2013-07-15

Prokurori italian i EULEX-it, Maorizio Salustro shumë shpejt mund të lirohet nga rasti i “Grupit të Drenicës”.

Shtyp mbi foto për përmasat origjinale

Emri: largea_salustro1370352459.jpg
Shikimet: 2
Madhësia: 24,7 KB
NNJ: 4881

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Jahir e Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, kanë shprehur mosbesim ndaj Salustros dhe kanë kërkuar ndërrimin e prokurorit.

Burimet brenda EULEX-it kanë deklaruar se Misioni e ka pranuar ketë shqetësim dhe është duke bërë përpjekje që në vend të Salustros të sjellë një prokuror kanadez.

Edhe pse “Grupi i Drenicës” është i shprendarë në qendra të ndryshme paraburgimi, të njëjtit në mënyrë unike nuk i besojnë fare italianit.

Ish-komandantët e Zonës Operative të Drenicës, deri më datën 24 të këtij muaji do të qendrojë nën masën e paraburgimit, ndërsa avokatët e të dyshuarëve kanë paralajmëruar ankesë për mbrojte të ligjshmerisë në Gjykatën Supreme.

Kjo është shpresa e fundit që të dyshuarit të lirohen nga paraburgimi prej një muaji, pasi që vendimi tashmë ka marrë formën e prerë.

Derisa Lushtaku me bashkëfshtarin e tij, Sahitin, ndodhen në burgun e Dubravës, ambasadori Selimi është dërguar në burgun e Lipjanit. Ndërsa të dyshuarit tjerë nga ky grup janë të shprendarë në burgun e Prishtinës dhe në Gjilan.

EULEX: Dëshmitarët nuk janë të mbrojtur sa duhet



Mbrojtja e dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, gjatë një procesi të ndjeshëm gjyqësor, nuk është e kënaqshme në Kosovë, vlerëson misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit, i cili nënvizon se shumë prej atyre që vendosën të folën, nuk janë më. Pa dashur të ndërlidhet me asnjë rast specifik, EULEX sqaron se çështja e kërcënimit të dëshmitarëve dhe programet e mbrojtjes së tyre janë larg të qenit funksionale.

“Ka pasur shumë raste kur dëshmitarët janë vrarë apo janë kërcënuar, ose familjet e tyre janë frikësuar, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodh edhe në vendet evropiane. Situata në Kosovë nuk është e kënaqshme, janë ndërmarr hapa nga autoritetet për të ofruar më shumë mbrojtje për dëshmitarët. Por, kjo do të merr kohë [derisa të ndodh]. Gjithkush e di se përmirësime të mëdha duhen bërë, në mënyrë që të ecën para dhe zhvilloj këtë fushë, sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë për Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Françoise Lambert.

Përkundër mungesës së këtij standardi thelbësor, në ofrimin e mbrojtjes së dëshmitarëve të rëndësishëm, misioni evropian thotë të ketë një program funksional brenda dhe jashtë Kosovës, që e përbëjnë njerëz me përvojë në këtë fushë, siç thonë në EULEX, “jashtëzakonisht të ndjeshme”.

“Programet e mbrojtjes së dëshmitarëve, janë të komplikuara. Ka nivele të ndryshme të mbrojtjes, që ofrohen në kohë të ndryshme, dhe për njerëz të ndryshëm. Nuk është vetëm një standard i thjeshtë. Ato përpilohen në bazë të nevojës së njerëzve dhe nivelit aktual të rrezikut. Dhe gjithmonë, dëshirat dhe urimet e tyre janë prioritet absolut”, sqaron Lambert.

Shtatë ish-ushtarak të lartë të UÇK-së, janë paraburgosur të shtunën për shkak të mundësisë për të ndikuar tek tetë dëshmitarë sa janë në procesin e hapur rishtazi gjyqësor për krime lufte, kundër rastit të njohur si Grupi Drenica.

EULEX sqaron ndërkaq se nuk komenton as për një rast që ndodhet në hetime, por se programi që përdor për mbrojtjen e dëshmitarëve po testohet në vazhdimësi, dhe se “shumë njerëz e kanë provuar, dhe po e provojnë!”.

“EULEX-ia ka zhvilluar këtë program, në mënyrë që t’i ndihmojë Kosovës që të merret me disa prej rasteve gjyqësore më të vështira dhe më sfiduese”, ka theksuar Françoise Lambert.

EULEX'i vazhdon arrestimet

Misioni Europian për Sundim të Ligjit ka arrestuar të mërkurën një shqiptar nga Mitrovica si të dyshuar për krime lufte.

"Policia e EULEX-it nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës (WCIU) sot ka arrestuar një person i cili akuzohet për krim të luftës kundër popullatës civile sepse pretendohet që ai e kishte përdhunuar një shqiptare të Kosovës gjatë konfliktit në Kosovë.

Arrestimi ishte urdhëruar nga një gjykatës i EULEX-it nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK)" thuhet në njoftim.

Sipas Kosovapress, i arrestuari është Shefki Hyseni. Ndërkohë Rafet Ibishi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së zona operative e Shalës, ka thënë se personi i arrestuar nga ana e EULEX-it nuk ka lidhje me UÇK-në dhe se s’ka të bëjë asgjë me luftën.

EULEX e ka gjetur vrasësin, por jo viktimen



Një supermen ekziston në Kosovë, sipas Sami Lushtakut, në bazë të të cilit janë ngritur shumë raste hetimi. Para gjykatës ai ka thënë se në bazë të dëshmive të këtij personi janë ngritur aktakuza për krime lufte, përfshirë rastin e fundit të “Grupit të Drenicës”.

