2013-03-14

KUZHINJERI OSMAN MALOKU: JA Ç’ HANIN MË SHUMË PILOTËT GJUAJTËS TË RINASIT



Librit tonë “Dinosaurët e Fundit” po i vjen fundi, por Gjeneral Astrit Jaupi, pa konsulencën e përditëshme me të cilin , ky libër voluminoz dhe që po e kalojmë nëpër duar për të katërtën e të pestën herë, do të ishte e pamundur të dilte aq përfaqësues, i saktë dhe plotepërplot intimitete pilotësh, po këmbëngulte për një bisedë më Osman Malokun; guzhinjerin e pilotëve të regjimentit të Rinasit, që nga viti 1974 deri në vitin 1991.
Në Rinas na solli me veturën e tij ish kryeingjinjeri i këtij regjimenti, Turabi Halili, që, edhe prej punës me vetmohim të pashoq dhe striktësisë shkencore atje, ka shënja të përjetëshme në organizmin e tij katër “by pass”.
Astrit Japuit i ndrinë qelizat e fytyrës kur në tavolinën tonë u shfaq me kostum dhe kollare fytyra gëzuar e guzhinjerit veteran që po na priste.
Osman Maloku ka njohur që të gjithë pilotët që kanë qënë efektiv në Rinas, u ka dhënë të hanin me dorën e tij jo vetëm në mensë, por edhe i ka ndjekur “ me garuzhdë në dorë”, kur nëpër fluturimet intensive, ndonjëri nuk kujtohej për të ngrënë, siç sjellë ndër mënd ai, përshëmbëll, Serafin Sheganin , “zëvëndës komandanti për fluturime”, siç e plotëson figurën e këtij burri të mirë dhe piloti të shkëlqyer Astriti.
Mirëpo, fytyra e fshatarit tiranas – befas e humb harenë dhe sytë e tij nisin të përloten.
Kushedi se sa lotë ka derdhur edhe ai, kur ndonjë pilot, si kishte ngrënë mirë e mirë, si kishte bërë shaka me shokët e kishte dalë nga mensa duke kënduar, qeshur, duke biseduar me dikënd apo duke medituar diçka, qe ngritur në qiell dhe…qe kthyer me xhenaze. Ai kujton me saktësi, deri edhe se si rrinin nëpër tavolina e mencës pilotët dhe se si, në vëndin e shokut të vrarë, nuk ulej njeri. Ai I kujton që të gjithë, sikur t’I kishte ata caste përpara syve.
Pyetja e parë ka të bëjë me vrasje pilotësh.

OSMAN MALOKU: Lajmi vinte si bombë. Qajshim të gjithë në guzhinë, ndërsa gatuejshim. Pilotët atë ditë nuk hynin fare në mensë. Rrinin të gjithë bashkë, të pikëlluar, të tronditur dhe refuzonin kërkesën të vinin e të hanin “një çapë bukë”; kërkesë që ua bëja tok me “doktorrin” e tyre ( mjekë të pilotëve në Rinas kanë qënë specialistët e talentuar Lulëzim Bilbili, Besnik Hashorva dhe së fundi, Kastriot Shahe). Për dy – tre ditë ata, kur ishte koha e ngrënies,vetëm rrinin nën një mimozë dhe refuzonin të futnin gjë në gojë.
Është e tmerrëshme të të ikë shoku krejt papritë nga duart…Për dy ditë e tre ditë ne e hidhnim ushqimin gropë të plehnave. Pilotët rrinin të gjithë bashkë, kokë më kokë, te mimoza atje, dhe unë shkoja me dr Kastriotin duke iu lutë të vinin me hongër.

RIZA LAHI - E kujton, cilët kanë qënë ushqimet që hanin më me oreks dëshmorët tanë të aviacionit, që u ke dhënë për të ngrënë?

OSMAN MALOKU: Oh, po si? Luto Sadiku, i donte vezët syze të gjalla, por kënaqej shumë dhe me byftekët me erëza. Sefedin Tomçini i donte brumnat – byrekët, paliçinat, pastiçiot, makaronat spagetti. Sabriu (Toçi) hante shumë mishin e pulës dhe të gjitha llojet e sallatave, Armandua (Gjoka), që u vranë bashkë me Sabrinë , hante shumë ombëlcinat , sidomos “zupat”, Shpëtim Sula hante fort bulmetnat – kos, djathë, salcë kosi…Ditën që o vra Shpëtimi ia kom çue ushqimin me duert e mia përpara se ai me u ngritë në ajër e mos me u kthye ma. Ai, bile, më tha tuj qeshë- “Osmon, a po vjen të bojmë mundje bashkë?.
Jani Tarifa, ishte shumë nazeli, buzëbukur, si i thojm ne tironsit; donte pak e të zgjedhun. Komandant Mahmuti (Hysa) hante ç’i qitshe përpara e pa bo naze…

Po, e kujton çfar preferencash kishin pilotët e tjerë?


