2013-03-16

nga Xhemal AHMETI :Parada e neoateistëve

Polemika ndërmjet religjioneve, nihilizmit, humanizmit dhe ateizmit është ndezur sërish. Neoateistët e kanë fjalën. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten indiferent.

Ateistët janë të ashpër. Religjiozët sillen të butë. Bariu i mirë kundër posthumanistit të përdhosur e therës. Kështu duket, shikuar sipërfaqësisht, debati më i ri në mes neoateizmit dhe religjioneve, i cili qe disa muaj ka përlarë mediat e elitave intelektuale në Evropë dhe ShBA. Diskursi transkontinental rreth çështjes kyçe «ka apo nuk ka zot?» djersit edhe në këtë epokë sërish trurin human. Gjersa ideologët dhe moralistët e religjioneve të krishtera dhe ata të neoateizmit debatojnë mbi diferencat e tyre, «ajatollahët» islamikë as që përzihen në këtë diskurs. Këtë nuk e bëjnë ata jo për arsye se nuk kanë guxim, siç u shpreh një Islamolog iranian, porse klubi i të thinjurve nga Orienti është edhe më përjashtues ndaj të tjerëve, të cilët si ashtu e paskan vendin në atë rrethin e fundit të komedisë aligieriane, prandaj s’ka as çka të bisedohet me «viktima» të tilla. Kështu mesazhi nga Teherani.

Në këtë debat nuk marrin pjesë mirëpo as edhe ca religjione tjera madhore të planetit. Budistët dhe Hindutë poashtu heshtin. Përzierja e të parëve, pra budistëve, do ta bënte edhe më interesantë debatin. Dalai Lama ka një autoritet të fuqishëm në qarqet intelektuale të botës perëndimore dhe do të ndikonte shumë për opsionin që përfaqëson ai. Po pse nuk përzihet Dalai Lama në këtë diskurs? Për arsye se ai nuk bënë pjesë në taborin e religjioneve abrahamite? Apo ka ndonjë arsye tjetër?
Parasëgjithash ç’kërkojnë sot, në shekullin 21, religjionet nga humaniteti dhe pse ky debat sa herë që shfaqet trondit gjitha qoshet e kontinentet?



Ekskurs I: Debati aktual ndër shqiptarë

Në letrat shqipet ende nuk ka mbërritur ky debat. Domethënë ai ende nuk ka mbërritur në këtë formë siç zhvillohet në pjesët tjera të kontinentit. Në mediet shqiptare një debat i tillë u zhvillua më herët rreth lejimit apo moslejimi të përdorimit të simboleve polit-islamike nëpër vende publike. Gjatë atij debati u bë fjalë më shumë se si duhet të sillen shqiptarët ndaj religjioneve të importuara, ndërsa në këtë debat bëhet fjalë edhe për një alternativë të tretë; ateizmin, të cilën shqiptarët e njohin si «specialitet të vetin» (Shqipëria komuniste dhe pjesa dërmuese e letërsisë së tyre kombëtare) dhe – në përparësi nga të tjerët – e njohin edhe si eksperiment të përjetuar.
Tjetër polemikë, që pati poashtu karakterin e kësaj teme ishte ai rreth shpalljes së Kosovës si shtet laik. Pati zëra që akuzuan elitën politike kosovare të ketë vepruar pa kokë, kështu duke iu nënshtruar trysnisë së institucioneve supranacionale dhe vendosëse pa marrë parasysh elementet kombëtare që duhej të përmbante identiteti i ri kosovar. Këto dy polemika dhe disa edhe më «intensive», të zhvilluara kohë më parë në media të ndryshme shqiptare, dëshmojnë se edhe ndër shqiptarët dominon dilema dhe preokupimi se si duhet reaguar ndaj njërit apo tjetrit religjion dhe se cili është roli i religjioneve përbrenda identiteteve shqiptare?

