2013-10-03

Qazim Shehu:FIGURA E AHMET ZENEL ÇEKAJ ,DËSHMI E VUAJTJES DHE KRENARISË


Shënime për romanin:”Unë kam qenë në Mathauzen”, të autorit Shpend Topollaj

image

Poeti , shkrimtari, kritiku i talentuar Shpend Topollaj, gjithnjë e më tepër po dëshmon se është në vlugun e një krijimtarie të suksesshme, me zgjerimin e një game tematike që vjen përherë duke marrë konture të reja të shfaqjes; njëkohësisht ai është nga ata të rrallë shkrimtarë që manifeston një narracion të mbushur me bulëza jete dhe i përket detyrimisht imponimit të natyrshëm për ta çuar deri në fund.Ky mendim më është krijuar që herët, po m`u përforcua teksa lexova romanin e tij të fundit, një roman biografik, të cilin m`u desh të mos e lëshoj nga dora prej magjisë së rrefimit dhe stilit elegant, ku ishte thënë ajo që duhej e asgjë më tepër. Kjo tregon se kur shkrimtari e njeh mirë lëndën dhe ka pasionin për ta trajtuar atë brenda fuqisë së vet krijuese , larg çdo mode apo poze, vepra të tilla dalin mirë dhe të gëzojnë e duhen vënë re, duhen rekomanduar në këtë tollovi leximesh.

Romani që po paraqesim është mbështetur në një figurë, Ahmet Çekaj, malësor nga Shipshani i Tropojës, i cili është një nga heronjtë e Rezistencës kundër fashizmit, një nga luftëtarët e lirisë, që e pagoi këtë rezistencë në kampet famëkeqe të nazizmit dhe që vetëm fati e shpëtoi gjallë. Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga ajo kohë, edhe pse janë shkruar për këtë temë nga shkrimtarë të tillë si,Erih Maria Remark, romani në fjalë paraqet një dëshmi të re, paraqet një kolor të ri artistik, larg çdo ngjashmërie brenda ngjashmërisë së tmerrit dhe të lojës së përgjakshme, makabre që kreu nazizmi mbi njerëzit. Në këtë kuptim romani i Shpendit e sjell pa droje, me freski, skenën e përgjakshme të fashizmit në gjithë çuditë e saja ngjethëse,dhe pasuron këtë temë me një nerv të ri artistik.

I gjithë romani, vënë në vetën parë, nga rrëfimi i Ahmet Çekajt-na dëshmon atë luftë të përhershme që bënë këta njerëz kundër pushtimit dhe pushtimeve, dke mbajtur të gjallë idenë e lirisë dhe të shpresës, dashurinë për njerëzit dhe jetën, besimin se një e ardhme më e mirë do të vinte pas zhdukjes së kolerës fashiste.Kjo ide, që jepet në indet e një narracioni të tejdukshëm e të ngrohtë, universalizohet në çdo kohë dhe merr kuptime të sentencave filozofike , kur është fjala për të përballur të keqen, mungesën e lirisë , për të mos toleruar dhunën. Kështu ideja aktualizohet dhe merr konotacione shprehëse , jashtë çdo modifikimi, brenda natyrshmërisë së vet.Kjo ide të bën krenar se ajo sillet edhe si trashëgimi nga brezat paraardhës, nga ata prindër me moral të fortë e me dashuri të pafundme për familjen dhe fisin, për njerëzit në tërësi, që kishin instiktin e kohës dhe të ndërgjegjshëm manifestuan urtësi në përballjen e sfidave të saj. Për këtë ndihet krenar edhe i biri i Ahmetit, Faslli Çekaj, avokat i nderuar.Kjo krenari merr vlera të shumëfishta sot,kur gjithnjë na duhet t`i rikthehemi së kaluarës për të parë vlerat e saj më të bukura, sa herë tronditen vlerat e sotme. Edhe këtë ide e realizon bukur romani i Shpend Topollajt, gjithnjë duke i qëndruar besnik një kompozicioni të ngjeshur, në largim ndaj pjesëve të tepërta.Në letërsinë shqiptare është shkruar për temën e tmerreve te fashizmit nga Petro Marko, apo ndonjë autor tjetër. Petro Marko e ka pasë më të lehtë për të shkruar, sepse i ka përjetuar vetë, ndërsa Shpend Topollaj ka pasur vështirësi, por duke pasë imagjinatën e shkrimtarit ,dashurinë për temën , një material të bollshëm lëndor, ai ka arritur ta nënshtrojë këtë temë në kufijtë e një natyrshmërie të besueshme, duke na dhënë gjithë autencitet traditat zakonet në Malësinë e Gjakovës, marrëdhëniet fisnore, dialogjet dhe mendësitë e njerëzve në kohë, sjelljet e tyre, veprimet që kodifikohen e marrin vlerë prej një rryme qindravjeçare, rastësitë fatlumtura pas një tmerri të gjatë që provokohet nga vdekja që të rri mbi krye, rastësitë që sjellin gjëmën dhe të papritua të tjera herë të këndshme e herë të pakëndshme.

