2013-07-19

Ikja e të rinjve nga Kosova dukuri shqetësuese

Emigrimi - Azil
Shqetësimet e mëdha që po paraqiten kohëve të fundit rreth ikjes së të rinjve dhe të shumë familjeve kosovare për në shtetet perëndimore, e veçmas nga Rajoni i Gjilanit ka shtyrë Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu” të organizojë një debat për t’u trajtuar pikërisht kjo çështje.
Nënkryetari komunës së Vitisë, Abdyl Bajrami, tha  se dukuri shqetësuese në komunën e Vitisë është shkuarja e theksuar e të rinjve drejt perëndimit. Sipas tij, me ligjet e reja në Hungari është lehtësuar një korridor, të cilin po e keqpërdorin agjenci e individë të ndryshëm. Ai tha se kjo dukuri ditëve të fundit është pakësuar, falë edhe bashkëpunimit me policinë, por shtoi se rinia edhe më tej vështirë po ia del të gjejë punësim, andaj nuk po shohin perspektivë.
Sipas Bajramit, nuk dihet numri i saktë i atyre që po ikin. Ka të atillë që po zihen, andaj kjo ka ndikuar që ky trend të ndalet. Komuna nuk ka mundësi ta ndryshojë gjendjen përnjëherë, andaj kërkojnë ndihmën edhe të tjerëve.
Kolonele Elmina Mahmuti, drejtoreshë e Policisë Rajonale në Gjilan, tha se ka një muaj që nga qeveria hungareze vijnë alarme për numër të shtuar të atyre që ilegalisht kalojnë kufirin. “Nuk janë vetëm të rinjtë e Vitisë që ikin, por edhe nga komunat tjera e kjo është shpeshtuar pas marrëveshjes për lëvizje të lirë me Serbinë. Po punojmë, jemi në terren e apelojmë te të rinjtë se në Evropë më nuk ka azil politik për ne kosovarët, nuk ka as azil ekonomik. Të rinjtë të mos mashtrohen e të mos dalin në mënyrë ilegale”, ka thënë kolonelja Mahmuti, që ka shtuar se duhet pritur liberalizimin e vizave dhe t’ia bëjmë me dije të gjithëve se jemi të gatshëm për Evropë.
Ymer Avdiu, përfaqësues i Ministrisë së Diasporës, tha se dihet gjendja e përgjithshme ekonomike e sociale, kurse ai shtoi se shumë mërgimtarë e kanë statusin e pazgjidhur e prej eksodi nuk pritet asgjë e mirë, ngase ata do të kthehen varësisht se ku kapen e do të kthehen me harxhime të mëdha e me një vepër penale.
Xhevat Aliu, drejtor i Qendrës Rajonale për Punësim në Gjilan, tha se struktura që po ik është më e rëndësishme. Papunësia është problem shumë i theksuar e në Rajonin e Gjilanit, ka mbi 30 mijë punëkërkues e tregu i punës është shumë i varfër e pjesa bukur e madhe i përket rinisë, ata e kanë ndjenjën e mosperpektivës dhe mendojnë se atë mund ta gjejnë në perëndim.
Sociologu, Rahim Azemi, tha se të rinjtë janë larguar nga objektiviteti e atyre duhet sqaruar se jeta është e mirë aty ku krijohet. Faktori ekonomik, problemet sociale e mospasja e programeve që të rinjve t’u plotësohet koha e lirë janë faktorë që i shtyjnë të rinjtë në eksod. Te të rinjtë është formuar një botëkuptim se parajsa është në perëndim, por parajsa është aty ku krijohet jeta.
Edhe Sahit Abazi, Zejnullah Zejnullahu, Muharrem Bajrami, Ismet Azizi, thanë se është kjo një dukuri e dhimbshme, gjë për të cilën kërkohet punë e angazhim.
Riad Rashiti, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ka theksuar se gjendja e rëndë ekonomike është shtytësja kryesore që të rinjtë ia mësyjnë ikjes nga vendi. Si institucione në nivel lokal dhe qendror, duhet të bëjmë më shumë për ta penguar këtë problematikë e cila është shqetësuese dhe mund t’i kushtojë vendit tonë në perspektivën e së ardhmen. Rashiti u bëri thirrje të rinjve që t’i shfrytëzojnë mundësinë që ofron vendi ynë e veçmas qendrat rajonale të punësimit, të cilat ankohen për interesim të vogël.
Sa i përket komunës, ai potencoi se komuna ka mundësi të vogla të joshë rininë me projekte të ndryshme.
Demir Krasniqi, tha se këto janë skenarë për shpërngulje dhe spastrim të tokave shqiptare nga shqiptarët cilat po vazhdojnë me shekuj, kurse sipas sociologut Avni Rudaku, ka shumë shembuj të personazheve që kanë ikur e ai shtoi se ata e kanë jetën të rëndë.
Sipas tij shkaqet e emigracionit janë të shumta e rajoni i Anamoravës është më i prekuri, ngase aty mosperspektiva është më e madhja, ngase fabrikat e industria që ishte dikur u mbyllën, këtu tregu i kontrabanduesëve është më i zhvilluar dhe ata vështirë po ndalen e një gjë e tillë nuk bëhet me apele, por me veprim konkret.
Drejtori i Fondacionit “Friedrich Erbert”,  dr. Wulf Lapius tha se liberalzimi i vizave nuk e përmirëson ekonominë. Shumë vende nuk i kanë punët mirë, por nuk kishin ikje të njerëzve.
“Ju keni autoudhë e nuk keni sigurim shëndetësor, autoudhat tuaja janë më të shtrenjtat në Evropë. Në Kosovë mund të bëhen politika të drejta ekonomike e sociale. Kosovës i duhen fusha ku mund njerëzit të specializohen e shembuj të mirë për këtë janë vendet baltike”, ka thënë Lapius.
Veton Nevzati, drejtor komunal për Kulturë, Rini e Sporte, tha se komuna po u ofron hapësirën e saj të rinjve, të cilët mund të organizojnë shumë aktivitete, për ta ka benificione dhe lehtësira të tjera.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...