Vjollca Tiku Pasku lindi në Fier me 12 qershor 1969.Ne vitin 1987 mbaroj gjimnazin e ri, sot Perikli Ikonomi . Me pas vazhdoj teknollogji ushqimore dega vaj - sapun . Punoj si teknolloge per 3 vjet . Ne 1996 emigroj ne Greqi se bashku me familjen . U kthye sërish në vendlindje ne 2009 , dhe tani punon ne nje biznes te vogel familjar.
YLLI I MËNGJESIT
O yll I vatrës mëngjesore!
Shkëlqimi I parë I diamantit në cak të errësirës.
Me sytë e tu cepak zgjon agimin.
Në dritën tënde vesh fustanin vesa,
ku shkund rimelin e ftohtë
në çdo centimetër të gjelbër.
Drita jote e brishtë,
përvijon majat e kërcet e maleve,
këndell lëkurën e deteve e brigjeve,
endet në enën e gjuhës së lumenjve,
ndrinë unazat likenore argjend,
në krahët dhe fundet e pemëve.
Përkëdhel butë me lustrën tënde vajin e horizontit,
e bën dritë në mesazhet rol të valëve që hapen,
nga fjongo e shkumës së bardhë.
Era lozonjare pi brishtësinë tënde,
përkund djepet e reve,
kolovitet ne lirën ajrore ngjyer me petale hëne..
Ti frymon në ajër ëmbëlsinë e bardhë,
derdh në shpirtra imazhet më të bukura të ëndrrave.
Drita jote depërton në qënien time.
Si një peshk fluturues ndihem
në ujvarën tënde qelibar..
Duajt e ajrit më ngrenë drejtë qiellit.
Imazhi I ëndrrës time sapo ka filluar të ndizet
Fryma e kristaltë më tërheq në paqen e artë.
Bukuria jote më mbështjell çdo mëngjes,
shpuplon dritën e më puth lehtë në agun e ditës.
DRITA JOTE
Përshkëndijat e zjarrta ,
i mblodha ne dorë,
qe dielli mos te kete perëndim,
sa herë dua të të shoh ,
nxjerr dritën tënde,
prej shpirtit tim.
ZGJOHUNI SHPIRTËRA
Mbi telat e rrezeve të diellit,
zogjtë harpojnë me krahët e tyre,
cicërimat çukasin ëmbësisht dritaret,
mëngjeset e reja presin pranverën e artë.
zgjohuni shpirtra!
Diamanti i dritës përthyhet,
në paqen e rreme të hijes së varfër,
vendi xixëllon me ëndërr parajse,
diej të rrem vilen në buzë politikanësh.
Tempuj podjumesh buçasin,
nga zërat kredhur në histeri,
ajri përlyhet me tymra lyrash idhnake,
toka ngjyhet nga rrenat laramane.
Fjalë të lustruara të lëkurave të zhyera,
zbrazen si fishekzjarre në zhguajt e breshkave,
e ardhmja me syze të errta paradoksale,
snjë xixë të vërtetës nuk përflak në valle.
Zgjohuni shpirtëra!
Ajri zbret i virgjër nga fresku i qiellit,
deti i patrazuar me frymë idhujsh është i thjellët,
cicërima të pastra melodish duhen kompozuar,
nga zgjimi që sjell afrimi i erës pranverore.
MËRGUAR.
Jetoj në një shqekëz të vogël , të qiellit mërguar,
larg këmishës së kaltërsisë që mbulon dafinë ditësh ,
qerpikët ajrorë ngrinë në flakën e një dashurie të jetuar,
si perdet e kohës që lidhin një çast erë vitesh.
Sa mall kam tè ndiej zërin tënd të kumbojë ,
si ajri që mbush , fërfërin në fyell e zgjon melodinë,
Sa mall kam dora jote butë flokët t’më ledhatojë,
si përkëdhelja e dorës së pranverës kur lulet lëshojnë magjinë.
