2013-07-06

Si ta lexosh Shqipërinë e heshtur?

image
Veton SURROI
Në një shkrim autorial botuar sot në Koha Ditore, publicisti, letrari e drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme Veton Surroi shkruan: 
Edhe unë jam njëri prej listës tashmë bukur të gjatë të njerëzve të shkrimit a të folurit publik që prisnin se do të ndodhë rotacioni politik në Shqipëri, por jo në përmasat e rezultateve zgjedhore. Sipas deklarimit të prijësve të së majtës, as ata nuk kanë pritur një rezultat të këtillë. 
Nëse është kështu, ekziston një shpërputhje në analizë, mes pritshmërisë së atyre që i lexojnë shenjat e publikut dhe pritshmërisë së vetë publikut. Shqipëria që fliste para zgjedhjeve ishte ndryshe prej Shqipërisë së heshtur, asaj që votoi. Po përpiqem, në shtatë pika, të interpretoj zërin e Shqipërisë së heshtur, një kuptim krejtësisht individual që mendoj se mund t’i hyjë në shërbim qeverisjes së re.
1. Një votë jo domosdoshmërish “për”
Pika më mobilizuese e këtyre zgjedhjeve nuk ka qenë programi i PS-së për “Rilindje”, por thirrja që “katragjyshi të ikë në pension”. Këto zgjedhje, shikuar kështu, kanë pasur si prioritet largimin e Berishës dhe brenda këtij prioriteti votuesi është siguruar nga mesazhi i një poli të majtë të bashkuar, e të determinuar që Berishën ta zbresë nga pushteti.
Shqipëria e heshtur, e dalë në zgjedhje, ka manifestuar votën e saj kundër Berishës, por kjo votë kundër nuk duhet të interpretohet domosdoshmërish dhe njëkohësisht si votë “për” dhe e pakusht për polin e majtë. 
Pra, kemi me një “regime change”, rrëzim regjimi, me votë. Mësimi numër një për qeverinë: kjo votë nuk ishte e zakonshme, por në formë plebishitare tregoi se çfarë nuk do në qeverisje. Mësimi numër dy: si të shndërrohet në program qeverisës “për” ajo që ishte votë “kundër” (Berishës).
2. “Kapitalizmi i dirigjuar”
Vota masovike “kundër” Berishës ishte votë kundër autoritarizmit të tij. Në tetë vitet e fundit, pas një faze të konsolidimit të një shkapërderdhje të trashëguar qeverisjeje nga socialistët, pushteti i PD-së manifestoi apetit të pangopshëm kontrolli të jetës me instrumentet autoritare të kufizimit të të drejtave.
Në jetën politike, pushteti i Kryeministrit në largim u përpoq, me sukses, që të vërë kontrollin (personal) mbi segmente të rëndësishme të sundimit të ligjit, të tëhollojë deri në padukje ndarjen e pushteteve dhe të përdorë, pa hezitim, dhunë deri në vrasje, ndaj atyre që i konsideronte si rrezik për të.
U replikua, në jetën ekonomike, tendenca për monopolizim të pushtetit. Ekonomia e vendit qe gjithnjë e më pak hapësirë për konkurrencë të lirë, e gjithnjë e më shumë një strukturim i qartë i një rrjeti klientelist. Një autokraci në qeverisje u komplimentua, në ekonomi, nga një kapitalizëm i dirigjuar, duke e ushqyer njëri-tjetrin.
Mësimi numër tre për qeverinë: Programi “për” është program i krijimit të lirive politike dhe ekonomike, si dhe ai i ndarjes së pushteteve. Ky mësim i thjeshtë ka një sfidë ca më të ndërlikuar: Si të bëhet krijimi i hapësirave të lirisë, duke mos e bërë zëvendësimin mekanik të pushtetit (prej atij blu në atë rozë)?
Çfarë zgjidhjesh, që të mos jenë vetëm të një poli politik, do bërë për presidentin, prokurorin, shefin e SHISH-it? Si të bëhet demonopolizimi i një rrjeti klientelist në biznes e të mos ndërtohet një tjetër, me ngjyrë rozë?
Si të mos e përsërisin të kaluarën e tyre partnerët e koalicionit që do të vijë në pushtet, sepse as precedenca e tyre nuk është edhe gjithaq shndritëse?
3. Si të quhet revolucioni?
Edi Rama e barasvlerësoi rezultatin e këtyre zgjedhjeve me ato të vitit 1992, kur u rrëzua pushteti i simbolizuar nga Ramiz Alia. Ky vlerësim mund të jetë i saktë nëse gjërat marrin emrin e tyre të vërtetë. Asokohe, u bë një revolucion me votë, dhe iu dha fund komunizmit. Këso here mund të ndodhë që u bë revolucioni me votë dhe se po i jepet fund postkomunizmit.
Por, jo domosdoshmërish. Poli fitues i së majtës ka mundësinë që këtë moment ta identifikojë vetëm si rotacion politik, të merret me sanimin e pasojave të qeverisjes së kaluar dhe pas tre vjetësh ta zërë veten duke u përgatitur për zgjedhje të reja. Nëse e bën vetëm këtë, gjasat janë të vogla për transformim cilësor në sistemin e funksionimit të vendit.