OSMAN MALOKU- Po si jo? Hasip Budo preferonte shumë supën dhe ombëlcinat… Nji pilot, qi s’po ta thom emnin, më tha nji herë “Mono, mos ma ndyejë supën me mish”…Zylfi Hoxha i hante shum brumnat; ai merrte gjithmonë dy rracione makarona.
Asim Bime, megjithse ishte rritë në vend blegtorie, nuk ma hante kosin e deles. E kishim kos me u pre me thikë. E bojshim prej bagëtive të ekonomisë ndihmëse të repartit, kos i pa skremuem; edhe ti e ke provue kur vijshe ka’i herë me hongër në mencën tonë. E.., po më thotë doktor Katstrioti: “Mon,o! Asim Bime nuk ta shtien në gojë kosin e deles!”. E ç’i bona una? Ia bona nji heksi. E hudha kosin m’ kusi, i shtova ujë frigoriferi, e përziva dhe ia dhashë kamarejres me ia çue. “Aaaaa, kësi kosi, po!”, tha Asimi e iu kthye kamarieres, thueji Monit, ma nep ene’i tas kos se ma paska bo t’mirë sot…hahahah…Serafini i kishte fort qejf vezët gjysëm të zieme. Ylli Seriani donte mish qingji të pjek. Peçi Thomai bonte namin, nëqoftëse nuk gjente mbi tavolinë kur rrinte ai nji a dy prasa të freskët e të qiruem e që i hante sefte, edhe në mëngjes, edhe në drekët. Komandantat, ton komandantat që kina pasë, Haki Jupasi, Koço Biku, Serafin Shegani, Gezdar Veipi, Mahmuti, e thamë, etj. as qi e kishin mendjen te ushqimi. Hajshin ça ju qitshe përpara e pa bo naze.Nestor Dhaskali gjithmonë iu fliste atyne që më bojshin llafe. Se, kishte raste që çunat e ri, gati e hedhshin derën mrenë, kur iu vonojte dera e mensës pa u hapë sall edhe pesë minuta…Nestori rrinte në nji tavolinë me Vasil Kromidhën, Peçi Thomai dhe Bilal Josën…

Po Bilali, ishte hamës i madh?

OSMAN MALOKU Jo, mër, jo, por ai ka ‘i herë merrte gjojna nga mëngjesi e i mbështjellte …Iu duheshin për meze, se ia thonte paksa rakisë. Shkonte e e pinte atë të shkretë nga aeroporti, e pinte me shokë të tjerë anej, jo me shokët këtu, se mos e padiste kush që pin raki në orën e punës. Mblidhte meze boll ene hikte ke veni, sigurisht kur nuk ishte me shërbim gatishmëri e nuk kishte fluturim.

Kamarjeret a mbanin me hatër shefat? E respektonin radhën? Po, ti, drejt më thuj, a i privilegjoje shefat me ushqim më shumë se sa pilotëve të thjeshtë?

OSMAN MALOKU Kina pasë dy kamarjere shumë gra të mira dhe pa hile, Selimeja dhe Bejke Bajrami. Ata iu shërbejshin tanve me rradhë. Po shefat vijshin gjithmonë kah fundi. E, .me hile me bukën e pilotave? Jo, kurr. Po ata ishin tanë njisoj, mër. Lojshin futboll bashkë, fluturojshin bashkë, lojshin shah bashkë. E, kishte edhe bollëk, ishte normë e modhe, ti e din… E…una kam qenë ma parë guzhinjer në një repar komsorijet. Atje “udhëheqja” e kishte se e donte “copën e luoni”, kurse “tenentet”, ma pak, megjithëse norma ishte njisoj për të tanë… Jojo, na nuk kina pasë hile…As una, as shfi I guzhinës që kina pasë, Vasil Spirollari ene as Asllan Murati; tre guzhinjera kina kenë. Kur kishte pilota që shkojshin kund e ishin në forcë, kur nuk vijshin me hongër, ne ia rujshim çokollatat dhe frutat. Frutat zakonisht pilotat i hajshin vetë, ja në mencë, ja i futshin nëpër xhepa me i hongër ma vonë apo edhe me ju falë teknikëve të tyne.

Si i kishit kushtet ne guzhinë?

OSMAN MALOKU Nuk kishim soba me korrent, por me dru e me qymyr. Tym kishte. Ne, të tre guzhinjerat mësuam të bojshim edhe gjojna qi I gatuejnë pastiçierat.

Po kur kishte eufori në mencë , atë ditë, a bënit ndonjë gjë të veçantë?

OSMAN MALOKU Eufori? Po, more, kishte. Sidomos ditët kur kishte qitje e bombardime. Të tan delshin mirë, por kush delte kampion, na I bojshim noj gja të veçantë, që ai kishte preferencë ma shumë e që na, Vasili, Asllani ene una, e dijshim. Kërciste hareja. Kampioni ishte zakonisht Bilali, Bilal Josa, qi ishte shakaxhi i modh. Gëzojshim të tanë atë ditë.

A keni ndonjë dëshirë të veçantë, zoti Osman, përveç kësaj që, ja, do të shkruajmë në shtyp për ju dhe do t’u përfshijmë në librin tonë?

OSMAN MALOKU Ehhh…E kisha ene nji dishirë, por që ju nuk ma plotësoni dot.

Cila, na e thuaj, gjeneral Astritit dhe mua!

OSMAN MALOKU Sikur të më mblidheshin edhe ‘i herë këtu tan pilotat e t’u gatuej edhe nji herë me këta dy duert e mia. Manej i kisha thonë zotit, ime ec e merrja shpirtin Osman Malokut, se jom i lumtun.

RIZA LAHI

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...