Nga Aleko Likaj
Taxh Mahalli në Agras, më së fundi ishte ngritur. Godina madhështore dhe kompleksi i saj, buzë lumit Jumna dukej më shumë se një mrekulli njerëzore, nga ato që janë më të pabesueshmet, të projektuar nga një arkitekt, inteligjent e artist. Njëzet mijë njerëz: zejtarë, punëtorë të zgjedhur nga të katër anët, punuan plot 20 vjet për realizimin e kësaj vepre. Që të gjithë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të kryemjeshtrit, shqiptarit Mehmet Isaja, nga Opari malor i zonës së Korçës, i cili kontrollonte zbatimin e projektit që kishte hartuar vetë. Edhe lënda e ndërtimit: mermeri, gëlqerja, rëra e kuqërremtë, korali, sedefi, kristali, u sollën nga të katër anët. Për të gjitha këto u shpenzuan disa miliona rupi. Shah Xhahani, pasi kishte futur e torturuar egërsisht në qeli babanë e tij, Jahanxhinin, perandor i mugolëve, duke i marrë fronin perandorak, kishte vendosur që të nderonte kujtimin e gruas, Mumtaze Mahalli, që kishte vdekur shumë e re. Për këtë ftoi mjeshtërit më të mirë, që lëviznin në të gjithë hapësirën europiano-aziatike. Projekti i ustait shqiptar i pëlqeu dhe i rrëmbeu zemrën. Por mjeshtri Mehmet Isaja kishte me vete edhe usta Ahmetin dhe lulishtarin Ismail Rumi, edhe ata bashkëkombas, me të cilët kishte bërë e ndërtuar shumë objekte në perandorinë osmane. Vinte i pakët nga trupi, ai njeri i dheut të shqipeve, por sytë i ndrinin. Kishte një vezullim xixëllonjës brenda tyre. Supet pak të kërrusura dhe kraharori sa një grusht. Nuk ta mbushte syrin në të parë, por në mendjen e tij vetëtinin projekte të mëdha për kohën, që nuk mund t’i bënte askush. Si oparak e bir oparaku njihte mirë gurin. E latonte, e gdhendte si një artist i madh. Aty e kishte merakun sa herë që merrte përsipër projekte ndërtimesh kudo. Ndjehej i përkëdhelur dhe i vlerësuar, si një mjeshtër i rrallë. Atë të premte, në pasditen e Tetorit të vitit 1650, Shahu dhe shpura që e shoqëronte nga pas, ku ishin edhe pesë mbretër e dy perandorë fqinj të ftuar në këtë ceremoni, ministra, poetë, dijetarë, dramaturgë, piktorë e arkitektë, erdhi që të vizitojë veprën e sapo përfunduar krejtësisht. Në krah kishte mjeshtrin Mehmet, i cili do t’i tregonte gjithë punimet në “Taxh Mahall”, ndërtuar mbi një tarracë në bregun e lumit, dy kilometër larg Agras. Më pas turma njerëzish të panumërt, që prisnin të fillonte festa. Mungonte vetëm një shenjë që duhej të vinte nga ai, i plotfuqishmi, perandori i tyre, në atë cep të veriut të Indisë. Por ai dukej i gëzuar. I ndrisnin sytë. I qeshte fytyra zeshkane dhe e rrumbullakët si asnjëherë, ato ditë. Do të prekte dëshirën dhe ëndrrën për gruan që kishte dashur aq shumë, të cilës i kishte kushtuar atë kompleks ndërtimesh me qëllim që ta përjetësonte. E kishte prekur thellë humbja e saj… Ata tani ishin përballë. Kishin qëndruar një çast e ustai zgjati dorën si për të thënë, “Kjo është ajo që unë ndërtova”. - Planimetria e kësaj përmendoreje, siç e shihni, ka trajtën e një katrori me qoshe të prera. Të katra faqet i ka të njëllojta. Në të katra skajet e bazamentit ka nga një minare prej mermeri të bardhë. – tha mjeshtri që i hodhi nxitimthi një vështrim fytyrës ezmere të Shahut. Këtë e bëri për të parë se si do të reagonte perandori. Por ajo, në atë moment, iu duk e ftohtë dhe e palëvizshme. - Përveç këtyre, në krahët e “Taxh Mahallit” janë dhe dy godina: faltorja dhe bujtina për pelegrinët, ndërtuar me zhur të kuqërremtë dhe të mbuluar me kube prej mermeri të ndritshëm. Përpara mauzoleut, dhe përpara nesh shtrihet parku i gjelbëruar, me pellgje e shatërvanë. I gjithë ky ansambël monumental me plane të