Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një shkrim autorial të postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka kritikuar kolumnistin Arben Idrizi.
Idrizi, në Gazetën Express kishte botuar dje kolumnen “Mbi vrasësit tjerë”, përmes së cilës i del në mbrojtje publicistit Fatos Lubonja, i cili e kishte cilësuar vrasës kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në kolumnen e tij Idrizi thotë se “pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari”, vrasës janë edhe Kadri Veseli, Ilmi Reçica, Latif Gashi, Azem Syla, Rrustem Mustafa – Remi, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu – Kamishi, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Xhabir Zharku, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi, Daut Haradinaj, Ukë Rugova, pjesëtarët e Sigurimit të Atdheut…
Lubonja kishte thënë se shqiptarët i glorifikojnë personazhet si Haradinaj, “sepse jemi një komb skizofrenikësh”. Ndërkaq, Idrizi kishte shkruar se ka skizofreni, “të atillë sa të adhurohet deri në dëlir dhe të bëhet i paprekshëm një gjest aq tragjik dhe i diskutueshëm si ai i vrasjes së Familjes Jashari”.
“Askush nuk guxon të thotë se ai që konsiderohet ‘legjendë e gjallë’, ‘komandant legjendar’, etj., Adem Jashari, me ngujimin e fëmijëve, grave dhe pleqve, në të vërtetë kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre”, kishte shkruar Idrizi.
Ndaj këtyre fjalëve ka reaguar Krasniqi përmes shkrimit të titulluar “Krimi i monstrës ‘intelektuale’”.
“Kurrë nuk do të më kishte shkuar mendja se në Kosovë ka ndonjë i arsimuar i mirëfilltë i edukuar në frymën moderne apo tradicionale kombëtare, që për flijimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij të flasë me një gjuhë barbare, aspak njerëzore, siç bëri ‘intelektuali’ e ‘shkrimtari’ i vetëquajtur A.I.”, ka shkruar Krasniqi, i cili Idrizin e cilëson “’intelektual’ dhe ‘shkrimtar’ të shpifur”.
“Unë, qytetari i kësaj toke, ndjehem i fyer, jashtëzakonisht i fyer që një mendje e vetëquajtur përdhos kryeheronjtë e luftës çlirimtare”, shkruan Krasniqi. “Unë po bindëm për të saten herë se pushka vret vetëm një herë, ndërsa penda në dorën e “intelektualit” monstër vret përtej pushkës e pas pushkës. Kësaj populli do t’i thoshte: ‘Mos e vet se tregon vet’”.
Ndryshe, ndaj reagimit të Krasniqit reagon edhe Gazeta Express, në artikullin “Një fashist primitiv në krye të Parlamentit”, ku thuhet se “gjuha e përdorur nga Kryetari i Parlamentit është jashtëzakonisht e ashpër dhe e ngjashme me fjalimet fashiste të kohë së Adofl Hitelit, kur i akuzonin njerëzit për deformime fizike dhe psikike”.