Por, poli fitues mund ta identifikojë zërin e Shqipërisë së heshtur, që doli në votë, si zërin e një revolucioni, i cili do që në fund të katërvjeçarit të qeverisjes socialiste ta shohë një vend që vlerëson se tranzicionit i erdhi fundi. Se jemi normalë. Se, në fjalët e parullës së parë revolucionare të vitit 1991, jemi si e gjithë Europa.
Nëse është kjo rruga që përzgjidhet, atëherë qeverisja e ardhshme ka para vetes dy korniza të të njëjtit program qeverisës. E para është konsolidimi i shtetit dhe e dyta është nxjerrja e tij prej tranzicionit.
Rreziku permanent në këtë rrugë është që konsolidimi të marrë tërë energjitë, që në shtator qeveria e re të gdhijë me njohurinë se e ka arkën bosh, administratën të politizuar (e të frikësuar për shkak të këtij fakti) dhe listën e gjatë të institucioneve që duhej të ishin të pavarura e që duhet sanuar.
Rreziku i njëllojtë e permanent, është që “fundi i tranzicionit” të identifikohet me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE dhe që vendi, me arkën bosh, me institucione të partizuara e disfunksionale, me një listë të gjatë pasojash që duhen sanuar nga qeverisja e kaluar të shpresojë se do të ndodhë edhe një “miracle of democracy” dhe se gjendja do të ndryshojë në vend falë ndërhyrjes së negociateve të BE-së. Mësimi numër katër për qeverinë: Përcaktimi i cakut konceptual (historik) që duhet të arrihet në fund të mandatit.
4. Pritshmëria (versioni i parë): Njëqind ditë vetmi
Konsolidimi i shtetit do të kërkojë shenjat e prekshme: vota e Shqipërisë së heshtur kundër qeverisjes Berisha pret që pas ndëshkimit me vota, një verdikt moral, të pasohet nga një verdikt administrativ-ligjor.
Do të kërkohet sanksionimi ligjor në hapësirën e krijuar nga fshirja e linjave ndarëse të pushteteve. Aty ku janë ngushtuar liritë politike, përfshirë edhe vrasjet e 21 janarit, tash do të kërkohet që dënimi moral i votës të përcillet me proces tjetër dënimi.
Aty ku janë ngushtuar liritë ekonomike, përfshirë tenderët dhe koncesionet, do të kërkohet jo vetëm vendosja e konkurrencës së lirë, por edhe ndëshkimi për monopolet joligjore të së kaluarës.
Njëqind ditët e para do të jenë kyçe për të treguar thellësinë dhe shpejtësinë e ndryshimeve që mund t’i sjellë qeverisja e re. Në njëqind ditët e para, pritshmëria për ndryshime dhe përkrahja për to është po aq plebishitare sa ishte edhe vota “kundër” në zgjedhjet e 23 qershorit. Të gjitha ato që mund të bëhen brenda 100 ditëve të para janë pakrahasimisht më të lehta se sa pas tyre.
Mësimi numër pesë për qeverinë është i rëndë: Si ta përkthejë pritshmërinë për ndëshkimin administrativ-ligjor të regjimit të kaluar në kuadër të një projekti më të gjerë të vendosjes së sundimit të ligjit?
5. Pritshmëria (versioni i dytë): Njëqind ditë vetmi
Vota e Shqipërisë së heshtur kundër autokracisë së Berishës ka qenë edhe vota kundër shpërfilljes që ia ka bërë Berisha opozitës. Tashmë, kur ndërrojnë rolet, qeverisja e re, posaçërisht me numrat impresivë që i ka në Kuvend, duhet të ketë një kujdes të veçantë për opozitën.
Shqipëria ka nevojë që të mos jetë vendi ku fituesi në zgjedhje i fiton të gjitha dhe humbësi i humb të gjitha. Qeverisjes së re i nevojitet që konsolidimi i shtetit të mos përjetohet si “ndjekje shtrigash” të PD-së.
Qeverisjes së re, gjithashtu, i nevojitet opozita për të ndërtuar një vizion unik europian të vendit, një konsensus që do të lehtësonte rrugën integruese të Shqipërisë brenda BE-së.
Që të dyja këto duhet të demonstrohen në 100 ditët e para të qeverisjes së saj. Nëse nuk bëhen në 100 ditët e para, qeverisja e re mund të ballafaqohet me një opozitë të frikësuar, të vendosur në transhetë e mbrojtjes fizike.
Mësimi numër gjashtë: Pushteti i ri duhet të ofrojë platformë unifikuese për të ardhmen europiane të Shqipërisë, me opozitën si hisedare në të.
6. Mallkimi i iPad-it
Sali Berisha përpiqej të tregonte ecjen e tij bashkëkohëse duke mbajtur gjithnjë me vete iPad dhe duke e lavdëruar “Facebook”-un si njërën prej çudive të reja botërore. Së bashku me rrugët (të Kombit dhe të tjera të asfaltuara), Berisha ia atribuonte depërtimin e internetit në Shqipëri qeverisjes së tij.