Romani i Shpend Topollajt e sjell figurën e Ahmet Çekajt në disa plane, si njeri i një krahine të caktuar, Shipshanit, i lindur nënjë mjedis ku njihet burrëria, besa, maturia, kujdesi për njerëzit e familjes dhe respekti tradicional i malësorit tonë për gjithë njerëzit të cilët në roman përmenden me emra reale dhe të profilizuar brenda natyrës së tyre;si njeri që i bashkohet rezistencës për liri dhe provon rreziqe të pafundme në përpjekjet për ta realizuar këtë liri, atëhere kur zymtia e luftës nuk jepte shpresë; si një njeri që provoi tmerrin e Mathauzenit, tmerr që përshkruhet në faqet më të gjëra të romanit.

Tentativa e shkrimtarit për të dhënë dimensionet e jetës njerëzore në rrethana të disfavorshme, nuk është e pasukseshme, përkundrazi në këtë përpjekje të përshkrimit ravijëzohet bukur portreti i njeriut që nuk e humbi kurrë kurajon, as shpresën dhe qëndroi ballëhapët përballë vështirësive të panumërta që lejonte kjo luftë mizore dhe absurde.Në faqet e romanit të Remarkut për kampet shfarosëse jepen me dhjetra skena nga tmerri,dhuna, poshtërimi i njeriut dhe denatyrimi i një force të verbër të bishës naziste. Ky roman është “Shkëndija e jetës”, të cilin një masë e madhe lexuesish e njeh mirë. Por personazhi Ahmet Çekj sjell pamje të cilët nuk janë të njohura ose plotësojnë një tipologji të krimit. Ato pamje dhe raste të makabritetit nazist për të cilat fantazia më e shfrenuar do lodhej duke i prodhuar.Dhe në të gjithë këtë spikat dashuria për jetën, sakrifica dhe vetësakrifikimi i shqiptarit i, cili u masakrua në vend të polakut ,megjithëse ishte më i fortë se ai, pse ai,polaku kishte një familje që e priste. Vitet do bëjnëtë tyren dhe i biri ,Faslliu ,do shkojë një ditë në muzeun Mathauzen, e atje, tek tyta e pushkës në skulpturën e partizanit shqiptar ai do të gjejë një lule, para se ta vendoste ai. Ishte djali i polakut që vinte çdo vit aty dhe vendoste këtë lule në shenjë mirënjohje ndaj shqiptarit trim që u sakrifikua për babanë e tij.Raste të tilla jo vetëm janë poetike -dramatike,po ato japin nënshtresën e një ideje të madhe sublime:popujt , njerëzit, janë njësoj, humanizmi dhe sakrifica është sa e lashtë aq e re, ajo është filli i artë që i lidh njerëzit, ndërsa janë ideologjitë dhe klanet mashtruese oligarkike që i prodhojnë ato si mashtrim i verbërt që i hedh popujt në luftë kundër njëri tjetrit.Ahmet Çekaj nuk u bë dëshmitar i kësaj, u bë i biri, Faslliu, po kjo e madhëron edhe më shumë atë sakrificë sublime të luftëtarit të lirisë.Romani i Shpend Topollajt e sjell figurëne Ahmet Çekajt në rrethana të ndryshme; shpëtimi nga ky kamp famëkeq,i ngjet një balade popullore, nga ato baladat tip të popullit që kanë të bëjnë me rikthimin e njerëzve që nuk priten më, as shpresohen se do vijnë.