Ai është personi me inicialet J.B., emri dhe posti, i njohur për redaksinë, por i cili është dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it. “E kam rastin e dytë ku ai e ka gjetur vrasësin, por jo viktimën dhe për këtë unë tashti jam në burg. Kjo ndodh vetëm me mua dhe EULEX-in, sepse nuk ka rast të tillë në të gjithë botën”, ka deklaruar Lushtaku, transmeton KTV.

Në fjalën përfundimtare në rastin e BIRN-it kundër tij, Lushtaku ka thënë se Jeta Xharra ka inate personale me të. Që të lirohen nga të gjitha akuzat kanë kërkuar edhe të të akuzuarit e tjerë në këtë rast. Por, përfaqësuesja ligjore e BIRN-it ka kërkuar që Lushtaku dhe të tjerët të burgosen, duke nisur kështu edhe fazën ku ata që kërc

Arrestimi i heronjve dhe fushata e Tiranës!


Ilir Kulla

Tirana politike është dalldisur keq pas zgjedhjeve të 23 qershorit, aq keq, sa ajo shprehja popullore “Fshati digjet dhe kurva krihet” është shprehja që i shkon më për shtat situatës që vërtet po ndizet javën e fundit në rajon, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni. Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur këtë javë, të cilat kaluan totalisht në heshtje nga politika e ditës në Tiranë, qoftë nga opozita, qoftë nga qeveria. E para, arrestimi i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i cili, veç të tjerave, është edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, si dhe i pesë komandantëve të tjerë të rëndësishëm, të gjithë bashkëpunëtorë dhe miq të ngushtë të Kryeministrit Hashim Thaçi. Arrestimi i tyre nën emërtimin “Grupi i Drenicës”, në fakt është arrestim për luftën e lirisë më 1998-1999. Çështja e dytë ishte prishja e Samitit të Ohrit, ku si pasojë e presioneve që bën Serbia politike, nuk u ftua në këtë Samit Presidentja Jahjaga si përfaqësuese e Kosovës dhe Samiti u prish pas bojkotit të Presidentit Nishani, Presidentit të Kroacisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Kishte që në kohën e Millosheviçit që nuk ndodhte një ngjarje e tillë.

* * *

Nëse do të kishte qenë gjallë Adem Jashari, do të kishte qenë një ndër të arrestuarit e Grupit të Drenicës, se në fakt në ka pasur ndonjëherë Grup Drenice, grupi i parë ka qenë ai i Adem Jasharit dhe akuzat e para kundër këtij grupi i ngriti Prokuroria e Serbisë, duke e akuzuar për krime. Nën këtë pretekst u dërguan trupat për të arrestuar Adem Jasharin në Prekaz, kur u bë masakra e famshme, që është edhe fillimi i epopesë kombëtare të UÇK-së. Nëse është kështu, që prokurorët e Misionit Europian të Ligjit në Kosovë do të arrestojnë këdo që ka mbajtur uniformën e UÇK-së gjatë luftës dhe duan të “arrestojnë” luftën më fisnike të kombit shqiptar, le ta bëjnë, por nuk mundet që nën petkat e një integrimi fiktiv dhe jo realist shqiptar politika shqiptare të heqë të mbathurat dhe të lejojë të përdhunohet frikshëm historia jonë e përbashkët e të lejojë të përdhunohet egërsisht historia jonë e largët dhe e afërt, historia e Adem Jasharit, e Fehmi Lladrovcit dhe Shkëlzen Haradinajt e mijëra dëshmorëve dhe heronjve të tjerë, shokë e bashkëpunëtorë të komandantit të UÇKsë, Sulejman Selimit, si dhe historia e të gjithë të arrestuarve ndër vite, nga Rramushi te Fatmir Limaj e deri tek ushtarët e thjeshtë tashmë të vdekur. Nëse duan të arrestojnë historinë, le ta arrestojnë e ta përdhunojnë atëherë…

* * *

Kemi parë pafundësisht skena patetike ku politika e Tiranës, e majtë dhe e djathtë, me lotë krokodili vrapon të marrë pikë e të përfitojë kredite politike duke përdorur historinë e lavdishme të UÇK-së. Kemi parë Majkon që dhe pak do duket sikur e ka çliruar ai Kosovën, i cili s’ka thënë asnjë presje për këto arrestime. Kemi parë Berishën, Kryeministrin e vendit, gjithashtu i përhumbur në fushatë, fshat më fshat, si kryetar komune. Kemi parë Ramën, i cili me Rilindjen e me ngjyrat e ndryshuara të partisë së vet nuk e kupton që për t’u sjellë si kryeministër duhet të merresh me çështjen kombëtare si një Kryeministër, se Kosova është më e rëndësishme se muzika e çingijeve të Tiranës. Kemi parë Metën që ka qenë aktor politik kryesor në ato vite kur bëhej lufta e Kosovës, i cili hesht, madje na janë zhdukur nga qarkullimi Kreshnik Spahiu, Shpëtim Idrizi e Fatmir Mediu, që në programet e tyre trumbetojnë me të madhe “kauzën kombëtare”. Së bashku me Presidentin Nishani, të gjithë këta janë zhdukur dhe strukur pas fushatës elektorale. Vetëm po të vijë EULEX-i t’i arrestojë në Tiranë, rrezik lëvizin nga vendi politikanët tanë.