IPad-i, “Facebook”-u dhe rrugët e hapura (së bashku me liberalizimin e vizave) janë shenja të globalizimit të qytetarëve të Shqipërisë. Globalizimi filloi me emigrantët e atëhershëm dhe potencialë që para njëzet vjetëve votuan fundin e komunizmit. Një gjeneratë e tërë të rinjsh, të rritur në sajë të një ekonomie që e ndërtuan emigrantët me paratë e dërguara prapa, votuan fundin e postkomunizmit.
Fëmijët e lindur dhe rritur në tranzicion janë ata që sollën ndryshimin në zgjedhjet e 23 qershorit. “Facebook”-u dhe interneti, së bashku me rrugët dhe liberalizimin e vizave, ndikuan në formë vendimtare, por jo ashtu siç besonte Berisha. Të hapur drejt botës si kurrë më parë, këta të rinj nuk mund të pranonin formën e një pushteti që po mbyllej gjithnjë e më shumë brenda vetes, madje deri në kufijtë e ngushtë familjarë.
Mësimi numër shtatë për qeverinë: Vendi ka një cilësi të re votuesish, aso që nuk u mashtruan me parulla për mirëqenie nga ana e Berishës. Por, aso që nuk do të mashtrohen as me parullat post-Berishiste.
7. Një provim i dhënë pjekurie
Shpërputhja më e madhe mes të shkruarit e të folurit publik për Shqipërinë dhe Shqipërisë së heshtur u pa më 24, 25 dhe ditët e tjera të fundqershorit.
Vendi përjetoi zgjedhjet e para të pranueshme nga të gjithë, pas atyre të parave, organizuar (paradoksalisht) nga pushteti i Ramiz Alisë. Kthesa dramatike në vota nuk u reflektua në rrugë. Të dyja polet garuese e morën situatën e re me një sens përgjegjësie.
Në javën e fundit të qershorit, të gjithë ata që flasin dhe shkruajnë publikisht për Shqipërinë e gjetën veten duke hulumtuar kodet e fshehura që i kishte shqiptuar Shqipëria e heshtur në ditën e zgjedhjeve. Por, në shumicë, të gjithë ata që flasin e shkruajnë ende nuk po mund të akomodohen me një realitet të ri: aftësinë e vendit që të përjetojë me normalitet garën elektorale.
Mësimi numër tetë për qeverinë: Shqipëria e heshtur është më e pjekur se ç’është përshkruar. Ky është një moment unikal, një kornizë e thellë pozitive veprimi për cilëndo qeveri, si kjo e ardhmja, që duhet të jetë po aq normale sa ç’është trupi elektoral që e solli në pushtet. 

Një jetë s’mjafton për Hasan Prishtinën

image







Mehmet PRISHTINA
Të merresh me figurën e njërit nga ideologët më të shquar të kombit shqiptar, Hasan Prishtina, është nderë dhe përgjegjësi. Ky nderë dhe kjo përgjegjësi më takoi edhe mua, si pinjol i tij. Unë bëra dhe po bëj aq sa mundem, edhe pse jam i vetëdijshëm se për ndriçimin e figurës së Hasan Prishtinës nuk mjafton as edhe një jetë e terë njeriu. Por, krahas punës time vullnetare, herë pas here jam përballur dhe vazhdoj të përballem me disa njerëz të papërgjegjshëm. Pavarësisht që jeta na mëson se sado që qentë lehin karavani duhet të  ecë, pas shumë shpifjeve, shantazheve dhe kompolteve,  mendoj se ka ardhur koha që të flas, veçmas pas përpjekjeve të disa individëve për ta përvetësuar figurën madhore  të Hasan Prishtinës. Fillimisht e përgëzoj Komunën e Vushtrrisë që tek në vitin 2013 e paska gjetur trungun e Hasan Prishtinës nëpër mëhalla, që më tepër kanë nevojë për rehabilitim të moralit ndërgjegjes dhe shlyerjen e turpeve për breza më radhë. Meqë jemi të Vushtrria,  opinionit  po ia përkujtoj se në vitin 2009 në Vushtrri para një mase të madhe kam folur si përfaqësues i trungut familjar të Hasan Prishtinës. Në atë kohë askush nuk bëri zë. Nuk foli!  Andaj as sot  as Vushtrria e as ata nga mëhallët e katundet nuk kanë të drejtë që të thirren në emrin e Hasan Prishtinës. Aq më tepër ata që pretendojnë të thirren në këtë figurë kombëtare e që nuk kanë bërë asgjë për Hasan Prishtinën, që ngeli i harruar  për shumë vite me radhë. Për më keq as themelet e shtëpive të Hasan Prishtinës sot më nuk gjenden, pasi u rrënuan me lejen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë,  dhe mbi to u ngritën pallate shumëkatëshe në lagjen e Palancve! Vushtrria nuk ka  as edhe një  shesh me emrin Hasan Prishtina,  e as edhe asnjë simbol  që do identifikohej me Hasan Prishtinën E tmerrshme! 