përpjesëtuara e të drejtpeshuara, mendojmë se është realizuar në mënyrë të përsosur. Gjerësia dhe lartësia e mauzoleut në reliev është 57 metra, kurse lartësia e përgjithshme e “Taxh Mahallit” nga niveli i tokës deri në majën e kubesë qendrore arrin 74 metra. Kjo kube qendrore është e rrethuar nga katër kube më të vogla. – Këtu mjeshtri heshti një çast dhe u kthye nga Shah Xhahani, që tani dukej se ishte i magjepsur me gjithë panoramën që ish para tij. Iu duk madhështore. Mehmet Isaia e ftoi që të shkonin në mjediset e brendshme. Turma u vu menjëherë në udhë. Shahut iu duk sikur po ecte mbi re. Në sallën e parë ndalën. Ishte një heshtje që heshtte. – Gjithashtu brendia e këtij mauzoleu të ndarë në katër kthina të mëdha, është në harmonin e përpjesëtime me trajtat e ngjyrave. Nëpërmjet dritareve të daltuara në mermerin e kubesë qendrore, depërton përbrenda një dritare kaltëroshe, ja kjo këtu, e cila tretet me tonet e zbukurimeve të mozaikut, agatit e koralit. Në një ndarëse të lahurishme, ja ajo atje tej, kemi menduar e planifikuar që të vendoset qivuri i të ndjerës, Mumtaze Mahalli… Shahu lëvizi për atje. U fut ngadalë brenda dhe heshti, duke qëndruar në vend. Treti vështrimin në atë pikë, ku duhet të vendosej trupi i tretur i së shoqes dhe u fut në mendime. I erdhi nxitimthi në mendje pastaj, se mund që të ishte krahas saj edhe ai i tij. Kjo do të ndodhte pas një vdekje natyrale, e cila sipas tij do të ishte shumë e vonë. Atëherë kur të ishte i ngopur dhe i velur nga jeta… Më pas e gjithë shpura perandorake, që e shoqëroi Shah Xhahanin, për tek mauzoleu i së shoqes, u vu në rrugën e kthimit për në pallat, ku pritej që atje të fillonte festa perandorake. Tani ishte radha që kultin ta vizitonin shtetasit e tij, që e kishin parë të rritej dalëngadalë, para syve të tyre, për shumë vite. Shenja e fillimit të festës ishte ndezja e një flakadani në majën më të lartë të pallatit perandorak të shahut dhe ajo u dha, sapo të kthyerit u futën e ndalën kuajt e karrocat në oborr. Plasi muzika e nisi vallja. Kërcimtarët gjarpëruan mes njerëzve, që vinin të gëzuar nga ajo mrekulli, që sapo kishin shijuar. Madhështi e “Taxh Mahallit” i kishte çmendur që të gjithë, pa përjashtim. U servirën ushqime dhe pije. Verëra nga më të vjetrat e të kushtueshme nga gjithë perandoria e mugolëve, u derdhën lumë Në sallën e pritjes u ndez një diskutim i zjarrtë. Gjithkush aty pa dallim jepte mendime dhe përshtypje nga vepra e sapo mbaruar. I thurnin lavde Shah Xhihanit, por edhe kryemjeshtrit Mehmet Isaja, që rrinte aty në krah të djathtë të perandorit, në shumicën e rasteve në heshtje, por edhe i vëmendshëm, për t’u dhënë përgjigje gjithë atyre burrave të mbledhur përpara tij. - Të lumshin duart usta!– i tha perandori i persëve, një burrë i hollë e shëndetlig. – Ke bërë një vepër, që nuk do të harrohet në jetë të jetëve. Na ke mrekulluar që të gjithëve, por edhe vetë të ndjerën që nuk është më në këtë jetë, të cilës i kushtohet kjo vepër. Shpirti i saj i trazuar është sonte këtu mes nesh. Falënderojmë zotin, që ta ndriçoi ty mendimin e të dha forcë për ta përballuar, gjatë njëzet viteve, këtë kompleks objektesh. Puna jote dhe e ndihmësve të tu është art i vërtetë. Nga ana teknike unë nuk kuptoj shumë, por këtu, midis nesh kemi mjeshtër, arkitekt, piktorë, që mund të flasin për gjithë vlerat e Taxh Mahallit. Perandori i persëve u kollit, duke vënë grushtin para gojës dhe pastaj heshti. Një arkitekt nga Stambolli, Hasan Zade Be, kryemjeshtri i sulltanit, lëvizi nga vendi e iu drejtua vetë shahut, pasi përkuli lehtë kokën para tij, si për të kërkuar leje për të