* * *

Që klasa politike në Serbi është më koheze dhe e qëndrueshme se klasa jonë politike, kjo dihet. Që serbët i mbronin ata që me të vërtetë ishin kriminelë lufte në Bosnjë, të cilët edhe pas 15-20 vitesh me zor i dorëzoi, edhe kjo dihet. Që kroatët e kanë zot mbi tokë gjeneral Ante Gotovinën, edhe kjo dihet. Që boshnjakët e kanë gdhendur në histori emrin e Alia Izetbejgoviçit, themeluesit të shtetit të tyre, edhe kjo dihet, por që klasa jonë politike nuk guxon të përmendë emrin e UÇK-së dhe të komandantëve vërtet legjendarë të saj se ka frikë nga burokratët e EULEX-it, kjo vërtetë nuk dihej. Por kjo vërtet tregon se luftërat i bëjnë heronjtë, të cilët i adhuron populli, i administrojnë dallaveraxhinjtë dhe frytet e tyre i gëzojnë vetëm maskarenjtë dhe tradhtarët.

Ivan Bulatoviçi i tmerrshëm për të cilin akuzohen "Grupi i Drenicës"




Ivan Bulatovic, për vrasjen e të cilit po hetohen nga EULEX’i Sabit Geci e Sahit Jashari, ka qenë tmerri i gjithë Drenicës. Pos torturave psikike, ai ka rrahur shumë banorë të Drenasit me rrethinë, kurse të tjerët i ka dëmtuar materialisht. Express sjell rrëfimin e disa prej njerëzve që vuajtën për plot tri vite nga ish-zëvendëskomandanti i policisë serbe të Drenasit.

Ivan Bulatovic është emri që do ta mbajnë gjatë në kujtesën e tyre banorët e Drenicës. Jo për mirë, por për tmerret që kane përjetuar nga ai. I ardhur nga Mali i Zi që nga viti 1996, Bulatovic ka ushtruar për më shumë se tri vjet terror në këtë trevë e banuar kryesisht me shqiptarë.

Bëri çfarë deshi me ne. Ky është kujtimi i parë që u vjen në mend banorëve për ish- zëvendëskomandantin serb të stacionit policor të Drenasit (ish-Gllogovcit). Dikush u rrah me dhjetëra herë prej tij, disa paguan çdo gjë që ai hëngri nëpër kafiteri. E madje ka shumë prej tyre që u detyruan t’ia japin makinën sa herë që ai kishte për të shkuar në vendlindjen e tij, në Mal të Zi. Kryesisht ka maltretuar zejtarët e asaj ane për qëllime të përfitimeve materiale.

Njeri prej shumë banorëve është Bedri Elezi. Sa herë që i kujtohet ajo kohë, Bedriu thotë se është e pamundur të mos i bie ndërmend Bulatovici.

“Mbi tri herë më ka rrahur keq. Edhe sot vuaj nga veshkat për shkak të rrahjeve që kam marrë nga ai njëri”, rrëfen Bedriu për Express.

Ai thotë se gjitha herët që Bulatovici ka ushtruar dhunë mbi të kanë qenë pa pikën e arsyes.

“Ai të ka rrahur vetëm pse nuk i ke pëlqyer si fytyrë. Unë kam pas një çajtore në qendër të Drenasit, ai ka ardhur e ka pirë çaj e kurrë nuk ka paguar. Kështu ka bërë me të gjithë, ka pas autoritet”, thotë Bedriu.

“Dhe nuk gënjej, të gjithë i jemi frikësuar, sepse një krimineli siç ka qenë ai normalisht që është dashur t’i frikësohesh”.

E përjetime të njëjta nga po i njëjti njëri ka edhe Enver Istogu nga fshati Polluzhë. Thotë sa e sa herë është detyruar t’ia jap makinën Bulatovicit vetëm pse atij i tekej t’ia merrte.

“Dhe e mbaj mend njëherë që ia pata kërkuar makinën time. Ma dha alltinë e tij dhe më tha se makinën nuk ta jap sepse i duhej për të shëtit”, kujton Enveri.

“Kjo dhunë psikike që ka ushtruar ndaj nesh është më keq sesa të na kishte rrah. Unë për shkak të presioneve jam detyruar të ik nga Drenasi për në Polluzhë ku jetoj edhe sot”.

Megjithëse jo të gjithë iu nënshtruan frikës që kishin ndaj Ivan Bulatovicit. Ndryshe prej Bedriut, Enverit dhe gjithë banorëve të tjerë të Drenasit dhe fshatrave përreth, që sa herë që shihnin ish-komandantin në rrugë fshiheshin, Gani Leku doli më trim.

Ganiu është i vetmi njëri që guxoi ta rrah Bulatovicin.

“Shumë familje kanë heq prej tij në të gjitha format. Nuk gënjej njëjtë kam heq edhe unë”, tregon Ganiu.

Ai i rezistoi të gjitha provokimeve dhe torturave të ish-zëvendëskomandantit, deri në shkurtin e vitit 1997.

“Ishte në kafe dhe kërkoi që t’ia paguaj pijet... Kështu ka bërë çdo herë, derisa një ditë më tha se më ka ardhur radha mua që të më rrah”, vazhdon rrëfimin e tij Gani Leku.

“Mbaj mend që kam dalë prej kafesë e ai ka dalë pas meje. Kam shfrytëzuar turmën aty që të sjell mbi të”.

Ishte kjo arsyeja që Ganiu u detyrua që pas asaj nate të largohet nga Drenasi për afër dy ditë të tëra.

“Ai ka qenë kriminel dhe normalisht që e dija se çfarë ai ishte i aftë të bënte. Megjithëse ajo natë m’u kthye. Më mori policia në stacion dhe bashkë me të më rrahën aq shumë, saqë nuk kishte vend ku nuk ndjeja dhembje”, pohon ai.