Komuna Vushtrri duhet të angazhohet për kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës dhe në kryeqendër të Kosovës do duhet të ngritët një mauzoleum e që delegacionet e huaja te mund të vendosin kurora lulesh me protokoll të shtetit,  vetëm me kushtin që Kukësi do ta lejojë atë, sepse Hasani nuk ishte vetëm i një ane apo nahie e më se paku i familjes, kurse zona e Kukësit me Hasanin ka qenë e familjarizuar e jo në vendlindje ku nuk i kanë lënë asnjë shenjë të birit të saj. E sa për Yllin  që i mungon i ka munguar edhe kur e kishte varrin e vjetër që ju o kuvedar vushtrrias nuk e paskeni parë më parë,  i cili u rinovua me iniciativën e Pjeter Colit dhe bashkatdhetarëve tanë, të cilët i falënderoj nga zemra për iniciativën dhe kontributin.
Vetëm kështu shlyhet borxhet dhe mëkatet,  sepse nuk mjafton që vetëm të fotografohesh para varrit, por edhe te kontribuosh për  këtë figurë të ndritur të kombit. Dhe pasi puna është kështu për disa nga kuvendarët e komunës së Vushtrrisë dhe për ata që pretendojnë ta përvetësojnë figurën e Hasan Prishtinës, po ua bëj me dije disa të dhëna: me rastin e festimit të ditëve të Hasan Prishtinës për herë të parë në vitin 2009 çmimi i vetëm Hasan Prishtina iu nda të madhit Adem Demaçi, i cili u sponzorua nga unë;  libri i parë pas lufte i botuar për Hasan Prishtinën, nga autori Bedri Tahiri, u sponzorua komplet nga unë; shtatorja e cila u vendos në vitin 2011 në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, që tashmë mbaj emrin e Hasan Prishtinës, u bashkëfinancua nga unë; marshi i të gjithë pinjollëve të familjeve të mëdha të kombit shqiptar për 100 vjetorin e çlirimit të Shkupit  është bashkorganizuar, bashkëfinancuar  me komunën e Qairit dhe  është prirë nga unë; shtatorja e  Hasan Prishtinës e vendosur në qendër të Shkupit është sponzoruar komplet nga unë, kurse  komuna e Qairit mbuloi koston e rregullimit të sheshit; ideja për ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës në Tiranë ishte e imja dhe u mbështet dhe u fincua nga Qeveria e Shqipërisë. Unë financova edhe botimin e dy librave kushtuar veprimtarisë atdhetare të  Hasan Prishtinës, njëra me kumtesa të botuara në mbi 500 faqe të mbi 40 autorëve të tri kryeqendrave dhe universiteteve të Sofjes Shkupit, Lubjanës, Tiranës dhe Prishtinës.
Në rrugëtimin tim për ngritjen e figurës së Hasan Prishtinës,  në radhë të parë falënderoj Bedri Tahirin,  i cili me botimin e librit mi ndezi emocionet që për pesë  vite më radhe të punoj pa pushuar që 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar ta përmbyllim siç e përmenda më lartë me kurorëzim e  tri  shtatoreve në tri kryeqendrat shqiptare, në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë. Në Prishtinë pa iniciativën dhe përkrahjen e fortë të ish- rektorit, Prof. Dr. Mujë Rugova dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, konkretisht pa mbështetjen e kryeministrit Hashim Thaçi, kjo nuk do ishte e mundur, andaj i  falënderoj nga zemra. Në Shkup realizimi i shtatores së Hasan  Prishtinës u bë me përkrahjen e sinqertë të kryetarit të komunës së Qairit, z. Izet Mexhiti dhe Bekir Asani,  kurse mbështetjen e fuqishme padyshim e kishim edhe nga kryetari i BDI-së,  Ali Ahmeti. E falënderoj historianin Skënder Asani në Shkup, që për mua është shpirti i kombit, i cili e mban gjallë shqiptarizmin. Në Tiranë një falënderim i trefishtë i takon autorit të tri shtatoreve, të cilin e konsideroj si njeri profesionist e më fat, dekanin  e Fakultetit të Arteve, z. Artan Peqini si dhe Genti Tabaku. Falënderoj  kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha dhe gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar që sponsorizuan dhe mundësuan ngritjen e shtatores së Hasan Prishtinës në Tiranë.