Atherë.. kur lulet e bajames shpërthenin në buzë puthjesh,
dy fjalë ‘të dua’ lidhkat e rrezeve binin në kambanë lulesh,
kallama rrezesh të horizontit shkrinin orë në oxhakun e kaltër ,
derisa në hardhinë e natës vareshin yje të kuq të qashtër.
Tani.. vetëm në ëndërr më mban ne zemër përqafuar,
në madhështinë e mbretëreshës në ajrim të dendur lumturie,
derisa arteriet e bardha të agut të më kenë shfronësuar ,
e puthjet e tua t'i ruaj afresk , në ditë të akullta vetmie.
FIZARMONIK NDJENJASH .
Ja vodha Hënës ,
shkëlqimin e qerpikëve artë të pagjumësisë,
që ëndrra e shpirtit , nëpër natë,
të kalonte në rrugën , e larë fildisht.
Ja vodha Diellit,
shkëndijat e thëngjinjve të artë,
që zjarri I ndjenjave të ndrijë,
mos të shuhet si fishekzjarrë.
Ah dashuri !
Me c’vello virgjërie
je endur në tezgjahun e krijimit,
me c’fustan të bardhë nusërie
je qëndisur në peplat e bardha të qiellit .
C’ ëmbësi pikon në damar ndjenjash,
ç’pulse rrahin në këmban shpresash,
ç’zogj fluturojnë në fizarmonik ndjenjash,
je shigjet që përshkon tej e tej zemrat
UDHË E DHIMBJES
Lamtumirë shtëpiza ime,
kolona që mbani qiellin brenda,
mure që mbani pore të fëmijërisë,
dhe ti o portë me vijëzime arkaike.
Lamtumirë strehëza ime e artë,
po marr udhën e gjatë të kurbetit,
ngricën athëtime të varfërisë,
ta zbut me stufën e diellit të brishtë.
Lamtumirë trëndafil I shpirtit tim,
me fletë yjesh dhe zemër hëne,
mos ndje lotët e defit të dhimbjes,
më ndje puthjen dashurinë e zemrës.
Lamtumirë udhëza ime,
mos më thirrë në udhëkryqin tënd,
por më prit, se në u kthefsha gjallë,
do përulem të puth baltën në sytë e tu.
Copëza frymëzimi
Ato më vijnë si vetëtima që ndezin zjarre,
në embrionin e mendimit frymë e zanave,
si ulërimat e shkëndijave të pishtarëve,
që shuhen e ndizen në flakët e vargjeve.
Vijnë si tufa pëllumbash me gugatje të ëmbla,
që çajnë hulli marramendëse në fluturim,
më shëtitin në hapësira të galopoj ëndrra,
të thith dritën në gji të Hënës, deri në agim.
Vijnë si refleksione shpërthimi të gonxhes,
të qëndis pemët me ngjyrat ylberore,
të fiksoj melodinë e heshtur të aromës,
të ngjyrosin faqe petalesh me vesë qiellore.
Vijnë si dallgët e grurit të artë nëpër ara,
t’i bëj të kërcasin ngadalë në dhëmbëza mulliri,
të bëhen miell me rreze dielli qysh në farëza
të bëhen bukë në furra, ku piqet djersë kalliri.
Lermëni të shkruaj deri në atak ndjenjash,
fragmente dhimbje të pangushëlluara, vajtimesh,
fragmente lumturie në një kopësht ndenjash,
fragmente zemrash që më sjellin dallgë frymëzimesh.
Vetmi.
Vetmia aisberg ne grigjën e ngrire të shpirtit.
Rrezja kotet dhe thyen pendën e artë në buzë të saj .
Shtizat e sahatit ndalojnë në një kurorë të fishkur.
Sytë e enjtur të natës tretin hënën pa gojë, në eklipsin e jetës.
Flash i çasteve mbyllur në petalet e mermerit të ftohtë.