E derisa rrëfenin gjithë ato që këta tre dhe të gjithë banorët e asaj pjesë të Kosovës kanë përjetuar, për shkak të njeriut që erdhi nga Mali i Zi për të marrë postin e zëvendëskomandantit të policisë në Drenas, ndiejnë keqardhje për një gjë të vetme.

Atyre u vije keq që tash 15 vite pasi ka përfunduar lufta, disa ish-luftëtarë që kontribuan në çlirimin e Kosovës, po vuajnë për shkak të njeriut i cili ushtroi torturë mbi Drenicën.

“Ne nuk kuptojmë diçka. Si mund të akuzohet dikush që e vrau Bulatovicin kur ne jemi me qindra dëshmitarë të krimeve që ka bërë ai njeri”.

“Po të mos e kishin vra ata do ta vrisja unë personalisht”, tha Bedri Elezli, njëri prej njerëzve që u rrah plot tri herë nga Ivan Bulatovici.

Vuajtjet e banorëve nga ky zëvendëskomandant filluan që nga viti 1996, e deri ditën kur ai u mor prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa po udhëtonte me tren nga Drenasi për në Prishtinë. Tash 15 vjet pas luftës dyshon se Bulatovic u vra nga Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të paktën kështu thuhet në dokumentet të cilat ngjajnë në një aktakuzë për krime lufte kundër disa ish- komandantëve dhe ushtarëve të UÇK’së.

Misioni i EULEX, më saktësisht prokurori italian i këtij misioni Maurizio Salustro, ka hedh akuza të rënda mbi të ashtuquajturin “Grupi i Drenicës”. Në mesin e të dyshuarve për krime lufte është edhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Sabit Geci, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli. (Lirita Halili

Sa për kujtesë ambasadorit rus, zotit Leonid Abramov


Prof.dr.Eshref Ymeri



Rusia duhet t’i kërkojë ndjesë kombit shqiptar

Përmes faqes së internetit “info Albania” të datës09 korrik 2013, u njoha me intervistën që moderatorja e emisionit “Shqip” të TV Top Channel, znj. Rudina Xhunga, i kishte marrë ambasadorit rus në Tiranë, zotit Leonid Abramov.

Që në përgjigje të pyetjes së parë, zoti Abramov, ndër të tjera, deklaronte:
“Rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”.
Këto fjalë më kujtojnë pikë për pikë një deklaratë të njërit prej paraardhësve të zotit Abramov, atë të ambasadorit Prishepov.

Në gazetën “Shqip”të datave 23 dhe 24 dhjetor 2006, qe botuar një intervistë e ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë, zotit Aleksandër Prishepov, dhënë gazetarëve Aida Harka dhe Leonard Mitro. Në atë intervistë ai, midis të tjerash, deklaronte:
“…shqiptarët dhe rusët kanë ndjenja historikisht miqësore ndaj njëri-tjetrit”.
Me sa duket, zotërinjve ambasadorë të Federatës Ruse në Tiranë, u qenka bërë mani për të përsëritur tënjëjtën frazë stereotipe për punën e të ashtuquajturës miqësi mes rusëve dhe shqiptarëve.

Meqenëse zoti Abramov po përsërit të njëjtën gjë, e quaj të arsyeshme të ndalem në deklaratën e tij, pasi e vërteta historike qëndron krejt ndryshe për punën e “miqësisë” së rusëve ndaj shqiptarëve.

Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika ruse, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky qëështë kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptaret’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare”(Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

Së dyti,kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës.

Kështu,më 27 tetor (9 nëntor) 1912,në një telegramsekret qëi dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

“Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë”(Citohet sipas librit:“Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”.Moskë 2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi.

Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”.Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).
Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës së Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾ e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.

Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka patur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:
“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129).

Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që o mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë.

Së pesti,në një bisedë që J.V. Stalini ka patur në muajin shkurt të vitit 1948 me një delegacion tëPartisë Komuniste të Jugosllavisë, të përbërë nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, është zhvilluar një dialog. Me këtë rast, M. Gjilasi kujton deklaratën e Stalinit:

“- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!
Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij… Unë përsëri fillova t’i shpjegoja:
- Nuk duam ta gëlltisim, por të bashkohemi.
Këtu ndërhyri Molotovi:
- Po, kjo do të thotë ta gëlltisni.
Ndërsa Stalini - përsëri me gjestin e tij:
- Po, po, ta gëlltisni. Dhe ne jemi dakord me këtë, ju duhet ta gëlltisni Shqipërinë, dhe sa më shpejt aq mëmirë” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dheKosova.(Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104.
Pra, Stalini e ka deklaruar shkoqur se Shqipëria nuk paraqiste kurrfarë interesi për Rusinë, prandaj ajo duhej gëlltitur prej Jugosllavisë.
Por Stalini u kujtua për Shqipërinë vetëm atëherë kur Titoja i ktheu krahët dhe Jugosllavinë e orientoi drejt Perëndimit. Gjatë viteve 1948-1960 pati një intensifikim të marrëdhënieve të Rusisë me Shqipërinë, të cilat u konkretizuan në shumë fusha. Por si nxitje për ato marrëdhënie nuk u bë kurrsesi ndonjë “miqësi” që rusët “ushqenin” për shqiptarët. Përkundrazi. Në themel të atyre marrëdhënieve, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë në Ballkan, qëndronin interesat madhore të Rusisë për të pasur një bazë të fuqishme ushtarake në bregdetin shqiptar, me qëllim që të konkurronte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pellgun e Mesdheut, ku lëvizte flota e gjashtë amerikane. Dhe rusët arritën që ta ngrinin një bazë të fuqishme ushtarake në Pashaliman.
Së gjashti,siç u përmend më lart, skenat që përshkruan Sazonovi, kur opinioni publik rus, duke ushqyer “ndjenja miqësie” ndaj shqiptarëve, u ngrit peshë më këmbëkundër kombit shqiptar, duke dalë në mbrojtje të epsheve ekspansioniste të shovinizmit serbomadh pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u përsëritën 87 vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, kur aleanca veriatlantike doli në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës dhe filloi bombardimin kundër Serbisë.
Ja sesi përshkruhen ato skena:
“Siç është bërë e njohur, ajo që reagoi e para në Rusi, dhe më ashpër, ndaj agresionit të NATO-skundër Jugosllavisë, ishte “rruga”. Madje, përkundër deklaratave për gjoja pasivitetin e popullit tonë, “rruga” nuk pati ndër mend të priste kur po lëkundeshin organizatat politike. Që të nesërmen në mëngjes, pas fillimit të bombardimeve, përreth ambasadës së SHBA në Moskë, filluan të mblidhen turmat e egërsuara të njerëzve(Citohet sipas: Nikollaj Rizhkov, Vjaçesllav Tetjokin. “Golgota jugosllave”. Moskë 2002, f. 156).
Unitetin e opinionit publik rus rreth politikës zyrtare të Kremlinit, të drejtuar kundër popullit shqiptar të Kosovës, politikë kjo që merrte në mbrojtje mizoritë fashiste të Millosheviçit, masakrat e tij të egra në radhët e pleqve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur shqiptarë, e dëshmon edhe vetë Presidenti Jelcin në kujtimet e veta. Ai deklaron:
“…gjendja shpirtërore e rusëve ishte me të vërtetëtejet alarmuese, e tensionuar.Njerëzit po e vlerësonin tragjedinë jugosllave si diçka shumë serioze për ta” (Citohet sipas: Boris Jelcin. “Maratona e Presidentit (përsiatje, kujtime, përshtypje)”. Shtëpia Botuese “ACT”. Moskë 2000, f. 291).
Rezulton se mbarë opinionit publik rus, që nga Vladivostoku e deri në brigjet e Balltikut, nuk i bënin kurrfarë përshtypjesh barbaritë e shovinizmit serbomadh kundër popullit shqiptar të Kosovës. Këto barbari atij nuk i ngjallnin kurrfarë emocionesh. Me sa duket, opinioni publik rus s’kishte ndonjë kundërshtim që popullin shqiptar të Kosovës Beogradi të vazhdonte ta trajtonte si ndonjë material inert, kundër të cilit Millosheviçi kishte nisur “buldozerët” e Arkanit dhe te Sheshelit për ta rrafshuar krejtësisht.
Çudi! Po si qe e mundur që, në valën e shprehjes së dashurisë së zjarrtë të rusëve për shovinizmin serbomadh, asnjë rus i vetëm, qoftë edhe në ndonjë cep të humbur të Rusisë, nuk u bë i gjallë dhe të shprehej se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, siç deklaron zoti Leonid Abramov?! Pra, faktet dëshmojnë se deklarata e zotit ambasador është larg së vërtetës.
Së shtati, duke pasur parasysh faktin që rusët na i konsideruakan shqiptarët, demek, si “miq”, Presidenti rus, zoti Vladimir Putin, deklaron:
“Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: Dr. Islam Lauka & Prof.dr. Eshref Ymeri. “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).
Deklarata e z. Putin, me të pavërtetat që përmban, zbulon urrejtjen që ai ushqen ndaj etnisë shqiptare me shumicë dërrmuese myslimane në Evropën Juglindore. Fushatën që ndërmori aleanca veriatlantike për bombardimin e Serbisë për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zhdukja fizike prej bandave fashiste të Millosheviçit, ai, në radhët e popullit rus, e reklamon si fushatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për islamizimin e Evropës. Çdo lexues me mendje të kthjellët i shtron vetes pyetjen: po si është e mundur, xhanëm, që një deklaratë e tillë paradoksale të dalë nga goja e Presidentit të një supershteti, siç është Federata Ruse? Jam i bindur se sikur President i asaj Federate të ishte një intelektual i shquar nga radhët e inteligjencies shkencore, artistike apo letrare ruse, ai kurrsesi nuk do t’ia lejonte vetes një deklaratë të tillë. Por zoti Putin nuk vjen nga radhët e intelektualëve të tillë. Ai vjen nga radhët e KGB-së, prandaj edhe nuk ka asgjë për t’u habitur nga deklarata e tij.