folur. Tjetri e pa në sy dhe i bëri shenjë me gishtin drejtues të dorës së djathtë, ku mbante skeptrin. -Madhëri, unë mendoj se, kryemjeshtri gjenial i kësaj vepre ka ditur të ujdisë përvojat dhe stilet e mjeshtërve të ndryshëm, bashkëpunëtorëve në një tërësi të harmonishme. E me të vërtetë, duke soditur pamjen e “Taxh Mahallit”, të pushton një mbresë harmonie dhe qetësie. Ajo ndërtesë mermeri, që posa pamë e vizituam së bashku, zbardhëllen midis qiparisave të lulishtes, ka diçka të mahnitshme në përpjesëtimet sqimatare të vijave, nga baza e saj deri te maja e kubesë qendrore. Me të drejtë ky mauzole vlerësohet si përmendorja më e shkëlqyer e Agras, por unë do të them se do të admirohet si një ndër kryeveprat më të bukura të historisë së arkitekturës botërore. Jo më kot u mbiquajt nga mjeshtri Isaja si, “përmendore e mrekullueshme e dashurisë dhe besnikërisë bashkëshortore” . -Një nga çuditë e këtij mjedisi është dhe cilësia akustike: aty çdo zë e çdo tingull kumbon gjatë për disa sekonda. – tha mbreti i Samarkandës, që njihej për pasionin e tij për ndërtimet. Arkitekti e skulptori nga Mançuria, Tao Li Shi, mjeshtër i disa përmendoreve të perandorëve të disa dinastive, që nga Mongolia e deri në Tibet, në fjalën e tij, tha: -Trajtat arkitektonike me pastërtinë dhe me qartësinë e linjave përkatëse, e nxjerrin edhe më në pah zbukurimoren e stërholluar, që e vesh ndërtesën me një bukuri të pashoqe. Vetë cilësia e lëndës së ndërtimit ndikon në mbresat që ushtron pamja e kësaj kryevepre: ngjyrat e ëmbla të mermerit, me ndryshimet e nuancave sipas kohës, i japin trajtave, të kësaj përmendoreje, një lehtësi të veçantë, e, si të thuash, të ajrishme. “Taxh Mahalli” duket veçanërisht tërheqës pasditeve, si kjo e sotmja, kur bie vapa, e kur mermeri nxjerr në pah disa nuanca të këndshme në ngjyrë trëndafili, por edhe më tërheqës duhet që të jetë netëve me hënë të plotë: atëherë ka një pamje përrallore. Soditja e kësaj kryevepre, lë mbresat e dëgjimit të një muzike të papërsëritshme. Bukuria e këtij mauzoleu, kurorëzohet nga natyra me kushtet që e rrethojnë. Ndërsa një artist bohem e piktor kelt nga Europa, i njohur në të gjithë lindjen si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të ngjyrave, tha: -Vlerat artistike të “Taxh Mahallit”, për mendimin tim, nuk qëndrojnë vetëm në drejtpeshimin e përmasave të harmonishme, apo në hijeshinë dhe begatinë e zbukurimeve, por qëndrojnë njëkohësisht në mjeshtërinë e përsosur të realizimit dhe në unitetin e mendimeve: aty janë shkrirë më së miri përvoja e lartë shkencore me prirjen artistike dhe me frymëzimin poetik. Urime të përzemërta mjeshtrit, për të cilin mësova këtu se është shqiptar. E çmoj shumë veprën e tij… Shah Xhahani ndjehej i lumtur. Miku i tij, mbreti i Hindustanit, Magal D’Hanapal Nehru, që rinte në rreshtin e miqve më të afërt të shahut, gjeti rastin që t’i kujtonte atij se, “përpiqej ta zbukuronte jetën e banorëve të perandorisë me vepra artistike dhe se, nën kujdesin e tij gëlonin aty poetët, muziktarët, dramaturgët, piktorët, dhe mjeshtrit e mëdhenj. Perandori u mbështet në kolltukun e tij tepër i kënaqur, pas kësaj lëvdate që dëgjoi në atë kuvend miqsh e të ftuarish. Por mbreti i Hindustanit i kërkoi pastaj Shah Xhahanit që ta lejojë mjeshtrin Isaja, të shkojë pranë tij në pallat, i emëruar si kryearkitekti i hinduve. Ai u tha, se kishte ndërmend që të bënte ndërtime përrallore në vendin e vet. -Kjo nuk është aspak e drejtë – thanë menjëherë, dy mbretër e një perandor, të cilët u ngritën nga kolltukët e tyre. – Ne do t’i bëjmë oferta dhe ai do të zgjedhë. Është në dorën e