Vdekja vau i nëntokës ushqen rrënjët
e trëndafilit të bardhë në errësirë.
Endrrat e qiririt u fikën në shandanin e grryer ,
prej husarit fat.
Dhimbja iriq metaztazë vallëzon në zemrën e plasaritur.
Stepat e trishtimit ndjellin erë kripe
që riciklohen në qerpikët e llurbut të natës.
Puhiza e trëndafilave të kuq të kraharorit të dashurisë ,
tharë nga pështyma e njelmët e stuhisë.
Ylli i mërguar dashuri struket në tjetër galaktikë.
Ethet e ditëve endacake përplasen si shkuma e bardhë,
nen shfryrjen e brengës së dallgëve .
Retë vjollcë shtrydhin britmën e lëngët të qiellit.
Qiejt u krijuan të mbledhin aroma ,
e të derdhin të qara.
Dua.
Dua të fle në ëndrrë tënde i dashur,
në qepallat e tu të palos sytë e mi,
dua të prek ngjyrat e botëve e ngarsur,
diellin foshnjë, deri kur humb kalorësinë e tij.
Dua të shëtisim në xhep të galaktikës,
ku qilimi fluturues rend në temjan qielli,
ku shtupëzat e hënës të çelin margaritarë e dritës,
përmes yjesh të kalojmë në shëtitore misteri.
Dua të shëtisim me skitë e bardha të agimit,
Të ulemi në kurorën e tokës me filiza të rinj,
në poltron degësh të shohim feksjen e lulëzimit,
derisa veza të çahet e zogu të cicërojë zgjim.V@.
Puthja e dashurisë.
Një gjysëm hënë e argjendë,
që lëkundet si lingë midis dy brigjeve,
ndjenjë e ëmbël ,e hyjnizuar që end,
njè truk drite midis dy buzëve ngjitëse .
Kapak sysh që mbyllin botën,
në qerpikët e lakuar të zinj,
tinguj ylberi këputen e bien në tokë,
në shtatë ngjyra rrezesh kalërojnë magji.
Flutura ere që ngrihen lartë,
pranë një boshti simetrik rrotullimi,
disk tjerrje që shkrinë i zjarrtë,
në diell me frymë të kuqe amëshimi.
Përgatiti:Flori Bruqi
DOLI NGA SHTYPI PËRMBLEDHJA POETIKE E POETESHËS
VJOLLCA TIKU PASKU BOTUAR NGA SHTËPIA BOTUESE “VLLAMASI”,
DHE RADAKTUAR NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO.
Ky libër i pritur me interes nga lexuesit, për vlerat e publikuara artistike të poezive të kësaj autorie, u vu në qarkullim në libraritë kryesore të Tiranës dhe në ato të qytetit të Fierit.
NJË ZË FEMËROR QË TË DRITHËRON
ME FIZARMONIKËN E NDJENJAVE
Zëri femëror i poetes se talentuar Vjollca Tiku Pasku, ka ardhur vitet e fundit në poezinë shqipe, si një pëshpërimë e ngrohtë ndjesish, për dashurinë dhe njeriun e bukur, duke stigmatizuar njëkohësisht edhe negacionet e shpeshta të jetës sonë shoqërore. Me fëshfërimat e barit dhe aromat e luleve të Myzeqesë, ajo sjell në vargjet e saj, tingujt e rinj të një gruaje dhe një nëne të ndjeshme, me të cilat prek telat e hollë të shpirtrave tanë, duke na befasuar me drithërimat e saj.
“Kërkova bojën e lëngëzuar të shpirtit,
të shkruaj me penën e ndjenjës, pak fjalë...”