Së teti,në vazhdim të deklaratës së zotit ambasador se “rusët gjithmonë i konsiderojnë shqiptarët si miq”, vijon një tjetër deklaratë e tij:
“…ajo që ka rëndësi është se ne nuk kemi probleme të karakterit politikë mes nesh.
Për fat të keq, edhe përmbajtja e kësaj deklarate është larg së vërtetës. Problemet politike mes nesh, Ministria e Jashtme Rusei reklamon në të gjitha udhëkryqet e Evropës.
Në “Gazetën Shqiptare” të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”,të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Me këtë rast, në notëprotestën ruse, të përcjellë prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Llukasheviç, theksohej:
“…idetë nacionaliste të krijimit të një “Shqipërie të Madhe”, bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë forcimin e sigurisë në rajon ndaj dhe duhet të marrin një reagim të përshtatshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Pohime të tilla, që mbështeten në logjikën mesjetare, mund të çojnë në pasoja jashtëzakonisht negative”.
Sa herë që dikush prek, qoftë edhe kalimthi, çështjen kombëtare shqiptare, që, si një problem i mprehtë politik, vazhdon ende të mbahet pezull deri tani, në Rusi fillojnë të fryjnë erëra polare. Paskëtaj, kukuvajkat ruse, që nga Paqësori e deri në Balltik, fillojnë kujamën e tyre të pafundme, në të gjitha regjistrat e politikës ruse. Tashmë kombi shqiptar ka arritur të imunizohet plotësisht nga pasojat e mundshme të korit të vajtocave ruse. Dhe për qëndrueshmërinë e këtij imuniteti, kontribut të veçantë ka dhënë dirigjenti i tyre në Kremlin.
Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbarë -viçët e politikës ruse rrahën kambanat në të gjitha udhëkryqet e kontinentit tonë se pavarësia në fjalë do të sillte si rrjedhim një reaksion zinxhir që do të shkallmonte themelet e mbarë Evropës dhe pasojat e veta do t’i kishte në mbarë botën.
Madje ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov pati deklaruar asokohe se Kosova na përfaqësuakej një vijë të kuqe, shkeljen e së cilës Kremlini nuk do ta lejuakej kurrë! Paradoksale!
Po mbushen gati pesë vjet e gjysmë që kur Kosova shpalli pavarësinë dhe nuk ndodhi asgjë. Themelet e Evropës mbeten atje ku ishin dhe mbarë bota nuk pati kurrfarë pasoje. Për inat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve kryesore të Bashkimit Evropian që e njohën shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, Rusia erdhi e u mbars mirrë e mirë nga mllefi dhe mëria që e pati kapluar keqas dhe një ditë të bukur polli dy “mijushë” të vegjël fare: pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Kjo e fundit me një popullsi prej rreth shtatëdhjetë mijë banorë. Pavarësia e Kosovës vajtocat ruse i la me gisht në gojë.
Tani që shumë figura të njohura nga radhët e intelektualëve shqiptarë, çështjen e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare tash sa vjet e shikojnë me të drejtë si themelin e stabilizimit të përhershëm politik në Evropën Juglindore, përsëri fillojnë e dalin në skenë kukuvajkat e Kremlinit.
Sikleti i kukuvajkave ruse është i dyfishtë.
Nga njëra anë, ato i tremben shkallmimit të themeleve të perandorisë ruse, e cila vazhdon të mbahet në zap me forcën e armëve. Dëshmia më e pastër vjen nga rajonet e Kaukazit të Veriut, ku është krijuar në ilegalitet Emirati Kaukazian që bashkon të gjitha republikat myslimane të atij rajoni dhe që, nën surdinë, vazhdon luftën e pandërprerë për shkëputje nga neocarizmi rus.
Nga ana tjetër, ato e ndiejnë veten të fyera dhe të poshtëruara nga ngjarjet që u zhvilluan në ish-Jugosllavi gjatë bombardimeve të NATOS kundër Serbisë, si edhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto ngjarje shënojnë dështimin përfundimtar të politikës ruse në Ballkan.
Një analist rus, dështimin e kësaj politike e ka nxjerrë në pah që në verën e vitit 1999. Ai shkruante:
“Një nga episodet më befasuese të epopesë ballkanike përcillet në deklaratën e Boris Jelcinit për “politikën e shkëlqyer që ka zhvilluar Rusia” gjatë ecurisë së krizës ballkanike, e cila na u kurorëzua me pjesëmarrjen e trupave ruse në operacionet paqeruajtëse në Kosovë. Kësisoj mund të deklarohet në dy raste: ose kur jeton në një botë imagjinare, duke humbur çdo lidhje me realitetin, ose duke i vlerësuar të gjithë bashkëqytetarët e vet, “rusët e dashur”, si budallenj me brirë. Se cila nga këto dy hamendje është më e papranueshme, kjo është një çështje e diskutueshme. Në Ballkan, politika e jashtme e Moskës pësoi një tjetër disfatë shkatërrimtare dhe, sipas gjasave, tashmë krejtësisht të pariparueshme”. (Citohet sipas: Aleksej Arbatov. “Shansi i fundit i Rusisë në Ballkan”. Botuar në “Njezavisimaja gazeta”. 15 korrik 1999).