Kthimi i Ahmetit në shtëpi, ku nuk e njohin fëmijtë e vegjël të cilët ai nuk i njohu, i ngjan pikërisht baladës popullore, i ngjan atyre rasteve të jashtëzakonshme të jetës në rrethana mizore ku humbet çdo shpresë. Po ja që kështu ndodh, sepse një ditë do të ndodhë më e bukura, më e mira për njerëzit e mire, rezistentë ndaj së keqes së përbotshme. Jeta do mbjellë filizat e saj mbi gërmadhat e shkatërrimit, jeta në raport me vdekjen, terrorin është e pashkatërrueshme.Është një nga momentet më të bukura ,më emocionuese, kthimi i Ahmet Çekajt në shtëpi. Po ajo shtëpi e dashur, po ai burim po ajo rrugë, ato gardhe dhe ato kopshte. Dhe zëri i njerëzve të tij të dashur ,njerëzit që thirren.Është një rikthim në jetë, pasi janë kapërcyer tmerret dhe rrathët e ferrit që ngushtoi jetën deri në zhdukje. Poetika e përshkrimit të autorit arrin kulmin, natyrshmëria jepet sikur autori të jetë pjesëmarrës i kësaj skene.Ajo është forca e jetës të cilën autori e mbart si një frymëzim i përhershëm në faqet eromanit dhe ka fuqinë imagjinative ta përshkruaë pa asnjë artific.Dimensioni i figurës së Ahmet Çekajt është një dimension tejet human, dimensioni i njeriut, burrit malësor i mbruajtur me virtyte, gjendur shpesh në rrethana ekzistenciale, po kurrë i trusur para tyre, është dimensioni i njeriut që kurdoherë ka bërë mirë edhe pse e kishte në dorë të bënte të kundërtën, kujtojmë rastin kur ai ishte xhandar në Pukë dhe nuk edekonspiroi fshatarin që kishte një armë, apo raste të tjera nga jeta e vet.Dhe në këtë përshkrim të tij ,të mirat që ai ka bërë në jetë vijnë dhe shpërblehen përmes rastësive të bukura, nga njerëz të mirë.Ky mesazh ndoshta vërteton një të vërtetë hyjnore, po më së shumti edhe një praktikë të jetës apo një sentencë se e mira gjen të mirën.



Me romanin e vet, Shpend Topollaj rreh një temë që pakkush e ka trajtuar, jë temë të largët, të rrahur nga letërsia europiane dhe nga letërsia dokumentare, po merita e tij është se duke kapur një jetë njerëzore në rolin e protagonistit të luftëtarit të lirisë,ai e plotëson këtë temë, madhëron kuptimin e saj, e sjell gjithë lëndën jo thjesht si një përshkrim kujtimesh, sado të bukura qofshin, po më shumë në ide, të cilat mbeten të freskëta dhe aktuale.Pasi e lexon me një frymë romanin të mbetet në mendje figura e këtij malësori trim,të urtë bujar, me një përkushtim të madh ndaj familjes dhe shokëve dhe ndaj atdheut dhe lirisë. Duke e shkëputur nga rrethanat konkrete për ta sjellë atë në përafrimin e një personazhi letrar, mund të themi se si personazh letrar ai mbetet tepër i realizuar, kthehet në një vlerë përfaqësuese të gjithë atyre njerëzve të mire, të cilët nuk kursyen asgjë për nder e dinjitet, të cilët sakrifikuan çdo gjë dhe treguan trimëri të pashoqe në aspiratat e tyre njerëzore duke materializuar në karakterin e tyre vlerat më të mira të shqiptarit.Vetë përshkrimi në vetë të parë , jo vetëm që e bën më bindës romanin -një mënyrë rrëfimtare që afron distancat shpirtërore-,po ai kohën dhe individin i kalon sa herë në planet e njëri tjetrit, duke e nënvizuar idenë se çdo kohë sado e verbër dhe e paarsyshme që mund të jetë-ajo kurrë nuk mund ta shënojë veten pa vullnetin e njerëzve që shënojnë atë.Dhe fatmirësisht ,vullneti i njerëzve në Luftën e Dytë Botërore që shënuan sakrificat dhe përpjekjet për liri , qe më i madh se vullneti i atyre që dëshironin të kundërtën.Prandaj dhe triumfoi liria….

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...