Autorët Jeton Neziraj, Blerina Rogova - Gaxha dhe Beqë Cufaj do të kenë një sërë prezantimesh publike në panairin e sivjetshëm të Leipzigut, që mbahet nga 14 deri me 17 mars. Sipas një njoftimi të lëshuar “Qendra Multimedia” autorja Blerina Rogova- Gaxha do të prezantojë librin e saj më të ri poetik “Kate” (Shtëpia Botuese “Pa”), poezi nga i cili, janë përkthyer dhe botuar tashmë në gjuhën gjermane në revistën “Beton”. Rogova - Gaxha do t’i ketë tri paraqitje para publikut gjerman, në kuadër të Forumit të Evropës Juglindore me rrjetin “Traduki”. Sipas njoftimit, më 15 mars, bashkë me autorin rumun Claudiu Komartin, Rugova-Gaxha do të prezantohet në leximin me temë “Poezia e re në Kosovë dhe në Rumani”.
“Tema e këtij prezantimi, pos leximit të teksteve në shqip e gjermanisht, do jetë edhe rebelizmi i poezisë së saj kundër gjendjes sociale, politike e kaosit të përditshmërisë”, thuhet në njoftimin për media. Një ditë më vonë, një panel i përbërë nga autorë të rajonit do të diskutojë mbi kulturën e Evropës Juglindore. teksa më vonë poetja Rogova-Gaxha do të prezantohet bashkë me autorë të ndryshëm të Ballkanit në “Natën e Ballkanit”, që sipas njoftimit thuhet se është “një ndër prezantimet më të rëndësishme në Panairin e Leipzigut”. Në Leipzig do të prezantohet edhe libri i posabotuar në gjermanisht “Atdheu në valixhe” i autorëve Jeton Neziraj dhe Timon Perabo. Në Kosovë libri ishte botuar në vitin 2009 nga “Qendra Multimedia” dhe përmban rrëfime të emigrantëve nga Kosova që kanë jetuar në Gjermani dhe më pas janë kthyer në atdhe.
E Beqë Cufaj do të ketë dy prezantime me romanin e tij “Projekt@party”, roman ky i cili tashmë është ribotuar për të tretën herë në gjermanisht dhe ribotuar për së dyti në shqip. Cufaj së pari do të prezantohet më datën 15 në kuadër të Forumit të Evropës Juglindore dhe më 16 mars në qytetin e Leipzigut .