Tani natyrshëm lindin disa pyetja: kur u zhvilluan gjithë këto aktivitete, duke filluar nga faza e paraluftës së UÇK-së kur botohet libri e gjirohet dokumentari për Hasan Prishtinën, i autorit Nusret Pllana, ku ishin këta burra kaq të mëdhenj që e paskan dashtë Hasan Prishtinën aq shumë? Mos vallë priten deri sa të vriten e vdesin të gjithë dëshmitarët e gjallë? Pse nuk reaguan asnjëherë?! Ku ishin kur u shkrua libri i Bedri Tahirit për Hasan Prishtinën, i cili qëndroi gati  dy vite në sirtarë në mungesë të mjeteve për botim? Ku ishin kur në Vushtrri me iniciativën e përbashkët me ish- kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Ferit Idrizi dhe kolegen  e tij, Xhevahire Izmaku ndihmuam këtë manifestim të parë për Hasan Prishtinën dhe me sponzorimin tim  çmimi  Hasan  Prishtina iu nda të madhit Adem  Demaçi, i cili tha se ideologjia e frymës hasaniste  duhet të jetësohet e të jetë shembull për gjeneratat e reja të kombit shqiptar.  Edhe disa pyetje për ju që tani keni filluar t’i bini fyllit dhe kavallit, e që e konsideroni vetën të gjithëdijshëm sa që mendoni se e njihni edhe historinë e Hasan Prishtinës: pse nuk u gjendet asnjëherë aty ku iu kërkoi vendi i juaj Palaci, Drenica, e gjithë kombi? Pse nuk erdhët në Prishtinë, Shkup e së fundi edhe në Tiranë kur u përjetësua në bronz Hasan Prishtina? Ju llafazanë që zbuloni histori të reja pse nuk  sollët  dëshmi  të reja për figurën e Hasan Prishtinës për t’ia shtuar faqet librit të kumtesave, ku e gjithë elita shqiptare dhe ndërkombëtare shkriu dijen për këtë figurë madhore në sallën e Kuvendit të Qairit (Shkupi i vjetër) të  Shkupit të Hasan Prishtinës. 
Ja edhe disa të dhënat të tjera: kur para luftës së fundit Aliukaj, nga rrjedh edhe unë, deklaroheshim ashtu siç jemi pasardhës legjitim të Hasan Prishtinës, në atë kohë kumbarët e shkieve heshtnin bashkë me strajcat e tyre që i shërbyen si rrogëtarë të denjë sistemit famëkeq serb për 50 vite me radhë në funksione si: kryetarë gjyqesh apo pjesëtarë  të UDB-së edhe gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së  e deri  milicë  të privilegjuar, e që sot disa nga ta janë bërë miq me disa familje  me bagazh kombëtar dhe si rrjedhojë i japin të drejtë vetës që të futen nën ombrellën e kompletuar të figurës së ndritur të kombit shqiptar, Hasan Prishtina. Në mesin e këtyre që po flas, kishte edhe të atillë që ditën fshiheshin nën petkun e UÇK-së, kurse natën raportonin në policinë  dhe ushtrinë serbe të stacionuar në lagjet e tyre deri sa i vranë për t’jua  bërë me dije se nuk mund të bëhen më serbë se sa  serbët. Disa nga ata po t’ju bëhej ndonjë kontroll edhe sot e kësaj dite ndoshta do t’ju gjenden nëpër shtëpitë e tyre rripat e ushtrisë së shkaut, apo siç kanë dëshirë t’i thërrasin ata “opasaq”.
Një fjalë e urtë e popullit thotë: “buka e jote të vret”. Kështu më ndodhi edhe mua me disa nga fqinjë të mi të fshatit Palac, të cilët gjatë viteve te 90-ta bridhnin rrugëve të Evropës si refugjatë në Munich, ku punoja si përkthyes gjyqësor dhe u ndihmoja, duke i strehuar, kurse sot më shajnë! Po, po më shajnë! Por, besoni se ky grup njerëzish, banorë të Polacit ishin gjithmonë të privilegjuar prej pushtetit dhe për këtë gjë e di e gjithë Drenica.
A e dini  ju  të mençur e të gjithëdijshëm se në vend se t’i fryni fyllit dhe kavallit keni ende rast dhe mundësi të ktheheni në rrugë të mbarë, e të kontribuoni në zbulimin e fakteve të reja, duke kontribuar në studimin e arkivave ndërkombëtare, sepse figura e Hasan Prishtinës është e pashtershme. 
Me këtë rast më duhet ta them edhe  një gjë: kur autori i emisionit “Pa rrotulla”, Milaim Zeka me tha para një kohe se nuk është mirë të kontrollohen xhenet e disave, atë dite në studio, ai mu duk i çmendur, por tash çdo ditë e më shume po bindem se kishte të drejtë. Unë kam bërë atë që kam bërë për Hasan Prishtinën,sepse si duket xheni i tij nuk po më ka lë  të qetë. Krejt në fund ua përkujtoj të gjithëve se ai që dëshiron të merret sinqerisht më figurën madhore të Hasan Prishtinë nuk i mjafton as edhe një jetë njeriu, siç nuk do të më mjafton as mua. Por, do të bëj aq sa mundem, deri në frymën e fundit të jetës sime, për vetëm një arsye: që brezat e ardhshëm të dinë se kush ishte dhe çka bëri Hasan Prishtina për kombin shqiptar dhe që fryma hasaniste të vazhdojë për sa kohë që në viset e Shqipërisë etnike bukës t’i thonë bukë e ujit ujë.