1. Multiplikimi i një «paranoje» shekullore?

Kësaj radhe nuk janë humanistët erazmikë, as marksistët apo niçeanët e zgjuar keq ata që u bëjnë telashe kryeshtabeve të féve, kësaj radhe fjalën e kanë të të ashtuquajturit neoateistë. Ata janë të organizuar, dinë se si shfrytëzojnë mediet për të shpërndarë idetë e tyre, prijnë në treg dhe janë intelektualisht të përgatitur.
Richard Dawkins, Christopher Hitschens dhe Sam Harris janë tre përfaqësuesit e të të ashtuquajturit «Ateizmi i Ri». Tre librat e tyre «The God Delusion», «The end of fait» dhe «God is not great – How Religion poisons Everything» vazhdojnë të mbajnë vendet e para në listat e bestsellerëve. I pari, libri i Dawkins, «Paranoja e Zotit», madje konsiderohet si megaseller.
Që të tre kanë mesazhet e tyre konkrete: Duart larg nga Religjionet! Ato «helmojnë shoqëritë», bllokojnë çdo përparim paqësor të humanitetit dhe «besimi s’është asgjë tjetër përveç se shprehje e prapambeturisë», pra «në thelb një e metë psikike» që duhet shëruar.
Këtyre tre guruve të suksesshëm të «Ateizmit të Ri» u kanë dalë përballë tre shkencëtarë e filozofë poashtu me reputacion mondan si Asi i shkencave të natyrës dhe gjenetiku Francis Collins, filozofi Robert Spaeman dhe mikrobiologu Alister McGrath. Veprat e këtyre – të cilat janë rezultat i këtij debati – si «Dawkins Delusion», «The Language of God» dhe «Das unsterbliche Gerücht» edhe pse shënuan sukses nuk arritën atë efekt siç bënë ato të ateistëve. Deri tani – kështu analiza e shumicës së mediave – mbështetur në intensitetin e përhapjes së veprave dhe frekuentimit të kongreseve të tyre nga masat, debati zhvillohet ne favor të ateistëve të rinj.
Ateizmi i ri për religjionet është «më i rrezikshmi se gjithë të tjerët», shkruan kontrahenti i Dawkins, Alister McGrath, «sepse atë e përkrahin mediat». Këtu qëndron edhe problemi kapital: përderisa në epokat e shkuara debati, me këtë edhe përhapja e tij, ishte i lokalizuar në sallonet dhe akademitë e kulturave të veçanta, sot ai arriti të mbulojë, për një kohë fare të shkurtër, më shumë se gjysmën e kontinenteve.
Shenjë që njeriu i shekullit 21 donë të heq dorë nga etika triadike jetë-vdekje-amshim? Apo ka të drejtë Dawkins kur thotë: «njerëzimi nuk është më aq injorant sa që të ketë frikë nga kërcënimet e ulëta të féve me djallin e ferrin»?

2. Gjeneza e debatit

Debati është poaq i vjetër sa edhe vetë Religjionet. Mendime e Teori që kundërshtojnë ekzistencën e hyjnive, zotërave dhe fenomeneve tjera transcendentale mund të gjejmë që në shkrimet e para të njerëzimit. Triumfi i religjioneve, pra institucionalizimi i tyre si udhëheqëse të pakontestueshme morale të kolektivit, ndryshoi gjendjen në këtë drejtim. Opinionet e tilla, sidomos ato që tentonin të mutonin në teori të përgjithshme, ndëshkoheshin nga kisha me shuarje të pakompromistë. Edhepse qysh dy shekuj më parë Diderot kishte përpiluar librin e të vërtetave tjera dhe teoria e sojeve e Çarls Darvinit kishte filluar të gërryej në themel teoritë e sakralizuara mbi Genesisin e Universit, Religjionet do ta mbajnë këtë monopol në çështje të moralit e formimit të njeriut deri në fillim të shekullit 20, influencë, e cila pastaj në postmodernë e deri sot funksionon sipas dinamikës së valëve – herë merr hov dhe ndikon dukshëm në rikonstruktimin e opinionit të masës e herë «denoncohet» si doktrinë negative që ka për synim çrregullimin e demokracive apo pushteteve ku ajo paraqitet.
Debati do të ndizet për të mos u shuar deri në ditët e sotme nga dy filozofët gjermanë Karl Marks dhe Friedrih Nietzsche. Teza e të parit «Religjioni është opium për masat» dhe ajo e të dytit «Zoti është i vdekur» (Gott ist tot) do të shndërrohen në maksima të të gjithë ateizmave që do të pasojnë.
Po në cilën linjë, në ç’traditë argumentojnë ateistët e sotëm; duke u bazuar në teorinë evolucioniste të Darwinit, duke u mbështetur në doktrinën marksiste, respektivisht komuniste që synonte të zhduk një moral për ta zëvendësuar atë me një tjetër, apo reflekton Dawkins me kolegët e tij duke u mbështetur në nihilizmin zarathustrian të Nietzsches?

3. Tezat e neoateistëve

Pikërisht këtu qëndron specifika që i dallon ateistët e rinj nga pararendësit e tyre. Dawkins, Hitschens, Harris dhe kompani për metodë kanë në radhë të parë përgënjeshtrimin e drejtpërdrejtë të mësimeve të Biblës dhe Kuranit në bazë të «një logjike të kapshme dhe arsyeje të shëndoshë». Ata nuk thirren në një ideologji të veçantë ose mbi një skemë të caktuar etike, por – siç pohojnë ata – bazohen në matematikën elementare të trurit dhe frymës. Reflektimet filozofike e empirike (kryesisht nga gjenetika, biologjia dhe filozofia) janë shkrirë në formë të tërthortë dhe evokuese përbrenda një teksti gati narrativ, qoftë në librat e shkrimtarëve Harris dhe Hitschens ku një formë e tillë e të shkruarit do të ishte e natyrshme e qoftë në ato të zoologut dhe biologut Dawkins.

Lexoni tekstin komplet. Shkarkoni:
Neoatesitët.pdf [646 KB]

http://xhemal-ahmeti.com/shqip/wp-content/uploads/2009/06/Ateist%C3%ABt-n%C3%AB-ofensiv%C3%AB.pdf

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...