Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri
Kur në vitin 1999 kosovarët e fituan lirinë, falë edhe humanizmit perëndimor, nuk ishin të rralla rastet kur ajo u keqpërdor në mënyra brutale. Shumica prej nesh edhe më tutje i kanë të freskëta në mendje pamjet e llahtarshme të të rinjve shqiptarë, ditën e 28 Nëntorit të vitit 1999, që i kishin linçuar disa të moshuar serbë në sheshin qendror të Prishtinës.
Po shfrynin mbi ta pasionet më të ulëta njerëzore. Drejtësia vendore dështoi të merret me këtë rast. Dështoi të merret edhe me shumë e shumë raste të tjera të dhunës që shumica shqiptare po ushtronte ndaj pakicës, sidomos asaj serbe, në shenjë hakmarrjeje për krimet e llahtarshme që muaj më parë i kishte kryer regjimi gjenocidial i Sllobodan Milloshevicit ndaj shumicës shqiptare.
Një gjendje e tillë e një mungese totale të rendit dhe ligjit kishte vazhduar për afër një vit pas përfundimit të luftës. Administrata ndërkombëtare e UNMIK'ut ishte tërësisht e përgatitur për të vendosur një sistem të balancuar dhe neutral të drejtësisë në vendin tonë. Për ta bërë rrugën e gjatë më të shkurtër Shefi i pasluftës i UNMIK'ut i kishte certifikuar gjyqtarët vendorë për ta ndarë drejtësinë, pa kurrfarë asistence ndërkombëtare. Ashtu siç nuk po funksiononin shumë aspekte të jetës në vend, ashtu nuk funksionoi si duhet as drejtësia. Të gjendur nën presionin publik gjyqtarët vendorë filluan të dënonin pa kurrfarë kriteri serbët lokalë, për krime të luftës. Në procedura të përshpejtuara, në mungesë faktesh dhe dëshmitarësh, gjyqtarët vendorë në mbi 20 raste i dënuan serbët e dyshuar për krime të luftës me dënime maksimale.
Kjo gjendje filloi të bëhej e padurueshme dhe në këto rrethana Administrata e UNMIK'ut u desh të ndërhynte me një urdhër administrativ 2000/64, me anë të të cilit obligoheshin gjyqtarët vendorë që në rastet e krimeve të luftës në secilin panel të inkuadronin edhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Me kalimin e viteve rastet e krimeve të luftës kaluan tërësisht si kompetence e gjyqtarëve ndërkombëtarë.
Prej rreth 20 rasteve që gjyqtarët vendorë i kishin gjykuar për krime të luftës, në shkallën e dytë mbi 90 për qind e tyre u anuluan nga gjyqtarët ndërkombëtarë. Serbët e dënuar në mënyrë joligjore u liruan, kurse tëtjerët e vazhduan vuajtjen e dënimit.
Ardhja e gjyqtarëve ndërkombëtarë prej shumicës së moderuar të qytetarëve ishte parë si një mundësi ideale që edhe në vendin tonë drejtësia të ndahet sipas ligjit, e jo sipas pasioneve. Ishte parë si një mundësi ideale që gjykata të shërbejë si një vend ku ndahet drejtësia për ngjarjet, e jo për individët. Ishte parë si një mundësi e jashtëzakonshme që prokurorët të mos shndërroheshin në persekutorë të individëve,vetëm pse ata i takojnë një grupacioni etnik, apo pse ata në një të kaluar të tyre e kanë pasur një pozicion të caktuar.
Është ironike se si në momentin kur shqiptarët dhe serbët janë shumë afër një pajtimi historik, prokurorët ndërkombëtarë po i bëjnë të njëjtat gabime që 13 vjet përpara tyre i kishin bërë kolegët vendorë. Për dallim prej të parëve motivet e këtyre të fundit nuk dihen.
Është ironike se si në momentin kur Kryeministrat e dy shteteve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë, po pajtoheshin për një vizion të përbashkët europian dhe për një lloj pajtimi historik, prokurorët ndërkombëtarë ishin të vetmit që nuk po pajtoheshin me këtë.