 Rivarroset trungu familjar i Hasan Prishtinës
Për  rivarrosjen  e trungut familjar të Hasan Prishtinës, të gjyshit tim, Mehmet R. Aliuka me të vëllain Miftar R.Aliuka  dhe bashkëfshatarin tonë  Bilall Smail Hoti, të tre të pushkatuar në vitin 1943 pasi u mbajtën të zënë rob në Kullën e Hasan Veliqit, ku gjatë asaj kohe ishte përqendruar shtabi partizan, u dashtë të kalojnë 70 vite. Pasi në vitin 1943  likuidohet shtabi partizan, i cili ishte i stacionuar në  kullën e Shasivar Alis në lagjen kodra të Prekazit dhe shpërbëhen qetat e Shaban Poluzhës e Mehmet Gradicës, ata pushkatohen dhe varrosen në gardhiqet e lagjes Veliqi. Më 2 korrik të këtij viti u desh që për 13 orë të gropojmë me bagerë e makineri të rëndë, gardhiqet e sokaqet e mbuluara me plehra e bërllogje deri sa më në fund i gjetëm për t’i varrosur me dinjitet dhe ceremoni mortore fetare në arkivol si i ka hije. Sot ata tre pushojnë në varret e martirëve dhe dëshmorëve të vrarë në luftën e fundit, të UÇK-së  përballë babait tim, Ferizit e axhës Idrizit. Tri gjenerata me ata të 1912 të vrarë nga dy vëllezër nuk është shumë e zakonshme, andaj dhashë zoti që këta llafazan të këqij ta kuptojnë mesazhin e të na lënë të qetë, sepse ne si familje nuk kemi dhënë edhe pak për lirinë, që sot po e gëzojmë e te punojnë sado pak në frymën  hasaniste. 

Albin Kurti: Reeker tejkaloi kompetencat e një diplomati!

Kurti: Reeker tejkaloi kompetencat e një diplomati!
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të Philippe Reekerit, i cili i ka cilësuar aktivistët e VV-së si palaço.
“U bënë më shumë se tetë vjet që ne ekzistojmë dhe zyrtarë të ndryshëm na kanë quajtur me shumë emra. Por, gjuha e Reekerit është një gjuhë e padenjë për një funksionar të tillë. Unë nuk mund të nënshtrohem kundrejt kurrfarë zyrtari amerikan. Sot është zhvilluar një trysni e jashtëzakonshme në Kosovë për Ligjin e amnistisë që fal të gjitha krimet serbe në Kosovë dhe kjo gjuhë është jo demokratike”, ka thënë Kurti në emisionin Tonight të Ilva Tares, në Ora News.
“Ne themi të vërtetën tonë. Kosovën e kanë shndërruar në cirk dhe nëse është dikush që është palaço, këta nuk janë Vetëvendosje. Ne nuk jemi kundër SHBA-ve. Ne vetëm themi të vërtetën. Ne nuk mund të nënshtrohemi që t’i pëlqejmë dikujt edhe pse flitet me një gjuhë që s’është e denjë për një funksionar të tillë. Amerika ka bërë shumë për ne, sidomos presidenti Bush, por mos të harrojmë se gjërat kryesore i kemi me arritjet tona. Ka patur 2500 të vdekur nga UÇK. Unë nuk jam kundër SHBA-ve, por jo me mungesë të vetërespektit. Nëse e bëjmë këtë atëherë nuk do të mund të kemi as respektin e as dashurinë e Amerikës”.

Qeveria sërish sfidohet për Projektligjin për amnisti

Qeveria sërish sfidohet për Projektligjin për amnisti
Qeveria e Kosovës do ta ketë sërish sfidë miratimin e Projektligjit për amnisti në Kuvendin e Kosovës. Pas dështimit të parë, ekzekutivi ka hequr nenin 3 të këtij projektligji për ta proceduar në Kuvend javën e ardhshme. Mirëpo, duket se heqja e këtij neni nuk është e mjaftueshme për ata deputetë që kanë rezerva për të votuar pro projektligjit.
Heqja e nenit 3 nga Projektligji për amnistinë, nuk do ta bindë deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani që të votojë për, në seancën kur do të shqyrtohet sërish ky projektligj. Hasani dhe disa deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës votuan kundër në seancën e së enjtes, duke bërë që Projektligji për amnisti mos të kalojë. Për të kaluar ai projektligj duhet t’i marrë dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 vota.
Deputeti Hasani tha për Radio Kosovën se përveç nenit 3 Qeveria do duhej ta hiqte nga neni 5, të gjith ato vepra kriminale që nuk janë politike. Sipas tij, nga ky nen do duhej të hiqeshin veprat penale, siç janë ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, zjarrvënia, mbajtja në pronësi e armëve, kanosja e kandidatit, parandalimi i ushtrimit të detyrës, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, tregti e ndaluar, shmangie nga tatimi, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, rrezikimi i trafikut publik, falsifikimi i dokumenteve e vepra të tjera të cilat nuk janë politike por kriminale dhe të dënueshme në gjithë botën.
“Këtu është vetëm sulmi ndaj rendi kushtetues që duhet të mbetet, kryengritja e armatosur mund të amnistohet, rrezikimi i tërësisë territoriale mund të amnistohet, janë edhe dy tri vepra, këto janë që mund të hyjnë pjesë e amnistisë, përndryshe veprat kriminale janë të paarsyeshme, duhet të pastrohet kjo. Nëse nuk pastrohet unë nuk mund ta votojë këtë ligj”, tha Hasani.