Me sa duket, politika sedërpërlyer e Moskës kërkon ta mbajë me gajret Beogradin se “nuk do të jetë e mundur” rrudhosja e mëtejshme e trojeve serbe që banohen me popullsi rrënjëse shqiptare. Me fjalë të tjera , diplomacia dhe politika ruse, e keqlënduar nga ecja e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, kërkon të vetëngushëllohet me aksionet që ndërmerr kundër kombit shqiptar, duke u shtirur sikur nuk po i bie në të, që edhe Beogradi po i kthen krahët përfundimisht.
Kjo politikë, domosdo “largpamëse”, mundohet, gjithashtu, t’i gjendet pranë politikës së Grujevskit, për ta ngrohur këtë me shpresën se uniteti i Maqedonisë nuk do të cënohet në perspektivë nga prania e etnisë së madhe shqiptare në të, paçka se bashkëjetesa e saj me etninë maqedonase të kujton atë të vajit me ujin.
Duhet të jesh domosdo politikan rus që të deklarosh se aspirata e popujve për ndërtimin e një shteti kombëtar, me një stemë dhe një flamur, na qenka politikë mesjetare! Politikë mesjetare është politika ruse, e cila popujt e Kaukazit dhe të etnive të tjera joruse, vazhdon t’i mbajë nën zgjedhën e vet, pikërisht si në kohën e carizmit.
Së nënti, lidhur me pyetjen e zonjës Xhunga për marrëdhëniet ruso-shqiptare, zoti ambasador deklaron:
“Për fat të keq, e njohim pak Shqipërinë moderne dhe shkaqet janë te mosmarrëveshjet e Hoxhës dhe Hrushovit. Për faj të tyre, u dëmtua edhe Shqipëria edhe Rusia, sepse na iku një ndër aleatët tanë në rajonin e Ballkanit.
Por pak më poshtë, zoti ambasador e çliron nga faji Hrushovin tërësisht, duke ia lënë atë në derë vetëm Enver Hoxhës. Ai deklaron:
“Rusinë dhe Shqipërinë prej kohësh i bashkonin marrëdhënie të mira që nëvitet ’50 dhe dy popujt nuk kanë faj që Hoxha prishi marrëdhëniet”.
Me këtë deklaratë, zoti ambasador i bie në qafë pa të drejtë Enver Hoxhës dhe shtrembëron një të vërtetë historike. Faji për prishjen e marrëdhënieve ruso-shqiptare nuk është aspak i Enver Hoxhës. Fajin kryesor për prishjen e atyre marrëdhënieve e kishte Hrushovi kryekëput. Prej datës 25 maj deri më 03 qershor të vitit 1959, Hrushovi bëri një vizitë në Shqipëri. Nga ajo vizitë, Enver Hoxha, me nuhatjen e hollë të një politikani të etur për pushtet, e kuptoi se ku donte të dilte Hrushovi: ai kërkonte ta zëvendësonte Enver Hoxhën me një tjetër figurë nga radhët e udhëheqjes shqiptare, ashtu siç kishte vepruar me krejt udhëheqësit e vendeve satelite të Evropës Lindore, të cilët i trajtonte thjesht si kukulla në duart e veta. Por me Enver Hoxhën i ngeci sharra në gozhdë se Enver Hoxha i tha: “ndalu beg se ka hendek!”. Pas fjalimit të Enver Hoxhës në Konferencën e 81 partive komuniste dhe punëtore që u zhvillua në Moskë në nëntor të vitit 1960, fjalim, në të cilin ai ia përplasi në fytyrë Hrushovit pikëpamjet e veta, ky i fundit mori vendimin për prishjen tërësore të marrëdhënieve me Shqipërinë, shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe prerjen menjëherë të marrëdhënieve diplomatike, duke larguar me nxitim ambasadën ruse nga Tirana. Pra, marrëdhëniet me Shqipërinë i preu përfundimisht Hrushovi dhe jo Enver Hoxha. Pas këtij vendimi të Hrushovit, në mjetet e informimit masiv rus, çdo lloj informacioni për Shqipërinë u vu në karantinë të plotë, a thua se vendi ynë nuk ekzistonte më fare në rruzullin tokësor. Asokohe ishte rasti më ideal që Enver Hoxha ta kthente timonin drejt Perëndimit. Por ai, si stalinist i betuar që ishte dhe i etur për pushtet personal, e vazhdoi rrugën edhe më larg drejt Lindjes.
Së dhjeti, kam respekt për emisionet e znj. Rudina Xhunga dhe për horizontin e saj të gjerë kulturor. Por mendoj se herë tjetër, kur të qëllojë të ftojë në intervista ambasadorë pasardhës të Federatës Ruse në vendin tonë, ajo duhet t’i kthejë ato edhe në intervista-debat, për të mos i lejuar ata të shtrembërojnë ca tëvërteta historike në raportet e Rusisë me Shqipërinë dhe, në tërësi, me etninë shqiptare në Evropën Juglindore.Ndofta zonjës Xhunga nuk i ka rënë ende në dorë libri që përmenda më lart me titull “Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”, në 321 faqet e të cilit , mbi bazën e dokumenteve origjinale, zbulohet lakuriq politika tradicionalisht e egër, armiqësore, e Rusisë kundër kombit shqiptar dhe sidomos kundër popullit shqiptar të Kosovës pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe deri në ditët tona.
Në mbyllje të këtyre shënimeve, dëshiroj të theksoj se ambasadorët rusë, para se të fillojnë të japin intervista në kanalet televizive të Tiranës, do të ishte në nderin e tyre, që, si përfaqësues të politikës së jashtme ruse, të dilnin para publikut shqiptar me një pendesë, me një ndjesë të sinqertë, për krimet e rënda që Rusia ka kryer me ndërhyrjet e veta të drejtpërdrejta dhe vendimtare për copëtimin e trojeve tona etnike, duke mbjellë farën e urrejtjes mes fqinjve tanë grekosllavë.