mjeshtrit kjo punë. Tre mbretërit e tjerë reaguan menjëherë. Filloi një zënkë, që Shah Xhahanit nuk i pëlqeu aspak. Nuk i vinte mirë që mjeshtri t’i ikte nga dora. Ai kishte përjetësuar ëndrrën e tij dhe duhej të shpërblehej edhe me një detyrë si ajo e kryemjeshtrit të perandorisë. U ngrit, i falënderoi që të gjithë dhe u tha që pas pak do të shtrohej darka. U tërhoq në dhomën e tij të punës. Dërgoi e thirri mjeshtrin dhe e pyeti: Në se do të jepej mundësia, a do të mund që të bëje një tjetër Taxh Mahall po kaq tê bukur e madhështor? Mehmet Oparaku, Isaja, nuk foli në çast. E pa drejt e në sy perandorin, si për ti blerë mendjen. Por atë zor se e kuptoje nën atë shkëlqim të syve, që dukeshin se fshihnin diçka. Diçka të mistershme e krejtësisht dyshuese. Shah Xhahani nuk mund të duronte që mjeshtri i “Taxh Mahallit” të shkonte e të punonte për të tjerët e të bënte një tjetër vepër, po aq madhështore sa ajo mbi lumin Jumna, në Agras. Hetonte gjatë atij çasti, e përgjonte të mësonte se ç’mund të bënte mjeshtri. Tjetri përballë, tha: - Do ta bëja përsëri Taxh Mahallin. Mbase edhe më të bukur. Ky është profesioni im në këtë jetë. Shah Xhahanit nuk i lëvizi asnjë muskul, asnjë nerv. Në fytyrën e tij, atë çast, ishte vetë vdekja. Ngriti pak dorën e djathtë e përkuli gishtat, si për t’i dhënë shenjë gardianit të tij që të afrohej. Mblodhi pastaj buzët, ku u shfaqën disa dhëmbë të shtrënguara e rrokëzoi disa fjalë që kishin një urdhër të prerë. - Merreni ! I nxirrni sytë ! I prisni edhe duart, që të mos e shoh më dhe të mos ndërtojë një Taxh Mahall të dytë! Nxirreni që këndej ! Mjeshtri u vu menjëherë në mes dy rojave dhe u tërhoq zvarrë drejt portës së dhomës të perandorit të mugolëve. - Qenke katil! I pashpirt dhe mizor o Xhahan! Mosmirnjohës! Qenke egërsira vetë…! Por Xhahanit nuk i lëvizi asnjë qerpik. Qëndroi i vetëm për një çast, ashtu në mes të dhomës e pastaj doli nga një derë tjetër e fshehtë, për të mos e parë më viktimën e tij. U fut në një korridor e doli pastaj në sallën qendrore, ku ishte planifikuar që të organizohej darka e festës. Përplasi duart, duke u drejtuar nga shërbëtorët e kamerierët e shumtë që prisnin aty e, me një zë prej ngadhënjyesi, urdhëroi: Të shtrohet. Sonte dua që të gëzohen miqtë e ne të gjithë për këtë monument, “përmendore e mrekullueshme e dashurisë dhe besnikërisë bashkëshortore”. Mbushni plot tavolinat dhe le të nisin orkestrat. Dua gaz, hare, dhe shumë dashuri, sonte. Mos u vononi. Është festa e mrekullisë njerëzore”. Kaq, tha njeriu që kishte urdhëruar një çast më parë për të sakatuar e coptuar arkitektin e kryemjeshtrin e lavdisë së tij që quhej “Taxh Mahall” e shkoi midis mbretërve e perandorëve të ftuar në atë ceremoni, duke hapur dy duart, i qeshur dhe i lumtur.
***
Legjenda thotë: Më vonë, në shtator të vitit 1657, kur u hap lajmi se Shah Xhahani ishte sëmurë rëndë, njeri nga djemtë e tij, gjakësor e bir gjakësori, i cili priste me padurim ditën për t’i zënë vendin në fron, sulmoi Agran, e pushtoi me forcë të madhe ushtarake, dhe, pasi e shfronësoi të atin, e burgosi në kështjellën e atij qyteti. Aty ai ngrysi jetën duke soditur nga dritarja e burgut me orë të tëra “Taxh Mahallin”. Vetëm kur vdiq Shah Xhahani, pas tetë vjetësh më 22.01.1666, ia nxorën kufomën nga burgu dhe e varrosën në “Taxh Mahall”, atje thellë, në ndarësen e lahurishme, ku ishte vendosur qivuri i të ndjerës, Mumtaze Mahalli…pranë bashkëshortes së tij… Për mjeshtrin, që e ideoi dhe i dha jetë mrekullisë, nuk u fol më, u harrua, madje edhe origjina e tij nga Opari i Korçës, nuk ia përmend njeri, por i japin tani kombësi të paqena.