Në seancën e së enjtes, përveç Hasanit, nga PDK-ja kundër ka votuar edhe deputetja Lumnije Morina, ndërsa Hydajet Hyseni ka abstenuar. Po ashtu, si pjesë e koalicionit qeverisës, kundër projektligjit ka votuar edhe deputetja e AKR-së, Suzan Novobërdali. LDK-ja i ka dhënë mbështetje projektligjit, por ndryshe nga grupi parlamentar kanë votuar Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Kimete Bytyçi, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projektligj, ndërsa Lutfi Haziri ka abstenuar.
Ky i fundit thotë se neni 5 është i panegociueshëm sa i përket mundësisë së ndërrimit, por pjesa tjetër e projekligjit duhet të garantojë që drejtësia në Kosovë nuk do të dëmtohet nga amnistia.
“Kjo amnisti duhet të fitojë besimin e njerëzve, besimi i njerëzve mandej reflektohet edhe përmes votimit të deputetëve që besoj se në seancën e ardhshme mund ta arrijë mbështetjen e madhe, por unë jam nga ata që dua ta shoh projektligjin, dua të diskutojë dhe t’i gjejë arsyet e mia në mënyrë që vërtetë të besoj edhe në votim”, tha Haziri për Radio Kosovën.
Vetëm një ditë pasi në Kuvend dështoi miratimi në parim i Projektligjit për amnistinë, Qeveria riprocedoi këtë projektligj. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se është hequr tërësisht neni 3 dhe të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje.
Ndryshe, Projektligji për amnisti buron nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në Bruksel nga kryeministrave të të dy vendeve më 19 prill.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, fajëson pozitën për mosmiratimin e projektligjit për amnistinë

Mustafa fajëson pozitën për mosmiratimin e projektligjit për amnistinë
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka fajësuar pozita për mosmiratimin e Projektligjit për amnistinë. Sipas tij, disa deputetët e PDK-së dhe partive të tjera në pushtet kanë munguar në seancë kur është votuar ky projektligj. Ndërsa arsyeja e votimit të LDK pro këtij ligji, sipas Mustafes ka qenë duke kërkuar që këtij ligji t’i hiqet neni 3, të fuqizohet neni 5, që të mos amnistohen veprat e vrasjes apo lëndimeve trupore.
Ai në një intervistë për televizionin publik ka thënë se duhet të ngushtohen dhe racionalizohen veprat të cilat amnistohen, të adresohen qartë problemet, dhe zbatimi të jetë valid për vepra të njëjta për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sa i përket mbështetjes së këtij subjekti politik të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mustafa ka thënë se mbështetja bazohet në caktimin e disa kornizave sa i përket integritetit, sovranitetit dhe nëse nuk e preket rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ai ka folur edhe për çështjen e veriut, duke thënë se ajo problematikë është e të gjithë politikës në vend, dhe se në veri për 15 vjet nuk është arritur asnjëherë të ushtrohet pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ i institucioneve të Kosovës, prandaj ka thënë se ja vlen ta zgjidhet ai problem.
“Pjesa e veriut do të integrohet vështirë në qoftë se serbët që jetojnë në veri nuk besojnë se ata nuk do të burgosen, nuk do të keqtrajtohen, se ata nuk do të merren nesër me gjyqësinë, janë disa forma të cilat nuk po i aplikojmë për herë të parë, i kanë aplikuar edhe shtetet tjera, i ka aplikuar edhe Maqedonia edhe Serbia, edhe shtetet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Mustafa.
Mustafa thotë se janë bërë lëshime në Bruksel, sa i përket hapjes së gjykatës në veri të vendit, pasi që nuk dihet se si mund të funksionojë, mënyrës së emërimit të komandantit të Policisë së Kosovës, e që sipas Mustafës mungon baza ligjore sa i përket mënyrës së përzgjedhjes se këtij komandanti.
Sa i përket ditës kur u votua marrëveshja, Isa Mustafa ka thënë se protesta është e lejuar në demokraci, por assesi të pengohet puna e kuvendit dhe e deputetëve, dhe veçmas pengimi i diplomatëve të huaj. Miqësia me ShBA, sipas Mustafës është edhe interes i qytetarëve të Kosovës.
Kreu i LDK-së ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndihmës zëvendëssekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker, kanë kërkuar që Kosova të shfrytëzojë rastin për arsye se Serbia po kushtëzohet në realizimin dhe implementimin e marrëveshjes, dhe se ShBA nuk shprehë dyshim në kohezionin e forcave politike në Kosovë. Me Reeker, ai thotë të ketë diskutuar edhe sa i përket datës së zgjedhjeve për të cilën Mustafa thotë se është datë e vonshme.
“Unë sot ja shtrova këtë edhe zotit Reeker, ai tha se problemi themelor është që praktikisht marrëveshja është vonuar, sepse po të bëhej marrëveshja dy muaj përpara atëherë çdo gjë do të ndodhtë dy muaj përpara edhe me kalendarin e zgjedhjeve”, ka thënë ai.
I pari i LDK-së, Isa Mustafa , është shprehur se janë të pakënaqur me datën e caktuar për zgjedhjet lokale, sepse sipas tyre është e pakuptimtë që zgjedhjet të shtyhen kur dita shkurtohet.
