dhe politike. Po kështu, OSO ka kërkuar që të kemi të njëjtën metodë si me Shërbimin italian. Për të gjitha këto arsye, duket qartë se nuk mund të përdorim Shërbimin Sekret Grek në këtë operacion. Shërbimi Sekret Francez. Në një mundësi të një operacioni të përbashkët me Shërbimin Sekret Francez, implikimi politik nuk shihet me dyshim nga Departamenti i Shtetit dhe në fakt është komentuar në mënyrë të favorshme nga ambasada jonë në Paris.
Qëndrimi i shqiptarëve nuk do të jetë dyshues ndaj qëllimeve franceze. Në rastin e anijes transmetuese do të kemi organizim mbrojtjeje të mjaftueshëm për të balancuar problemet speciale të sigurimit, të cilat mund të ekzistojnë në Shërbimin sekret, veçanërisht nëse ne do të marrim parasysh se operacionet tona duhet të evitojnë çdo provë dokumentare që implikojnë qeverinë tonë. Për francezët, OSO nuk ka asnjë problem që OPC të ketë kontakte direkt me Shërbimin Sekret Francez. Ndërsa bashkëpunimi anglo-amerikan në këto operacione tashmë ju është bërë e ditur francezëve.
Po kështu, është e qartë se Shërbimi Sekret Francez dëshiron të bashkëpunojë me OPC në operacionet BGFIEND. Dëshira franceze për bashkëpunim duhet të jetë edhe një vlerë e shtuar për ne për ta përdorur edhe në operacione në zona të tjera në Lindjen e Largët. Prandaj, ne nuk duhet ta lejojmë këtë entuziazëm të bjerë dhe të nënvlerësojmë koncesionet që francezët janë përgatitur për të bërë në mënyrë që të marrin pjesë në këto operacione. Një tjetër pikë për t’u konsideruar në marrjen e shërbimeve franceze në operacionet e transmetimeve klandestine është përpjekja e tyre për një bashkëpunim me Bllokun Kombëtar Indipendent dhe elementët kosovarë. Këto përpjekje nga ana e francezëve, nëse nuk devijohen, do të na vendosin ne në një pozicion të vështirë, pasi duket sikur po konkurrojmë me francezët, të cilët jo vetëm do të mbështesin ata të cilët ne i konsiderojmë si një grup emigrantësh shqiptarë të padëshirueshëm, por edhe të elementëve të cilët në program kanë rikthimin e Kosovës në Shqipëri. E fundit, asetet fizike që francezët do të sjellin në operacion do të jenë një ndihmë e madhe në fazën e propagandës së BGFIEND.
1. Më e rëndësishme është gatishmëria e bazës në Tunizinë Veriore, e pranueshme për anijen transmetuese. Në memon në dosj, janar 1950, vlefshmëria e operimit të një anije nga Kai BON i zonës së Tunizisë është konfirmuar nga NSO
2. Një aset tjetër është mundësia e tyre për të na dhënë mbulim të nevojshëm, si dhe personel të huaj, nëse është e nevojshme. Po kështu, ne mund të marrim një anije të regjistruar në Francë me operim në Mesdhe, nëse do të ishte e nevojshme.
3. E fundit, prezenca e Legatës Franceze në Tiranë mund të jetë një burim i mbledhjes së inteligjencës dita-ditës, për të na informuar mbi programet tona. ADPC e ka autorizuar në princip një ndërmarre unilaterale për Shërbimin Sekret Francez, me qëllim të pranojë bashkëpunimin e tyre për operacionet e transmetimit klandestin nga anije për këtë fazë të BGFIEND.
DOKUMENTI II
TOP SEKRET
TELEGRAM
Nga: LONDRA
data e mbërritjes 4 shkurt 1950
Nr: 243
data e dërgimit 3 shkurt 1950
VALUABLE Referencë ( emri i fshirë) letër për ( emri i fshirë) 0219/2/50 G e janarit 12
A.Diskutime të mëtejshme me konkluzionet e letrës dhe konkluzionet e Ministrisë së Jashtme, aprovuar nga (emri i fshirë) e ndjekur nga letra prej (emri i fshirë) dhe (emri i fshirë)
B. Paragrafi i mëtejshëm jep një përshkrim më të gjerë dhe është përmendur nga (emri i fshirë) FOA/CSS
C. Politika afatshkurtër (një periudhë prej 6 muajsh deri në 1 vit prej tani) do të jetë korniza bazë për mosndërmarrjen e aktiviteteve, të cilat do ta turpërojnë Titon.
Objektivat afatshkurtra janë përfshirë shumë mirë në paragrafin 7(b)2 e dokumentit të OPC 35484/1 e 6 Dhjetorit me shtesën e “mbajtjes gjallë të shpirtit të rezistencës”
TOP SEKRET
TELEGR
AM
Nga: LONDRA
data e mbërritjes 4 shkurt 1950 Nr: 243
data e dërgimit 3 shkurt 1950
VALUABLE
Telegrami im i menjëhershëm është
C. Ne jemi të kënaqur të ndërmarrim veprimet tona nëpërmjet kanaleve të inteligjencës (sipas tuajës në 19 dhjetor), por sigurisht që ne do të shtojmë se operacionet janë një përpjekje anglo- amerikane.
D. Ndërkohë, nëse OPC do të preferojë të ndërmarrë veprime së bashku me përfaqësuesin tonë, ne nuk do të kemi asnjë kundërshtim.
E. Të lutem kërko reagimin e OPC për këtë dhe na informo
F. Francezët tashmë janë informuar për operacione (telegramet që mbarojnë me tuajën 539 e 8 Nëntorit) dhe do t’ju jepen kopje të memove të Inteligjencës
G. Memot e Inteligjencës do të jene sipas Tuajës 297, e janarit 25. vijon të dielën tjetër.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...