Në të gjithë librin e saj, ku mbisundon dashuria, ndjenjat kompozohen në fizarmonikën e shpirtit dhe këndohet me tingujt e natyrës. Vjollca Tiku herë qan me lotët e janarit e herë qesh me buzëqeshjen e pranverës. Ajo hyn nga palmat e qerpikëve, në dritaren e syve, për të lëshuar dritë në dy gjethet e kuqe të zemrës së çdo lexuesi. Ku të përkëdhel me flladin e ëmbël dhe të ndez me zjarr flakërues, duke krijuar çaste të hyjnizuar:
“Dridhma, flakë, zjarr, ku digjet një top dielli
që hidhet e pritet i ndezur.
Dashuria ime është dritë-frymëmarrja e syve ,
agu-zgjimi në çdo ditë,
trëndafil ngjyrë purpur, puthje,
prekje e mirazhit shpirtëror, Aurorë e agimeve njerëzore...”
Pas emigrimit për shumë vjet me radhë, autorja sjell në vargjet e saj edhe vuajtjet e dhimbshme të mërgimtarëve, punën e vështirë, lotët e hidhur të mallit për atdheun, ku pluskon fëshfërima e erës së kthimit:
“Zemra ime ndizet si temjani,
tymi së cilës u end nëpër botë,
s’gjeta asnjë vend të ngrohtë,
përveçse në vendlindjen time.”
Një nga ndjenjat më esenciale të saj, është dashuria për nënën, të cilën e gjejmë në poezitë e pothuaj të gjithë poeteve. Por te Vjollca Tiku, ajo buron nga brendia e veçantë e thellësisë së ndjenjave të saj:
“Një shami rrezesh palosur në xhepin e zemrës.
O Nënë e ëmbël që vështron me sytë e engjëllit...
Dua të marr pak nga e kuqja e një burbuqe,
për të çelur buzëqeshjen tënde.
Në këtë botim të parë poetik, dallohet qartë femra që flet me dhimbjen e një nëne. Është zëri i saj tingëllues gjer në pëshpërimë, herë si një ledhatim dashurie, herë si brengë, herë si një thirrje drejt tokës dhe qiellit për të ndihur fëmijët e mjerë:
“Nga një botë e tërë fëmijësh pa fëmijëri,
kumbon lutja në gjer në pafundësi:
Bëjeni, o njerëz, këtë botë më të mirë,
që të jetojmë fëmijërinë tonë të dëlirë…!
Krijimi poetik është një proces i magjishëm që ngjizet njëkohësisht me dy përbërës: nevoja për të thënë ngacmimin e brendshëm dhe mënyra si mund ta shprehësh artistikisht. Me penën e frymëzimit në dorë, ajo sheh në telat ajrorë, fushat e notave, çelësin e solit diell, ndjell muzën, sjell tingujt, vargjet, dhe refrenin e melodisë së poezisë. Dëshira e saj është vetëm të shkruaj. Pra, metafora e ngjeshur dhe e gjetur bukur në elementet atmosferik e tokësor, është materiali virtual me të cilin ajo ndërton të gjitha poezitë e saj.
“Fry o erë!
T’i shkul nga trupi, çdo pendë të frymëzimit, në ditët e mia!…
Kur sytë t’më mbyllen e goja t’më lidhet me shami toke.
thellë në tokë, mbështjellë me qefin të lastartë,
në rrënjë të tij, bari të më përkëdhel, e fërfërijë,
faleminderit nga zemra e gjelbërt,
që dikur shkrove për mua me dashuri!...”
Në mbyllje të pak rreshtave, që mundëson kreu i këtij libri, mund te them se Vjollca Tiku Pasku vjen në poezi, me një elegancë, të sigurt femërore, e veshur me një tis magjie transparente, gati qiellore, i cili natyrshëm i jep asaj statusin e PRINCESHËS së poezisë myzeqare. Shpirti i madh dhe i bukur i kësaj poeteshe, shpalos në të gjithë materialin e shkruar poetik, një botë plot ngjyra, të vrojtuar me syrin e saj të mprehtë e origjinal dhe të ndjere me regëtimat e shqetësuara të zemrës.
Vullnet Mato - shkrimtar, redaktor i librit.