Sarandë, 13 korrik 2013







Varri iu mbush me manushaqe....

Skënder Cani, 70 vjeçar, flet me gjestikulacione, qesh dhe mrrolet menjëherë, për të qeshur sërish, nget
biçikletën si i çmendur, duke mos iu trembur asgjëje, siç nuk tremben dallëndyshet nga objektet e tokës dhe…

Nga RIZA LAHI

U sul i pari mes 150 të ftuarve të tij drejt një mjellme. Mjellma është bija e tij që sonte është veshur nuse.
Krejt me të bardha dhe me një fëmijë dy vjeç në dorë – simbol i dashurisë së pafund që kanë familjet shqiptare për fëmijë, për sa më shumë fëmijë, ajo, që nga dera e madhe e lokalit prej nga hyri, shkon dhe
mbështet kokën në krahët e babait që me zi po përmban lotët.

Nis vallëzimi i babit me bijën e tij që do të largohet nga foleja e vajzërisë, nga pragu i derës së vajzërisë, për në një tjetër fole. Kur mbesa e saj Rea të bëhet stërgjyshe, do t’u thotë mbeskave të bukura se e ka
mbajtur në prehër Risilda kur është bërë nuse…

“Kush është Risilda?”, do ta pyesin ato, dhe stërgjyshja e tyre do t’u tregojë foton e Risildës, duke kërcyer me babain e saj dhe mandej në krahun e nënës së saj, kësaj shkodraneje ende të bukur.

 Dhe... oh, në krahët e magjishme të dhëndrit, që sonte është princi. Në krah me princeshën e tij të veshur me të bardha. Nëse ekziston njeri në botë për një burrë, ku ai dorëzohet i tëri dhe është gati të bëjë çfarëdo sakrifice, përfshirë edhe dhënien e jetës së tij, kjo është e bija. “Vajza lind në shtëpinë e huaj/ edhe mplaket në shtëpi të vet…”

“O moj bijë të trashëgohesh/ si florinjtë e hilallekut/ për jetë të pastë të ambël babi/ siç janë shegat e Bahçallekut” Këta janë disa vargje që i reciton sonte babai; që i ka bërë vetë.

Ata që e njohin mirë Shkodrën, kanë vënë re se ky qytet prodhon edhe nga ajo kategori bardësh popullorë që, mbase nuk kanë lexuar vjersha kurrë, a, mbase dhe nuk dinë shkrim e këndim, por ama ai është në gjendje të bëjë bejte me rima precize, me rrokje e kadenca të paqortueshme, nga të cilat nuk dinë të bëjnë kushedi se sa poetë a poetesha që kanë botuar dhe libra poetikë me vargje “të lira”.

Dasmë shkodrane. Siç janë pambarim të bukura ngado dasmat shqiptare. Këndohen këngë dashurie.

Thuajse vetëm këngë dashurie shkodrane, por dhe nga të gjitha krahinat. Kushti i vetëm – që të jenë të bukura dhe t’i kenë “fjalët e bukura”. Natyrshëm, ndryshe kënga s’mbijeton dot.

Vajza dhe gra të veshura më rrobat më të bukura. Kushedi se sa prej tyre i kanë veshur sonte për herën e parë!
Babai po kërcen me bijën e tij. Ajo nuk do të flejë më në shtëpinë e babait e të nënës, ku ka qarë për herë të parë, ku ka luajtur me kukulla, ku ka hedhur shtatin e derdhur dhe ku i ka rrahur për herë të parë në gjumë zëmra e saj për dashurinë. Ajo tanimë do të vijë atje si mike. Kënga “Bien tri dajre, moj nanë/ të trija me nji
dorë/ a s’e din moj bija e nanës/ se unë nesër shkoj”. Shikoj ndonjë nuse që përlotet…
“Oh, jam e bija e Sulë Bilalit/ dranofille stambolleshë”…” Hajde Gjyle, peja Gjyle/ e gjatë/ e hollë/ e kuqe/ si mollë”...”

U shkrina si bora në shkamb/ s’begenisë me më thanë një fjalë” Vallë kur kanë rrojtur këto Lolita shkodrane. Kush ka qenë Sulë Bilali? Po Gjyla? Janë mplakur? A kanë vdekur?

Vallë ku i kanë varrezat këta vajza që ua ka ruajtur rininë kënga e popullit, që e këndojnë të gjithë? “Duda ish, e shkoi e vate/ Varri iu mbush me manushaqe”. Po kjo Dudi nga Labëria, cila ka qenë?

 Me siguri kur është martuar 2500 vite më parë vajza me Rozafa, emrin e së cilës mban kështjella buzëdrinit, kështu e kanë përcjellë. E kanëpërcjellë krahët e hekurt të të atit, për ta kaluar në krahët e atij, me të cilin vajza do të krijojë familjen e saj. “Hala nuk kena mbërritë atje ku ka shkue “bota”, me ba bashkëjetesa”, më tha një shkodran para do ditësh dhe nuk vuri re trishtimin e dhuimbejn e syve të mi.

 Kjo “Hala” nuk është mbrapa botës, . por është mrekulli i mbijetesës së familjes shqiptare. Ky shkodran i lodhur nga presione të ardhura prej varfërisë apo izolimit të dikurshëm, nukka përse ta ulë kokën, porta mbajë lart me krenari. Me krenarinë e dasmave tona,këtyre shënjtërirave që na kanë ardhur nga shekujt dhe i kemi ruajtur si sytë.

Këtyre barrierave të dhimbshme e të frikshme për t’u kapërcyer nga çiftet që duan të divorcohen. E tërë kjo festë, kjo dashuri,kjo nostalgji, ky shpenzim, këto përlotje të fshehta çojnë ujë të bollshëm vetëm te familja e shenjtë, me fëmijë dhe asesi te divorcet që kanë pushtuar kushedi se sa vende europiane dhe po na kërcënojnë përditë.

Ne vërtetë jemi të varfër, kemi standarde jo të larta jetese, por ama kemi pasuri që të tjerët i kanë humbur thuajse në mënyrë të pakthyeshme më. Nga këto pasuri është familja shqiptare, kultura, shenjtëria e fjalës së
dhënë, dashuria e sinqertë dhe e painteres…

Një emigrant shkodran, larguar prej vitesh nga atdheu, ndërsa pinte me shokë dhe kish nisur të ndjente pleqërinë, papritur vari kokën mbi tavolinë. Nga goja nisi t’i rridhte gjak. Me gjakun, i dolën dhe
këta fjalë: “Viva il Shkodra!”

Rrofshin përjetë të jetëve dasmat e popullit, tok me ritet e mrekullueshme që kanë udhëtuar ndër shekuj si ishuj të florinjtë!

Titulli i redaksise Floripress

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...