2013-07-15

Arrestimi i heronjve dhe fushata e Tiranës!


Ilir Kulla

Tirana politike është dalldisur keq pas zgjedhjeve të 23 qershorit, aq keq, sa ajo shprehja popullore “Fshati digjet dhe kurva krihet” është shprehja që i shkon më për shtat situatës që vërtet po ndizet javën e fundit në rajon, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni. Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur këtë javë, të cilat kaluan totalisht në heshtje nga politika e ditës në Tiranë, qoftë nga opozita, qoftë nga qeveria. E para, arrestimi i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i cili, veç të tjerave, është edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, si dhe i pesë komandantëve të tjerë të rëndësishëm, të gjithë bashkëpunëtorë dhe miq të ngushtë të Kryeministrit Hashim Thaçi. Arrestimi i tyre nën emërtimin “Grupi i Drenicës”, në fakt është arrestim për luftën e lirisë më 1998-1999. Çështja e dytë ishte prishja e Samitit të Ohrit, ku si pasojë e presioneve që bën Serbia politike, nuk u ftua në këtë Samit Presidentja Jahjaga si përfaqësuese e Kosovës dhe Samiti u prish pas bojkotit të Presidentit Nishani, Presidentit të Kroacisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Kishte që në kohën e Millosheviçit që nuk ndodhte një ngjarje e tillë.

* * *

Nëse do të kishte qenë gjallë Adem Jashari, do të kishte qenë një ndër të arrestuarit e Grupit të Drenicës, se në fakt në ka pasur ndonjëherë Grup Drenice, grupi i parë ka qenë ai i Adem Jasharit dhe akuzat e para kundër këtij grupi i ngriti Prokuroria e Serbisë, duke e akuzuar për krime. Nën këtë pretekst u dërguan trupat për të arrestuar Adem Jasharin në Prekaz, kur u bë masakra e famshme, që është edhe fillimi i epopesë kombëtare të UÇK-së. Nëse është kështu, që prokurorët e Misionit Europian të Ligjit në Kosovë do të arrestojnë këdo që ka mbajtur uniformën e UÇK-së gjatë luftës dhe duan të “arrestojnë” luftën më fisnike të kombit shqiptar, le ta bëjnë, por nuk mundet që nën petkat e një integrimi fiktiv dhe jo realist shqiptar politika shqiptare të heqë të mbathurat dhe të lejojë të përdhunohet frikshëm historia jonë e përbashkët e të lejojë të përdhunohet egërsisht historia jonë e largët dhe e afërt, historia e Adem Jasharit, e Fehmi Lladrovcit dhe Shkëlzen Haradinajt e mijëra dëshmorëve dhe heronjve të tjerë, shokë e bashkëpunëtorë të komandantit të UÇKsë, Sulejman Selimit, si dhe historia e të gjithë të arrestuarve ndër vite, nga Rramushi te Fatmir Limaj e deri tek ushtarët e thjeshtë tashmë të vdekur. Nëse duan të arrestojnë historinë, le ta arrestojnë e ta përdhunojnë atëherë…

* * *

Kemi parë pafundësisht skena patetike ku politika e Tiranës, e majtë dhe e djathtë, me lotë krokodili vrapon të marrë pikë e të përfitojë kredite politike duke përdorur historinë e lavdishme të UÇK-së. Kemi parë Majkon që dhe pak do duket sikur e ka çliruar ai Kosovën, i cili s’ka thënë asnjë presje për këto arrestime. Kemi parë Berishën, Kryeministrin e vendit, gjithashtu i përhumbur në fushatë, fshat më fshat, si kryetar komune. Kemi parë Ramën, i cili me Rilindjen e me ngjyrat e ndryshuara të partisë së vet nuk e kupton që për t’u sjellë si kryeministër duhet të merresh me çështjen kombëtare si një Kryeministër, se Kosova është më e rëndësishme se muzika e çingijeve të Tiranës. Kemi parë Metën që ka qenë aktor politik kryesor në ato vite kur bëhej lufta e Kosovës, i cili hesht, madje na janë zhdukur nga qarkullimi Kreshnik Spahiu, Shpëtim Idrizi e Fatmir Mediu, që në programet e tyre trumbetojnë me të madhe “kauzën kombëtare”. Së bashku me Presidentin Nishani, të gjithë këta janë zhdukur dhe strukur pas fushatës elektorale. Vetëm po të vijë EULEX-i t’i arrestojë në Tiranë, rrezik lëvizin nga vendi politikanët tanë.

* * *

Që klasa politike në Serbi është më koheze dhe e qëndrueshme se klasa jonë politike, kjo dihet. Që serbët i mbronin ata që me të vërtetë ishin kriminelë lufte në Bosnjë, të cilët edhe pas 15-20 vitesh me zor i dorëzoi, edhe kjo dihet. Që kroatët e kanë zot mbi tokë gjeneral Ante Gotovinën, edhe kjo dihet. Që boshnjakët e kanë gdhendur në histori emrin e Alia Izetbejgoviçit, themeluesit të shtetit të tyre, edhe kjo dihet, por që klasa jonë politike nuk guxon të përmendë emrin e UÇK-së dhe të komandantëve vërtet legjendarë të saj se ka frikë nga burokratët e EULEX-it, kjo vërtetë nuk dihej. Por kjo vërtet tregon se luftërat i bëjnë heronjtë, të cilët i adhuron populli, i administrojnë dallaveraxhinjtë dhe frytet e tyre i gëzojnë vetëm maskarenjtë dhe tradhtarët.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...