Nga Muhamet Ilazi
Në vënien apo heqjen e pllakës përkujtimore të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) më në fund nuk pati as fitues, e as humbës. Palët e përfshira në këtë problematikë u munduan të nxjerrin dobi për interesat e tyre. Përderisa vepra dhe vlera e dëshmorëve të UÇPMB-së për shqiptarët do mbetet akoma në kujtesë.Ky shkrim synon t’u bëjë një analizë aktorëve dhe qëllimeve të tyre me rastin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Iniciatorët për ngritjen e lapidarit, më 16 nëntor 2012, fillimisht u frymëzuan nga festa e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Porse, ngritja e një përmendoreje për dëshmorët e UÇPMB-së përkon edhe me emrin e sheshit të ri të dëshmorëve në Komunën e Preshevës. Megjithatë, e tëra kjo ishte edhe një vazhdimësi e ngritjes së një mori përmendoreve të mëparshme, ku Beogradi zyrtar nuk kishte shfaqur kundërshtinë e tij. Rasti, sheshi dhe përvoja e paktë mbase kanë ndikuar që organizatorët të mos mendojnë shumë për procedurat administrative dhe ligjore për ngritjen e një monumenti në një vend publik.
Kremtimet që u bënë në Luginë të Preshevës me rastin 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë bënë që Beogradi të varrosë heshtjen e tepruar dhe në Beograd filloi debati i flaktë, ku shumë analistë serbë festimet i cilësuan si antiserbe. Megjithatë, festat për flamurin nuk hasën në rezistencën shtetërore serbe. Por ajo që ngjalli vëmendjen e medias serbe ishte pllaka e UÇPMB-së, e vendosur para ndërtesës së Komunës së Preshevës. Qeveria serbe e shënjestroi këtë si një problem akut, që patjetër duhej hequr qafe. Por, ajo priste momentin e duhur, megjithëse shfaqte “nguti e padurim” në deklaratat e shpeshta e të mbërthyera me tone kërcënuese.
Në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian kërkonte nga bisedimet mes Beogradit e Prishtinës rezultate konkrete. Njëjtë, si qeveria e Serbisë, por edhe ajo e Kosovës, ishin në “siklet” sa u përket këtyre bisedimeve, sepse priteshin kompromise të dhimbshme nga të dyja palët. Njëkohësisht edhe mungesa e shtytdhënies nga ana e spektrit të brendshëm politik për dialogun e iniciuar nga BE-ja e “acaronte” akoma klimën e krijuar politike të dyja vendeve.
Ministrit serb Daçiq dhe kryetarit Nikoliq për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën iu desh të hartojnë një platformë, e cila kërkonte miratimin edhe të parlamentit të Serbisë. Në parlamentin serb Daçiq arriti të “përvetësojë për vete” Partinë Demokratike, kur ai pranoi disa ndryshme të tyre për platformën. Por kjo “qasje” e Daçiq-it ndaj PD të Gjilas-it sikur e hidhëroi Nikoliqin e hekurt. Për më tepër, Daçiq, për të kënaqur edhe grupin e Nikoliqit vazhdoi me ngritje toni kundër pllakës së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, duke ultimatuar udhëheqësin administrative të Luginës për heqjen e pllakës me “dëshirën e tyre, apo me forcën e shtetit” gjer më 17 janar, ditë kjo kur edhe pritej takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Daçiq-it.
Në anën tjetër, qeveria në Prishtinë, me lirimin dhe përkrahjen e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, si dhe me përkrahjen dërmuese të partive opozitare mori ngjyrën e gjelbër për vazhdimin e dialogut me Beogradin, por të mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Spektri politik i Luginës së Preshevës më në fund e kuptoi që “beteja” e nisur me lapidarin do të jetë e humbur dhe doli me kërkesë të përbashkët, duke u orvatur që “çështjen e Preshevës” ta ngre në nivel ndërshtetëror Serbi – Kosovë. Kjo paksa e zbehi “luftën” e tyre për lapidarin, sepse Beogradi edhe Prishtina kuptuan synimet e tyre që të jenë pjesë e bisedimeve në Bruksel.
Për të vazhduar me lojën, Daçiq zbuti për një çast deklaratat e tij para bisedimeve më 17 janar në Bruksel. Kështu ai i kthei bisedimet në nivel komunal për pllakën në një dialog të OSBE-së, pa kyçje të shtetit serb. Kjo u shfrytëzua për arsyetimet që do të pasonin pas heqjes së përmendores, karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kjo temë ishte e mirëseardhur, përballë bisedimeve, sapo të përfunduara, në Bruksel.
Nga kjo analizë konkludojmë se bisedimet për lapidarin me Beogradin do të vazhdojnë. “Lugina e Preshevës” nuk u përkrah nga askush që të jetë pjesë e tavolinës dialoguese me dyshen Beograd – Prishtinë, por megjithatë ajo ia arriti të tregojë që në Luginë të Preshevës ka ende probleme të pazgjidhura. Për Daçiq-in, për momentin mund të thuhet që kënaqi kundërshtarët e tij politikë, por jo edhe pa rreziqe dhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët mund të kërkojnë nga Serbia që më në fund të merret seriozisht me problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në Kosovë pati tensionim të situatës gjithashtu, që ishte e “pakëndshme” për institucionet në Kosovë, por kjo situatë rreth lapidarit disi e relaksoi dhe e riorientoi pak qeverinë e Kosovës përballë bisedimeve të mëtutjeshme me Beogradin.