Ai thotë se patën marrë premtime nga presidentja se do t’i shpallë zgjedhjet në fund të shtatorit ose gjatë tetorit. Objektivisht qytetarët e kanë më lehte të dalin për të votuar, sipas Mustafës dhe do të llogariteshin si zgjedhje më të pastra dhe kontrolluara kur votohet në dritë, sepse shpesh ka ndodhur të ketë probleme me energji elektrike. Sipas tij mbajtjen e zgjedhjeve kur dita është më e gjatë e praktikojnë shume shtete demokratike.

Behar Selimi , ish shef i Policisë së Kosovës, e ka pasur “nën komandë” Nenad Gjuriqin:Nenad Gjuriq do të duhej të ndiqej penalisht

Selimi: Nenad Gjuriq do të duhej të ndiqej penalisht
Behar Selimi , ish shef i Policisë së Kosovës, e ka pasur “nën komandë” Nenad Gjuriqin. Për bindjen e tij, Gjuriq që tani është emërtuar drejtor policor i katër komunave të veriut, do të duhej të ndiqej penalisht.
Selimi i cili tani është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, ka thënë se gjatë gjithë kohës sa Gjuriqi ka qenë në Policinë e Kosovës u ka shërbyer vazhdimisht strukturave paralele serbe. Mirëpo, rrethanat politike sipas tij kanë imponuar që ai jo vetëm të mos ndiqet, por të kthehet në Policinë e Kosovës.
“Ai në kohën time, u ka shërbyer me besnikëri strukturave ilegale në veri, prandaj edhe është emëruar. Emërimi i tij është politik, prandaj duhet vlerësuar në këtë kontekst. Ndryshe në rrethanat normale, besojë që nuk do të emërohej nga MPB-ja”ka thënë Selimi.
Selimi ka thënë se në rrethanat tjera, të shtetit që s’ka nevojë nevojë të negociojë asgjë të brendshme, me sovranitet të plotë, ai jo vetëm që nuk do të kthehej, por edhe do të ndiqej penalisht. Megjithëkëtë, rrethanat e Kosovës, sipas tij janë krejt ndryshe dhe vendimet si ky kapërcejnë standardet që kërkohen nga procedurat. Por edhe kërkesat ligjore, në emër të qëllimeve strategjike shtetërore.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani:Nuk do ta votoj Projektligjin për amnistinë

Hasani:Nuk do ta votoj Projektligjin për amnistinë
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani po e sfidon Qeverinë Thaçi. Ai tha se nuk do të votojë Projektligjin për amnistinë edhe pas heqjes së nenit 3. Ai vlerëson se ky Projektligj është shumë i dëmshëm për Kosovën. “Unë jam kundër këtij Projektligji, prandaj edhe pas ndryshimit do të votoj përsëri kundër”, tha Hasani
Qeveria e Kosovës dje ka miratuar Projektligjin për amnistinë, duke hequr nenin 3. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë ndryshimi është arritur në harmoni me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës me 70 vota për, 21 kundër dhe 2 abstenime nuk ka arritur të kaloj në lexim të parë ky Projektligj, pasi që janë dashur 2/3 e votave të deputetëve. Kurse gjatë debatit një pjesë e deputetëve kanë kërkuar heqjen e nenit 3 nga ky projektligj.
Deputeti i PDK-së, Hasani tha, se ky Projektligj edhe pas heqjes së nenit 3 ka shumë të meta, të cilat do të dëmtojnë inversin e përgjithshëm të Kosovës.
“Në atë Projektligj përveç veprave politike në kundërshtim me rendin kushtetues janë dhe kontrabanda, droga, duhani, nafta dhe të gjitha krimet e tjera, prandaj asgjë nuk u ndryshuar”, tha Hasani. Ai tha se në këtë Projektligj nuk hyjnë edhe luftëtarët e UÇK-së.” Përderisa nuk hynë edhe shokët e mi qe janë në burgje e nën hetime vetëm pse kanë bërë luftë çlirimtare dhe e kanë cliruar Kosovën nga Serbia, unë do të votoj kundër “, tregoi Hasani.
Sipas tij në këtë Projektligj duhet të hiqet ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, zjarrvenia, mbajtja në pronësi dhe kontroll i armëve, moslajmërimi i veprave penale, dhënia e ndihmës së veprës penale, keqpërdorimi i autorizimeve, shmangia nga tatimet, heqja e instalimeve publike, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, tregtia e ndaluar, rrezikim i trafikut, falsifikim i dokumenteve, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës, dispozitat penale të kodit doganor, mashtrimi nga taksat e importit të akcizës, dhe produktet e akcizës.”Këto vepra dhe disa të tjera nuk janë politike dhe nuk kanë të bëjnë më marrëveshjen.Këto janë hajni dhe kontrabandë”, tha Hasani.
Sipas tij, me këtë Projektligj të amnistisë, Serbia po del shtet i së drejtës.” Me këtë Projektligj Serbia po del si shtet i së drejtës, ndërsa ne si njerëz kriminal që kemi luftuar kundër Serbisë”, tha Hasani.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...