Është ironike se si në kohën kur Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, ai i Hagës, është përpara mbylljes dhe tashmë ka hequr dorë prej ndjekjeve të mëtutjeshme, prokurorët e EULEX'it e kanë nisur një fushatë të paparë deri më tani në Kosovë. Ata në emër të krimeve të luftës, janë duke i persekutuar udhëheqësit e luftës. Në vend të krimeve po i hetojnë individët. Është në kufi të pabesueshmërisë se si komandant të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të tjerash akuzohen që gjatë kohës së luftës e kanë kaluar ilegalisht kufirin. Një
Gjë të tillë me dhjetëra herë e ka bërë edhe Kryeministri aktual i shtetit të Kosovës. A do të arrestohet edhe ai një ditë? Është ironike, se si shumica shqiptare edhe më tutje nuk e dinë se kush i ka vrarë mbi 10 mijë qytetarë civilë, sot prej prokurorëve të EULEX'it ngrihen aktakuza spektakulare, të mbështetura vetëm mbi dëshmitë e mërive personale të kushërinjve dhe fqinjëve. E tillë është aktakuza që është ngritur kundër ish Komandantit Sami Lushtaku.
Është ironike se si ngrihen aktakuza për probleme triviale të ndodhura gjatë luftës, siç janë grushtimet eventuale brenda lagjeve dhe fshatarëve dhe mbeten të pazbardhura krime të llahtarshme të masakrimit të qindra personave.
Është tejmase ironike që sot e kësaj dite ende nuk janë dënuar ata që urdhëruan vrasjen dhjetëra mijëra civilëve, djegien e qindra mijëra shtëpive, shfarosjen e bagëtisë dhe deportimin e mbi1(një) milion shqiptarëve për në vendet fqinje dhe qindra mijëra të tjerëve nëpër male, kurse prokurorë të EULEX'it kanë ngritur aktakuzë kundër ish komandantit të përgjithshëm të UĒK'së, Sylejman Selimit, se gjatë luftës ka torturuar një person duke e pickuar në organe gjenitale.
Problemi esencial i drejtësisë së EULEX'it është se është bërë pjesë e intrigave dhe inateve politike në vendin tonë. Shumica e aktakuzave të ngritura kohëve të fundit për krime të luftës nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën. Janë thjesht hakmarrje primitive në mes të dy lagjeve, dy fshatrave apo dy partive politike që zanafillën e kanë shumë më përpara se të mendohej apo të ndodhte lufta në Ish Jugosllavi. Thjesht, misioni i EULEX'it është shndërruar në servis të këtyre animoziteteve tribale. Si për shembull, individë të kriminalizuar, si Nazim Bllaca, që aktualisht
po mbrohet nga EULEX'i janë shndërruar në kryeprokuror. Z. Bllaca përmes intervistave televizive shpeshherë na ka treguar se cili ish komandant i luftës, apo cili lider politik, është në radhë për t’u ndjekur dhe hetuar nga prokurorët e tij personalë. Mirëpo, kjo nuk është ndjekje, kjo është përndjekje. Është persekutim, dhe jo prosekutim.
Bazuar në këto thashetheme dhe inate personale, prokurorët e EULEX'it ka kohë që kanë marrë tiparet dhe zakonet më të shëmtuara të rajonit tonë, Ballkanit. Dhe në vend të hetimit të objektit/ngjarjes, ata po i hetojnë individët/subjektet. Një qasje e tillë prosekutimin e shndërron në persekutim. Prokurorin e shndërron në persekutor.
Për këto arsye dhe për shumë të tjera, shtrohet pyetja, cili në fakt është misioni i EULEX'it?
A është misioni i EULEX'it që të na ndihmojë ne si shoqëri në nevojë që ta përmirësojmë qeverisjen tonë, ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, t'i luftojmë edhe krimet e vërteta të luftës pa marrë parasysh emrat dhe mbiemrat që mund të fshihen pas tyre? Apo misioni i EULEX'it është që të jetë servis i grupimeve kriminale, që në një kohë të caktuar mund edhe të janë penduar për krimet e tyre?
Apo është misioni i këtij misioni që në emër të krimeve të luftës të provojnë t’i zgjidhin konfliktet shekullore dhe zakonore në mes të fqinjëve shqiptarë dhe jo vetëm, bazuar në Kanunin 500 vjeçar të vjetër të Lekë Dukagjinit, për ara e për mexha? A e ka mandatuar Brukseli dhe a e ka aprovuar Kuvendi i Republikës së Kosovës një mision të kësaj natyre? Një qasje e tillë, në emër të drejtësisë, 14 vjet pas luftës nuk po i mbyll, por vetëm sa po i bën edhe me të dhimbshme plagët e luftës. Një qasje e tillë, në emër të drejtësisë, 14 vjet pas luftës, nuk po mbyll kapituj të largët dhe të dhimbshëm, por po hap të tjerë.